Ruajtja nën diktaturë e ikonografisë së Famullisë së Komànit – sfidë për shtetin komunist

0
969

Ndoc Selimi

…DHE FLASIN DHE FLASIN MOS ME HARRUE…M. CAMAJ

“ Ikonografia kishtare e famullise se Komànit e denuar me vdekje nga regjimi komunist, u ringjalle ashtu si Krishti dhe vazhdon te jetoje mbijeten e pavdekeshme ne zemren e atij populli qe e ruajti me plot dashuri e shpirtmadhesi, e ruajti atje ne tavanin e nenes kishe, skur te ishin femije qe flinin e banoret e fshatit Komàn leviznin lehte e flisnin me ze te ulet qe te mos u prishnin gjumin”
Në vitin 1967 shteti shqiptar komunist pa asnjë argument merr vendimin famëkeq të prishjes së kishave e xhamiave dhe ndalimin me ligj të predikimit e të lutjes në çdo lloj feje dhe me një shtesë në kushtetutë shpallët shtet ateist (pa fe).

Në gjithë Shqipërinë filloi shkatërrimi i kishave dhe i vendeve të kultit. Asnjë mëshirë për strukturën, asnjë mëshirë për ikonografinë, asnjë mëshirë për morinë e madhe të librave e bibliotekave kishtare si më të vjetrat e më të rëndësishmet e vendit. Bibliotekat kishtare ruanin vlera të mëdha historiko – edukative të shekujve. Ato u dogjën dhe u shkatërruan nga piromanë të paguar e të shpëlarë mendësisht.
Veçse krejt e kundërta kishte ndodhë në kishën e Shën Markut në Komàn. Aty vazhdonin të qëndronin të pacënuara e tërë ikonografia dhe materialet e meshës, megjithëse urdhëri ishte dhënë për zhdukjen e tyre rreth tetë muaj më parë. Të vetmen gjë që kishin bërë komanasit në këtë kohë, ishte zbritja e këmbanës së vogël nga çatia e kishës dhe duke evendosur atë në ambjentin e brendshëm të saj. Në pranverë kishte dalë dekreti qeveritar për shkatërrimin e objekteve të kultit e deri në vjeshtë të po atij viti (1967), materialet kishtare të kishës së Shën Markut në Komàn qëndronin ashtu pa lëvizur, së bashku me altarin e të tjera.

Në këtë muaj dikush më përgjegjësi në fshat kishte marrë një informacion se do të vinin për kontroll direkt për këtë çështje. Ardhja e një kontrolli dhe gjetja e ikonografisë kishtare pa u shkatërruar sipas direktivave që kishte dhënë shteti komunist përbënte një krim të rëndë politik. Me urgjencë mblidhet grupi i partisë që përbëhej prej 5 -6 vetash fshatarë e thirreshin komunistët e fshatit për të marrë masa të menjëherëshme për zhdukjen e këtyre materialeve ose gjetjen e ndonjë rruge tjetër, mjafton që të hiqeshin prej andej, pasi ishte raportuar asgjësimi i tyre e në fakt ndodheshin të paprekura siç ishin më parë. U dhanë shumë mendime në këtë mbledhje pa protokoll për zhdukjen e tyre si të mbyteshin në lumin Drin, pasi lumi ishte vetëm disa metra larg, të groposeshin etj., dhe më në fund u diskutua mundësia e fshehjes në një cep të kishës. Këta fshatarë quheshin komunistë, por në të vërtetë vuanin njësoj si të tjerët, ishin besimtarë katolikë dhe në shpirtin e tyre ndjehej dashuria për fenë dhe dhëmbshuria për ikonografinë kishtare dhe vetëm një rastësi i kishte sjellë në këtë derë, prandaj morën edhe këtë vendim oportunist duke pranuar, ndoshta edhe ndëshkimin në rast se zbuloheshin.

