ERMIRA BABAMUSTA, MERR ÇMIMIN INAUGURAL PËR VITIN 2017

0
618

Bisedë me intelektualen e njohur dhe e vlerësuar lart, në diasporën shqiptare

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Ermira Babamusta ka fituar Çmimin Inaugural për vitin 2017. Në qershor 2017, Ermira Babamusta u nderua nga bordi amerikan i LIU, si ndër 10 personat më të suksesshëm të Nju Jorkut, për arritje të jashtëzakonshme. Ajo është shpallur “Gruaja e Vitit”, “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos”, nga Instituti i Paqes Kessel dhe “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare”, nga Kryetari i Mazhorancës së Senatit Amerikan, Harry Reid, Kongresi Amerikan. Ka punuar si drejtoreshë për fushatën presidenciale të Presidentit Obama, në zgjedhjet e viteve 2008 e 2012; në Departamentin e Paqes të OKB-së, në Nju Jork dhe në Kongresin Amerikan, në Washington DC.

Ermira Babamusta është shqiptarja e parë, që u nderua nga Presidenti Obama, për punën e saj të çmuar humanitare. Më 2014, ajo shërbeu në programin e Shërbimit Kombëtar, të Zyrës së Presidentit të SHBA. Shtëpia e Bardhë e nderoi Ermira Babamustën me vlerësimin më të lartë, me Medalje Ari dhe Çmimin, “President’s Volunteer Service Award”.

* * *

1. Përshëndetje, mike Ermira dhe është kënaqësi, që e zhvillojmë bashkë këtë Bisedë… Me këtë rast, sjell në kujtesë një takim shumë të bukur e mbresëlënës, pak vite më parë, në Tiranë, me prindërit tu të dashur e miqtë tanë të nderuar, Neki e Suzana Babamusta. Aty, unë isha bashkë me kolegët e mi, arsimtarë, publicistë e shkrimtarë: Viron Kona, me origjinë nga Vlora dhe Ibrahim Hajdarmataj, nga fshati i bukur Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë)… Nuk dua që t’i shkruaj këtu mbresat e atij takimi të paharruar, por gjej rastin që t’i falënderoj për mikpritjen bujare dhe t’i përshëndes përzemërisht, prindërit tu aq të mirë dhe t’u urojmënga zemra: Shëndet të plotë, jetëgjatësi, gëzime e lumturi, bashkë me ty!

Tani, a mund të na tregosh diçka për prejardhjen, për traditat atdhetare të familjes suaj?

Ermira Babamusta: Familja ime janë me origjinë nga Shqipëria dhe Kosova. Si familje, kemi ruajtur lidhje diplomatike 100-vjeçare, ndërmjet Shqipëri-Amerikë-Angli, me një politike proamerikane dhe proangleze, për të siguruar e njohur pavarësinë e Kosovës, për demokartizimin e Shqipërisë dhe për ta çuar sa më përpara, historinë dhe kulturën shqiptare. Bashkëpunimi i familjes Babamusta me Amerikën, fillon në 1920, me hapjen e shkollës së parë amerikane, në Golem-Kavajë. Kjo lidhje vazhdoi me pritjen madhështore, më 15 mars 1992, që familja Babamusta i bëri të dërguarit të parë të SHBA, ambasadorit amerikan William Ryerson, me të shoqen e tij. Familja Babamusta i dhuroi ambasadorit Ryerson historikun e shkollës amerikane.

Në dhomat e miqëve të dy fiseve, Babamusta dhe Cani, kanë pritur me bujari dhe krenari patriotët e Kombit Shqiptar: Ismail Qemali, Bajram Curri, Avdi Bej Toptani, Aqif Pasha Elbasani, vëllezërit Myslim dhe Shqyqyri Peza, vëllezërit Biçaku, Avni Rustemi, Mustafa Gjinishi, Dr. Must Cara, Hamdi Frashëri, vëllezërit Bajram e Qamil Xhani.

Veprimtaria e familjes Babamusta vazhdoi me krijimin e shoqatës Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani” (1992-2004), për të forcuar miqësinë shqiptare, me SHBA e Perëndimin, për të mbrojtuar vlerat demokratike dhe të persekutuarve.

Gjatë Luftës Çlirimtare, në shtator 1943, prindërit e Neki Babamustës (Beqiri dhe Rabihane Babamusta) shpëtuan nga gestapo hitleriane 6 ushtarë dezertorë italianë dhe një familje rrobaqepësish izraelite, prej 4 vetësh. Në Kavajë, ish-sekretari i gjyqit, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit), në bashkëpunim me përmbaruesin, mësuesin patriot Mihal Lekatari (tani “Mësues i merituar”), arritën të pajisin me pasaporta shqiptare, në fazën e parë 178 hebrenj.

