Me rastin e 104 vjetorit të kryengritjes popullore dibrane të 22 shtatorit 1913
Nga Abdurahim Ashiku, gazetar Dibran
KUJTESË…
“Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen, Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.
Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, Sadullah Strazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”.
Dibra, kryengritja popullore kundër pushtuesve serbë dhe politika e egër e gjenocidit ndaj shqiptarëve që ushtronin shovinistët serbë, zë, në prag të Luftës së Parë Botërore, faqet e para të shumë gazetave të kohës që botoheshin brenda dhe jashtë vendit.
Jehonë të gjerë bëri veçanërisht kryengritja popullore e shtatorit e vitit 1913.
Gazeta “Shqypnia e re” e cila dilte dy herë në javë, mundohet ta pasqyrojë kryengritjen popullore në Dibër gjerësisht. Në lajmin me burim nga Vlora të datës 25.IX, gazeta jep sihariqin: “Dibra asht marrun me nji luftë të rreptë të shqiptarëve, të cilët e kanë ndjekun anmikun deri në fushë të Ohrit”.
Në lajmin e po asaj date, por tashmë në mbrëmje dhe nga një burim tjetër, Elbasani, theksohet se “Dy sahat ma parë erdh nji njeri prej sheshit të luftës, i cili lajmon se anmiku kje shty deri në Pyll të Zezë dhe i muernë 11 topa, 2 mitraloza dhe shumë xhephane”, se “Lëvizje e madhe ka edhe ka ana e Lumës dhe e Prizrenit”.
Në të dy lajmet e tjera, që botohen në faqen e katërt e që janë marrë në kohë të ndryshme të natës, tregohet se “Lufta u nis në malësi. Malësorët kryengritës bashkë me qytetasit e Dibrës të dishpruem nga barbarizmat serbe i ranë anmikut dhe e shtynë në tri anë, në Gostivar, në Kurçovë e Strugë. Zaptuen 13 topa, xuen 300 serb rob e prishën fare pesë batallona”.
Në një lajm të datës 27 shtator tregohet se jo vetëm Struga, Gostivari e Ohri janë marrë, por është marrë edhe Gjakova, ndërsa Prizreni është rrethuar.
Dy lajme të tjera të marrë njeri më 27 shtator në mbrëmje e tjetri natën, vetëm pak orë para botimit të gazetës, tregojnë se “Në Ohër asht ngrehun qeveria shqiptare”.
Kjo dendësi lajmesh, ky interesim për ngjarjet, duke i ndjekur ato ditën dhe natën, tregojnë se ato ditë jetohej me ngjarjet e Dibrës, me luftën e popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore.
Një tablo të plotë, jo vetëm të teatrit të luftimeve, por edhe të heroizmit popullor, na jep gazeta “Përlindja e Shqypnisë”, Organ i Qeverisë së Vlorës. Madje ajo na jep edhe emrat e atyre që “ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emnat e tyne për kujtim të përjetshëm”.
Në këtë numër gazeta, duke folur për “malet plotë famë e nder”, luftën dhe unitetin luftarak të tyre thotë:
“Sot, pra, ka një marrëveshje të plotë midis dy Dibrave…
Me gëzim të madh luftëtarët tanë ngritën flamurin e Shqipënies…
Qytetet qeverisen prej një komisie popullore”…, duke nxjerrë në pah unitetin, qëndrueshmërinë, aftësinë për tu vetëqeverisur-probleme këto që janë diskutuar gjerë në këtë kohë në kanalet diplomatike e që i mohoheshin popullit shqiptar.
Burim lajmesh për gazetën “Liri e Shqipërisë”, që botohej në Sofje, fillimisht janë agjencitë e huaja, të cilat theksojnë se “…shqiptarët e muntnë ushtrinë serbe pranë Dibrës dhe muarnë këtë qytet e po përparojnë drejt Ohrisë dhe Kiçovës”.
Lajmet e agjencive dhe gazetave të huaja ajo i ballafaqon me lajmet që vijnë nga Beogradi duke theksuar se “Këto lajme duket se janë të vërteta se, në Belgrad janë shumë të trembun dhe po bëhen përgatitje të mëdha për të shuarë lëvizjen shqiptare, e cila po përhapet në tërë Kosovën”. Gazeta fillon ta ndjekë luftën e dibranëve kundër pushtuesve serbë nëpërmjet korrespondentëve të saj në Durrës, Elbasan, Manastir etj., duke na pasqyruar hapat e kryengritjes, rritjen e saj, pjesëmarrjen e masave popullore, qëndresën e dëshpëruar të pushtuesve.
