PASQYRIM I PLOTË E NË VAZHDIMËSI I VLERAVE KRIJUESE DHE AKTIVITETEVE TJERA TË MËRGATËS

0
1040

…tha Xheladin Mjeku, Drenas, Guri i Plakës, 29.07.2017

Xheladin MJEKU

Vështrim kritik i lexuar në përurimin e veprave “THESARI KOMBËTAR I MËRGATËS SHQIPTARE NË SUEDI” – Vëllimet 7 dhe 8 – 2017
Jemi këtu për të bërë edhe një hap tutje në aktivitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, nga Suedia. Tashmë jemi mësuar ta kemi të përmbledhur në vëllime të veçanta gjithë materialin që dëshmon punën dhe veprimtarinë e kësaj shoqate dhe kjo veprimtari kaq e vëllimshme dhe e sistemuar në kapituj, apo në kuptimin organizativ të aktiviteteve, do ta quaja sistemim në sektorët e veprimtarive përkatëse.

Edhe në këtë manifestim jemi përcaktuar që në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy asociacioneve kulturore, që tashmë janë edhe të zyrtarizuara, të bëjmë përurimin e dy vëllimeve të fundit të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”, nga fakti se edhe Asociacioni i letrarëve dhe artistëve Art Klubi ”Rifat Kukaj” kemi një pjesë të njerëzve të trevës sonë, aktivitetet e të cilëve kanë dëshmuar fuqishëm për punën dhe aktivitetet e tyre te pandalura në ngritjen e vlerave kombëtare, në dhënjen e kontributeve tjera, qofshin ato nga krijimtaria letrare, nga përkrahja dhe ndihmesat humanitare, duke shtrirë fuqishëm aktivitetin e tyre gjithandej në Skandinavi, duke përquar në vazhdimësi mesazhin e mirë të njeriut të sakrificës dhe dashurisë për atdheun dhe njerëzit e tij kudoqofshin ata.

Përurimi i “Thesarëve Kombëtar” – Letërnjoftimi i veprimtarisë së pashembullt të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”

Vëllimet 7 dhe 8 të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”, botime të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, nga Suedia, të cilat po i shpalosim këtu, ashtu si edhe numrat tjerë të mëparshëm në vazhdimësi synojnë grumbullimin, ruajtjen dhe sistemimin e materialeve në Kapituj të veçantë, që për ta kuptuar edhe me lehtë këtë sistemim në bazë të aktiviteteve, në sektorë përkatës të veprimtarive të ndryshme që zhvillojnë veprimtarët dhe krijuesit e kësaj shoqate. Kjo punë e vyer e këtyre entuziastëve të përkushtuar në ngritjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe artistike gjithandej kah veprojnë për dekada, që pastaj t’ua lënë trashëgimi brezave që vijnë, që ta njohin dhe ta vazhdojnë kultivimin e e kulturës së trashëguar kombëtare nga paraardhësit gjithandej në vendet e Skandinavisë ku është i përqëndruar komuniteti shqiptar. Ky në të vërtetë është synimi kryesor i këtij komuniteti, i cili tashmë po dëshmon fuqishëm se, përveç obligimeve vetjake, familjare dhe jetësore, vetes i ka shtruar edhe detyra të rëndësisë së veçantë për t’iu gjendur sa më pranë në shërbim atdheut, prej nga kanë migruar prej vitesh.

Në përgjithësi, “Thesarët Kombëtar…” synojnë ta ndriçojnë veprimtarinë e komunitetit shqiptar në Skandinavi, me theks të veçantë në Suedi. Këtë veprimtari e takojmë që nga numrat e parë e deri tash, gjithnjë duke krijuar një fizionomi të qëndrueshme dhe me fokusim të plotë në vjeljen sa më shterruese të gjithë asaj që mund të konsiderohet vlerë kombëtare, krijimtari artistike dhe kulturore, duke ia ditur vlerën dhe rëndësinë e këtij thesari të pashterrur, që është ruajtur me xhelozi edhe nga gjenerata të tjera, për ta përcjellur kështu deri në kohën tonë.

