Xhamia prej guri në Grudë-Fushë, e financuar nga arabët, në ditën e hapjes së saj, gëzim i madh për hoxhën e ri e për banorët…
– Shumë të rinj në Shqipëri merren me fe, se nuk kanë me se të merren…
– Rruga drejt një shteti nacional, ku fetë kanë rol të moderuar është zgjidhja më e mirë
– Feja t’i shërbejë edhe kombit, e popullit shqiptar, ku ajo ushtrohet
Arben Çokaj
Hoxha i një fshati, me ndërmjetësinë e komunitetit mysliman shqiptar, arriti të gjente fonde arabe dhe ndërtoi në fshatin e tij një xhami të bukur prej guri, madje edhe minaren e skalitur me gurë të latuar, ku vuri në maje të minares edhe altoparlantët e eZanit… Pasi filloi aktivitetin e tij me mjaft pasion, duke holluar zërin e duke kujtuar se xhamia e re do e mbante me bukë (dhe meqë ishte hoxhë, i dhanë për nuse edhe një vajzë të mirë nga një fshat lokal), ai filloi të thirrte eZanin pesë herë në ditë, me nja 3-4 vetë të tjerë. Dyert e xhamisë ishin gjithnjë të hapura edhe për bashkëfshatarët e tjerë, por pak kush shkonte në të, ndonjë plak i lodhur me raste, se njerëzit kishin hallet e tyre dhe donin të hanin bukë. Mjaftoheshin vetëm me tingullin e metaliktë të eZanit, i cili shkonte si në shumicën e rasteve në një nivel akustik 200-300 decibel, kur sipas studimeve shkencore, një tingull në publik është i dëmshëm, nëse i kalon 80 decibel.
Por ditët e javët kaluan në monotoni, po ashtu edhe muajt, e hoxha i ri, që s’kishte mjet tjetër jetese vetëm xhamisë së tij dhe priste që All’ahu ta ndihmonte këtë besimtar të devotshëm e të përunjur të tij, u dorëzua në fund… I kërkoi ndihmë vëllait të tij (në të zezë) në Angli, që t’i çonte paratë e nevojshme, që edhe ky me të shoqen të emigronin ‘klandestinë’ për në tokën e “shamit” në Angli. Shpeshherë, të rinj të ndryshëm, ngaqë nuk kanë me se të merren në këtë vend, e gjejnë ngushëllimin te besimi fetar, dhe pasi futen në darët e besimit, fillojnë e i ushtrojnë ritet e fesë në mënyrë të pavetëdijshme, dhe e paaftësojnë veten, për të bërë ndonjë gjë tjetër në jetë, e kështu kultivojnë një parazitizëm funksional, duke rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e këtij vendi.
Por hoxha i subjektit tonë e ka vëllain në Angli, e meqë ky misionin e tij në Shqipëri e kreu, e bëri një xhami për fshatin e tij, bashkëfshatarët e tij do të kënaqen në vazhdimësi nga eZani i naltë, tani ky e meritonte një shpërblim, të shkonte në një vend të zhvilluar, ku do të punonte në lavazhe me 5 yje, derisa të fitonte qëndrimin atje, e pastaj do e mbanin anglezët me ndihma sociale si shumë myslimanë të tjerë. Këtu tek ne, xhamia e feja nuk jep zgjidhje, nuk ka dhënë askund, por vetëm krijon njerëz të paaftë e të pashpresë, që do të shohin gjithmonë rrugët e emigrimit si zgjidhjen më të mirë, si e si të largohen një ditë e më parë nga ky vend i shenjtë i eZanit të naltë! Derisa dikush të fillojë e të mendojë, siç po bëj edhe unë me këtë trajtesë.
Ti përpiqesh të analizosh në mënyrë racionale një fenomen shoqëror, ky nuk kuptohet njëlloj nga të gjithë, e sidomos nga besimtarët myslimanë. Prandaj edhe filozofë të ndryshëm e deri edhe psiko-analistë kanë diskutuar për atë që quhet ndjenjë e brendshme e një individi, apo shoqërie. E feja konsiderohet se manipulon me pavetëdijen e një individi dhe krijon edhe ndjenjën e brendshme te ai. Duke u nisur nga përvoja shoqërore, studiues të ndryshëm, që nga John Locke, Gustav Le Bon, Zigmund Frojd apo Erich Fromm, etj., kanë arritur në përfundimin se një populli i duhet një ndjenjë e brendshme e përbashkët, për të krijuar një shtet të përbashkët.
E shpeshherë më ka shkuar mendja, e jo vetëm mua, se ne shqiptarët që kemi një komb kaq të paorganizuar e me shtete të brishta e të korruptuara, a thua kjo ka të bëjë edhe me faktin, se ne na mungon një ndjenjë e brendshme e përbashkët si popull shqiptar? Duke patur katër besime të ndryshme ne shqiptarët, një anarki fetare, ka dhënë ndër tjera si produkt edhe një anarki në ndjenjën e brendshme dhe një anarki sociale.
FEJA DHE KOMBI…
Feja pra, krijon një ndjenjë të brendshme te besimtarët, e kur ajo i shërben kombit, ajo ndikon në forcimin e tij. Tek ne mund të thuhet se vetëm katolicizmi, e deri diku ortodoksizmi autoqefal janë vënë në shërbim të kombit. Te grekët e te serbët etj. e kemi vënë re se feja ortodokse vihet plotësisht në shërbim të interesave kombëtare. Kurse islami tek shqiptarët krijon ndjenjën e vet të brendshme turqeliko-islamike dhe produktin nuk e jep për kombin tonë, por në përgjithësi për turko-arabët.
Ndryshe nuk kanë se si shpjegohen dukuri të tilla mjaft negative, me të cilat jemi ndeshur në dekadat e fundit, ku ka hoxhallarë “patriotë”, që shajnë shqipen e flamurit kombëtar, e quajnë ‘sorrë’; apo ata që thonë se Kosova u popullua nga shqiptarët me ndihmën e pushtimit turk në shekullin e 17-të; apo ata që thonë se ne pushtimi turk e islami na ka mbrojtur; apo ata që shajnë Gjergj Kastriotin, nënë Terezën apo Kadarenë… e ngrenë lart sulltan Mehmet Fatihun, që turku vetë e quan pushtues, e këta mjeranë duan ta paraqesin si çlirimtar. Janë veprimtari të qarta mercenare e anti-shqiptare dhe unë habitem se si ne i durojmë këta njerëz, në emër të lirisë së besimit?
Për diçka duhet të jemi të qartë pa diskutim: çdo veprimtari që çon ujë në mullirin e fesë, nuk është veprimtari atdhetare. Kështu që të mos ngatërrohen gjërat. Po shohim se ka veprimtari në emër te fesë, që e godet fort bazamentin tonë kombëtar, e sidomos islami. Këto veprimtari duhen ndaluar!
Me Rilindjen Evropiane, që kulmoi me Revolucionin Francez, kemi një përpjekje të Evropës për ta ndarë fenë nga shteti, pasi feja e kishte penguar zhvillimin. Dhe Evropa filloi të zhvillohej. Sistemi komunist në Shqipëri, i frymëzuar nga këto lëvizje, u tregua i ashpër me fetë, i ndaloi ato për 23 vjet me radhë dhe bëri krime ndaj përfaqësuesve fetare, e kjo nuk ishte gjë e mirë. Por nuk mund të mohohet fakti se heqja e fesë, në planin kombëtar, në rastin tonë sidomos, ndikon për mirë. Pasi feja konsiderohet si neurozë obsesionale (Frojd), si prirje drejt iluzioneve. E iluzionet janë irracionale. Prirjet irracionale sipas Erich Fromm janë jo-produktive. E ky është edhe sqarimi psiko-analitik, pse feja nuk ka produkt racional. Në analizat e tij të avancuara, psiko-analisti Fromm sqaron se në jetë kemi të bëjmë me dy grupe sindromash, sindroma që inkurajojnë jetën dhe sindroma që e pengojnë jetën (si nekrofilia, narcizmi, simbioza incestuale). E kemi sharë veten mjaft ne shqiptarët dhe do të vazhdojmë ta shajmë, derisa të bëjmë zgjidhje racionale dhe të gjejmë rrugën tonë drejt zhvillimit. Fatkeqësisht ne po kultivojmë edhe sot sindroma që e pengojnë jetën, dhe duhet të dalim nga ky rreth i ferrit, nga kjo gjendje iluzionare, që kemi krijuar dhe nuk po dimë të dalim.