Babai im, Neki Babamusta, “Mësues i merituar”, ka zhvilluar lëvizjen arsimore në Shqipërinë e Mesme dhe Kosovë. Ai u emërua “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë”, nga Kongresi Amerikan, për forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane. Ndërsa gjyshi i mamit, Kastriot Cani – “Hero i Popullit”, u nderua nga Kongresi Amerikan, për bashkëpunimin me Amerikën, për vendosjen e Demokracisë, nëpërmjet “Frontit të Rezistencës”. Në kujtim të tij, senatorët e Kongresit Amerikan mbajtën një minutë heshtje, më 2 gusht 2004, në Senatin Amerikan, në Washington DC.

2. Si u përshtate me jetën në Amerikë? Çfarë i nevojitet njeriut, për të qenë i suksesshëm në jetë?

Ermira Babamusta: Kjo është një pyetje shumë interesante, sepse në thelb trajton pyetjen, se si i përballon njeriu rrethanat e jetës. Në aspektin filozofiko-psikologjik, instikti, personaliteti dhe përvojat e njeriut diktojnë suksesin ose humbjen. Instinkti na mëson t’i shfrytëzojmë rastet e duhura në jetë. Por, pa vullnet, këmbëngulje dhe besim në vetëvete, kjo mbetet vetëm një dëshirë. Realizimi i dëshirës varet dhe nga personaliteti ose identiteti i njeriut. Nuk mjafton vetëm zgjedhja në rrugën e drejtë ose caktimi i një qëllimi, por duhet të dish të jesh i qëndrueshëm dhe i vendosur, deri në fund. Dhe, përvoja në sprova të tilla, na jep maturi dhe forcon besimin në vetëvete.

Shpesh herë, ndodh që njeriu bëhet vetë pengesë e vetëvetes dhe, madje, armiku i vetes, duke dekurajuar veten, me mendime negative ose duke imagjinuar dështimin, në vend të arritjes. Kur njeriu i bazon vendimet, nga frika e diçkaje dhe jo nga mundësia, “po nëse?” (what if?), atëherë i kufizon arritjet, sipas përcaktimeve të kufijve të frikës. Mendja është forca dhe fuqia më e madhe e njeriut, sepse aty është gjeneza e konceptimit të një ideali ose qëllimi. Mënyra se si e merr me mend njeriu një proçes të një ideje, reflekton realizimin aktual të saj.

Jeta në Amerikë është e tillë, që i jep liri dhe mundësi individit, në mënyrë të barabartë, që ai të eci përpara. Kështu, mbetet në dorë të individit që të punojë dhe të përdorë mundësitë që i ofrohen. Shoqëria amerikane të përgatit nëpërmjet edukimit dhe punës, që të marrësh kompetencat e duhura, në një specializim, i cili të intereson. Dhe, nëpërmjet konkurrencës, nxitë dhe individin, që të synojë më lart në vetëvete.

Falënderoj mentorët e mi, Senatorin Tom Harkin, Kongresmenin Mark Kennedy dhe Presidentin Barack Obama, që më dhanë përvojën e paharruar në diplomacinë dhe politikën amerikane, të cilës unë i shërbej dhe e kam profesion.

3. Si i ke mbajtur lidhjet me vendlindjen e Shqipërinë, me Kosovën, por edhe me bashkësinë shqiptare në ShBA?

Ermira Babamusta: Bashkësia shqiptare e Nju Jorkut ruan kulturën dhe traditat shqiptare, me punën e palodhur të intelektualëve dhe shoqatave të ndryshme si “Vatra” dhe “Zëri i Amerikës”. Shqipërinë e kam vizituar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe falënderoj Ministrinë e Kulturës, Qendrën Kombëtare Kinematografike në Tiranë, të ndjerin Artan Minarolli dhe Majlinda Tafa, për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë!

Në Kosovë, kam jetuar dhe punuar në vitet 2008 dhe 2012, për hulumtimet shkencore të masterit e doktoraturës dhe misionet e OKB-së, që kam kryer në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë.

Lidhjet me vendlindjen dhe origjinën kosovare i ruaj nëpërmjet tre platformave, që kam zgjedhur. Së pari, në aspektin intelektual, duke zgjedhur lidhjet shqiptaro-amerikane dhe të drejtat e njeriut, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkrimeve të mia shkencore. Së dyti, në aspektin politik, duke u përfshirë në misione diplomatike-kulturore me OKB-në dhe projekte të tjera humanitare. Dhe, së treti, nëpërmjet diplomacisë kulturore në diasporë, me dy platformat e mia, “Prishtina Press” dhe “NY Elite Magazine” (www.nyelitemagazine.org), si dhe duke bashkëpunuar me komunitetin shqiptar dhe amerikan të Nju Jorkut, në projekte të ndryshme artistike-kulturore.

4. Si i vazhdove studimet e specializimet, në Amerikë a gjetkë dhe në cilët drejtime?

Ermira Babamusta: Pasi mbarova vitin e tretë, te Gjuhët e Huaja, në Tiranë, më doli bursa për studim jashtë shtetit, duke fituar pikët më të larta të provimit kualifikues. Specializimet i kam kryer në Amerikë dhe Francë, në degën Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Të drejtën e studimit, në të gjitha gradat, e kam marrë duke fituar bursën nga universiteti, duke qenë studente e dalluar, në Dean’s list (Lista e nderit e rektorit të Universitetit).

5. Tashmë, është e njohur publikisht veprimtaria jote humanitare, sidomos në mbrojtje të femrave shqiptare, në Shqipëri e Kosovë dhe kudo, që ato ndodhen…Cilat kanë qenë arritjet tua më të dukshme, në këtë fushë kaq me rëndësi për Kombin tonë?

Ermira Babamusta: Ish-sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillary Clinton, me shumë të drejtë, thotë që të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut. Mbrojtja e femrave nënkupton që strukturat shoqërore sigurojnë barazi në familje, në dinamikat ekonomike, në ligj dhe politikë. Mendoj se femrat, me intuitën e tyre dhe shkathtësinë e brendshme, janë të predisponuara për të arritur sukses, në biznes. Në politikë, roli i femrës ka qenë kryesor në situata konflikti, në tematikë paqeje dhe sigurie. Kosova është një shembull shumë i mirë, në këtë rast, ku gratë shqiptare kanë rritur mirëqënien ekonomike, duke krijuar biznese në komunitet dhe deri në krijimin e rrjeteve ndërkombëtare dhe përfaqësimin në tryezat e negociatave. Gjatë punës time në OKB, në Departamentin e Paqes në Nju Jork, kam patur rastin t’i ndjek nga afër dhe të marr pjesë në këto zhvillime diplomatike.

Më 2016, pata nderim të jem pjesë e librit “Zonjat Shqiptare në Nju Jork”, projekt i “Albanian Excellence”, i cili u zhvillua nën kujdesin e ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Falënderoj Flora Nikollën, Andis Gjonin dhe “Albanian Excellence”, për organizimin e mrekullueshëm të Mbrëmjes Gala, “Zonjat shqiptare, në shekullin XXI”, në Nju Jork, më 24 shtator 2016. Aty u paraqitën histori suksesi, kushtuar zonjave shqiptare. Pata nderin dhe unë të nderohem me “Trofeun e Ekselencës”, si një nga femrat e suksesshme shqiptaro-amerikane, në diasporë. Ndërsa, në qershor 2017, u nderova nga Bordi Amerikan i LIU, me Çmimin Inagural “10 Under 10”, një nga femrat e Nju Jorkut me arritje të jashtëzakonshme profesionale.

Një nga shoqatat bamirëse, që përkrah në Shqipëri, është Shoqata “Ideartë” (www.unejamdiearte.com), konceptuar nga Ermir Cani. Ky është brezi i ri i Shqipërisë, që ruan vlerat historike të qytetit të tyre të Peqinit dhe mobilizojnë forcat vullnetare, për të zhvilluar organizime humanitare, sociale dhe kulturore, në shërbim të banorëve, qytetit dhe Shqipërisë. Disa nga veprimtaritë përfshijë: “Maratona me biçikleta”, “Bamirësia nuk të bën të varfër”, Konkursi letrar “Frymoj në letër” etj.

6. Natyrshëm, tërë puna jote e palodhur, atdhetare e njerëzore, është nderuar dhe çmuar lart… Pra, cilat janë vlerësimet kryesore, që të janë bërë, deri sot?

Ermira Babamusta: Babai më ka edukuar të kuptoj se, vlerësimi më i madh, të cilin mund ta marrësh në jetë, është të qenurit Njeri. Të jesh njeri, nënkupton të jesh human, i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe, që ke ndaj një njeriu tjetër, ndaj shoqërisë, ndaj mjedisit, e kafshëve, çdo gjëje përreth nesh. Se si e trajton veten dhe të tjerët – të arrish një harmoni paqësore brenda vendes, duke e reflektuar dhe me lidhjet me të tjerët, për mua, është arritja më e madhe.

Mbi të gjitha, vlerësoj lidhjet njerëzore dhe fuqia e vetë njeriut, që të nxitë për të provuar një ide të re. Shpeshherë, njerëzit ankohen se nuk kanë ose nuk kanë mundësi. Mua, më pëlqen t’i krijoj vetë mundësitë, të provoj një ide dhe nuk dua të pres nga të tjerët. Zoti na ka dhënë të gjithëve mend, dhe secili nga ne ka mundësi për të realizuar atë çka duam, sado hap i vogël ose i madh të marrim. Nuk mendoj se dikush tjetër është më i mirë se ti. Secili prej nesh ka dhuntitë e veta, për të ofruar. Secili rrezaton dritën e vet.

