Në vetminë time, kur mbetem me hënën, i flas asaj për mikun e ëndrrave, heroin tim të shpirtit, zotin tim të përjetshëm, që të më falë një çast vërtet të lumtur! Një çast, ku poezia ngjizet me jetën, një çast, kur poezia prek më të ndjeshmen, një çast, kur muza rrjedh me çastin! Njeri, shpirti e do që ta mbajmë veten si duhet. Kopshti është shembulli më i mirë! Mbase dhimbja, që vuan, do të jetojë përjetësisht. Viktoria Xhako, me pseudonimin e saj letrar Zhorzh Sand, u lind në Durrës më 09.10.1950. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa fakultetin për letërsi dhe gjuhë shqipe e kreu në Universitetin e Tiranës. Viktoria Xhako, që në fëmijëri ishte poete. Profesionin e mësueses Viktoria e deshi me gjithë zemër. Dashurinë e parë, rrëfen Viktoria, e kam pasur me librat dhe me poezinë, me foshnjat e rrezeve në lule. Poezitë e para të Viktorias nuk qenë vetëm trazime valësh të detit, por dallgë të forta zemre. Jo njëherë, shkruan Viktoria, por disa herë kam folur me detin e vendlindjes, me tallazet, që thyheshin tek brigjet.
Ruste, unë me dashuri e dhimbje i kam kënduar jetës sime të pajetuar. Prandaj, jo njëherë, por disa herë e kam zënë detin tek buzëqesh. Viktoria Xhako betejat e saj për të pashkruarën në poezi i nis në Tiranë, në kryeqytetin e dashurisë, tronditjeve dhe vizioneve të saj. Jeta ime, e gruas si poete, rrëfen Zhorzh Sand, nuk ishte aq e favorshme. Unë nuk kam mundur të shprehem me ndjesitë e mia femërore, as me atë se gëzimi është më i thellë se ëndrra. Sa e plagosur ishte fjala ime poetike, edhe presjet nxirrnin lot.
Në moshën e bardhë të rinisë sime, vazhdon Viktoria, kisha një lumturi brenda kraharorit, por ajo ishte lumturi e mbyllur, e mbytur dhe e pashprehur kurrë. Jetën time, tregon poetja, e kam përjetuar me të gjitha rëndesat e saj. Në jetën time personale, shprehet shkrimtarja Zhorzh Sand, „Një faj e kishte mbyllja ime në vetvete“. Prandaj, jo rrallë, në vetminë time të dëshpëruar, / Zemrën e shtrydha, t´i nxjerr pak lumturi, / nga gishtërinjtë më rrodhi vetëm gjak, / me lotët e syve u mundova ta fshij, / s’e ndala dot gjakun, jo, s’e ndala aspak. / Këto dhe qindra vargje të tjera të shkrimtares Zhorzh Sand, tregojnë për gjuhën e saj letrare në poezi dhe në veprat e tjera të saj. Krijimtaria e Viktoria Xhakos është e vlerësuar nga njohësit e letërsisë.
Shkrimtarja Viktoria Xhako deri tash ka botuar 7 libra me poezi dhe prozë. 1. ZEMËR E NGRIRË poezi, botuar në prill 2011, 2. TAKOHEMI NË QIELL poezi, botuar në maj 2012, 3. DORA E JETËS tregime, botuar në maj 2012, 4. TESTAMENTI poezi, botuar në maj 2013, 5. BUKË E HIDHUR poezi, botuar në maj 2014, 6. MONOLOGU I ENIGMËS poezi e prozë, botuar në maj 2015, 7. MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË roman botuar në maj 2015. Jeta e shkrimtares Zhorzh Sand nuk është pa dhimbjet e kësaj bote. Askush, shprehet Viktoria, s’më ngroh më shumë se këto vargje të zemrës dhe të shpirtit. Por, diçka krejt e pahetueshme në mua, e zbrazët, dhe e trishtë, ma gërryen vazhdimisht kraharorin, Ruste, unë sa jam Viktoria Xhako, aq jam edhe Zhorzh Sand, / Prandaj t‘u luta të kesh kujdes, / fytyrën mes duarsh të ma marrësh ngadalë, /shikomi qepallat e qepura fort, / do të zbulosh sa gjatë të kam pritur, sa gjatë./ Shpirt, nëse arrin të më kuptosh, do të përqafoj shumë, siç përqafon një grua. Poezia e poetes Viktoria Xhako është poezi e pulsit të fortë, poezi e dhimbjes së çarë, poezi e të pagjumtës në kraharor.
Shpirti im, shkruan Viktoria Xhako: çfarë të bëj me pikën e fundit të gjakut, ta mbaj, apo të ta jap ta marrësh me vete. Dje, në park, kur binin gjethet, / si lot malli prej shpirtit tim, / rrëmova në urnën time të zemrës, / të prek, të mbaj të vetmin kujtim. /…Si kujtim të kësaj jete çfarë është!.. Poezi vërtet prekëse, sublime dhe poetikisht e goditur. Shpirti i trazuar i poetes Viktoria Xhako nuk jepet, ka shumë të pashpërthyera brenda; plagë nga më të dhimbshmet, dhimbje nga më të përgjakshmet: / Me fijet e zemrës e thura ëndrrën, / formën e zemrës i dhashë asaj, / pa thënë më mbeti fjala e fundit…/ e pa thënë më mbeti dhimbja! Shpirti i Viktoria Xhakos është paksa i mbyllur. Fjala e kraharorit të saj memzi hapet, druan t´i shenjëzojë gjërat me emër, ngase vetja s‘e lë që t´i hapë portat më shumë. Jeta jonë dhe të jetuarit në këtë botë është formuar prej mbetjesh yjore, prej thërmijave të vockëla të materjes. Ruste, / S’e kam fshehur kurrë fytyrën, / zemrën i kam vënë përpara, /me krenarinë e të qenit femër, / me rrudhat dhe flokët e mi të bardha!.. Në çastet e vetmisë, poezia është ajo, e cila ma gjen heroin e ëndrrave të mia!.. Këto dhe me qindra vargje të tjera tregojnë talentin e poetes dhe shkrimtares Viktoria Xhako. Zonja shkrimtare, sukses!
Rrustem Geci – Dortmund, 2016