FEJA NË EVROPË… DHE NË SHQIPËRI
Vendet e zhvilluara e kanë besimit në fe më të ulët, se vendet e varfëra dhe në zhvillim. Evropa mund të na ndihmojë ne të gjejmë zgjidhje racionale në jetë, pa i rënduar e fyer të tjerët, pa qenë tendenciozë, por të drejtë e të dobishëm. Duhet të fillojmë të duam veten e të orientohemi drejt shkollimit e dijes, punës e zhvillimit, më shumë se drejt iluzioneve. Në Evropë feja ushtrohet brenda ligjeve demokratike dhe nuk i injoron apo sfidon ato, me përjashtim të islamit, që e ka të vështirë të jetë kompatibël me demokracinë dhe shfaq tendenca imponimi edhe në vendet e Perëndimit. Duke u nisur nga mënyra se si ushtrohet feja në Evropë, në Shqipëri mund të jetë e rekomandueshme të ndiqet ajo rrugë, duke synuar një shtet nacional, ku: 1. Feja të ushtrohet vetëm brenda objekteve fetare dhe jo jashtë tyre, po ashtu edhe ritet e zhurmat fetare, dhe 2. Feja të paguhet vetëm nga besimtarët, e jo nga taksat apo fondet e shtetit, dhe jo nga burime të huaja të dyshimta, që kanë tendencë të përdorin agjentë e mercenarë për interesat e tyre, e jo interesat e popullit shqiptar.
Shteti nacional, laik e demokratik e njeh lirinë e fesë e të besimit, por kjo nuk duhet ngatërruar me imponimin apo me ushtrimin e shurdhimit! Feja nuk duhet të jetë shqetësuese për shoqërinë, por një mundësi ngushëllimi, për ata që duan të besojnë.
Të zgjedhim modelin e zhvillimit të një shteti evropian, psh. si Kroacia apo Sllovenia dhe të ecim në atë drejtim. Nëse kultivojmë fenë, e sidomos islamin, në këto parametra që ka ndodhur në këto 27 vjet, me zhurma të larta, me ndërtime xhamiash (shtëpiash saude) në vend të fabrikave, me financime të huaja të dyshimta, që prodhojnë vetëm neuroza fetare e parazitë të dëmshëm të prototipit e mercenarit Olsi Yazeji, ku me të drejtë mediat gjermane thonë se Shqipëria po e zëvendëson komunizmin me islamin, ne kemi shanse më të mëdha të ndërtojmë një shtet mysliman, se sa evropian. Dhe nuk e gjen një shtet mysliman, demokratik e të zhvilluar sa shtetet evropiane. Atëherë përse u dashka ne, të rrezikojmë kaq shumë, kur po e shohim, se në këto 27 vjet, nuk kemi patur një zhvillim demokratik, ekonomik e shoqëror për t’u krenuar?
Duhet myslimanët vetë të kuptojnë se islami nuk është alternativa jonë më e mirë, për të mos thënë se është më e keqja e mundshme! E ashtu si e larguan fenë nga shteti në Evropë vetë evropianët, ashtu duhet edhe myslimanët vetë t’i largojnë elementet ekstremistë nga ndikimi, që ata kanë mbi islamin në Shqipëri, dhe të sillen si shqiptarë-evropianë, e jo si turko-arabë. Kjo për hir të zhvillimit tonë kombëtar, për hir të tyre e të tonin. Përndryshe do kemi shumë shembuj hoxhallarësh, që pasi ndërtojnë xhami në Shqipëri, emigrojnë për një jetë më të mirë në Angli!
Arben, ke bere nje artikull te paanshem.
Paanshmeria verehet kur shkruan se feja eshte nje ndijim irracional. Sigurisht ketu nuk po i mban anen ateizmit!
Po ashtu paanshmeria verehet kur shkruan se feja me e keqe eshte islami-myslimanizmi. Perseri, sigurisht ketu nuk po mban anen e feve te tjera!
Prape, paanshmeria jote duket kur shkruan se “islami … krijon ndjenjën e vet të brendshme turqeliko-islamike dhe produktin nuk e jep për kombin tonë, por në përgjithësi për turko-arabët“, megjithese shumica e besimtareve ne islam, ne fakt nuk jane turko-arabe. Prape, edhe ne kete rast, sigurisht nuk po mban anan e ndonje feje tjeter, pavaresisht se shkruan se “vetëm katolicizmi, e deri diku ortodoksizmi autoqefal janë vënë në shërbim të kombit“! Sikur katolicizmi na qenka ndjenja e brendeshme vetem e shqiptareve, dhe jo e mbi nje miliarde njerezve ne bote!