Sikurse të gjithë numrat e mëparshëm të “Thesarëve…”, edhe dy numrat e radhës, 7 dhe 8 kanë materiale të nduarnduarshme, të shkruara e të grumbulluara nga anëtarë dhe aktivistë të shumtë të Shoqatës, të cilët për asnjë çast nuk ngurrojnë të shpalosin gjithë dashurinë e tyre prej malli për vendlindjen, të derdhin djersën dhe të moskursehen në përkrahjen materiale për të përmbushur qëllimet e tyre që të shpërndajnë rrezet e diturisë tek çdo familje, të trasojnë rrugën e dashurisë kombëtare tek brezat duke ndërtuar kështu Bibliotekën e Thesarit Kombëtar, në të cilën do të gjejmë në vazhdimësi gjithçka është krijuar e vepruar prej vitesh e dekadash nga këto gjenerata.
Kështu, pa u zgjëruar në shpalosjen e çdo kapitulli të “Thesarit kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi” nr. 7, në formë të përgjithësuar e themi se në çdo kapitull gjejmë dëshmi, dokumente e fotografi të shumta, portrete e intervista personalitetesh të ndryshëm, kontributi dhe sukseset e të cilëve i bëjnë nder Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Suedi dhe ia ngrisin lartë shembëlltyrën këtij komuniteti krijues e veprues në fusha të ndryshme, duke i dhënë kurajo që të çojnë më tutje këto vlera sublime e të pakontestueshme.

Gjuha faktografike dhe shtrirja e aktiviteteve edhe në shumë vende tjera, duke mos anashkaluar edhe aktivitete të shumta në vendlindje, ku prej vitit në vit po marrin fizionominë e vet, me prezantimin e vlerave, përurimin e librave “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, prezantimin e krijuesve me poezi e krijimtari tjetër artistike, pastaj njohja e bashkëveprimi në aktivitete me Shoqata e Klube krijuesish, konsiderohen suksese shtesë të kësaj Shoqate, e cila gjithnjë e më shumë ka shtrirë aktivitetin e saj edhe jashte vendit ku zhvillon aktivitetin e saj, në Suedi. Kjo tashmë ka hapur krahët e përqafimit të denjë me aktivitete duke e prekur me njërën dorë vendilndjen e me dorën tjetër duke u mbajtur fort për bazamentin prej nga ka zënë fill dhe i është shtrirë dora e përkrahjes, në Suedinë mikpritëse.

Edhe “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” nr. 8 nuk është më pak i rëndësishëm, edhepse aty gjejmë kryesisht dokumentacion dhe dëshmi nga kontribues të shumtë në përkrahjen e aktiviteteve të shumta, takojmë emra e dëshmi humanistësh që ndajnë të mira materiale për njerëzit në nevojë gjithandej në vise të ndryshme të atdheut, duke iu afruar kushte për jetë e strehim. Nuk kanë munguar asnjëherë edhe përkrahjet financiare institucioneve të arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe më gjerë. E gjithë kjo mbështetje humanitare e bën edhe më madhështore veprimtarinë e shumëanshme të kësaj Shoqate, me të cilën mund të mburremi jo vetëm ne si bashkëveprimtarë të fushës, po i gjithë vendi, bijtë e të cilit çdoherë shquhen si dalëzot në çështje e situata të ndryshme.
Prandaj me plotë të drejtë themi se këtu para nesh kemi edhe dy vëllime të “Thesarit Kombëtar…” të stërmbushura vlera e thesarë të mendjes, punës, vullnetit e aktiviteteve të panumërta që na obligojnë në vazhdimësi në përkrahjen dhe vlerësimin meritor gjithandej.

Vlerat shumëdimensionale të “Thesarit Kombëtar…”

Shikuar nga këndi i lexuesit të rëndomtë, botimi i këtyre “Thesarëve…” mund të konsiderohet një punë e vlefshme dhe e rëndësisë së veçantë, ku në çdonjërin prej këtyre vëllimeve gjejmë diçka që përmbush kërkesat e lexuesit që të njihet më për së afërmi me aktivitetet, sukseset dhe emrat e shumtë, që tashme kanë lënë gjurmë të pakontestueshme në fusha të ndryshme të artit, kulturës, gjuhësisë, pastaj në veprimtari tjera humane e aktivitete të ndryshme në ngritjen e çështjes sonë kombëtare. Thënë në përgjithësi, vlerat shumëdimensionale të këtyre veprimtarëve që veprojnë pandalshëm si një zgjua bletësh për të krijuar e mbledhur nektarin e ëmbël kombëtar do t’i lakmonte çdokush, por vështirë se mund t’ia dalin ta arrijnë nivelin e tyre, meqë këtu mbizotëron fryma e bashkëpunimit dhe bashkëkoordinimit të punëve dhe aktiviteteve në çdo kohë.