Të nesërmen filloi puna për ndërtimin e një muri ndarës në vendin ku ishte altari, si mundësia më e mirë për një vendruajtje të sigurtë. U tërhoqën nga muret ku ishin varur dhe u grumbullua e gjithe ikonografia dhe materialet tjera kishtare te këndi i caktuar. Ato që ishin më të rënda dhe më delikate siç ishin truporja e Shën Markut së bashku me luanin që i kalonte 2 m lartësi, si dhe truporja e Shën Ndojit dhe e Shën Mërisë u shtruan për tokë. Aty u sistemuan edhe banakët, dy kambanat e mjete të tjera. Përjashtim bënë rrobat e veshjes së meshtarit dhe Ungjilli, të cilave u doli për zot Pjetër Marku (Uka), që siç u tha më vonë i kishte fshehur në mal të një vend i quajtun “Shpella e Çetës Sokolit” në bashkëpunim me Gjon Tomën (Nikaj), të vetmit që u kalbën nga qëndrimi në lagështirë për 25 vjet. Një zile dhe një shkop i gjatë që quhej “kalshejt” iu kalua shkollës me qëllim të krijimit të opinionit të asgjësimit të materialeve kishtare. Në këtë aksion për bërjen e murit ndarës me gurë mori pjesë pothuaj i gjithë fshati, e thekësoj këtë pikë pasi të tërë e dinin se ku u fshehën materalet kishtare dhe kaluan 25 vjet e askush nuk foli, askush nuk raportoi, askush nuk spiunoi, se përndryshe shumëkush do të provonte hetuesinë, burgjet e internimet, por u krijua një mjegull harrese sikur nuk kishin ekzistuar kurrë.

Ne festimin e 29 nentorit do te vinin te deleguarit nga rrethi e me andej deri nga Komiteti Qëndror i Partisë si dhe kryetari i degës së punëve të brendshme të rrethit Pukë me suitën e tij. Ardhja e delegacionit kishte dy qëllime, e para që të tatonin pjesëmarrjen e fshatarëve në shfaqjen që do të organizohej në kishë për herë të parë( pasi kisha do te kthehej ne vater kulture) dhe reagimin e tyre dhe e dyta verifikimin e informacionit në lidhje me materialet kishtare. Të gjithë drejtuesit punuan për organizimin sa më të mirë të këtij evenimenti,u përgatit një shfaqje modeste me fëmijët e shkollës dhe me një grup të rinjsh e të rejash, u vendosën parullat, u pregatit festa me një drekë të bollshme për të gjithë fshatin etj., etj.

“Mysafirët” ia mbrritën kaluar në shpinën e mushqeve të kooperativës, por 29 nëntori pati kapriçot e veta me një shi të papërmbajtshëm që vazhdoi gjithë ditën, por edhe vendasit iu përgjigjën me të gjitha forcat për të realizuar këtë objektiv. Në mëngjesin e 29 nëntorit 1967 u bë inagurimi i urës pasarelë mbi Drin e ndërtuar vetëm me kavo çeliku e drunj e projektuar nga Vehbi Tarja, nje kosovar qe i kishte ikur perndjekjes serbe dhe jetonte vetem ne periferi te Tiranes dhe zoteronte nje mjeshtri te vertete. Kjo ure ishte me gjithë kuptimin e fjalës një vepër artistike dhe lidhte dy zona të rëndësishme, Shllak e Komàn. Në orën 11 u mbush e gjithë kisha me kooperativistë e kooperativiste, të moshuar e të rinj për të parë një shfaqje modeste të nxënësve e të rinjve në ish kishën tashmë të kthyer në shtëpi kulture, duke iu përgjigjur sfidës që paraqiste kjo situatë. I gjithë delegacioni qëndronte në karriget e para dhe nuk u shkonte ndërmend se matanë murit që kishin përballë qëndronte e fshehur e gjithë ikonografia kishtare si një kundrapeshë që po i bëhej kohës, kur pikërisht kundër kishës, fesë e çdo lloj besimi tjetër kishte më se një vit që makina propogandistike shtetërore villte vrer dhe kur me qindra meshtarë e përkrahës të fesë kishin përfunduar në burgje, internime e pushkatime, të akuzuar pa asnjë motiv.

Festa mbaroi dhe fshati mori një notë pozitive në sytë e partisë. Por historia e ikonografisë nuk përfundon me kaq. Në fund te viteve 70’ do të fillonin punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Komanit dhe ndërtesa e kishës nuk i takonte më fshatit, por ndërmarrjes së ndërtimeve shtetërore dhe sigurisht ajo do të kthehej në fjetinë për punëtorët, magazinë apo do ta shkatërronin. Dalja në skenë e objekteve të kultit pas gati 10 vjetësh nga urdhëri i eliminimit të tyre, përbënte veprimtari armiqësore dhe autorët e këtij mashtrimi do t’i priste ndëshkimi. Tani barra do t’i binte një grupi prej disa personash që do të mendonin dhe t’i jepnin drejtim kësaj pune. Mark Z. Nikaj, një ndër organizatorët e kësaj ruajtje të ikonografisë, tregon në një intervistë në vitet postkomuniste: “Unë punoja si llogoritar në kooperativën e Komanit, – thotë Marku, – dhe në këtë kohë doli problemi i rifshehjes së materialeve kishtare, pasi kishën e Shën Markut (tashmë vatër kulture e magazinë) si ndërtesë e mori hidrocentrali e nuk dihej se ç’fund do të kishte. Mirë godina, por të aneksuar pas një muri ishte e tërë ikonografia e kishës së bashku me materialet e tjera. Gjithë frika ishte se zbuloheshin dhe pastaj shumë prej komanasve i priste burgu.