Po te shkruaje se te gjitha fete ne Shqiperi, ne pjesen me te madhe te klerit dhe ne periudhat me te gjata kohore, kane qene ne perputhje me nevojat shpirterore te popullit tone, ne periudhat perkatese, se kane bashkejetuar ne paqe me njera tjeren, atehere dikush mund te te thoshte se je i anshem! Po te shkruaje se kjo bashkejetese ne paqe e tyre dhe bashkejetese ne harmoni e vellazeri e besimtareve te feve te ndryshme, eshte atribut ne radhe te pare i ketyre besimtareve, pra i popullit tone, dikush mund te akuzonte se je i anshem!(absurde, sigurisht) Po te shkruaje se fete ne vetvete, te gjitha pa perjashtim, nuk predikojne dhunen dhe urrejtjen, por tolerancen dhe besimin, prape nuk do te ishe ne ate pozicion qe te lavderoheshe prej atij dikushit.
Po te shkruaje se figura eminente te klerit nga te gjitha besimet ne Shqiperi, se figura te shquara nga komunitetet e te gjitha besimeve ne Shqiperi, me veprimtarine dhe qendrimete tyre jane bere korifejte e patriotizmit dhe te kombit shqiptar, ai dikushi do te ishte i pakenaqur.
Po te shkruaje se thirrja “Mos i shikoni kisha e xhamija, feja e shqiptarit asht shqiptarija“, e leshuar nga Vaso Pasha, u perqafua pa hezitim jo vetem nga elita intelektuale dhe shoqerore e rilindjes sone kombetare, por edhe nga masat gjithemone e me te gjera te popullit, ti ndoshta ke frike se ai dikushi do te terhiqte vemendjen! Nuk duhet te harrojme se ne kete eliten e siperpermendur benin pjese prifterinj, hoxhallare, nepunes, njerez me pozita te larta shoqerore apo shteterore te kohes, dhe, sigurisht intelektuale te medhenj, baballaret e rilindjes sone kombetare.
Per te gjitha keto, pra, qe i ke lene pa i shkruar ne kete artikullin tend, ke patur frike se do te te quanin te anshem, qe vlereson me shume kombin se nje fe te caktuar, ose qe i vlereson njesoj te gjitha fete. Kjo nuk eshte absurede sipas teje, apo jo?
Z. Arben, ju falenderoj qe e keni botuar komentin, duke qene se moderatori i komenteve per artikujt tuaj jeni vete ju, dhe, kuptohet, qe keni patur mundesi te mos e botoni.
Ne fakt komenti im ishte paksa me nerv, me permbajtje pak ngacmuese per shkak te dozes se ironise se perdorur, per te cilen, sidoqofte, kerkoj ndjese.
Le te kthehemi tek thelbi i reagimit tim, qe ishte kundershtues per idete e shprehura ne artikull. Ne fakt, ju ne shenimin tuaj, edhe pse e quani komentin tim te arsyeshem dhe te argumentuar, perserisni idete qe keni shprehur ne artikull dhe i mbroni ato.
Ju thoni se artikulli juaj ka “kete synim: vlerësimin e kombit para fesë.” Edhe une ne komentin tim kam dashur te potencoj kete aksiome. Por ju menjehere thoni se duhet nje “orientim racional i shoqerise”, dhe shtoni se “duke u marre me fe,e sidomos me islam, nuk jemi ne gjendje te ndertojme nje shtet europian”. Pjeserisht dakord me ju, Z. Arben, pasi une jam i mendimit se duke u marre me fete, ne largohemi nga ndjesia e perbashket kombetare, dhe per pasoje dobesojme qenesine e kombit. Nuk jam dakord me ju kur thoni “sidomos me islam”, pasi ne kete menyre ju po deklaroni se me fete e tjera ne nuk dobesojme ndjesine kombetare, ndersa me islamin e demtojme ate. Kjo thenie e juaja, dhe per fat te keq dhe e disa personave te tjere, nuk ka baze ne historine tone kombetare, pasi asnjera nga fete qe aplikohen ne Shqiperi, as e ka ndihmuar, por as e ka demtuar me shume se tjetra zhvillimin e vetedijes sone kombetare.
Per fat te keq, pohimet tuaja te mesiperme lene pershtypjen se ju, duke shpallur pohimin e pare per vleresimin e kombit para fese, doni te vertetoni se duke shpallur kete synim te drejte, te siguroni kreditet e nevojshme te besimit nga ana e lexuesit, dhe menjehere me pas, shprehni se nje fe, islami, eshte ajo e rrezikshmja per interesin kombetar, kurse te tjerat nuk jane, perkundrazi na ndihmojne te zhvillojme ndjenjen kombetare. Me kete duket se behet thirrje qe te denojme njeren fe, dhe te vleresojme tjetren. Kjo lloj thirrjeje nuk shpie ne unitet, por ne disunitet.
Historia jone kombetare nuk na tregon asnje rast ne te cilin komunitetet fetare te shqiptareve te jene perfshire ne konfrontime, jo vetem te dhunshme, por ne asne lloj konfrontimi tjeter. Perkundrazi, tradita e tolerances dhe mirekuptimit te ndersjelle, ka qene ne te shkuaren, dhe eshte ne te tashmen nje tregues emblematik per shoqerine shqiptare.
Pohimi juaj se nuk keni futur ne shkrim “ide të Pashko Vasës etj. që mendimet të jenë të reja nga pikëpamja logjike, shkencore e evropiane, e jo të përsëritura…”, perseri le vend per interpretim. Duket sikur ju kerkoni te thoni se idete e Pashko Vases (Vaso Pashes, Wassa Pascha, sic permendej ne shtypin europian te kohes) etj., jane te vjeteruara, dhe per kete, duhen zevendesuar me ide te reja, shkencore e europiane. Po cilat jane keto ide te reja qe ju propozoni? Dihet thenia e Vaso Pashes: “Mos i shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria”, qe ju thoni se eshte e vjeteruar. Sipas kontekstit te shkrimit tuaj, dikush mund ta merrte me mend se propozimi juaj, edhe pse nuk e thoni shprehimisht, per ta modifikuar kete thenie, do te ishte: “Kombi eshte para fese, kundershtoni xhamiat”, duke nenkuptuar se objektet e tjera te kultit, qe u perkasin feve te tjera, jane te pelqyeshme. Kjo do te thote se ne shkrimin tuaj nuk ka koherence lidhur me qendrimin ndaj fese si e tille.
Ne e dime qe besimi fetar (ose mosbesimi) eshte nje e drejte e individit ne nje shtet laik sic eshte dhe shteti yne. Ne te njejten kohe te gjitha shtetet e perparuara te botes, dhe shtetet europiane te cilave ne kerkojme t’u bashkohemi, jane shtete laike. Pra, aderimi ne njeren fe nuk i sjell asnje perparesi dikujt qe deshiron te bashkangjitet me komunitetin e shteteve te perparuara, por jane te tjera kushtet qe duhen plotesuar, si funksionimi dhe besimi ne institucionet, niveli i pergjegjshmerise qytetare, uniteti i brendshem shoqeror e te tjera. Cdo pohim se ne behemi me shkencore, me logjike dhe me europiane po te kundershtojme nje fe, islamin dhe te behemi aderues te nje feje tjeter, eshte thjesht i pavertete. Pozicionimi i seciles prej feve ndaj shkences eshte afersisht i baraslarguar.
Me qe ra fjala, ndryshimet doktrinore te feve monoteiste ndaj njera tjetres jane fare te vogla. Ato kane te njejten baze doktrinore, njesoj predikojne besimin ndaj Zotit, pak a shume kane te njetet profete, njesoj predikojne qendrimin dhe sjelljen e moralshme. Ndryshimi ne mes tyre qendron kryesisht tek infrastruktura per te percuar doktrinen, domethene tek zyrtaret e feve, ata qe e percojne kete doktrine tek njerezit, tek masat, pra ndermjetesuesit e njerezve per tek e verteta sublime, besimi ne Zot.
