Analizë: FUSHATA ZGJEDHORE NË PRISHTINË
Hapja e fushatës zgjedhore në Prishtinë, më 28.09.2017, e karakterizojnë defekte konceptuale që do të ishte mirë, kjo video të publikohej nëpër rrjetet sociale, për të parë elektorati i LDK-së, deri në cilin nivel Isa Mustafa dhe Arban Abrashi, po e injorojnë personalitetin historik dhe emblematik të LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, madje Instituti RIINVEST i kanë eliminuar nga prezenca në këtë ceremoni solemne edhe familjet me nam: I. Rugova, F. Agani, E. Maloku, Xh. Mustaf, N.&B. Kelmendi etj.
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Ceremonia e hapjes së fushatës zgjedhore në Prishtinë e vërtetoi se Isa Mustafa është duke ia ndryshuar fizionominë politike LDK-në, duke i përvetësuar të gjitha meritat e dr. Ibrahim Rugovës dhe të një plejade intelektualësh të cilët kanë sakrifikuar dhe janë flijuar për konceptin politik e strategjik të LDK-së. Fatkeqësisht në këtë ceremoni festive, as Isa Mustafa dhe as Arban Abrashi nuk ua përmendin as emrat, as nuk i kujtojnë dhe as nuk ua nderojnë familjet me pjesëmarrjen e tyre, ndërsa militantët e LIDHJES po u duartrokasin. Këso fshirje të trurit nuk ka ndodhur as në sistemet totalitare, por Isa Mustafa me sukses po e realizon programin e tij kundër LDK-së, duke e zhveshur këtë parti nga tradita dhe duke ia hequr edhe ato elemente që e karakterizonin konceptin demokratik të LDK-së.
Hapjen e fushatës zgjedhore më 28.09.2017, e karakterizojnë defekte të mëdha ideologjike për të cilat është dashur të reagohet fuqishëm nga kryetaret e Degëve të LDK-së në Prishtinë, nga veprimtarët e shumtë dhe nga elektorati i gjerë. Por si duket të harlisur nga hipnotizimi që ua ka bërë Isa Mustafa, ose nga kontrolli i rreptë që e bëjnë struktura të Institutit Riinvest, jo më që askujt nuk i shkoi ndërmend të reagojë, por shihej qartë se edhe elektorati po bënë një largim nga figura e ndritur e dr. Ibrahim Rugovës.
Të niset fushata zgjedhore në Prishtinë, pa prezencën e Familjes Rugova, pa prezencën e Familjes Agani, pa prezencën e Familjes së Enver Malokut, pa prezencën e Familjes së Xhemail Mustafës, pa prezencën e Familjes së Nekibe e Bajram Kelmendit, është një fyerje e rëndë jo vetëm për këto familje, por edhe për gjenerata të tëra të intelektualëve që bërë shumë për LDK-në dhe Kosovën.
As Isa Mustafa, por as Arban Abrashi, nuk e kanë përmendur qoftë shkarazi emrin e dr. Ibrahim Rugovës, por as nuk i kujtuan Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës siç janë: dr. Fehmi Agani, Enver Maloku, Xhemail Mustafa e shumë të tjerë. Një anashkalim i tillë nuk mbahet mend as në sistemet diktatoriale, por këtë e bëri Isa Mustafa dhe vartësi i tij Arban Abrashi i cili pretendon për tu bërë kryetar i Prishtinës.
Ceremonia e hapjes, do të nis me intonimin e Himnit të Kosovës, ndërsa në sfond prezantohej Flamuri Shtetëror i Kosovës, por kur u intonua “KUR KA RA KUSHTRIMI NË KOSOVË”, në sfond u prezantua vetëm Flamuri i Dardanisë, që në elektoratin e LDK-së njihet si Flamur i dr. Ibrahim Rugovës, por në asnjë rast, në ekranin e madh nuk u prezantua qoftë edhe një fotografi e dr. Ibrahim Rugovës, e le më fotografi të profesor Aganit apo të Shefit të QIK-ut Enver Maloku ose të këshilltarit politik të dr. Rugovës, Xhemail Mustafës, këta tre të fundit të vrarë në rrethana të dyshimta dhe të pasqaruara. Derisa Agani dhe Maloku janë vrarë në kohë lufte, Xhemail Mustafa është vrarë menjëherë pas lufte, por vrasësit kurrë nuk janë zbuluar dhe nuk dihet as hetimet deri ku kanë shkuar.