U konsultuam me disa shokë të besueshëm si Ndue Hila (Gera), Frrok Kola, Mark Pashuku, etj., dhe vendosëm që truporet e përmasave të mëdha, Shën Markun, Shën Ndoin dhe truporen e vogël të Zojës t’i ngjisnim në tavanin e kishës. Këtu lindi problemi i shkallëve, pasi kisha është e lartë 5 m nga dyshemeja në tavan dhe mundësia e përdorimit të një shkalle të vjetër e të pasigurtë përbënte rrezik për jetën e njerëzve, megjithatë përdorëm këtë lloj shkalle të ngjitur me drunj e të lidhur me tela. Unë, – vazhdon Marku, – hypa në tavan bashkë me Frrok Kolën për t’i tërhequr me litar, ndërsa djemtë e rinj, Jak Nika, Gjon Selimi, Ndue Doçi, Gjon Toma, Mark Pashuku, etj., qëndruan poshtë duke i shtyrë nëpër shkallë.

Pas një punë të mundimëshme dhe me rrezik arritëm t’i sistemonim në tavanin e kishës duke i mbështjellë me petkat që përdoreshin për altarin. Të dy kambanat i lamë atje ku ishin mbas murit, ndërsa të 14 mundimet në formë figurash të Jezu Krishtit i mori Frrok Kola e i ka fshehur në tavanin e shtëpisë së vet duke marrë përsipër një barrë që mund të rrezikonte përjetësisht veten e familjen në qoftë se zbuloheshin. Kështu qëndroi në hir të Zotit pa u shkatërruar kjo kishë dhe pa u zbuluar kjo ikonografi, derisa i erdhi koha të rihapeshin kishat dhe të zbrisnin në vendet e veta .(Mark Zef Nikaj, intervistë e vitit 2012)

I takoi përafërsisht edhe një dekadë e gjysëm të flinin aty mbi tavan këto materiale të shenjta kishtare deri sa të vinte ringjallja e fesë katolike dhe truporet bashkë me figurat e reliket tjera të riktheheshin në vendin që u kishte munguar dhe mohuar për mbi 25 vjet. Me heshtjen e tyre të përherëshme, komanasit nuk u mburrën, ndërkohë kur vetëm për një zile kishtare që një fshatar nga Mirdita kishte fshehur në pyll dhe e nxori në kohën e demokracisë, presidenti post komunist e reklamoi si një ngjarje të madhe duke i kushtuar faqe të tëra shtypi, ndërsa për këtë heroizëm kolektiv në mbrojte të fesë katolike nga fshatarët e Komànit, nuk u reklamua dhe nuk u shkrua asnjë rrjesht.

Në pozicionimin e sotëm është vështirë të kuptohet se cili qe mjeti fuqidhënës që ikonografia e kishës së Shën Markut në Komàn të sfidonte terrorin më të egër anti Zot të njohur prej shqiptarëve deri në këtë kohë dhe të rikthehej e gjallë në shtëpinë e vet, në vendin ku gjyshërit e stërgjyshërit i kishin vendosur me duart e tyre 170 vjet më parë? Cila ishte ajo arsye e mbinatyrshme, përveç Zotit, që ruajti një sekret kolektiv mbi një çerek shekulli në praninë e qindra spiunëve, luciferrëve ndihmës të sistemit, që vetëm një shkëndi kërkonin që më pas t’i vinin zjarrin fshatit? Ikonografia kishtare e Komanit e dënuar me vdekje nga regjimi komunist, u ringjall ashtu si Krishti dhe vazhdon të jetojë mbijetën e pavdekshme në zemrën e atij populli që e ruajti me dashuri e shpirtmadhësi, e ruajti atje në tavanin e nënës kishë, sikur të ishin fëmijë që flinin e banorët e fshatit lëviznin lehtë e flisnin me zë të ulët që mos tua prishnin gjumin.

n.selimi “Kultura e Komànit dhe komànasit”fq. 231.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar