Nga Frank Shkreli
Ky ishte titulli i një programi televiziv ditët e fundit në Shqipëri, duke iu referuar emërimit të Z. Gramoz Ruçi si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Nuk e di nëse drejtuesja e programit kishte në mend, që me të ftuarit në studio, dëshironte të pasqyronte qendrimet pro dhe kundër emërimit të Z. Ruçi në karrigën e Kryetarit të Kuvendit, a po të nënvijonte shpresën e saj (wishfull thinking) se me emërimin e tij në detyrën numër dy të shtetit shqiptar, më në fund, do u mbyllet goja njëherë e mirë, anti-komunistëve mbrenda vendit, megjithse është vështirë të përcaktohet se kush janë sot “anti-komunistët”në Shqipëri, ose nëse ekziston një shtresë e tillë — me përjashtim të disa ish-të përndjekurve të regjimit komunist — që kanë mbetur ende gjallë.
Këto 27 vitet e fundit të jetës politike në vend, kanë dëshmuar se as në radhët e pozitës dhe as në radhët e opozitës, nga njëra qeveri në tjetrën, nuk ka patur “anti-komunistë”. Kështuqë reagimet ndaj emërimit të Z. Ruçi në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nuk përbëjnë një “betejë” dhe as nuk po ndërmerret një “betejë” e tillë nga “anti-komunistët” në radhët e kësaj politike, pasi të tillë nuk ekzistojnë, në asnjërin krah. Prandaj të nderuar panelistë të programeve televizive, merrni frymë lehtë dhe mos u shqetësoni as për fillimin dhe as për mbarimin e antikomunizmit, sepse antikomunizëm dhe “antikomunistë” nuk ka në radhët e klasës politike shqiptare të periudhës post-komuniste.
Mendoj gjithashtu se as opozita e sotëme nuk e ka seriozisht kur kritikon emërimin e Z. Gramoz Ruçi në detyrën e lartë shtetërore.…Në fund të fundit, opozita e sotëme, që ishte pozita e djeshme, e ka patur Z. Ruçi aty për 27-vitet e fundit.…Për më tepër, është hipokrizi dhe nuk i takon opozitës të ankohet për këtë emërim, pasi edhe në radhët e saj, në të kaluarën por edhe sot, ka patur dhe ka protagonistë të ish-regjimit komunist, në një nivel ose një tjetër, përgjegjësie. Për më tepër, çfarë bëri opozita e sotëme kur ioshte në pushtet për të zbardhur krimet e komunizmit dhe çfarë masash mori që shoqëria shqiptare të përballej me këtë histori të errët, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të lindjes?
Për mua Gramoz Ruçi nuk është problemi kryesor. Pa marrë parasyshë të kaluarën e tij politike, nuk mund të thuhet se emërimi i tij sot si Kryetar Kuvendi nuk është legjitim, pasi ai është votuar nga zgjedhësit në zonën e tij elektorale dhe u votua me vota të lira të shumicës parlamentare dhe me disa vota të opozitës në Kuvendin shqiptar. Por, emërimi i Z. Ruçi në atë detyrë mund të konsiderohet nga disa, si një vendim që nuk është menduar mire nga udhëheqja socialiste dhe Kryeministri Rama, sepse në çdo shoqëri tjetër një emërim i tillë do të reflektonte një mungesë ndjeshmërie ndaj krimeve ndaj viktimave të komunizmit — të gjallë e të vdekur.
Prandaj, problemi kryesor, në mendimin tim — nuk është emërimi i Z. Ruçi në vetvete si një person që ka shërbyer në ish-sistemin monist – por është sistemi post-komunist i 27-viteve të fundit, pjellë e dy partive kryesore politike të vendit, që ndonëse me shembjen e komunizmit, shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa – por ndryshe nga mbarë Evropa ish-komuniste – klasa politike shqiptare e çerek shekullit të kaluar, nuk dënoi kurrë krimet e regjimit komunist dhe as nuk u përballua me të kaluarën komuniste, madje as nuk kanë caktuar minimalisht një ditë në kujtim të viktimave të komunizmit, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të bllokut sovjetik.
Caktimi i një dite për të përkujtuar viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk nevojitë fonde as debate, por në përputhje me vendet e tjera ish-komuniste, kërkon vetëm kurajo dhe përgjegjësi morale Për më tepër, nuk mbahet mend asnjë debat serioz në Kuvendin e Shqipërisë, asnjë projekt-ligj ose rezolutë që të jetë paraqitur e miratuar nga cilado palë ose parti politike në raport me diktaturën e egër komuniste dhe mbi pasojat e saj që gjithnjë ndjekin fatin e kombit shqiptar sot. Njihen mirë nga të gjithë dokumentacioni, rezolutat dhe ligjet evropiane mbi nevojën e domosdoshme për tu përballuar me krimet e komunizmit dhe për marrjen e masave për të ç’rrënjosur një herë e mirë trashëgiminë e regjimit komunist në kontinentin evropian.
Deri, më tani, Shqipëria nuk e ka bërë këtë, prandaj të nderuar panelistë, mos humbni kohë duke debatuar simptomat e sëmundjes së vërtetë të jetës politike dhe parlamentare të Shqipërisë, por merruni me trashëgiminë politike të ishs-regjimit komunist dhe me nevojën e madhe për tu përballur me krimet e ati sistemi. Një debat i tillë nuk kërkon dhe nuk duhet të ketë hakmarrje, pasi kundër hakmarrjes janë shprehur shpesh edhe ata që kanë vuajtur më së shumëti nga komunizmi, ish-të përndjekurit politikë, por kërkon kurajo civile dhe morale nga kjo klasë politike — si pozitë ashtu edhe opozitë — për tu ballafaquar me krimet dhe me të vërtetën historike të së kaluarës. Fatkeqsisht, deri më tani një gjë e tillë nuk ka qenë prioritet për asnjerën pale në Shqipëri.
Prandaj, sado që të dëshirojnë disa analistë e komentatorë “fundin e anti-komunizmit” në Shqipëri, fundi i anti-komunizmit të vërtetë nuk do të realizohet as me një debat në televizion as me emërimin e një protagonisti të lartë, të ditëve të fundit të pushtetit komunist, në detyrën e Kuvendit të Shqipërisë. Por anti-komunizmi do të marrë fund në Shqipëri, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet ish-komuniste të lindjes, kur klasa politike shqiptare të lënë mënjanë arrogancën politike dhe hipokrizinë dhe të vendosë me pjesën tjetër të Evropës se, “Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar qoftë, ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, siç është shprehur Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding.