31 Vite pa ty komandant Ndue Logu

0
1994

13 shtator 1986 – 13 shtator 2017.
“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
Shkruar nga Gjin Musa.

Njerëzit e bëjnë historinë dhe ajo u shkon pas. Ndue Logu, për shembull… nuk e ka ende të shkruar historinë e tij nga gazetarët e shkrimtarët. Po pena e kohës as ndryshket, as harron të shkruajë për atdhetarë si Ndue Logu…

HYSNI MILLOSHI

NGJARJE NË POLIGON

Ajo ishte një ditë si gjithë të tjerat. Një ditë e mezit të shtatorit, me një diell që me kalimin e orëve fillonte e ngrohte më shumë. Në poligonin e qitjes në Farkë të Tiranës ishte një ditë e zakonshme qitjeje luftarake me granata dore. Qitje të tilla ishin normale dy herë në muaj dhe bënin pjesë në përgatitjen e rregullt luftarake të ushtarëve e kuadrove të regjimentit. Shefi i Armatimit të Regjimentit, oficeri Ndue Logu, drejtonte qitjen në poligon. Kishin filluar që në mëngjes, kur dielli sapo ishte ngritur mbi kreshtën e Malit të Dajtit dhe ngrohte me rrezet e tij atë luginë të ngushtë, të rrethuar me kodra të buta të pyllëzuara kryesisht me shqopë. Përmes kodrave, buzë një përroi të vogël, gjarpëronin transhetë luftarake, që i bënin të padukshëm ushtarët gjatë lëvizjeve në orët e stërvitjes.

Ushtarët vinin njëri pas tjetrit në pozicionin nga ku do të hidhnin granatat e dorës në drejtim të objektivit të vendosur brenda një rrethi të bardhë. Synimi ishte për ta hedhur brenda atij rrethi, pasi kishte siguri më të plota preçizioni në asgjësimin e armikut. Granatat e vërteta luftarake shpërthenin me zhurmë e ushtarët uleshin në transhe për të mënjanuar rrezikun e goditjes nga ciflat vdekjeprurëse. Ndue Logu, i ndiqte ata me vëmendje, me përkujdesje, me seriozitet e rreptësi për zbatimin e rregullores dhe të kushteve të sigurimit në poligon. Ai kishte punuar për 25 vjet si pilot dhe si kuadër drejtues i regjimentit të helikopterëve në Farkë.

Por, pas 25 vjetësh, gjatë një vizite mjekësore, mjeku i dha një lajm të papritur e të hidhur për të: Nuk duhej të fluturonte më. Nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar në gjendjen e tij shëndetësore në përgjithësi, por pas kaq vitesh në ajër, disa parametra fizike nuk janë më në lartësinë që kërkon një mision i tillë. E priti me hidhërim, por duhej të bindej. Kushtet e punës në aviacion e kërkonin edhe këtë. Kur doli jashtë në oborr, sytë vetvetiu i shkuan nga qielli, ku ai ishte mësuar të ngjitej sikur konkuronte me shqiponjat. E në mendje i erdhën fjalët e Leonardo Da Vinçit: “Njëherë ta keni provuar fluturimin dhe do të ecni tërë jetën me sytë në qiell”. Për të mos u ndarë nga regjimenti, kolegët e ushtarët , pranoi të mbulonte detyrën ushtarake që kryente tani.

Ora po shkonte 11. Bulëza djerse fillonin të dukeshin në ballin e ushtarëve me uniformë, por edhe të komandantit të tyre. Dielli i shtatorit dhe uniforma e bënin punën e tyre. Ishte radha e një djaloshi 19-vjeçar, pak i ndrojtur nga natyra. Ishte i fundit që do të kryente qitjen. Ndueja i rrinte afër, instruksionet e këshillat e momentit, si për secilin. Shokët, të gjithë djem të rinj, 19 – 20 vjeçarë, ishin fare afër e ndiqnin me vëmendje shokun e tyre që do kryente qitjen. Ai, mori nga pozicioni i zjarrit granatën dhe ja hoqi sigurecën. Në fraksione sekonde duhej ta hidhte atë drejt objektivit armik.

Por në momentin kur shtriu krahun për ta hedhur, një çast pasigurie, bëri që granata t’i shpëtonte nga dora e të binte në tokë. Në dorë i kishte mbetur vetëm sigureca. Djaloshi e humbi toruan dhe u zverdh në fytyrë. Momente paniku dramatik tek fytyrat e shokëve. Papritur vdekja ugurzezë ishte shfaqur mes tyre e mund t’ua merrte jetën nga një sekondë në tjetrin. Sytë e tmerruar të të gjithëve ishin drejtuar tek ai objekt në formën e një veze e pak më i madh se ajo, që mund të shpërthente në mijëra copa e t’i godiste për vdekje.

