Dr. Nail Draga*
Hyrje
Në lidhje mbi ngjarjet e zhvilluara në periudhën kohore të Krizës Lindore(1875/78) deri me tash janë publikuar studime të ndryshme nga autor vendas dhe të huaj. Është e njohur se në sajë të kontekstit gjeopolitik të kohës Principata e Malit të Zi parësore kishte projektin e pavarësisë se vendit nga Perandoria Osmane, por njëherit edhe të zgjerimit territorial, me synim daljen në det, ku aspiratat pushtuese ishin edhe ndaj viseve shqiptare në perëndim të Vilajetit të Shkodrës.
Në këtë aspekt Tivari dhe rrethina e tij paraqet ekzemplar të veçantë për hulumtim dhe analiza ushtarake e gjeopolitike për kohën. Duke qenë qyteti më perëndimor i Vilajetit ai ishte arena e një lufte të përgjakshme, duke u bërë simbol i vandalizmit dhe shkatërrimit të përgjithshëm gjatë dy muajve të bombardimit si asnjë qytet tjetër deri në atë kohë.
Pas zhvillimit të operacioneve ushtarake dhe pushtimit të disa territoreve në lidhje me perfitimet dhe me zgjerimin territorial të Malit të Zi me mbeshtetje kryesisht nga Rusia u diskutu edhe në Konferencën e Shën Stefanit(3 mars 1878) dhe në Kongresin e Berlinit(13 qershor 1878). Ishin pikërisht vendimet e Fuqive të Mëdha të cilët vendosen sipas interesave të tyre gjeopolitike duke legjitimuar fillimin e dekompozimit të Perandorisë Osmane në Ballkan në aspektin territorial, duke anashkaluar parimin etnik në territoret përkatëse, ku shqiptarët e pësuan më së shumti.
Deri më tash ngjarjet për Tivarin për vitët 1877/78 janë trajtuar nga autor të ndryshëm duke ofruar të dhëna të cilat mund të trajtohen në shumë aspekte varësisht nga qasja e tyre profesionale. Por në lidhje me këtë temë ekziston një autor i cili pothuaj ka mbetur i panjohur për opinion e gjerë, dhe si i tillë nuk citohet fare nga studiues të ndryshëm, sidomos të ata sllav, që është rast për hulumtim, duke marrë parasysh se libri i tij mund të konsiderohet si bazë për trajtimin e kësaj çështje ne këtë periudhë kohore.
Fjala është për autorin Spiridon Gopçeviq (1855-1937) i cili këtë çështje e ka trajtuar me shumë kompetencë në librin Crnogorski turski rat 1876-1878, botuar në Beograd të përkthyer në gjuhën serbe në vitin 1963 nga shtëpia botuese Vojno dello. Libri ofron të dhëna me interes nga vet fakti se autori ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve, që është rast i rrallë për kohën duke ofruar të dhëna autentike, në aspektin ushtarak por edhe ate gjeopolitik në këtë regjion. Qasja e tij për këtë ngjarje historike mbetet burim kryesor për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta trajtojnë këtë çështje pa subjektivizëm e improvizime, por në realittein e rrethanave të kohës.
_________________
*Qendra Kulturore-Ulqin
Kush është Spiridon Gopçeviqi?
Spiridon Gopçeviqi (1855-1937)
Ka lindur ne Trieste ne vitin 1855 nga familja me origjinë nga Boka e Kotorit. Familja e tij është marrë me tregti. Në vendlindje ka kryer shkollën fillore ndërsa të mesmen dhe fakultetin në Vien. Në Vien ka studiuar shkencat historike, gjeografike, ushtarake dhe të detarisë. Po ashtu është marrë edhe me studime filologjike. Ai ishte poliglot ku sipas disa të dhënave ka ditur ti flasë dhe t’i shkruajë 13 gjuhë! Pas vdekjës së të emës ka ndërprerë shkollimin dhe ka filluar karierën si gazetar, duke raportuar vendet ku luftohej.
Në vitet 70- ta të shek. XIX ka qendruar në Mal të Zi, dhe ka punuar planin e parë urbanistik të Cetinës. Ka qenë vullnetar në kryengritjën e Bosne-Hercegovinës (1875) dhe në luftën malezezo-turke(1876). Raportet nga lufta i ka publikuar në gjuhën gjermane në pjesën e veçantë për Malin e Zi.Nga një punë e tillë disavjeçare boton librin Lufta e Malit të Zi kundër Portës 1876-1878 (Wien 1879). Po ashtu gjatë vitit 1878 ka botuar edhe broshurën Turqit dhe miqtë e tyre. Si korespondent i Wiener Allgemeine Zeitung ka përcjellur punën e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit dhe kundërshtimin e saj vendimeve të Kongresit të Berlinit. Si rezultat i këtyre shkrimeve ka shkruar veprën Shqipëria e Veriut dhe liga e saj(Lajpcig 1881). Në vitin 1882 raporton për kryengritjen në Bokë të Kotorit e Hercegovinë dhe krizën në Egjipt.
Si reporter i Berliner Tagblatt-it ka informuar për luftën serbo-bullgare në vitin 1885, duke shkruar edhe librin Bullgaria dhe Rumelija lindore (Lajpcig 1886-1889). Duke mbajtur qendrim pro Serbisë, ata e emërojnë atashe i përfaqësisë së Serbisë në Berlin(1886) e më pas në Vjenë (1887-1890). Gjatë kësaj kohe shkruan librin Serbija dhe serbët. Me rekomandim të Mbretërisë serbe udhton në Bullgari e Maqedoni në vitin 1888 ku më pas shkruan shkruan librin Serbija e vjetër dhe Maqedonia dhe ka punuar Hartën etnografike të Maqedonisë dhe të Serbisë Jugore.Në vitin 1889 e lëshon Serbinë ku me pas mban anën e Austro-Hungarisë.
