…DO TË DOJA QË NGJARJE SI AJO E 27 PRILLIT 2017, TË MOS NDODHIN ME BASHKËKOMBASIT TANË…

0
1706

Dr. Sc. Resul Sinani

Recensë për librin “Dhoma 334” të autorëve Saranda Iseni dhe Hysen Ibrahimi, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Prishtinë.

18 Korrik 2017

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj, përshëndetje!
Krahas promovimit të librave të tjerë, sot bëjmë edhe promovimin e librit “Dhoma 334” të autorëve Saranda Iseni dhe Hysen Ibrahimi.

“Dhoma 334”, është një libër shumë i veçantë, për ngjarje të veçantë dhe për një personalitet shumë të vaçantë! E me gjithë veçantinë, më lejoni që në fillim, autorëve, krahas përgëzimit për punën e tyre, t’ju uroj që të mos shkruajnë kurrë më një libër të tillë në të ardhmen! Jo në kuptimin për të mos shkruar libra, por në kuptimin që të mos ndodhin ngjarje të tilla.

…Dhe vërtetë, do të doja që ngjarje si ajo e 27 Prillit 2017, të mos u ndodhin më bashkëkombasve tanë në Republikën e Maqedonisë!

Libri “Dhoma 334” përmbledh, sistematizon dhe dokumenton pikërisht këtë ngjarje. Autorët nuk pretendojnë të përshkruajnë gjithë atë katrahurë që ndodhi atë ditë, gjithë ato pamje të denja për filma Holliwudi, por fokusohen tek fotografia më e trishtë e saj, ajo fotografi që na ngriu gjakun të gjithëve, ajo fotografi që edhe sot na vjen në mendje si imazh e për të cilën akoma pyesim veten, ishte e vërtetë apo jo?

Përgjigjen e gjeni në këtë libër dhe përgjigjja është PO. Ajo fotografi shokuese që edhe sot na rrënqeth trupin vetëm duke e imagjinuar, ishte fotografia e deputetit të përgjakur e pa shenja jete, Dr. Zijadin Sela, të cilin po e tërhiqnin zvarrë nëpër korridorin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, duke e pandehur të vdekur!

Mirëpo, JO! Për fatin e tij të mirë, të familjarëve të tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe gjithë bashkëkombasve të tij, ai nuk ishte i vdekur. Skenari për vdekjen e tij, kishte dështuar mrekullisht, mrekulli që mund t’ia dedikojmë vetëm Zotit!

E, që mrekullia të realizohej në tërësi, kur agresorët e kishin hedhur trupin pa shenja jete, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, u gjend Abdulfetah Alimi, i vetmi shqiptar që ishte pjesë e sigurimit të parlamentit atë ditë, e që do të bëhej ëngjëlli shpëtimtar i deputetit Zijadin Sela!..

Rrëfimi nuk përfundon këtu, por përkundrazi këtu fillon. Këtu fillon edhe libri “Dhoma 334”. Për të mësuar historinë e asaj nate, unë ju ftoj ta lexoni librin. Aty do të gjeni rrëfimin ekskluziv dhe autentik të Abdulfetah Alimit; një intervistë ekskluzive të protagonistit të librit Dr. Zijadin Sela; të përmbledhura do të gjeni edhe shumë raporte të mediave të cilat kanë raportuar për ngjarjen; poashtu, do të gjeni edhe shumë reagime nga personalitet e shoqata të ndryshme nga mbarë bota shqiptare; kurse, të përmbledhura në një kapitull të veçantë do të gjeni edhe shumë komente e opinione të bashkëkombasve tanë në rrjetet sociale!

Pra, për ta kuptuar se si u bë “Dhoma 334” dhomë e shpëtimit, çfarë ndodhi aty për më shumë se tri orë dhe çfarë kanë biseduar ndërmjet vete z. Alimi dhe z. Sela, ju duhet ta lexoni librin e autorëve Saranda Iseni dhe Hysen Ibrahimi.

Në fund, më lejoni që t’iu shpreh konsideratat e mia më të larta dhe t’i përgëzoj autorët për punën e madhe që kanë bërë. Angazhimit dhe përkushtimit të tyre ia shton vlerën, sidomos fakti se derisa librat e shtypura po emigrojnë drejt botimeve online, në rastin konkret, autorët kanë bërë të kundërtën, duke marrë shumë material të botuara në internet dhe duke i futur brenda kopertinave të një libri. Në këtë mënyrë libri “Dhoma 334” merr vlera dokumentare dhe përjetëson atë moment tragjik të z. Zijadin Sela të datës 27 Prill 2017.