Por, komandanti Ndue nuk e humbi gjakftohtësinë. Truri i tij punoi me shpejtësi marramendëse. Nuk mund të humbej qoftë edhe një fraksion sekonde. Jeta e atyre djemve 20-vjeçarë ishte në rrezik. Ai, si komandant, por edhe si prind, nuk mund ta lejonte këtë. Në shtëpi, kur kishte dalë në mëngjes, kishte lënë në gjumë dy vajzat e tij, ende të vogla, të cilat e prisnin me aq dashuri kur kthehej në darkë. Ata djem kishin prindër që i prisnin të ktheheshin shëndoshë e mirë nga shërbimi ushtarak e drithëroheshin për ta. Komandanti, me shpejtësi të rrufeshme kapi për krahu djaloshin e hutuar nga tmerri dhe e zhyti në transhe, duke e shmangur nga rreziku.

Si një shqipe që hidhet pingul mbi gjarpërin, ai u hodh mbi granatën që ishte duke plasur. Me trupin e tij të lartë prej atleti zuri rrezen midis granatës dhe grupit të ushtarëve. Tentoi ta hidhte drejt objektivit, por granata plasi pa e marrë ende mirë rrugën. Një nga ciflat e mallkuara gjeti krahërorin e komandantit, duke çarë arterien kryesore të trupit të tij, aortën. Ai ra përdhe thuajse pa ndjenja. Gjaku filloi të vërshonte mbi uniformë që nga krahërori. Ushtarët, që i kishin shpëtuar rrezikut, u mblodhën të tërë rreth trupit të Komandantit. Ai, si nëpër gjumë, i hapi sytë me mundim, u hodhi një vështrim, ravijëzoi një buzëqeshje dhe mezi foli: Gjallë jeni të gjithë? E sytë e tij u mbyllën pa pritur përgjigjen…

PËRHERË NË FLUTURIM, NGA JUGU NË VERI

Ndue Logu u diplomua si pilot në vitin 1961. Filloi punë në aviacionin ushtarak të Tiranës, në kushte të vështira materiale, sepse u prishën marrëdhëniet politike, shtetërore e ekonomike me Bashkimin Sovjetik. Megjithatë e nisi punën me entuziazmin e një të riu që po kurorëzonte ëndrrën e tij. Ai u bë një nga pionierët e parë të aviacionit shqiptar. Në vitin 1965 u krijua reparti i helikopterave në Farkë dhe piloti nga Dukagjini, që ishte themelues i tij, filloi punën në atë repart. E priti me një gëzim të veçantë fillimin e fluturimeve me helikopterët. Tregonte një dashuri të veçantë për këta avionë, u rrinte gati ditë e natë pranë, shpesh sëbashku me mekanikët.

Donte t’i njihte deri në detajet më të imta, në çdo vegël dhe funksionimin e secilës prej tyre, në mënyrë që kur të ishte në ajër të arrinte të kuptonte se si proçedonte ky funksionim gjatë fluturimit. Edhe pilotëve të rinj, që i përgatiste vetë, u thoshte shpesh: “Zëreni me dorë çdo vidhë e çdo tub, çdo dorezë e instrument, se kështu do t’u nguliten më mirë në mendje”. Helikopteri i tij, MI-4, që peshonte 7 ton, ishte shtëpia e dytë e tij.Madje ai kalonte më shumë kohë në helikopter e në repart se në shtëpi. Ndueja ishte aq vëmendshëm ndaj cilësive vetjake të pilotëve që përgatiste, sa edhe kur ndiqte skuadriljen e tyre nga toka arrinte të dallonte cili ishte njëri apo tjetri pilot në ajër. Ju drejtohej me fjalë sikur ata ishin duke e dëgjuar: Bravo Zhani,…ja edhe Luani,…jepi dorezës, jepi o Tafil…

Në 25 vite ai kreu mbi 5 500 fluturime e qëndroi mbi 11 mijë orë në ajër. Kur i pa këta tregues një gjeneral i NATO-s, tha që një karrierë të tillë do ta kishte zili çdo aviator edhe i aviacioneve më të mëdha. Ndueja startoi nga pistat e Tiranës e të Gjadrit, të Vlorës apo Kuçovës, qoftë në shërbime ushtarake e më tepër në shërbim të popullsisë nga jugu në veri në raste vështirësish të ndryshme. Aftësitë e tij prej aviatori të sprovuar e cilësitë njerëzore që e karakterizonin, i tregojnë me dhjetra e qindra episode nga fluturimet e tij. Po sjellim më poshtë disa prej tyre:

PILOTI DHE NJERIU

Bie telefoni në repart. Ndue Logu ndodhej në zyrën e tij. Ushtari i shërbimit e njofton se telefonojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Zëvendëskomandanti Ndue e merr shpejt telefonin dhe e kupton se një nevojë urgjente shtrohej përpara. E në fakt ashtu ishte. Bëhej fjalë për një udhëtim urgjent në Malësi, më saktë pikërisht në zonën e tij, në Dukagjin. Në fshatin Toplanë, një nënë e re nuk arrinte të sillte në dritë foshnjën e saj, me gjithë ndihmën që po i jepte personeli shëndetësor i zonës. Pa e zgjatur, u përgatit me shpejtësi, mori me vete ndihmësin dhe një teknik e tek materniteti i Tiranës morën edhe një mjek gjinekolog. Nisi fluturimin drejt malsisë. Ishte rrugë që e njihte edhe me sy mbyllur, sepse e çonte në vendlindjen e tij. Pastaj, pikërisht në atë fshat kishte qenë edhe njëherë tjetër në vitin 1968, në periudhën e elektrifikimit të vendit. Kishte transportuar transformatorin elektrik, që do tëi jepte dritë fshatit.

Ndueja e ngiste helikopterin i përqëndruar e mundohej të fitonte sa më shumë kohë. Dy jetë njerëzish ishin në rrezik: një nënë e re dhe foshnja e saj. Kur kaloi mbi kantierin e madh të Hidrocentralit të Komanit në ndërtim e sipër, e kuptoi që po i afrohej fshatit. E drejtoi me kujdes avionin, pikërisht tek pika ku dikur kishte shkarkuar transformatorin. Ndërsa po bënte manovrat e uljes pa që një grup njerësizh me një barelë po i afroheshin vendit ku do ulej avioni. Ndueja do të donte të ulej e t’i përqafonte një nga një ata malësorë, por koha nuk prite.

Nuk e fiku motorin e elika vazhdonte të vërtitej me zhurmë e me atë vrundullin e erës që ajo krijon. E futën me shpejtësi në bord barelën me nusen e re që ishte e zbehtë në fytyrë. Pranë saj një djalë i ri malësor, i shoqi, dhe një grua në moshë mesatare, me siguri vjehrra. Mjeku u afrua menjëherë pranë lehonës për të kuptuar situatën. –Nuk duhet të humbim kohë, – i tha ai pilotit. Ndueja e ngriti me shpejtësi helikopterin dhe mori rrugën e kthimit për në Tiranë. Në një moment i hodhi sytë tek barela.

Nëna e re i hapi për një çast sytë dhe nga zhurma e kuptoi që ishte në avion. Ajo nuk kishte hipur kurrë në avion. Madje avionin e parë e kishte parë atje në një brinjë të fshatit, ishte relikeja e një avioni gjerman të rrëzuar në kohën e luftës…Mjeku merrej tërë kohën me nënën e re. Kurse malësori i ri pranë saj, rrinte i heshtur, vështronte diku larg e nuk linte të kuptohej asnjë emocion, siç është në natyrën e malsorëve. Të njëjtën pamje prej skulpture të heshtur kishte edhe vjehrra. Arriti në Tiranë, i la ata tek materniteti pranë stacionit të trenit dhe u kthye në repart. Vazhdonte të kryente detyrat e tij të përditshme si zëvendëskomandant, por mendjen e kishte atje, tek ajo nënë e re dhe tek foshnja.

Doli nga reparti kur kishte filluar të binte mbrëmja. Vajti në shtëpi, u ndërrua dhe tek po dilte, i tha Verës, bashkëshortes: – Po shkoj deri tek materniteti. Na përgatit ndonjë gjë të mirë për darkë.
Tek materniteti u ndal përpara infermieres së shërbimit. – Desha të pyes për atë malsoren nga Dukagjini. E solla sot në drekë me helikopter,-tha ai. Infermiera i buzëqeshi me dashamirësi dhe i tha:- Ishte një lindje e komplikuar, por ekipi i mjekëve arriti të shpëtonte edhe nënën, edhe fëmijën. Janë mirë që të dy. Ndueja u gëzua, u çel në fytyrë dhe e falënderoi infermieren.