“Dishnica”, një firmë që pasqyron ngjarjet në gazetë, ngre në një piedestal të lartë heroizmin popullor kur thotë: “Këto lajme mbushin me gëzim zemrat e shqiptarëve dhe i japin Evropës një mësim të plotë që kurrë shqiptari s’do durojë të jetë nën zgjedhë dhe se vendimet e Londrës s’mund të kenë forcë…”
Në gazetat e kohës shquajnë tituj të tillë si:
“Dibranët dhe malësorët përreth po luftojnë kundër serbëve”,
“Dibranët dalin fitues në shumë beteja me serbët”,
“Dibranët janë 6 000”. “Luftime të rrepta në Dibër”.
“Serbët hëngrën shuplakë nga shqiptarët e Dibrës”,
“Dibra shqiptare”, etj.
Me gjithë politikën e heshtjes, që ndoqën fuqitë e mëdha ndaj ngjarjeve në Shqipëri, në këtë periudhë e veçanërisht ndaj kryengritjes popullore në Dibër dhe politikës së paparë të gjenocidit që ushtruan shovinistët serbë ndaj shqiptarëve, agjenci të ndryshme lajmesh, gazeta të ndryshme nuk munguan të ngrenë zërin e tyre në anë të kryengritjes popullore të Dibrës. “Giornale d’Italia”, “Wiener Alge meine Zeitung”, “Neue Freie Press”, “The dal mail”, “Reichpost” etj., e pasqyrojnë kryengritjen e Dibrës që në ditët e para duke u munduar ta datojnë sa më saktësisht (10 të muajit, ora 10 në mëngjes), duke u munduar të japin edhe numrin e luftëtarëve (“Shqipëtarët 6.000 vetë”). Gazeta Wiener Alge meine Zeitung”, duke folur për fqinjët e kryengritjes së Dibrës, na jep gjerësinë e luftës së shqiptarëve për të mbrojtur truallin e tyre shekullor.
Ajo thekson: “Gazeta lajmërohet prej Shkodre se çeta shqiptare nën kryesinë e Isa Boletinit dhe të Bajram Currit, u përpoqën dhe i shtynë ushtritë serbe në Dibër dhe afër Prizrenit. Ushtarët malësorë i zunë gjithë malet e kufijtë.
“Giornale d’Italia” tërheq vëmendjen edhe për shqetësimet në Beograd: “Lajmi i të hymit të shqiptarëve në Dibër i turbulloi fare mendjet në Beograd. Me pesë ditë, thonë gazetat e Serbisë, do të gjenden në Shqipëri 40.000 ushtarë serbë”.
Shtypi në këtë periudhë tërheq vëmendjen kryesisht në dy çaste kryesore; në qëndresën masive e heroizmin popullor kundër pushtuesve dhe terrorin e egër dhe reprezaljet e serbëve ndaj shqiptarëve. Barbarizmat, që u zhvilluan ndaj shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha u munduan t’i mbulojnë me heshtje. Megjithatë gazetarë të disa gazetave më në zë të kohës, diplomatë e të dërguar të ndryshëm duke udhëtuar nëpër Dibër e në viset e tjera shqiptare, nuk mungojnë të ngrenë zërin e t’i japin shtypit dokumente të pakontestueshme për barbarizmat dhe mizoritë serbe.
Gazeta “Corriere de la Puglie” qe ndër të parat që përshkroi “Barbaritë serbe në Dibër”. Bazuar në “shënimet që kishte marrur, duke shëtitur të gjitha vendet i dërguari i një fuqie të Evropës dhe pas të cilave i bëri guvernës së vet raportin”.
Në këto përshkruhen reprezaljet e bëra në 103 fshatra, duke treguar me adresë të plotë varjet, vrasjet dhe djegiet në zjarr të mbi 1700 burrave, grave e fëmijëve. Djegien e mbi 1 600 shtëpive. Grabitjen e mbi 2 700 bagëtive të trasha, 21 000 të imta dhe 800 njëthundrakëve, grabitjen e një sasie të madhe lirash që e kalonin milionin. Në këtë numër nuk janë futur barbari të tilla masive që raporti i përmbledh me fjalët: “plaçkitën tërë fshatin dhe pasi morën gjithë ç’gjetën i vunë zjarrin dhe e dogjën fund e krye”, “Gjindjen; gra, burra e çilimi i shkuan të gjithë në bajoneta”, “s’është punë që mund të rradhiten emrat e gjithë të vrarëve”.
Barbaritë arritën në kulme të tilla: “ të zotin (e shtëpisë A.A.) e therën në sy të s’ëmës plakë, të së shoqes dhe të fëmijës”, “vranë me bajonetë një çupëz 6 vjetë”, “hodhën të gjallë në zjarr një djalë 5 vjetësh, Shyqyrinë dhe një 4 vjetësh, Hasanin”, “Zenelit i dogjën në zjarr gruan me një djalë në djep” etj., etj.
