Feja e arsimit është Arsyeja!

1
1547
Feja dhe shkenca

Nga Gilman Bakalli, 13 Prill 2016

Ndërkohë që prisnim që të angazhonte një ekip specialistësh për t’i krasitur ca programe shkollore nga ca budallallëqe që u injektohen nxënësve, kryeministri Rama shfrytëzoi një aktivitet festiv fetar për të folur rreth projektit të qeverisë së tij për ta kthyer shkollën publike në një hapësirë njohëse, jo vetëm për shkencat, por edhe për fenë. Ky projekt, sipas kryeministrit, “konsiston në forcimin e themeleve të kulturës laike”, e cila na qenkësh e dobët për t’u rezistuar ‘formave ekstremizmit të dhunshëm nëse nuk arrin të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre ndaj tundimeve të mëdha që joshin dhe kthejnë në xhihadizëm vajza e djem pikërisht se mungojnë këto instrumente”.

Fillimisht duhet vënë në dukje se serioziteti i projektit qeveritar shkërmoqet nga konteksti i zgjedhur për prezantimin e tij. Një projekt shtetëror s’ka pse prezantohet në një aktivitet thellësisht fetar, siç është përkujtimi i ditëlindjes së një profeti. Këtë gjë kryeministri Rama e di fort mirë si mjeshtër i komunikimit publik. Fakti që ka zgjedhur një terren jo neutral për idenë e tij, më jep të drejtën të mendoj se ky projekt, apo projekt-ide, i intereson më shumë si mish për top i mediave. Dhe kur është fjala për të bluar mish që ofron kryeministri, mulliri mediatik bluan demokratikisht pa diferencuar aspak, nëse bëhet fjalë për futjen e fesë në programet shkollore apo futjen e gjuhës kineze.

Përveç kësaj, kryeministri Rama, në shpjegimin e motivit për projektin, bën një kapërcim logjik të dyshimtë kur lidh format e dhunshme të ekstremizmit fetar me mosdijen apo mosnjohjen sa duhet të fesë. Ekziston bindja e përhapur gjerësisht se urrejtja i ka rrënjët te mosnjohja, bindja se njerëzit (apo edhe popujt) mjafton të njihen për të ushqyer simpati apo respekt për njëri-tjetrin. A thua se kanë njohur njëri-tjetrin serbët, kroatët dhe myslimanët e Bosnjës, a? Po katolikët dhe protestantët irlandezë, a thua të mos kenë ditur gjë për njëri tjetrin? Po shqiptarët dhe serbët e Kosovës, a thua edhe këta s’e njohin njëri-tjetrin? Të gjithë e njohin mirë fort njëri-tjetrin, por kjo s’i ka penguar e as i pengon të mobilizohen herëpashere kundër njëri-tjetrit.

Edhe ata myslimanët që hedhin veten në erë bashkë me të ngjashmit e tyre apo të ndryshmit e dinë fort mirë se pse i bëjnë dhe në emër të kujt i bëjnë aktet e tyre të dhunshme dhe s’ka mësim fetar që mund ta fashisë budallallëkun e vetëflijimit. Urrejtja nuk lind nga mosnjohja e Tjetrit, urrejtja nuk i drejtohet të huajit anonim, prej të cilit të dallojnë ritet fetare apo zakonet e së përditshmes. Urrejtja i drejtohet zakonisht atij që e ke aq afër, që e njeh aq mirë, saqë për pak gjë rrezikon të bëhet vetvetja. Kështu që shpresa (e medemektë) e kryeministrit Rama se mësimi fetar apo kultura fetare mund t’i pajisë djemtë e vajzat me instrumentet e nevojshme njohëse për të mos rënë pre ndaj tundimeve të mëdha që i joshin dhe i kthejnë ato në xhihadizëm, është thjesht iluzion i tij, ose pretendim i tij për të na shitur një iluzion.

Argumentimi që kryeministri Rama i bën nevojës për projektin e qeverisë së tij të kujton dekonstruksionin që Mark Twain i bën nevojës për të rrethuar me mure varrezat: “muret rrethuese të varrezave janë një shpenzim i kotë”, thotë ai, “sepse të gjallëve jashtë tyre nuk u shkon nëpër mend të futen atje, kurse të vdekurit brenda tyre e kanë të pamundur të dalin që andej”. Kështu që, edhe mësimi fetar për arsyet që përmend kryeministri Rama, është një investim i kotë: kush nuk e njeh fenë apo kush nuk beson në fe, nuk i shkon nëpër mend të bëjë marrina ekstremistësh të dhunshëm, sepse nuk mund t’i bëjë ato në emër të Asgjësë. Kush është religjioz në kuptimin spiritual të fjalës, nuk ka nevojë për informacion fetar të marrë në shkollë dhe nuk përbën rrezik për “themelet e dobëta të kulturës laike”. Kujt i intereson feja si botëkuptim kulturor, mund të frekuentojë kolegjet fetare, gjerësisht të përhapura në Shqipëri.

Problemi nuk është se si të fusim mësimin e fesë në arsim, por si të injektojmë pak më shumë arsye në arsim. Fillimisht duke e pastruar nga disa budallallëqe të konstatuara shpesh nëpër libra të ndryshëm shkollorë dhe të kontestuara nga prindër e specialistë.

Feja duhet të mbahet totalisht larg nga shkolla. Jo për shkak të cenimit të laicitetit, jo për shkak të përmbajtjeve, sepse këto janë pafundësisht të diskutueshme, por për të ruajtur të paprekur një dallim esencial midis shkollës dhe fesë, i cili është një dallim jo në çfarë, por në si. Shkolla mbetet një institucion i rëndësishëm, jo edhe aq për atë se çfarë u transmeton nxënësve, por sepse është i pari vend ku nxënësi inkurajohet të ballafaqohet në mënyrë kritike me botën, vendi ku lind dhe nxitet dyshimi si formë e dijes dhe vetëdijes, vendi ku mëson jo të pastrosh dyshimet nëpërmjet një Force të Mbinatyrshme, por si t’i ushqesh dyshimet përmes Arsyes së kulluar.

Marrë nga: Mapo

1 KOMENT

  1. Feja duhet te ndahet nga arsimi. Janë dy drejtime te ndryshme. besimi nuk ka shkolle, ai eshte brenda secilit i lire, ndaj larg shlolles

    Migranti

Komentet janë mbyllur.