Arritjet në profesion, si nga Kongresi Amerikan dhe nga Shtëpia e Bardhë, tregojnë që kam punuar shumë dhe ende më mirë, kur vlerësohesh për pasionet dhe ambiciet, që ke në jetë, sidomos nga elita diplomatike amerikane, që unë e çmoj shumë dhe i shërbej.

7. Tani, le të kthehemi te një temë tjetër, që më intereson… Sa lexon Ermira dhe a ka provuar të krijojë, në poezi ose prozë dhe të botojë?

Ermira Babamusta: Kam dy botime akademike shkencore dhe tani po merem me të tretin. Me krjimimtari poetike jam marrë deri në moshën 22-vjeçare dhe më kanë bërë disa vlerësime për poezitë. Më pëlqejnë më shumë librat historikë dhe shkencorë.

Më ka pëlqyer shumë matematika dhe kam fituar disa kampionate në shkallë kombëtare. Më intereson historia dhe jeta e njeriut dhe më pëlqen të shkruaj biografi. Më vonë, dua të mësoj se si të shkruaj skenarë filmash. Në të ardhmen, do vazhdoj të jem e përfshirë në fusha artistike dhe kulturore, përveç fushës sime, diplomacisë, sepse mendoj që janë të ndërthurura dhe në shërbim të njëra-tjetrës.

8. Po me studime të mirëfillta, a merresh dhe në cilat fusha?

Ermira Babamusta: Gjatë kandidaturës së doktoraturës, për Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare, jam marrë me hulumtimin e çështjes së Kosovës. Njëkohësisht, përfundova programin e Harvardit, “Strategjia dhe Sigurimi Kombëtar Amerikan”. Kam mbaruar shkëlqyeshëm, me bursë, dy mastera në Shkenca Politike dhe Administrim Publik, si dhe kam kryer programin e përparuar, niveli graduate, në Manhattan, për “Diplomaci të OKB-së”. Më 2010, kreva studimet në Strasburg të Francës, në degën “Ligji Europian dhe Institucionet e BE-së”, duke fituar bursë nga Universiteti WVU, si një nga studentet femër, që ka arritur ekselencë akademike.

9. Ti drejton “Gazeta Prishtina Press”, ku bashkëpunoj me kënaqësi edhe unë… Si të ka ecur puna dhe cili është rrjeti i njerëzve, që publikojnë aty dhe në çfarë tematikash kryesore?

Ermira Babamusta: “Gazeta Prishtina Press” është në funksion dhe ekzistim, që nga muaji maj 2008, e realizuar me rastin e shpalljes së pavarësisë të Kosovës. Kjo është e para gazetë e pavarur, publikuar nga unë, në bashkëpunim me Adem Ramadanin e “NESMEDIA” (Prishtinë), në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë, më 2008, në shqip dhe anglisht. Nga viti 2008-2010, gazeta ka shtypur 3,500 kopje, për çdo publikim javor, në Prishtinë dhe, më pas, e ka vazhduar veprimtarinë online (www.gazetaprishtinapress.com).

“Prishtina Press” përuron kulturën shqiptare, për të forcuar imazhin pozitiv të traditës, historisë dhe kulturës shqiptare, në vend dhe nëpër botë. Gjithashtu, përkrahen talentet, shkrimtarët dhe artistët shqiptarë: në Amerikë, Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Falënderoj të gjithë intelektualët nga vendi dhe diaspora për bashkëpunimin dhe për përkrahjen e vazhdueshme, për 10 vjet së bashku!

10. A mos harruam ndonjë gjë të rëndësishme, gjatë kësaj bisede, për të cilën të falënderoj nga zemra! Gjithashtu, gjej rastin të uroj: Shëndet, mbarësi dhe plotësim të çdo dëshirë, që ti ke në jetë!

Ermira Babamusta: Ju faleminderit Profesor Murat Gecaj, për nderin dhe për bisedën tonë të përbashkët! Është me të vërtetë kënaqësi dhe nder të bisedoj me një mendjeartë, si ju dhe vlerësoj shumë punën tuaj fisnike, ndër vite dhe bashkëpunimin tonë 10-vjeçar.

Një nga veprimtaritë kulturore, që kam nisur më 2017, është përkrahja e një grupi muzikor rock, nga Australia, që quhet “Cynation” (www.cynationband.com). Cynation përbëhet nga Josh Mak (vokalist, kitarë), Simon Lai (kitarist), Andrew Teo (bass) dhe Shah (kitarë). Grupi ka në plan, në vitin 2019, të bëjë një turne në Nju Jork dhe Shqipëri. Me këtë rast, do vij dhe unë, që ta vizitoj vendlindjen.

Tiranë-Nju Jork, shtator 2017