Nuk mund të anashkalohet pa u thënë edhe një e vërtetë tjetër për këta “Thesarë……”, se tashmë ekziston material i mjaftueshëm që çdo studiues i interesuar për këto vlera mund të gjej material të bollshëm që të përcaktoj nivelin dhe rëndësinë konkrete të kësaj fryme atdhedashëse.

Aktiviteti i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi “Papa Klementi i XI Albani” ka për synim ngritjen e vlerave kulturore, krijuese dhe shpirtërore të krijuesve gjithandej në diasporën shqiptare, jo vetëm në Suedi, duke mbledhur rreth vetes krijues zhanresh të ndryshme, për të prezantuar fuqishëm këto vlera edhe për opinionin artdhashës gjithandej në shtetet skandinave, që si ambassador të denjë përfaqësojnë këto vlera kombëtare me shumë përkushtim.
Meritokracia e këtij aktiviteti gjithësesi i takon të gjithë krijuesve, puna e të cilëve meriton respekt dhe përkrahje të parezervë.

Miqësia e gjërë dhe bashkëpunimi i ndërsjellë – fuqi shtytëse drejt vlerave të reja

Nuk është vetëm aktiviteti i antarësisë së kësaj shoqate krijuesish që e bëjnë të njohur dhe të suksesshme këtë veprimtari, por fal bashkëpunimit dhe aktiviteteve të ndërsjella të shumë personaliteteve tjera të kulturës dhe artit edhe jashtë këtij asociacioni, duke shpalosur vlerat e tyre, në forma dhe angazhime të ndryshme bëjnë që kjo shoqatë të ketë gjithnjë e më shumë suksese, të bëhet e njohur në gjithë botën shqiptare dhe më gjerë.

Rrezatimin e pandalur të vlerave e sukseseve ia shtojnë emra e personalitete të shumtë, që nuk rreshtin së vepruari në shumë veprimtari, duke shpërfaqur fuqishëm punën dhe kreativitetin e tyre në të mirën e kësaj shoqate. Emrat, si: Ullmar Cvick, Prof. dr. Murat Gecaj, Prof. dr. Mehmet Rrukiqi, Prof. dr. Nuri Dragaj, Prof. dr. Zyhdi Dervishi, Prof. Zhani Ciko, Don Lush Gjergji, Viron Kona, Ismet Kallaba, Izet Abdyli, Esat Loshaj, Drita Binaj-Nikoliqi, etj., kontributi i të cilëve vjen në forma të ndryshme, qoftë si bashkëveprimtari, si këmbim përvojash, përkrahje dhe forma përurimesh të aktiviteteve të shoqatës, ia shtojnë vlerat kësaj veprimtarie të begatë që sa vie e rritet, duke sjellur vlera e rezultate të shumta.

Në mbyllje të këtij vështrimi të shkurtër për këta “Thesarë Kombëtar…” po citoj vlerësimin e Hyrë Tejecit, e cila me plot të drejtë i quan “Libër i brezave”. Edhe Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi “Papa Klementi i XI Albani” z. Hysen Ibrahimi gjatë fjalës së tij përmbyllëse të përurimit të “Thesarëve…” në Mitrovicë, ndër të tjera thekson: “Thesari Kombëtar“ është një busollë për gjeneratat e reja që do t’i orientojë ata kah vendlindja dhe origjina e të parëve të tyre iliro-shqiptare”. Se vërtetë është një udhërrëfyes i brezave dëshmojnë që të gjithë numrat e deritashëm, të cilët në brendinë e tyre ruajnë gjithë atë krijimtari dhe dëshmi për aktivitete të shumta të këtyre krijuesve e veprimtarëve të shumtë, që shikuar më për së afërmi, këta “Thesarë Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi” kanë rolin edhe të një biblioteke të veçantë, ku takojmë gjithë krijimtarinë e kësaj Shoqate, ndër më aktivet dhe më përmbajtësoret në gjithë diasporën shqiptare.

Ju falemnderës për durimin dhe vëmendjen tuaj!