Isa Mustafa, bënë apel për t’u zbuluar këto raste, por sa ishte vet kryeministër dhe e kishte ministër për punë të brendshme Skënder Hyseni, as që kanë tentuar dhe as nuk kanë pasur interesim për t’u hetuar si duhet këto raste, sidomos do të duhej të hetohej vrasja e Xhemail Mustafës. Ne të gjithë e dimë se viktima të LDK-së janë edhe Familja e Nekibe Kelmendit, funksionare e lartë e LDK-së, të cilës iu vranë burri dhe dy djemtë, por Isa Mustafa dhe Arban Abrashi, as këto figura as që i kujtuan dhe as që ua përmendën emrat.
Disa brohoritjet të shkapërderdhura për Ibrahim Rugovën, shpejt u zëvendësuan me brohoritjet për Ismet Beqirin, të cilat edhe ato u pashatën shpejt, por ato për Isa Mustafën dhe sidomos brohoritjet për Arban Abrashin e kanë ekzaltuar sallën, tamam të kthenin në kohën kur Isa Mustafa me këto metoda e pat rrëzuar për tokë Fatmir Sejdiun.
Vërtetë, për të parë nëse diçka po stërmadhoj, do të ishte mirë sikur mediat dhe rrjete sociale t’i bënin publike këto pamje nga fushata zgjedhore e LIDHJES në Prishtinë, si dhe pamjet edhe nga fushata zgjedhore e datës 21 shtator 2017, në të cilat duket se si Logoja e LDK-së është mbuluar me logon “LIDHJA”, ndërsa në anën tjetër të gjitha vlerat dhe meritat e dr. Ibrahim Rugovës u harrua dhe nuk u përmenden fare. Kjo tendencë është e haptë por për fat të keq deri më tash nuk kemi ndonjë reagim as nga kryetarët e Degëve, as nga elita intelektuale, por as nga disa zëra për të cilët jemi mashtruar se do të bëjnë reforma në LDK.
Nënshtrimi kaq poshtërues ndaj koncepteve politike të LIDHJES duke anashkaluar dhe eliminuar personalitetin e dr. Rugovës, le për të kuptuar se atë që nuk e bëri Serbia në kushte shumë ma të egra, po e realizon Isa Mustafa, me suitën e tij, me një gjeneratë e ardhur në LDK, kryesisht përmes Institutit Riinvest që kanë mision për ta shkatërruar LDK-në.
Nuk ka gjë më të turpshme se sa të nënshtrohen dhe t’i shkelin meritat e një partie dhe të personaliteteve me të cilat lidhet shkatërrimi i Jugosllavisë Socialiste, kurse tashti në shenjë hakmarrjeje, Isa Mustafa po e shkatërron Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të cilën janë flijuar e sakrifikuar me dhjetëra personalitete dhe qytetar të Kosovës.
Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, në fjalimin e tij e përmendi dr. Ibrahim Rugovën, e pastaj tha se LDK-ja është familja dhe shtëpia jonë politike, e pronar të saj jemi e të gjithë ne u shpreh ai. LDK-në s’ka të drejt askush ta përvetësoj, pasi individët shkojnë e vijnë, por LDK-ja mbetet.
Fjalimi i Ismet Beqirit, sado që mund të cilësohet mjaftë i matur dhe i balancuar politikisht, për rrethanat e tanishme në LDK, është tepër i vonuar dhe nuk do të ketë as efekte anësore, posaçërisht kur në horizont tani po duken çarjet dhe armiqësitë në mes tij dhe Isa Mustafës. Tashmë edhe Ismet Beqiri e ka kuptuar se misioni i Isa Mustafës ka për qëllim shkatërrimin e LDK-së, atij i dhemb pasi të gjitha këto projekte po realizohen në saje të tradhtisë që vet Ismet Beqiri ua ka bërë proceseve dhe mjaftë personaliteteve dhe intelektualëve të cilët nga LDK-ja janë larguar falë intrigave edhe të Ismet Beqirit.
Nuk besoj se shikuesit i ka ikur detaji i nënçmimit që Isa Mustafa ia bëri edhe Ismetit, posa ai e përfundoi diskutimin e tij. Por, ky detaj i fokusuar mirë edhe nga kameramani, na jep sinjale se viktimë e qërim hesapeve në mes Ismet Beqirit dhe Isa Mustafës, do ta ketë në shënjestër sekretarin gjeneral të LDK-së, i cili bashkë me Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, jo vetëm që bartin mëkatin e tradhtisë kundër Fatmir Sejdiut, por janë fajtor kryesor të skenarit, për ta sjell Isa Mustafën në krye të LDK-së.