Ka bashkëpunuar me 60 revista dhe 86 gazeta ditore. Në Vienë ka botuar revistën Die Velt(1889) dhe Wiener Tagespot. Gazetarinë e ka lëshuar në vitin 1893.Një kohë të shkurtër ka qenë në burg për shkak të shkrimeve kundër pushtetit. Nga Viena shkon në Mali Loshinj dhe është marrë me astronomi. Këtu në vitin 1893 themeloi observatorin Manora . Ky observator u emërua me emrin e gruas së tij, një grua fisnike austriake e pasur. Në këtë observator ai përdori teleskopët e tij për të vëzhguar Henën, Marsin, Saturnin, Venerën e planetë të tjerë. Për shkak të problemeve financiare e mbylli ate në në vitin 1909. Nga viti 1899-1909 u dhe themeluesi i Astronomische Rundschau një gazetë shkencore e njohur asokohe në gjuhën gjermane. Më vonë ai kaloi disa vite në Amerikë, ku ka shkruar dy opera. U kthy përseri në Vienë (1914) dhe iu kushtua politikës dhe publicistikës. Gjatë Luftës së Parë Botërore ka qendruar në Vienë, duke pasur qendrimin austrofil ku ka theksuar se sllavet e jugut duhet të jenë nën Austro-Hungarinë. Pas luftës ka jetuar i tërhequr në Berlin. Rrethanat e vdekjës së tij (1937) janë akoma të paqarta, por arsyeja duket se ka qenë vetmia, varfëria e stresi.
Të dhëna me interes për shqiptarët
Edhe pse në artikujt dhe studimet e tia mund ti bëhët verejtje për qasje subjektive e ca herë edhe jo shkencore, libri Lufta malazezo-turke 1876-1878, ofron të dhëna me interes për ne shqiptarët, sidomos për viset shqiptare në Vilajetin e Shkodrës, para dhe pas Kongresit të Berlinit. Ishte pikërisht kjo periudhë kohore e cila në sajë të pazarlleqeve të Fuqive të Mëdha, filloj në praktikë rrudhosja territoriale e hapësirës etnogjeografike shqiptare dhe zvoglimi demografik i shqiptarëve në viset përkatëse, të cilat iu dhanë Malit të Zi në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ishte kjo koha e fillimit të shpërnguljës së shqiptarëve dhe popullsisë tjetër me përkatësi konfesionale islame sllavofone, duke u vendosur kryesisht në Shkodër, por edhe në mjedise të tjera të Shqipërisë.
Hapësira etnogjeografike shqiptare
Duke lexuar librin e Gopçeviqit del qartë se kemi të bëjmë me të dhëna të veçanta, sidomos kur është fjala për hapësirën etnogjeografike shqiptare. Çështja ka të bëjë me ate se territoret e banuara me popullsi shqiptare i quan jo Perandoria Osmane por Shqipëri, dhe pse në atë kohë Shqipëria nuk ishte shtet i pavarur, por ekzistonte me emër të tillë. Në aspektin territorial Gopçeviqi hapësirën etnogjeografike shqiptare e ka ndarë në tre njësi përkatësisht regjione, apo nahije sikurse e cekën në libër, duke qenë autori i vetëm në kohë dhe me pas me një përkufizim të tillë gjeografik. Kështu kemi Nahija e Shkodrës, me 376 km2 ku si qytet i përkiste Tivari më 8000 banorë, pastaj Nahija Shqiptare me sipërfaqe prej 379 km2 ku qytet kryesor ishte Podgorica me 6000 banorë dhe Nahija e Plavës, me 958 km2 me qytet Plavën me 14000 banorë(f.360).Po ashtu na ofron edhe të dhëna të përkatësisë konfesionale.Kështu për Nahinë shqiptare cekën se prej 22.000 banorëve sa janë gjithsej 8000 janë muslimanë të cilët e urrejnë malazezet…. (361). Nga këto të dhëna hapësinore del qartë se hapësira etnogjeografike shqiptare përfshinte sipërfaqen prej 1713 km2.
Ndërsa duke analizuar vendimet e Kongresit të Berlinit Gopçeviqi me plotë të drejtë thot se “dhe ma keq është dhurata e danajve Nahisë së Plavës ku nga 14000 banorë as ma pak e as ma shumnë por 10000 janë muslimanë të cilët llogartitën armiqtë me të medhënj të malazezve”(f.361), duke konstatuar se “Malit të Zi i jepen ato vise që popullata i urren malazezët dhe me të gjitha forcat mbrohet nga aneksimi”(f.362).
Ballina e librit e përkthyer serbisht (1963)
Lufta e Malit të Zi për zgjerim territorial
Në kontekstin gjeopolitik të kohës Principata e Malit të Zi parësore kishte projektin e pavarësisë se vendit nga Perandoria Osmane, por njëherit edhe të zgjerimit territorial, me synim daljen në det, ku aspiratat pushtuese ishin edhe ndaj viseve shqiptare në perëndim të Vilajetit të Shkodrës.
Lufta e zhvilluar në Hercegovinë e Bosnje, si dhe nxitja nga Rusia e shtynë Serbinë e Malin e Zi në një aksion të përbashkët kundër Perandorisë Osmane.Ato pasi lidhën marrëveshje me 12 qershor 1876 në Venedik, nga fundi i qershorit i shpallën luftë Turqisë. Por, në sajë të situatës gjeopolitike Austro-Hungaria e frikësuar se situata nuk do të zhvillohej në favor të saj, arriti një marrëveshje me Rusinë për caktimin e sferave të interesit. Ajo tentativë u paralajmërua në Rajshtat(Çeki) me 8 korrik 1876, ndërsa me Konventën e Budapestit, më 15 janar 1877, u përkufizuan obligimet ku me këtë rast Rusia lejoi që Austro-Hungaria ta pushtonte Bosnjën e Hercegovinën, ndërsa Rusia të mos ndihmonte në formimin e një shteti të madh sllav në Ballkan.Por, nga data 24 prill 1877 Rusia i shpalli luftë Turqisë, duke paralmëruar se do të ketë ndryshime në hartën politike të territorëve që ishin në kuadër të Perandorisë Osmane.