Një tablo ngjethëse të mizorive serbe jepet edhe në një përshkrim të titulluar “Udhëtim në Gollobordë” botuar në faqet 4 e 5 të dy numrave radhazi të “Përlindja e Shqipërisë” të janarit 1914.
“Udhëtimi” ishte një raport i hartuar nga një ambasador i huaj nëpër krahinën e Gollobordës fill pas shtypjes së kryengritjes së shtatorit 1913 dhe “amnistisë” që gjoja shpalli qeveria serbe për pjesëmarrësit e kryengritjes në tetor 1913. Dokumenti, sipas Kristo Frashërit (Historia e Dibrës), iu përcoll më 19 dhjetor 1913 njerës prej fuqive të mëdha. Dy ditë më vonë, më 21 dhjetor 1913, ai do të botohej në përkthimin italisht në gazetën italiane “Corriere delle Puglie” e marrë prej saj në janar 1914 në gazetën “Përlindja e Shqypëniës”
Në gazetat e kohës, jehonë të madhe bëri letra e një ushtari serb, botuar në gazetën socialiste serbe “Randiçka Novine” më 22 tetor 1913, letër e cila u botua më pas në shumë gazeta të kohës.
“Shoku im i dashur, shkruante ai, gjëra të tmerrshme po ngjajnë. Unë po tmerrohen para tyre…Në këto anë nuk shikohet gjë tjetër veç kufomave dhe hirit”…
“Shqypnia e re”, në numrin e saj të 20 nëntorit 1913, duke folur për barbarizmat serbe, nxjerr në pah edhe devizën e pushtuesit: “Asnjë t’falun, asnjë pshtim”, ç’ka flet për egërsinë e pashembullt të këtij rrebeshi mesjetar ndaj shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.
Kryengritja e shtatorit 1913 në Dibër ishte një kryengritje popullore, një kryengritje e masave, që ngriti në këmbë, siç theksojnë gazetat, mbi 6 000 luftëtarë. Dibra në këtë luftë foli me grykën e pushkës.
“Do të vijë ora, thoshte Luigj Gurakuqi në një intervistë botuar në gazetën “Atdheu” ato ditë, kur populli ynë do të organizohet në udhën që do t’i tregojë organizimi i tij politik, gjer atëherë nuk mbetet veçse udha e armëve… Buçitja e armëve dëgjohet shpejt në veshët e Evropës. Do ta përdorim sa herë që veshi i Evropës është i shurdhër, që të na dëgjojë zërin, i cili nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi”.
Për vetë kushtet e asaj kohe me mjete të pakta komunikimi e ndërlidhjeje, mungesë kronistësh në fushën e betejës etj., dhe mbi të gjitha të politikës së heshtjes që ndiqnin Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe shtetet ballkanike, lidhë kjo edhe me prapaskenat e turpshme që thurnin në kulisat e diplomacisë së fshehtë, gazetat arritën vetëm sa ta preknin problemin e Dibrës dhe barbarizmat që u ushtruan ndaj saj, politikën e një gjenocidi të tmerrshëm që u veprua në këtë kohë ndaj shqiptarëve me banim në trojet e tyre shekullore.
Dokumentet arkivale e në veçanti popullit me gojën e tij, janë një pasqyrë më e plotë e madhësisë dhe e forcës së kryengritjes popullore të Dibrës, e heroizmit popullor në luftë.
Dibra është treva e vetme shqiptare që u përball me ushtrinë e egër serbe pa ndihmën e asnjë krahine tjetër, e përgjaku, u përgjak sa askush, u pre egërsisht nga hanxhari i Londrës 1913 dhe hanxharët e viteve që pasuan, humbi përgjithnjë kryeqendrën e vet Dibrën e Madhe banorët e të cilës (mbi 20 mijë) ikën natën me dhimbjen më të madhe për të bërë vend në Elbasan e Tiranë.
Në Tiranë ka një lagje të madhe me emrin “Lagja Dibrane” që numëron rreth 70 mijë pasardhës të të ikurve nga gjenocidi serb ndaj një treve në qendrën gjeografike të shqiptarëve.
Në Shkodër ka një varrezë me emrin “Varret e Dibranëve”. Atje prehen trimat dibranë që luftuan që Shkodra të mos i jepet Malit të Zi. Dhe luftuan në një kohë kur Dibra luftonte me serbin për të mos ia lënë qytetin dhe luginën e bukur të Drinit të Zi Serbisë.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 22 shtator 2017
Shënim: Shkrimi shoqërohet me fotografinë e Sheh Hysenit, pushkatuar nga serbët më 22 shtator 1913