– Po i shoqi i saj me të vjehrrën, ku janë? – e pyeti ai pas pak.
– Ata tani sapo dolën, dëgjova që do shkonin të zinin vend në hotel. Janë të afërm tuaj? – i tha ajo.
– Janë njerëz të zonës sime, – iu përgjigj dhe mori rrugën për nga dera. Nxitonte hapat nëpër bulevardin e gjatë drejt qendrës. Diku përpara dalloi veshjen e gruas malsore. I pa tek po hynin tek hoteli i parë në të djathtë të rrugës. I arriti në holl dhe i përshëndeti. Ata e panë si me habi.

– Jam ai piloti që u solla sot me avion. Edhe unë jam dukagjinas, jam nga Shoshi.
– A, ti je Ndue Logu? Kemi dëgjuar të flitet për ty,-tha burri dhe i shtrëngoi dorën.
– U gëzova që lindja shkoi mirë. Urime e jetë të gjatë fëmijës,-tha Ndueja…-Po sonte nuk do zini vend në hotel. Do vini në shtëpi nga unë. Do festojmë së bashku me familjen time.

Dolën sëbashku e u përzien mes njerëzve në bulevardin e madh. Tek ecnin rrugës drejt shtëpisë e bisedonin për ngjarjen e ditës, Ndues i erdhi ndërmend një rast tjetër lindjeje të vështirë. Atëherë kishte qenë në Iballë të Pukës. Ishte qershori i vitit 1970. Helikopteri me ekipin e mjekëve u nis me shpejtësi nga Tirana. Koha ishte e bukur, ditë vere. Por kur hynë mes maleve të Pukës, koha u keqësua papritur. Filloi një nga ato rrebeshet e papritura, mjegulla u dendësua dhe nuk shikoheshin më as grykat e qafat e maleve. Vazhdimi i udhëtimit për më tej u bë thuajse i pamundur dhe me një rrezikshmëri të madhe për pilotin dhe ekipin e mjekëve. Dispeçeri, që nga Tirana, i tha që mund të ktheheshin pa rrezikuar më shumë. Në sytë e mjekëve filloi të dukej një shprehje alarmi, sidoqë mundoheshin të mos e shprehnin frikën.

– Si mund të kthehem prapa? Po ajo nënë që është gati në thonjtë e vdekjes bashkë me fëmijën? – pyeti ai.
– Në këto kushte atmosferike unë nuk mund t’ju autorizoj të vazhdoni më tej udhëtimin. Ju këshilloj kthimin në bazë, – tha dispeçeri.
-Unë arrij ta gjej rrugën edhe në kushte të vështira. Ma lini mua përgjegjësinë për vazhdimin e misionit,-i tha Ndueja. –Mos u shqetësoni,-u tha mjekëve.

– Do arrijmë shëndoshë e mirë e do ta kryejmë këtë mision të përbashkët… Siguria e tij dhe qetësia me të cilën fliste ua ktheu buzëqeshjen mjekëve. Ndueja manovronte i qetë, sytë e tij prej shqiponje dukej sikur e shqyenin mjegullën e dendur. Nëpërmjet shlimofonit filloi të komunikonte me ata të zonës ku do arrinte. Si të ishte duke fluturuar drejt shtëpisë së tij, ai e gjeti rrugën dhe e drejtoi helikopterin drejt një are me misër, e vetmja parcelë e sheshtë në afërsi të kullës malësore. Malsorët vrapuan drejt helikopterit e sollën edhe lehonën në barelë. Një nënë e moshuar ju afrua pilotit, e përqafoi dhe i tha: Përpara këtij kujdesi, edhe po të vdesë vajza ime, do me duket sikur e kam perherë të gjallë,-i tha.

– Rri pa merak, nënë, me vete kam mjekë të mirë. Tani vajza jote është në duart e jetës e jo të vdekjes,-i tha ai dhe e nisi avionin. Mjekët u vunë në punë përnjëherësh. Njerëzit e afërm të nuses ndiqnin me ankth situatën. Jashtë furtuna tërbohej gjithnjë e më keq, por Ndueja manovronte me guxim e kthjelltësi lëvizjesh. Pas ca u dëgjua një e qarë fëmije. Mjekët arritën ta realizonin lindjen e vështirë që në ajër. Kishte lindur djalë. Në avion u krijua një atmosferë e gëzueshme e nuk donin t’ja dinin për atmosferën e egër që ishte tej xhamave. Lanë prapa malet e Pukës e prapë dielli i qershorit lëshoi rrezet mbi avion.

– Duam të të bëjmë kumbar. Dëshirojmë të na e zgjedhësh emrin e djalit, – i thanë Ndues të afërmit e nuses.
– Shumë e kollajtë. Lindi në ajër e do ta quajmë Ajrin. Ju pëlqen ky emër? – tha Ndueja.
– Ta gëzojë! – qe përgjigja si në kor e të gjithëve sa ishin në avion.