Se Rusia qendronte pas veprimeve të Serbisë dhe Malit të Zi, nuk ishte veprim i panjohur, dëshmon edhe angazhimi i saj me 1 nëntor 1876, për të lidhur armëpushimin në mes Serbisë dhe Turqisë, ndërsa me ndërhyrjen e fuqive evropiane një armëpushim i tillë u arrit në mes Malit të Zi dhe Turqisë.Por, një paqë e tillë ishte e përkohshme sepse Serbia dhe Mali i Zi duke filluar nga muaji prill 1877, vazhduan luftën kundër Turqisë. Ishte kjo aleanca ortodokse e cila nga Perandoria Osmane kishte planifikuar përfitime territoriale me konceptet mesjetare duke mos përfillur përkatësinë etnike të popullsisë në territoret përkatëse. Dhe e sulmuar si në lindje nga Rusia dhe perëndim nga Mali i Zi e Serbia, ishte e qartë se Turqia nuk do të ishte në gjendje të mbronte territoret qe i kishte pushtuar shekuj më parë në Ballkan.
Rrjedhat e ngjarjeve treguan se qarqet drejtuese të principatave ballkanike e shftytëzuan situatën situatën e krijuar jo vetëm për të realizuar qellimin e tyre për pavarësi kombëtare, por edhe për të realizuar planet ekspansioniste, të cilat kalonin caqet e bashkimit të tyre kombëtar duke synuar kufijt e shtetëve të tyre mesjetare, ku përfshihej edhe pjesa më madhe e tokave shqiptare. Pikërisht gjatë shek. XIX sundimtarët dhe shtresa e lartë në Mal të Zi kanë shprehur dëshirën e tyre për zgjërim territorial të Malit të Zi dhe aneksim të tokave të reja, ku si caku jugor i vendit të tyre ishte lumi Drin. Pra, kemi të bëjmë me një politikë të hapur pa improvizime për pushtimin e territorëve të reja, ku shqiptarët u vendosën para sfidave të mëdha për të mbijetuar dhe qendruar në territoret e tyre në rrethana të reja në prag të dy tubimeve ndërkombëtare(Paqa e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit).
Lufta kundër Perandorisë Osmane zhvillohej në disa fronte. Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane me 24 prill 1877 dhe me shpejtësi korri suksese të mëdha ne shumë fronte, duke depërtuar në drejtim të Stambollit. Kështu me 10 dhjetor 1877 pushtuan Plevnën, me 4 janar 1878 Sofjen, me 20 janar Edrenën, ndërsa më 24 shkurt 1878 e pushtuan Shën Stefanin paralagje të Stambollit. Të frymëzuar nga këto fitore Mali i Zi vazhdoi luftën kundër Turqisë, ku parësore ishte depërtimi ndaj jugut dalja në detin Adriatik dhe pushtimi i territorëve nga deti, lumi Buna e deri të liqeni i Shkodrës, përkatësisht marrja e Tivarit e Ulqinit për të vazhduar për Shkodër.
Por, para se të fillonin operacionet luftarake për marrjen e Tivarit, ushtria malazeze veproi në mënyrë strategjike fillimisht duke okupuar rrethinën e tij, për të siguruar territorin për veprime ushtarake pa pengesa ndaj qellimit kryesor qe ishte pushtimi i Tivarit. Kështu pasi kishte depërtuar në perëndim deri të Kufini me pas arriti afër Tivarit, e më pas me tetë batalione pushtoi Krajën me 13 nëntor 1877, duke djegur e plaçkitur fshtara, e madje duke treguar vandalizëm sepse shkatërruan përktësisht i thyen varret. Pasi kishin siguruar kushtet në terren për rreth filluan bombardimin e Tivarit me topa me 16.11.1877. Po ashtu për qellime stratgjike me pas u nisën në aksion nga drejtimi i Dobravodës, Mërkotit e Goranës duke djegur e plaçkitur fshatra të tëra. Por, ata nuk u ndalën këtu por ia mësynë edhe Anës së Malit ku me 19.11.1877 në vendin e quajtur Rrezigaqe të Suka e Hanit në Krythë u zhvillu një betejë e përgjakshme. Në këtë marshim të tyre në Anën e Malit ku si qellim kishin për të vazhduar tutje për në Shkodër forcat malazeze humben betejën dhe u terhoqen për në drejtim të Tivarit.
Në sajë të dhënave në këtë betejë kanë marrë pjesë nga ana e Perandorisë Osmane ushtarët shqiptarë vendas, shkodranë dhe dibranë të udhehequr nga Mehmet Mlika. Sipas disa burimeve në luftën e Rrezigaqës kanë humbur jetën nga ana malazeze 38 ushtarë e 78 janë plagosur, ndërsa humbjet e turqve(shqiptarëve) ishin 71 të vdekur dhe 115 të lënduar. Në Anë të Malit kjo kohë njihet si “Koha e Shkjaut të parë:”Ushtarët e vrarë janë varrosur në Sukën e Hanit, varrez kolektive e cila ekziston edhe sot.
