Haradinaj në teh të shpatës!

0
929

Shkruan: Florim Zeqa, 15.09.2017

E titullova kështu këtë shkrim, për faktin se rrugëtimi politik i Haradinajt në qeverisjen e vendit, do të kalojë jo në një, por në tre “teha të shpatës”; atë të ndërkombëtarëve, listës “Srpska” dhe opozitës shqiptare në kuvend. Ardhja në pushtet e Haradinajt është përcjellë me ndjenja të përziera. Në njërën anë me urime dhe përgëzime të gjata nga mbështetësit e tij, ndërsa në tjetrën me kritika të ashpra për bashkëngjitje PDK-së, të cilën deri dje e akuzonte për kapje të shtetit dhe korrupsion…

Hapja e shpejtë e temës së demarkacionit, që në ditën e parë të punës si kryeministër nga ana e Ramush Haradinajt, më tepër se marketing politik ka të bëjë me dëshirën e tij për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi madhor për vendin. Këtë e dëshmon shkarkimi i komisionit të deritanishëm qeveritar për demarkimin, gjegjësisht kryetarit Murat Mehaj, të cilin lehtësisht pa asnjë kundërshtim e largoi nga komisioni, por kjo nuk e nënkupton zgjidhjen kaq të lehtë të këtij problemi të trashëguar nga qeveria paraprake.

Edhe pse në dukje të parë, komisioni i ri në krye me profesorin Shpejtim Bulliqi ngjall shpresa për riparim të gabimeve në demarkimin e kufirit me Malin e Zi, një gjë e tillë do të jetë vështirë e realizueshme, për faktin se nuk është aspak punë e lehtë anulimi i marrëveshjeve ndërkombëtare (të nënshkruar nga presidenti Thaçi). Për të mos thënë e pamundur, do të jetë punë e vështirë për kryeministrin Haradinaj sigurimi i 2/3 të votave në kuvend për çështjen e demarkacionit pa e përmbushur premtimin e tij për kthimin e kufirit në Çakorr, ashtu siç e kishte kërkuar gjatë kohës sa ishte në opozitë. Ky është kushti i vetëm, që mund ta bëjë për vete votën e opozitës, në këtë rast, shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës, në të kundërtën asgjë më pak se kaq nuk ka gjasa të miratohet nga opozita shqiptare.

Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në veri të vendit, do të jenë “arrë” e fortë për Haradinajn, për të cilën lista serbe thotë se është edhe kjo pjesë e marrëveshjes për koalicion, gjë të cilën vazhdon të heshtë akoma kryeministri i ri i vendit. Urojmë që lëshimi paradoksal i Haradinajt me rastin e nominimit për ministër të Bujqësisë e serbit Nenad Rikalo të jetë i vetmi, ngaqë është tepër irritues fakti për qytetarët e Prishtinës dhe mbarë Kosovës, që një person që është kujdesur t’i “ushqejë” me dajak shqiptarët në kohën e Millosheviçit, sot në qeverinë e tij të “kujdeset” për ushqimin e shqiptarëve të mbijetuar nga lufta!

Bazuar në sfidat me të cilat do të përballet qeverisja Haradinaj me listën “Srpska”, përplasja me ndërkombëtarët, mund t’i kushtojë me përfundim shumë të shpejtë të mandatit politik, madje edhe para 100 ditëshit të parë të qeverisjes së vendit. Futja e qeverisë Haradinaj në varësi të listës “Srpska”, bie ndesh me deklarimet parazgjedhore të koalicionit PAN, apo ndryshe siç i thonin “krahu i luftës”, të cilët gjatë fushatës zgjedhore për t’i rrëmbyer votën elektoratit kosovar me pompozitet deklaronin; “ne do ta luftojmë Serbinë…”

Ndërsa, kur të njëjtit u bënë bashkë me listën “Srpska”, nuk ke si të mos e kujtosh atë sloganin e partizanëve gjatë periudhës së “Luftës Nacional Çlirimtare” (LNÇ); “Vdekje fashizmit, liri popullit” (fashistët me vete)!

Vallë, cili do të jetë roli i listës “Srpska” në përballjen e krahut të luftës me Serbinë gjakatare!? Koalicioni i fundit qeverisës i PAN me listën “Srpska”, shpërfaqi në mënyrën më të keqe përzierjen e roleve në politikë, saqë nuk po dihet më cili është “rus” e cili “serb”, cila është figurë e bardhë e cila e zezë në tabelën e me ngjyra “ylberi” në politikën kosovare, ashtu sikurse nuk dihen yjet në flamurin e shtetit tonë, cilit komb i përket ylli i parë, dytë, tretë e kështu më radhë deri tek i fundit. Analogji kjo e thjesht, por tepër e dhimbshme në shtetin “multietnik” të Kosovës!

Kështu kryeministri Haradinaj, duke rrugëtuar mbi “tehun e shpatës”, do ta ketë të vështirë t’u bëjë ballë presioneve dhe shantazheve nga Beogradi dhe qarqet serbo-ruse nga vendet e ndryshme euro-perëndimore për demarkimin e kufirit shtetëror me Malin e Zi dhe fqinjin verior-Serbinë, e cila synon që përmes Asociacionit të komunave serbe në veri të vendit tonë, të minojë sovranitetin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht ndarjen në dysh të sovranitetit të shtetit tonë; në Kosovën serbe dhe atë shqiptare!

Kur këtyre u shtohen edhe problemet e shumta të akumuluara ndër vite në sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim, etj si dhe ngecjet enorme në zhvillimin ekonomik të vendit si pasojë e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, …atëherë shkopi (i munguar) magjik i kryeministrit Haradinaj do të ishte i pamjaftueshëm për zgjidhjen e të gjitha problemeve brenda një mandati politik. Ky shkrim për kryeministrin e ri, nuk ka të bëjë me mbështetje dhe as me kritika ndaj Haradinajt, por është një vlerësim analitik i situatës dhe një tërheqje vërejtjeje, për kujdesin e kryeministrit në raport me sfidat që e presin në 100 ditëshin e parë të qeverisjes së tij. Shkuarja e kësaj qeverie deri në fund të mandatit politik, përveçse mrekulli, do të ishte rast për në librin e Ginesit, pasi përveç përmbushjes së egove personale të liderëve partiakë, nuk do të arrijë të përmbushë asnjë prej kërkesave të qytetarëve, gjegjësisht zgjidhjen e mijëra problemeve të bartura nga njëra qeveri në tjetrën.