Edhe pse eshte jashte kontekstit te artikullit tuaj, pasi ju nuk e permendni ne menyre eksplicite, eshte edhe nje fakt tjeter qe e ka komplikuar situaten ne te cilen zhvillohen diskutimet per dobine apo demin e feve, per zhvillimin e metejshem te unitetit kambetar tek ne shqiptaret. Ky fakt eshte dalja ne skenen boterore e terrorizmit islamik. Ky terrorizem zhvillohet nga grupe te vetequajtura islamike, dhe qe pretendojne se i bejne veprimet e tyre ne emer te islamit, por ne te vertete, shumica derrmuese e besimtareve islame nuk i japin mbeshtetje ketyre grupeve, dhe figura te larta te ketij besimi deklarojne se veprimet e tyre nuk kane te bejne aspak me islamin. Ky qendrim ndaj terrorizmit eshte pothuajse unanim nder besimtaret myslimane shqiptare.
Duke u nisur nga sa me siper, qendrimet intimiduese ndaj gjithe komunitetit mysliman shqiptar, qe shfaqen here pas here nga disa individe, me pretendimin se jane kunder radikalizmit dhe terrorizmit islamik, jo vetem qe jane kunderproduktive, por kthehen ne provokime. Keto lloj qendrimesh, duke qene vete pozicionime radikale anti-myslimane, ne menyre te drejteperdrejte dhe thjehte nxisin radikalizem ne anen tjeter, te pakten radikalizem deklarativ. Jane me se te turpshme etiketimet qe iu behen te gjithe myslimaneve shqiptare, en bloc, prej disa te vetequajturve intelektuale, duke perdorur fjale banale te zhargonit te rrugacerise me te ulet, apo epitete si “turko-arabe”, “kafshe aziatike” etj., dhe duke i perjashtuar nga te qenet shqiptare. Po aq te turpshme dhe me shume, jane etiketimet qe behen nga disa te vetequajtur historiane, per figuren themelore te kombit tone, Heroin Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, duke e denigruar ate dhe duke shkuar deri aty sa te thone se ai nuk ishte shqiptar, dhe njekohesisht duke perjashtuar te tjeret nga trungu shqiptar.
Ty dyja keto grupe radikale dhe propaganda e tyre jane te rrezikshme.
Por nje gje eshte e sigurte: Populli shqiptar nuk eshte terhequr ne konfrontime te ketij karakteri as ne te kaluaren, kur padituria ka qene me e madhe, arsimimi pothuajse inekzistent, dhe ka shume me pak gjasa qe te terhiqet ne kohet e sotme, sic mund te synoje ndokush i interesuar per percarje, me ndihmen e ketyre grupeve qe veteshpallen intelektuale e studjuese.
Ne te kaluaren kjo lloj perplasjeje eshte parandaluar permes instinktit te vetembrojtjes kolektive te genit te perbashket kombetar, te myslimaneve dhe te krishtereve, te cilet kane pare tek njeri tjetri vellain e tyre shqiptar. Ne te sotmen, gjithashtu eshte e pamundur qe te kete percarje mbi kete baze, si per shkak te vetedijes kombetare, ashtu dhe per aresye te ekzistences se entitetit kombetar, i cili dita dites synon dhe perpiqet te rrise kohezionin gjithekombetar.
Ne te kaluaren, percues, shprehes te instinktit te perbashket te perkatesise kombetare, por edhe zhvillues e nxites te kesaj ndjenje, ishin atdhetaret e medhenj te Rilindjes sone Kombetare, perfaqesuesit e elites me te ndritur te kombit tone.
Thirrja e Vaso Pashes “Mos i shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria”, u be dhe vazhdon te mbetet deviza jone kombetare. Kjo eshte nje aksiome, qe s’ka nevoje, dhe s’mund te modifikohet. Perpjekja per modifikim te saj, do te ishte njesoj sikur dikush te perpiqej te modifikoje aksiomat matematike te Euklidit, mbi te cilat eshte ngritur jo vetem e gjithe ngrehina matematike, por dhe te gjitha shkencat dhe teknologjia qe ekziston sot.
Ne kohen e sotme, atdhetaret dhe intelektualet e vertete, nuk duhet te rrjeshtohen ose tolerojne pjesetare te grupeve te siperpermendura radikale, por duhet te kundershtojne me force ato grupe dhe pikepamjet e tyre, si te keqen me te madhe dhe armikun me te rrezikshem qe i kanoset kombit tone. Vetem keshtu, dhe duke patur gjithemone interesin kombetar si yllin tone polar qe do te na orientoje ne rrugetimin tone, ne do te mund te realizojme aspiraten tone per t’u bere nje komb i perparuar e i konsoliduar ne trojet tona etnike.
Komentet janë mbyllur.