Edhe në këtë rast Ismet Beqiri, u tregua frikacak, ai nuk pat guximin t’i thotë Isa Mustafës, uzurpator dhe shkatërrues i LDK-së, madje nuk e tha asnjë fjalë për “LIDHJEN”, e cila haptas po shkel mbi parimet bazë të demokracisë, duke bërë përpjekje për ta asgjësuar mitin për Rugovën dhe Rugovizmin si koncept politik, filozofik, tradicional dhe demokratik.
Ndërsa Isa Mustafa kësaj radhe doli në foltore me referatin e shkruar më herët të cilin e lexoi shumë ma bukur se në rastin e parë ku linte përshtypjen se ishte në ndikim të narkotikëve. Por derisa në rastin e parë mund të thuhej se atij i shpëtuan mjaftë gabime qoftë duke i përshëndetur kryetaret e degëve dhe kandidatët për komuna, në rastin e tanishëm injorimi, nënçmimi dhe mos përmendja e asnjë gruaje lë për të kuptua ndjenjën inferiore që ka Isa Mustafa ndaj femrës, e cila po prosperon drejt të ardhmes së saj të sigurt, ndërsa mos përmendja e emrit të Dr. Ibrahim Rugovës dhe figurave të tjera të LDK-së, tashmë nuk mund të klasifikohet si gabim teknik, por ky veprim shihet se është mision në fjalimet e Isa Mustafës për ta ulur, anashkaluar dhe poshtëruar sa ma shumë këtë personalitet të madh të Kosovës. Jo vetëm në Prishtinë, por gjithandej nëpër fjalimet e tij në fushatat zgjedhore nëpër komuna ai nuk e përmend dr. Ibrahim Rugovën, ndërsa sallat stolisen me portretin e Isa Mustafës, por jo edhe të dr. Ibrahim Rugovës, e as nuk po i përmend personalitetet e mëdha të LDK-së, të atyre komunave, të cilët janë vrarë nga kushërinjtë e tij ideologjik serb.
Kësaj radhe fushata e Isa Mustafës po zhvillohet haptas duke shfaqur urrejtjen e tij kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe veçmas kundër partisë së tij Lidhjes Demokratike të Kosovës, logen e të cilës tashmë e ka mbuluar me sloganin “LIDHJA”, të cilën për fat të keq po e përkrahin të gjitha strukturat udhëheqëse pa përjashtim.
Edhe në përshëndetjet e fillimit, Isa Mustafa, mbeti duke thënë “i nderuar” këtij dhe atij, por në asnjë rast nuk e dëgjuam duke thënë “e nderuar” që i drejtohej ndonjë zonje gjë që shihej qartë se as Degët e LDK-së në Kryeqytet, nuk mund të udhëhiqen nga një kryetare, por siç dihet ato i kanë futur në karantinë, përmes Forumit të Grave, që shënon një segregacion poshtërues brenda demokracisë, dhe vet Lidhjes Demokratike.
Një diskriminim kaq i madh nuk duhej të tolerohej as nga zonjat por pse edhe ato iu kanë nënshtruar “LIDHJES”, dhe cilat janë lidhjet e tyre me Isa Mustafën dhe stafin e Riinvestit, sigurisht nëntëmuajshi i parë i qeverisjes së mundshme të Arban Abrashit do ta nxjerr Brezin e ri të Republikës?! Por gjëja që ra më në sy, nuk ishin harlisjet e tij, por ishin premtimet se LIDHJA dhe vet Isa Mustafa janë parti e “besës”, por pse udhëhiqet kaq pabesisht nuk mund ta shpjegojë askush. Sikurse nuk tingëllon mirë kur Isa Mustafa flet se si LIDHJA është parti e tolerancës, kurse me strukturat partiake sillet me agresivitet, por në asnjë mënyrë nuk mund të pranohen reforma strukturat e ardhura nga Instituti “Riinvest”.
Kulmi i kësaj çoroditje ishte kur Isa Mustafa i thurte lavde Arban Abrashit se paska mbaruar studimet për “Master”, në njërin nga universitetet më të njohur të Mbretërisë së Bashkuar në Britani të Madhe. Ai nuk foli për modelin udhëheqës që paska sjell Arban Abrashi nga Mbretëria e Bashkuar e cila ka një traditë të njohur për respektimin e Familjes Mbretërore?! Po cili qenka respekti i Isa Mustafës dhe Arban Abrashit, për Familjen Mbretërore të LDK-së siç është Familja e Dr. Ibrahim Rugovës, në kohën kur as Arban Abrashi nuk ia përmendi emrin Dr. Ibrahim Rugovës dhe as që ishte ftuar kjo familje sipas stilit të Mbretërisë së Bashkuar.