Në ndërkohë bombardimi i Tivarit nuk kishte të ndalur ku pasojat ishin të mëdha në objekte dhe në popullsinë e cila ishte e vendosur në Kala. Në rrethimin dhe luftën për pushtimin e Tivarit kanë marrë pjesë pothuaj të gjitha batalionet e Malit të Zi(rreth 20), përveç atyre qe kanë siguruar pozitat kufitare. Artileria ka qenë e përbërë nga 4 topa rus e 6 topa turq dhe 8 të tjerë më të vegjël.Topat e malazezëve kanë gjuajtur ditën dhe natën duke shkatërruar e djegur shtëpitë në qytet, ndërsa bedenet iu kanë përballuar goditjeve.Ishte kjo një luftë e paparë deri atëherë ne keto regjione.
Sipas disa të dhënave para rrethimit të Tivarit qyteti në Kala kishte 3000 banorë, ndërsa në Tivarin Poshtë 5000 banorë. Por, me të filluar lufta u kriu një situatë dekompozuese e popullsisë, sepse të friguar nga fillimi i luftës për të gjetur shpëtimin e vet në qytet u vendosën edhe popullsi nga rrethina e ngushtë. Banorëve të Tivarit iu kanë ardhur në ndihmë, mërkotas, ulqinakë e shkodranë. Këtij numri duhet shtuar edhe 2800 ushtarë andaj llogaritet se numri i i banorëve në Kala të Tivarit arriti në rreth 8000 banorë. Së bashku më banorët në kala ishin kryetari i qytetit Ibrahim begu e poashtu edhe Shaban begu e Selim beg Bushati. Pas rezistencës dy mujore, humbjeve të mëdha në njerëz(250 banorë dhe 1400 ushtarë), mungesës së ushqimit dhe shkatërrimit të ujësjellesit, Ibrahim begu pranoj dorëzimin e qytetit përfaqësuesit të Principatës së Malit të Zi me datën 8 janar 1878, duke nënshkruar aktin përkatës.
Ishte kjo një luftë e veçantë, sepse gjatë këtij rrethimi Tivari mbeti i izoluar, si nga toka dhe nga deti. Edhe pse forcat e Perandorisë Osmane, tentuan disa herë ti ndihmojnë Tivarit përmes rrugës detare, duke vendosur anijet e tyre me armatime pranë bregdetit dhe bombarduar caqet malazeze, objektivi nuk është arritur. Në lidhje me luftimet për pushtimin e Tivarit Gopçeviqi shkruan detalisht në librin e tij, por me këtë rast po paraqesim pjesën e cila ka të bëj me procesin përfundimtar të dorëzimit të qytetit ku ai shkruan:
Rënia e Tivarit
“Në kala pamja ka qenë e tmerrshme, nga 600 shtëpi qe kanë qenë aty, asnjëra nuk ka shpëtuar, me tepër se gjysma e tyre janë bërë hi e pluhur, ndërsa disa ndërtesa tjera janë shënderruar në germadha. Por, turqit megjithate kanë qendruar.(f.333)
Me kapitullimin e Tivarit (10 janar 1878) përkatësisht dorëzimit të tij(N.D.) malazezet kanë fituar një grumbulll të madh germadhash. E tëra ka qenë e shkatërruar përveç azamateve qe iu kanë përballuar bombardimeve, ku në të cilat janë gjetur 2600 banorë të stresuar-kryesisht ga, pleq dhe femijë.ga meshkujt dhe njësitet kanë mbetur rreth 1400 të aftë për luftë dhe 200 të plagosur, ndërsa 1200 ushtarë dhe 400 joluftetarë kanë vdekur gjatë këtyre dy muajve të rrethimit. Janë rrembyer topa të kalibrit më të rëndë, 6 flamuj, 800 kuintal barut, 2000 pushkë të tipit “martina” dhe 1100 pushkë të tjera, disa qindra pjesë të armeve të vjetra dhe helmeta nga koha mesjetare sllave dhe vendedikase, 1 milion fishekë për pushkën “martina” dhe me në fund ushqim për një muaj ditë për 4000 ushtarë. Kështu ka rënë kjo vendqendresë e Shqipërisë, pas një mbrojtje të lavdishme të gjatë”.(f.337).
Për luftën e zhvilluar për pushtimin e Tivarit dhe rënien e tij ka të dhëna të ndryshme por me ketë rast po japim dy të dhëna tjera nga autorë joshqiptarë. Kështu duke qenë pranë ushtrisë malazeze gazetari francez Aguste Maylan sjell dëshmi autentike në rrethimin e Tivarit. Ai ne mes tjerash shkrua se:
“Mali i Zi hodhi mbi këtë qytet 10.000 gjyle topi, që i pat dhënë Rusia dhe s la gjë në këmbë.Qelbëshin rrugët nga kufomat e mbuluara nën gërmadha. Në një xhami të rrëzuar u gjetën kufomat e 200 grave “muslimanka”(shqiptare), të vdekura nga uria. Kam parë shumë rrethime të tjera, por s kisha parë kurrë një gjë kaq të tmerrshme sa ky qytet i mjerë i Tivarit, ku s ka mbetë asnjë shtëpi në këmbë…”
Ndërsa po ashtu edhe Antonio Baldacci jep të dhëna interesante për Tivarin duke cekur:
I shkatërruar tërësisht nga një bombardim i gjatë dhe i vazdueshëm në vjeshtën e vitit 1877, sot është një grumbull rrënojash që ruhen me kujdes si një dëshmi e aftësisë së ushtrisë malazeze fitimtare në ato ditë kur e shkatërroi qytetin e bombarduar nga të gjitha anët, në fillim duke shembur minaretë dhe xhamitë, pastaj pallatet e bejlerëve dhe të krerëve myslimanë, dhe më në fund të gjithë qytetin që nuk donte në asnjë mënyrë të dorëzohej.
Në këtë grumbullim kaotik të rrënojave ngrihen muret e bardha ndarëse të shtëpive të rrënuara, si një skelet i heshtur i një të kaluare të shkëlqyer..
