Z. Patozi, mos i lini gjërat në mes…

0
523

[Gazeta Tema online, 10.09.2017]

Z. Patozi, po replikoj me shkrimin tuaj ne Tema, të sotmin, me dt. 10.09.2017, me titull “Demokratët nuk e meritojnë këtë përfaqësim poshtërues”.

Jam dakord që nuk duhet të bëni hipotezën që z. Basha ka votuar për z. Ruçi. Bile nuk jeni etik që e hodhët në shkrimin tuaj këtë dyshim: ka mjaft bëma faktike z. Basha, për ta kritikuar, nuk keni nevoje për te sajuar, apo për të bërë aludime.

Por ama, z. Patozi, nuk keni asnjë arsye të jeni i sigurt se vetëm 2 a 3 deputetë të PD, kane votuar për z. Ruci. Ajo që është e sigurt matematikisht, është se “se paku 2 deputetë të PD kanë votuar për z. Ruci”, sepse fare mirë mund të kenë qenë p.sh. 10 deputete të PD që kanë votuar për z. Ruci, Kjo që po supozoj, bazohet në mundësinë demokratike, që asnjë njeri, sado i përkrahur nga partia e vet, të mos arrije të marre 100%, të votave, si dikur në partitë komuniste.

Kështu, edhe z. Ruçi, sado i respektuar qe të jetë — unë personalisht kam shume respekt për të, dhe nuk e konsideroj fare si “ministrin e fundit te sigurimit” etj. siç bëni ju, z. Patozi, gjithnjë ne urinë që keni të shtoni pa nevojë, gabimet e z. Basha: po e përsëris, i mjaftojnë ato faktiket që ka, dhe nuk ke nevoje te sajosh të tjera. Apo ke nevojë të shash e shpfësh edhe ti kundër z. Ruçi, siç bëjnë të gjithë në PD, nën urdhrat e dirigjentit suprem?!

Por mos të dal jashtë temës kryesore. Pra z. Ruci, fare mire mund të ketë marre 8 vota me pak nga deputetet e partisë se tij — aq me e madhe është kjo mundësi, meqë PS nuk është më një parti komuniste, por një parti antikomuniste e majtë evropiane. Pra, për ta mbyllur me ca veprime te klasës se pare fillore: + 10 nga PD e -8 nga PS, bëjnë 2 deputetë për te shkuar tek 80 votat që mori z. Ruçi.

E fundit, por më kryesorja: njerëzit presin nga ti z. Patozi, por edhe nga ‘disidentët’ e tjerë të “pas listës Basha”, që të bëjnë diagnoza pa kompromise me “djallin”, për arsyet e këtij shkatërrimi te PD-se? A kaq të vështirë e keni për të gjetur shkaktarin kryesor, atë me përgjegjësi personale shumë më të mëdha se z. Basha?

Uroj që të arrini të guxoni të jeni deri në fund i drejtë dhe trim.

Bashkim Kopliku
10.09.2017