ERDHI NUMRI I RI I REVISTËS “DITURIA”, DËRGUAR NGA MIQTË TANË, NË SUEDI…

0
2064

Në 10-vjetorin e botimit:

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
U mbushën 10 vjet, nga dalja e numrit të parë të Revistës së përmuajshme, informative e kulturore, “Dituria”. Atë e boton Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e cila funksionon në qytetin Boras, të Mbretërisë së Bashkuar të Suedisë, pra në Skandinavinë e largët veriore.

Kam patur kënaqësinë që, në pranverën e vitit 2012, ta vizitoj këtë qytet të vogël, por aq të bukur. Nga Tirana, na kishin ftuar: mua, shkrimtarin e publicistin e mirënjohur Viron Kona, të dy ne të nderuar me “Mirënjohje” nga QKSH “Migjeni” dhe “Anëtarë-Nderi” të SHSHASH-Suedi; gazetaren e modatoren e Radio-Tiranës, Kozeta Hoxhën dhe veprimtaren e krijuesen Kadrje Gurmani.

Rasti ishte i veçantë, pasi QKSH “Migjeni” e kjo revistë emërmirë do të festonin 5-vjetrin e krijimit të tyre. Përveç pjesëmarrësve nga Borasi, kishin ardhur të ftuar nga shumë qytete të Suedisë, publicistë e shkrimtarë, njerëz të kulturs e artit etj. Ndër ta, ndodheshin kryetari i Bashkisë së qytetit, Per-Olof Hëg, si dhe personalitete e krijues, suedezë vendës e deri nga Stokholmi.

Nuk do të ndalem këtu të rikujtoj njohjet e takimet e paharruara, me atdhetarë e veprimtarë të shquar të arsimit e kulturës shqiptare, ndër të cilët ishin: Sokol Demaku e Bahtir Latifi, nga QKSH “Migjeni”; Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, në Suedi; Ma. Sadulla Zendeli, i cili mbi 50 vjet të shkuara hapi shkollën e parë shqipe, në Suedi; veprimtaren e njohur për çështjen shqiptare, Qibrije Hoxhën e mjaft të tjerë. Mbresëlënës ishin dhe takimi e njohja me prof. Ullmar Kvik, mikun e shquar të shiptarëve, albanologun e autorin e librit kushtur Shqipërisë, “Më shumë heroizma, se sa gurë”; drejtorin ne shkollës së qytetit, Per Kettisen; drejtoreshën e Bibliotekës së qytetit Ana K.Robertson etj.

2.
Dhe ja, vitet rodhën e Revista “Dituria” (me e-mail: [email protected] ) e vazhdoi pandërprerje udhën e nisur, deri sa arriti në numrin më të ri të saj, shtator 2017. Ashtu si dhe për numrat paraardhës, kolegu e miku Sokol Demaku, kryeredaktor i saj, më postoi 3 numra të kësaj reviste, të cilët erdhën në banesën tonë, pak ditë më parë.

Në këshillin botues të Revistës “Dituria” bëjnë pjesë: Fetah Bahtiri, Hamit Gurguri, Hysen Ibrahmi, Mr.Kadrije Mëniqi, Bahtir Latifi, Hakif Jashari e Anxhelina Ziso. Kapakun e parë të kësaj reviste e ka zbukuruar vogëlushja-artiste, nga kryeqyteti ynë, Diora Tolin Kona, e cila ka mami Anisën dhe gjyshër, Vironin e Liljanën.

Janë të shpeshtë rastet, kur miq krijues nga Borasi dhe më gjerë, nga Suedia, i vizitojnë Tiranën e Durrësin, Shkodrën, Laçin e Lezhën, Elbasanin e Fierin, Beratin e ndonjë qytet tjetër, në Atdheun tonë. Ja, për një nga këto vizita të këtij viti, flet shkrimi në hapje të numrit të ri të kësaj reviste, me autor Sokol Demakun: “Një takim mbresëlënës, me të bijën e poetit Dritëro Agolli, poeten e udhëheqësen e “Klik Ekspo Group”, në Tiranë, me miq nga Sudia”. Në grupin e vizitorve nga Sudia e largët, që u takuan me Elona Agollin dhe në vizita të tjera, bënin pjesë: S.Demaku e H.Gurguri dhe krijueset, islandezja Kristin Bjarnadottir dhe suedezja Anna Matsosn.

Më tej, në faqet e kësaj reviste është botuar shkrimi “Një vzitë e rrallë dhe impresionuese, në bibliotekn e qytetit të Fierit”. Shënoj se ky shkrim, por dhe të tjerët, janë shoqëruar me mjaft fotografi domethënëse. Vizitë e paharruar dhe plot me kurreshtje, për vizitorët nga Sudia, ishte ajo në qytetin antik të Apollonisë, gjë që pasqyrohet në shkrimin vazhdues të kësaj reviste.Po, në shtatë faqe të tjera jepen përshtypje e mbresa të shumta, në një shkrim të publicistit Nuri Dragoj, i cili i shoqëroi dhe ai, vizitorët nga Suedia.

Për ta çlodhur sadopak lexuesin, më tej, redaksia e revistës ka botuar dy faqe me krijime të poetëve, nga qytete të ndyshëm. Këta autorë e autore janë: Fiza Hoxha, Teuta Haziri, Rovena Shuteriqi, Izet Avdyli, Nexhi Hasani, Sheremet Prokshi, Faruk Pasholli, Drita Braho Sadiku, Lida Lazaj dhe një cikël me epigrame, nga Viron Kona.

E bukur dhe me kujtime të paharruara ishte vizita në qytetin e lashtë të Beratit dhe në këshjellën e tij, për të cilën shkruhet në dy faqe të kësaj reviste. Vëmendjen e lexuesit e tërheq recensioni për librin, me tematikë për fëmijë të autorit suedez, Ulf Stark, “A di të fishkëllesh Johana”, përkthyer në shqip nga S.Demaku. Recension interesant është dhe ai i V.Konës, për librin e ri të Bashkim Meleq Saliasit, kushtuar jetës së refugjatëve tanë në Greqi, “Ne, ishim pesë shokë…”.

Për ta çlodhur sadopak lexuesin, në faqen e fundit të kësaj revste janë publikuar dy anekdota popullore shqiptare.

…Duke e falënderuar dhe përgëzuar redaksinë e Revistës “Dituria” e posaçërisht kolegun e mikun Sokol Demaku, nga Shqipëria e trojet amtare, por dhe nga diaspora jonë, i urojmë ata, për këtë numër të ri, në 10-vjetrin e botimit të saj, duke ju dëshiruar gjithnjë botime sa më të bukur e cilësorë. Sepse, kjo revistë, me shkrimet e gjinive të ndryshme dhe fotografitë e saj, përmbushë jo vetëm një detyrë kulturore, letrare e artistike, por dhe atdhetare, mbarëkombëtare shqiptare.

Tiranë, 20 shtator 2017