Foto: 1. Pamje nga qyteti i Tivarit në vitin 1877 (para luftës)
Foto nr. 2. Pamje nga qyteti i Tivarit (1878) pas luftës
Pas pushtimit të Tivarit ushtria malazeze vazhdon me operacionet ushtarake drejt jugut dhe pas një lufte të përgjakshme Ulqini me 18 janar 1878 bie nën sundimin e Malit të Zi. Gjatë kohës së luftimeve Ulqini është djegur, ku ka marrë flakë gjysma e qytetit si dhe vet çarshija. Protestat e shqiptarëve kundër aneksimit nga Mali i Zi.
Ne rrethanat e reja si pasojë e pushtimit të territoreve të tyre shqiptarët u shpërngulën kryesisht në Shkodër por edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Vetëm nga Ulqini bëhët me dije se janë shpërngulur 143 familje, e po ashtu edhe nga Tivari, Kraja e Ana e Malit, Podgorica, Spuzha e Zhablaku.
Ishte kjo koha e ekzodit i cili ka pasur pasoja të mëdha për popullsinë shqiptare. Në lidhje më këto çështje shqiptarët kanë ngritur zërin duke shkruar memorandume, letra e peticione përfaqësive të ndryshme diplomatike, duke treguar gjendjen e tyre momentale dhe dëshirën për tu kthyer në vendet e tyre.
Në letrën e protestuese dorëzuar ambasadorit francez në Stamboll më 8 maj 1878, të cilët e kanë nënshkruar delegatët nga Podgorica, Shkodra, Ulqini, Malësia e Tivari thuhet:
Ne poshtë të nënshkruarit, përfaqësues të Podgoricës, Spuzhës, Zhablakut, Tivarit, Ulqinit dhe rajoneve të Grudës(Malësia), Kelmendit, Hotit e Kastratit, të krahinës së Shkodrës, kemi nderin t ju drejtohemi shkëlqesisë Suaj, që përfaqësoni në këtë kryeqytet Republikën Franceze, për ti parashtruar sa vijon:
Fqinjët tanë malazezë, me anë të sulmeve të vazhdueshme kundër qytetëve tona na kanë detyruar prej shekujsh të jetojmë në gjendje mbrojtjeje të përhershme dhe nëpërmjet veprimeve të tyre të egra kanë bërë që të mos kemi asnjë lloj sigurie.
Ne, katolikët e myslimanët, vëllezër që prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, kemi qenë gjithnjë të bashkuar për t u rezistuar akteve të kusarisë dhe kemi derdhur lumenj gjaku për të mbrojtur qytetet dhe fshtarat tona.
Mirëpo sot morëm vesh nga gazetat se qeveria osmane, duke mos i rezistuar dot presionit të Rusisë u detyrua të pranojë aneksimin tonë nga ana e malazezve të egër, armiqt tanë që prej katër shekujsh.
Është fakti që në gjirin tonë ka një pakicë të vogël sllavësh, që u takojnë viseve të Podgoricës e Tivarit, ndërsa nëntë e dhjetave të banorëve të këtyre vendeve janë myslimanë dhe katolikë. Midis nesh (katolikë e myslimanë) dhe malazezëve nuk ka kurrfarë lidhjeje në pikëpamje feje, kurse ne jemi në pjesën më të madhe shqiptarë si nga feja, ashtu edhe nga gjuha.
Malazeztë, duke mos respektuar kushtet e armëpushimit dhe duke përbuzur të gjithë zakonet e paqës,njerëzimit dhe qytetërimit, u janë vërsulur pronave tona dhe ullishtave, kanë plaçkitur pasuritë tona, në vlerë prej 100.000 lirash , e kanë keqtrajtuar priftin tonë, të cilin më në fund edhe e kanë arrestuar, kanë djegur me zjarr tempujt tanë, kanë detyrua të gjithë bashkëkombësit tanë nga 15 deri 70 vjeç për të kryer shërbimin ushtarak, fakte këto të pa parë në historitë e popujve, dhe kanë arritur deri atje sa edhe gratë tona i kanë çuar në fushën e luftës.
A mund të lejojë Republika e Francës që vende të zhvilluara të shndërrohen në rrënoja? Mbeshtetur në sa u parashtrua mbi bazën e ligjeve të vendeve të civilizuar është e domosdoshme që forcat okupuese të largohen prej territoreve tona.
Ne kemi … ruajtur gjatë pesë shekujsh zakonet dhe fenë tonë, gjuhën dhe kombësinë tonë, prandaj ne protestojmë pranë Fuqive të Mëdha kundër aneksimit të vendit tonë nga Mali i Zi.
Në qoftë se Evropa… dëshiron të na ndihmojë për të gëzuar një shkallë më të lartë qytetërimi nga ajo që kemi arritur deri më sot dhe ka dëshirë të garantojë përparimin dhe sigurimin tonë, si mund të lejojë aneksimin tonë nga një vend (tjetër)…
Shkurtimisht, ne shohim rrezikun që na kërcënon dhe sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar, pëlqejmë të asgjësohemi sot duke mbrojtur nderin dhe lirinë tonë, prandaj kemi vendosur të mos biem nën skllavërinë e Malit të Zi.
Lusim që shkëlqesia e Juaj të ketë mirësinë për t ia paraqitur ketë kërkesë tonën qeverisë franceze para se të mblidhet Kongresi i Berlinit”.
Letër protestuese edhe nga banorët e krahinës së Krajës
Në një protestë të fshatarëve të krahinës së Krajës, të dëbuar prej malazezëve, drejtuar Grinit konsullit të Anglisë në Shkodër ndër të tjera thuhet:” Ne të nënshkruarit, kryetarët e dymbdhjetë familjeve fatkeqe… jemi prej fshatrave të Kështenjës dhe të Martiqit në Krajë. Që kur Mali i Zi i ka pushtuar, shkatërruar dhe djegur shatrat tona dhe pasurinë tonë, ne kemi ardhur në Shkodër, ku bëjmë një jetë të mjerueshme…Në fillim qeveria na caktoi një sasi misri për të ushqyer familjet tona fatkeqe edhe të mëdha në numër. Ky misër, në vend që të pakësonte vuajtjet e tyre, i shtoi edhe më tepër sepse, për të mos vdekur urie, këto familje e pëprdorën këtë misër të kalbur dhe të prishur…
Këto familje vdiqen nga misri i kalbur. Nga ky shkak brenda një kohe fare të shkurtër vdiqën 240 vetë nga ata që kishin ardhur prej krahinës së shkretëruar të Krajës, ku kishin lënë vatrat e tyre dhe ishin kthyer në njerëz pa shtëpi… Ndodhemi në gjendje të mjerueshme dhe të vajtueshme. Për shkak të kësaj gjendjeje të mjerueshme ne kemi vendosur të kthehemi në fshatrat tona për të punuar dhe nxjerrë bukën e gojës. Përndryshe, po të zgjatim qëndrimin tonë këtu, pa strehë dhe pa ushqim do të duhej të pësojmë fatin e shokëve tanë tash të vdekur”.
Gjendja nuk ishte më e mirë as në Ulqin. Pas rënies nën Mal të Zi(18 janar 1878), Ulqinin e lëshuan 143 familje, duke u vendosë kryesisht në Shkodër.Theksohet se në Tivar e Ulqin autoritetet malazeze konfiskojnë bereqetin e tokave të atyre qe kishin ikur.
Në raportin e konsullit anglez në Shkodër, Grin, drejtuar qeverisë së vet, me 12 prill 1878, bën fjalë për Ulqinin ne mes tjerash duke cekur se “… tre mijë banorë të Ulqinit janë thjeshtë shqiptarë. Kufiri natyror i propozuar me rrjedhën e Bunës nuk mund të pranohet nga ulqinakët…”
Ndërsa në raportin e ambasadorit të Francës në Stamboll, Furnie, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Vadingtonit, pos tjerash theksohet, “… M u dorëzua nga Jusuf Efendiu, njëri nga deputetët shqiptarë të parlamentit të fundit të Turqisë, një protestë e bashkatdhetarëve të tij…Tivarit dhe Ulqinit… ku ishin kundër aneksimit të tyre nga ana e Malit të Zi. Ata do të rezistojnë…”.
Gjithashtu ndaj sundimit të Malit të Zi treguan mospajtim edhe katolikët e Krajës.
Kështu në një memorandum dërguar Fuqive të Mëdha me 16 qershor 1878 gjenden nënshkrimet e tetë përfaqësuesve nga Shestani. Midis tjerash në atë memorandum shkruhet:“Ne ju lutemi që ta mbroni tërësinë tonë nacionale dhe territoriale”. Duhet cekur me ketë rast se nënshkruesit janë shqiptarë të konfesionit katolikë e myslimanë të kësaj pjese të krahinës së Krajës, që dëshmon qasjen unike ndaj çështjes kombëtare shqiptare nga të gjithë përfaqësuesit e popullit pa dallim feje e krahine.
Dekompozimi territorial sipas Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit
Në sajë të marrëveshjeve paraprake Paqja e Shën Stefanit në mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane u nënshkrua me 3 mars 1878. Rusia bëri çmos dhe mbeshteti aleatet ballkanik, duke i siguruar Malit të Zi zgjerim territorial, dalje në det duke legjitimuar aneksimin e territoreve shqiptare.
Por, Anglia dhe Austro-Hungaria me kohë e kishin sinjalizuar Rusinë se nuk do të pranonin kurrfarë paqeje që nuk do të ishte në përputhje me interesat e tyre. Me një fjalë kemi të bëjmë me një Traktat politik sipas interesave sllave të udhëhequr nga Rusia për dominimin e saj gjeopolitik në Europën Juglindore. Kështu në Shën Stefan u muar vendim që pjesë të mëdha të hapësirës etnogjeografike shqiptare t’i jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Kështu Malit të Zi i jepeshin Ulqini, Tivari, Kraja, Ana e Malit, Hoti, Gruda, Kelmendi, Vermoshi, Plava, Gucia, Rugova etj.(neni 1). Më njëherë u vendos për formimin e Komisionit përkatës për caktimin e vijës kufitare në mes Malit të Zi dhe Turqisë. Por, duhet theksuar se deri në Kongresin e Berlinit, mbi kufijtë në mes Malit të Zi dhe Turqisë në anën e Shqipërisë nuk është arritur marrëveshje e detajuar dhe globale.
Traktati i Shën Stefanit ishte vepër e Rusisë dhe aleatëve të saj ballkanikë, dhe si i tillë ishte akt ndërkombëtar që konfrontoi interesat e Fuqive të Mëdha dhe shënoi fillimin e copëtimit të trevave shqiptare në dobi të monarkive ballkanike. Ishte pikërisht ky Traktat i cili u bë shkak përçarjesh e grindjesh të thella e të zgjatura midis popujve të Ballkanit, u bë nxitje për luftëra të reja e më të tmerrshme. Nga ky Traktat dual qartë se Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të ruante tërësinë e saj tokësore në Gadishullin Ballkanik, por më tepër , do t i detyronte shqiptarët të paguanin me tokat e tyre për disfatën që ajo kishte pësuar. Me një fjalë Traktati i Shën Stefanit nxori në shesh tërë politikën grabitqare, rrezikun e madh të copëtimit të tokave shqiptare si dhe interesat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha në Europën Juglindore.
Por, vendimet e Shën Stefanit mbetën vetëm në letër, sepse me një projekt të tillë nuk u pajtuan Fuqitë e Mëdha evropiane rivale të Rusisë, të cilat nuk mund ta lejonin dominimin e Rusisë në Ballkan. Ato kërkuan që të rishqyrtoheshin të gjitha hollësitë e Paqes së Shën Stefanit.