Unë e di se Isa Mustafa bashkë me Arban Abrashin, kanë bërë shumë për ta degraduar, jo vetëm Familjen Rugova, por edhe mitin dhe dashurinë për Kosovën e Ibrahim Rugovës. Në anën tjetër kemi lexuar se si deputeti Haxhi Avdyli qenka turpëruar “me një dorë të ngritur” në parlamentin e Kosovës, por për fat të keq as ai nuk po turpërohet për këtë shkatërrim dhe degjenerim që po ia bënë Isa Mustafa, dr. Ibrahim Rugovës dhe LDK-së.
Është mirë që Arban Abrashit, Isa Mustafës dhe Haxhi Avdylit dhe të gjithë atyre që kanë vjellë vrer mbi Teutë I. Rugovën, tua rikujtojmë se Familja Mbretërore e Brtanisë së Madhe, ka përjetuar një skandal me përmasa botërore me “Dianën”. Tashti duhet të na flasin Haxhi Avdyli, Isa Mustafa dhe kandidati për kryetar të Prishtinës Arban Abrashi, se dora lart e Teutë Rugovës, a nuk paska qen shumë ma patriotike, ma kombëtare dhe ma Rugoviste, se sa shkatërrimi që po i bëhet tashti me LIDHJE(?!), familjes Rugova, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tërë strategjisë politike që e ka ndërtuar LDK-ja këtu e 28 vjet me radhë?
Shkolla Britanike dhe populli i saj, po sidomos politikajtë e Britanisë së Madhe janë shembulli ma i veçantë në tërë botën, jo vetëm për krijimin e qeverisë brenda 24 orëve pas shpalljes së zgjedhjeve, por edhe për marrjen e përgjegjësisë në rast të dështimit dhe humbjeve në zgjedhje a referendum për një çështje të caktuar. Historia politike e Britanisë së Madhe, ka dëshmuar se britanikët japin dorëheqje nga dështimi në zgjedhje ndërsa Isa Mustafa i ka humbur të paktën gjashtë parë zgjedhje në nivel lokal e qendror dhe nuk ka dhënë dorëheqje, nuk ka marrë përgjegjësi, kurse elektoratit pa u skuqur fare i flitet për modelin anglez të cilin Arban Abrashi, si politikan e servil i Isa Mustafës, po e sjellka si model në Prishtinë.
Pastaj britanikët janë të njohur për emancipimin dhe respektimin e femrës e cila ka rol të rëndësishëm në Britani të Madhe, ajo kudo nderohet dhe respektohet, kurse Arban Abrashi është tipi ma agresiv dhe nënçmues ndaj gruas dhe roit të saj në shoqëri sepse Arban Abrashi është i njohur për dhunën fizike kundër gruas?! Kujtoni rastin e tërheqjes zvarrë nga salla e mbledhjes së LDK-së të intelektuales shqiptare Donikë Gërvalla. Arban Abrashi, as nuk u skuq dhe asnjëherë nuk kërkoi falje, por kurrë nuk e sqaroi pse i ndërsej zyrtaret e ministrisë së tij, kundër një gruaje, rast ky që shkaktoi skandal të madh publik.
Deri më sot, as Arban Abrashi por as Isa Mustafa nuk i kanë kërkuar falje Donikë Gërvalles, dhe as atyre grave për të cilat Isa Mustafa pat thënë se kullotin fonde?! Prandaj kjo na qenka shkolla Britanike që Arban Abrashi, do ta sjell në udhëheqjen e Prishtinës.
Kur jemi tek ky krahasim i vlerës së Shkollave Britanike apo të atyre në Evropë e Amerikë, në të cilat janë shkolluar edhe mjaftë të tjerë që po na i përmendin si shpesh, duhet t’ua shpjegojmë se ne nuk kemi qëllim për ta zhvleftësuar nivelin e lartë të shkollimit dhe emancipimit që kanë këto shkolla. Vetëm desha t’ia bëjë të qartë, Isa Mustafës, dhe sidomos votuesit pse nuk duhet me marrë parasysh krejt çfarë thotë Isa Mustafa për Arban Abrashin, sepse edhe Presidenti i Kores Veriore, është shkolluar në Zvicër, dhe askush nuk e fajëson Zvicrën pse kur është kthyer në atdheun e tij Kim Jong-Un është bërë diktator. Asnjë paralele nuk mund të tërhiqet në mes kulturës që kanë marrë në Britani të Madhe, Arban Abrashi dhe Bajram Gecaj, dhe sjelljet e tyre tepër primitive, sepse historia botërore njeh shumë diktator dhe kriminel të cilët janë shkolluar kryesisht nëpër vendet me demokraci të konsoliduar, kurse për vendin e tyre kanë aplikuar metoda të dhunës dhe totalitarizmit.