Pikërisht në lidhje me ketë çështje Austro-Hungaria, që me 6 mars 1878 dha propozimin që të thirret Kongresi në Berlin. Po ashtu edhe Anglia ishte kundër vendimeve të Shën Stefanit dhe me 1 prill 1878 u dërgoi notë shtetëve nënshkruese të Kontratës së Parisit (1856) dhe Konventës së Londrës(1871), duke parashtruar tërë problematikën dhe arsyet e thirjes së Kongresit. Rusia u frigua nga situata e kriuar dhe iu përgjigj me Memorandumin e datës 9 prill 1878, duke theksuar se vendimet e Paqës së Shën Stefanit mund të korigjohen prej Fuqive të Mëdha. Pas marrëveshjeve të fshehta, Fuqitë e Mëdha, në mënyrë që të fitonin benificione të tjera duke siguruar edhe pjesë nga territoret që mbante Turqia, definitivisht u përcaktuan ta thirnin Kongresin e Berlinit me 13 qershor 1878.
Duke parë intrigat e Fuqive të Mëdha dhe rrezikimin e tërësisë tokësore shqipatre, shqiptarët vendosën formimin e një organizate politike e cila do të ishte në interes të popullit shqiptar. Pikërisht me 10 qershor 1878, në Prizren u themelu Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kuveni i Lidhjes vendosi të njoftonte Kongresin e Berlinit, që do të mblidhej me 13 qershor, që mos ti jepte asnjë pjesë toke nga atdheu i shqiptarëve ndonjë shteti të huaj, se shqiptarët do të luftonin për ti mbrojtur.
Kongresi i Berlinit i zhvilloi punimet nga 13 qershori deri me 13 korrik 1878, ku moren pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia. Përfaqësuesit e Turqisë nuk kishin të drejta më përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, ndërsa përfaqësuesit e shtetëve ballkanike kishin të drejtë vetëm të pikëpamjet e qeverive të tyre. Ndonëse shqiptarët i dërguan Kongresit meomrandume, letra e peticione kundër copëtimit të territoreve shqiptare ata nuk u moren fare parasysh.Ky kongres kishte si mision për të rishikuar vendimet e Shën Stefanit, pra për hartimin e një harte të re politike në Europën Juglindore, sipas interesave të Fuqive të Mëdha.
Kështu në ketë kongres u vendos që Malit të Zi ti jepen ato territore të cilat ishin definuar në Traktatin e Shën Stefanit, duke filluar në jug nga Tivari, Podgorica, Zhablaku, Spuzha Plavën dhe Gucinë, ndërsa Ulqini do të mbetej në kuadër të Perandorisë Osmane, përkatësisht të Shqipërisë. Ishin këto vendime të përcaktuara në nenin 28 të Traktatit të Berlinit, ndërsa i mbetej komisionit përkatës të përcaktoj në terren kufrin në mes Malit të Zi dhe Turqisë. Me një fjalë Kongresi i Berlinit i dhuroi Malit të Zi territore që as historikisht, as etnikisht nuk i kanë takuar asnjëherë.
Ishin këto vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha duke mos e marrë fare parasysh parimin etnik pra të kombësisë, por në shprehje kanë ardhë interesat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha që ishin në dëm të popullit shqiptarë. Ishte ky fillimi i rrudhosjes së hapësirës etnogjeografike shqiptare, dhe zvoglimit demografik, pasoja këto që do të jenë të pranishme në dekadat që do të pasojnë.
Ndërsa më pas është e njohur çështja e Ulqinit që paraqet rast të veçantë diplomatik ndërkombëtar, duke renë viktimë e pazarlleqeve të Fuqive të Mëdha. Dihet se në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit u vendos qe Ulqini ti mbes Shqipërisë-përkatësisht Perandorisë Osmane, andaj ushtria malazeze është tërhequr me 8.2.1879. Por Fuqitë e Mëdha, ne kompensim për Plavën e Gucinë, përkatësisht Hotin e Grudën, bën presion diplomatik dhe ushtarak ndaj Perandorisë Osmane, e cila ia dorëzoj Ulqinin Malit të Zi në nëntor të vitit 1880, edhe pse shqiptarët luftuan aq sa kishin mundësi për të mbrojtur tërësinë toksore shqiptare. Këto ngjarje historike populli i ka pasqyruar në këngë të cilat janë dëshmi e sakrificës për të mbijetuar për liri në trojet e veta.
Se si ka ndryshuar madhësia e territorit të Malit të Zi dëshmojnë të dhënat se para Kongresit të Berlinit Principata e Malit të Zi e kishte sipërfaqen 4.400 km2, ndërsa pas Kongresit ajo u dyfishua në 8.665 km2. Ky zgjerim u bë në sajë të nenit 28. të Kongresit të Berlinit.
Ndërsa pas vitit 1880, kur iu dorëzu Ulqini Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane dhe me disa ndryshimeve të tjera të vogla territoriale sipërfaqa e Malit të Zi arriti në 9.475 km2. Këto të dhëna numërike flasin qartë së përveç luftës për pavarësi Mali i Zi po ashtu qellim ka pasur zgjerimin territorial që u arrit me mbeshtetjen diplomatike të Fuqive të Mëdha e ate kryesisht të Rusisë, duke krijuar hartën e re politike të Ballkanit.
Përfundim
Të dhënat e prezentuara nga S.Gopçeviqi, dëshmojnë të dhëna autentike sepse ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të zhvilluara rreth Tivarit, dhe në regjionin bregdetar. Por këto të dhëna vërtetohen edhe nga burime të tjera nga literatura e konsultuar enkas për këtë ngjarje historike. Eshtë çështje tjetër se ai ishte përkrahës i pushtetit malazias të kohës, por ofron të dhëna objektive në lidhje me operacionet luftarake të zhvilluara në Tivar si dhe në regjion.
Madje ky është autori i vetëm sllav i cili viset shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi i quan pa komplekse vise shqiptare sipas nahijave përkatëse. Madje mendoj së është pikërisht kjo arsyeja qe ky autor nuk citohet pothuaj aspak nga autorët sllav ne studimet e tyre,kur trajtojnë një çështje të tillë. Sepse sipas të dhënave të publikuara del qartë se autorë të tjerë kësaj çështje i janë qasur sipas interesave të politikës shtetërore, duke arsyetuar aspiratat ekspansioniste të monarkive ballkanike të kohës qe u legjitimuan nga Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit(1878).
Të dhënat qe na ofron autori del qartë se populli shqiptar luftoi me aq sa pati mundësi për të mbrojtur tërësinë tokësore shqiptare por ishte e pamundur të rezistohej më tepër duke marrë parasysh rrethanat ushtarake e gjeopolitike të kohës.
Andaj ne të ardhmen çdo temë apo studim qe ka të bëjë ne lidhje me çështjen e Tivarit në vitet 1877-78 duhet patjetër të merret në konsiderim edhe libri i S.Gopçeviqit, duke qenë referencë e domosdoshme në literaturën historike.
Literatura:
1. Spiridon Gopčević, Crnogorski-turski rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd 1963
2. Zloković, Ignjatije: Spiridon Gopčević, Godišnjak Pomorskog muzeja u Kotoru, br. 15, Kotor, 1967., str. 147-165.
3.Emekli General I.Halil Sedes, Osmanli-Karadag Seferi, Istanbul 1936
4. Antonio Baldacci, Rrugëtime shqiptare(1892-1902), Botoi:Argeta LGM, Tiranë 2004
5. Hajrudin Muja, Ulqini dhe Tivari ndërmjet krishtërimit dhe islamit, Botoi: LOGOS-A, Shkup 2009
6. Grup autorësh, Bar grad pod Rumijom, Botoi: Izbor, Bar 1984
7, Gjokë Dabaj, SHESTANI-studim filologjik gjithëpërfshirës I-II, Botoi: “Gjon Buzuku”, Ulqin-Tiranë-Prishtinë, 2004
8. Gjokë Dabaj, E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit, Botoi: Art Club, Ulqin 2014
9. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Botoi: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1978
10. Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Botoi: Art Club, Ulqin 1994
11. Fejtoni në gazetën Pobjeda, janar 1980
12. Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878-1881), Botoi: Art Club, Ulqin 1998
13. Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta per mbrojtjen e Ulqinit, Tirane 1978
14. Këngë popullore nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, IAP, Prishtinë 1978
15. Novak Ražnatović, Crna Gora i Berlinski kongres, Titograd 1979
16. Iljaz Rexha, Memorandumi i Abdyl Frashërit kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, Lemba nr.18-19/2014
17. Muhamet Pirraku, Roli i myderris Jusuf Efendi Podgoricës për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare para dhe gjatë LSHP-së, Lemba nr.11/2007
18. Andrija Jovićević, Crnogorsko primorje i Krajina, SKA, Beograd 1922
19. Safet Bandžović, Iseljavanje muslimana Crne Gore u Tursku, knj.I, Podgorica, 2011
20. Shaqir Ismaili, Bojku në Anë të Malit, Art Club, Ulqin 2011
21. Xhafer Belegu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1939
22. Skendër Rizaj, Çështja e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës dhe Ulqinit, LEMBA nr.1/1999
LUFTA PËR TIVARIN SIPAS S. GOPÇEVIQIT
Summary
Deri më tash ngjarjet për Tivarin për vitët 1877/78 janë trajtuar nga autor të ndryshëm duke ofruar të dhëna të cilat mund të trajtohen në shumë aspekte, varësisht nga qasja e tyre profesionale. Por në lidhje me këtë temë ekziston një autor i cili pothuaj ka mbetur i panjohur për opinion e gjerë, dhe si i tillë nuk citohet fare nga studiues të ndryshëm, sidomos të ata sllav, që është rast për hulumtim, duke marrë parasysh se libri i tij mund të konsiderohet si bazë për trajtimin e kësaj çështje ne këtë periudhë kohore.
Fjala është për autorin Spiridon Gopçeviq (1855-1937) i cili këtë çështje e ka trajtuar me shumë kompetencë në librin Crnogorski turski rat 1876-1878, botuar në Beograd të përkthyer në gjuhën serbe në vitin 1963 nga shtëpia botuese Vojno dello. Libri ofron të dhëna me interes nga vet fakti se autori ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve, që është rast i rrallë për kohën duke ofruar të dhëna autentike, në aspektin ushtarak por edhe ate gjeopolitik në këtë regjion. Ngjarjet e trajtuara janë në kontekstin e luftës së Malit të Zi kundër Perandorisë Osmane, ku Mali i Zi luftonte për pavarësi por edhe për zgjerim territorial.
Ndërsa, për luftën e Tivarit e cila zgjati rreth dy muaj(15.11.1877-8.1.1878) ofron të dhëna interesante duke cekur se ajo ishte e përgjakshme me shumë viktima në popullsi civile dhe ushtarë, duke e shkatërruar pothuaj tërësisht Kalanë e qytetit, që dëshmohet me germadhat e mbetura edhe në ditët tona. Rënia e Tivarit nën pushtetin e Malit të Zi si dhe disa viseve tjera shqiptare u legjitimua me bekimin e interesave të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit(1878), duke mos marrë parasysh parimin etnik të popullsisë në territoret përkatëse.
Qasja e tij për këtë ngjarje historike mbetet burim i rëndësishëm për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta trajtojnë këtë çështje pa subjektivizëm e improvizime, por në realittein e rrethanave të kohës.