Pas kësaj që i thamë çfarë i mbetet Arban Abrashit në konceptin e tij qeverisës, kur edhe ai sikurse shefi i tij nuk përmendi asnjë fjalë të vetme për Ibrahim Rugovën, ndonëse tha se Prishtina gjithmonë ka pasur njerëz të mëdhenj, të cilët me qeverisjen e tij ata do të respektohen. Por Arban Abrashi harroi se pikërisht në Prishtinë jetojnë Jusuf Buxhovi, Rexhep Gjergji, Zejnullah Rrahmani, akademik Rexhep Ismajli dhe një plejadë e tërë, të cilët janë gjallë dhe aktiv në jetën publike, por Arban Abrashi me konceptin shkatërrues të Isa Mustafës, jo që i ka injoruar por ka bërë përpjekje të vazhdueshme për t’i shuar e eliminuar.
Kurse në programin e tij qeverisës Arban Abrashi, përmendi shumë gjera të mëdha, por për zonat rurale përmendi vetëm rrugën me katër korsi për Gollak, te maloki i tij Isa Mustafa. Në gjithë programin e tij qeverisës fletët e prezantuara në këndin e poshtëm, ana e majtë, janë zbukuruar me logon “LIDHJA”, ndërsa në këndin e sipërm – djathtas është shënuar emri i tij dhe numri “47”, por askund nuk figuronte Logoja e “LDK”.
Arban Abrashi, e prezantoi kabinetin udhëheqës në të cilin ishin zgjedhur struktura të larta dhe me sa kuptova të gjithë ishin me fakultet, por nuk pash asnjë bujk të mirë, asnjë blegtor të mirë, asnjë gjuetar të shkathët dhe asnjë peshkatar që do të peshkonte në idetë e tija udhëheqëse. Me një fjalë, koncepti qeverisës i Arban Abrashit, bie ndesh me analizën time “PRISHTINËS I DUHET NJË PRISHTINALI”, botuar në Kosova Sot, 08.04.2017, në të cilën thuhet se Prishtinës i duhet një Prishtinali i cili është i vetëdijshëm se pa prodhimet bujqësore dhe blegtorale të zonës rurale përreth Prishtinës, as që mund të bëhet fjalë për një udhëheqës të emancipuar në qytet. E Kjo do të thotë se përveç inferioritetit që ka për fshatin dhe demokracinë ky njeri nuk ka asnjë përvojë në udhëheqje shtetërore për të cilat e lavdëroi shefi i tij.
Subjekti “LIDHJA”, shihet se haptas ka një lloj fobie dhe inferioriteti ndaj femrës sepse në qeverisjen e Arban Abrashit, figurojnë vetëm 17 femra e 39 meshkuj, që do të thotë se “LIDHJA SOCIALISTE”, as për së afërmi nuk e paska përmbushur detyrimin ligjor e kushtetues për barazinë gjinore. Andaj ky veprim kaq inferior ndaj femrës, siç tha ai i studiuar gjatë dhe me të gjithë, nuk mund të quhet emancipim dhe aq më pak mentalitet britanik sepse britanikët për gruan dhe për fshatin kanë një kujdesje jashtëzakonisht të madhe.
Një kapitull sa tragjik po hipokrit mbetet raporti i tij me diasporën dhe me Degët e LDK-së në Diasporë, të cilat në programin e tij qeverisës nuk u tha asnjë fjalë e vetme sikurse që Arban Abrashi, në asnjë rast nuk i përmendi as veteranët e LDK-së, madje as veteranet e shkollave – shtëpi që vijnë nga LDK-ja. Arban Abrashi, në avazin e tij për ta shkëputur LIDHJEN nga LDK-ja, nuk i përmendi as struktura partiake që kanë vepruar në vitet e nëntëdhjeta kundër regjimit komunist, për të cilin tashmë Isa Mustafa dhe vet Arban Abrashi po i hakmerren LDK-së, me “LIDHJEN” e tyre krejt “PALIDHJE” që s’ka gjë të përbashkët me LDK-në dhe dr. Ibrahim Rugovën, sado që po duartrokitet, po mbështet e përkrahet edhe nga struktura të LDK-së.
Shikuar në përgjithësi, vota për “LIDHJEN” është votë kundër vlerave fondamentale të demokracisë, është votë për ta shkatërruar LDK-në, është votë për ta shkatërruar Familjen Rugova dhe për ta përdhosur Mitin për Dr. Ibrahim Rugovën.
St. Gallen, 30.09.2017