Për Qeverinë, Akademinë dhe Skënderbeun

0
732

Dita, 9 shtator 2017

Intervistë me Moikom Zeqon

Moikom, krejt papritmas ditët e fundit u rigjallërua debati për Skënderbeun. Dashje, pa dashje, u përziet edhe ju në këtë debat, pasi sikurse është folur ju edhe jeni kërcënuar. Pavarësisht se jeni shprehur disa herë për këtë çështje, mund të na e sqaroni këtë zhvillim të fundit?

– Patjetër. Por, për hir të së vërtetës, dua të saktësoj termat: Nuk mund të flitet me terma relativë. Po e filloj, me atë që quhet gjoja “debat “.

Debati parakupton një ballafaqim shkencor të argumenteve. Është një formë e zhvillimit progresiv të mendimit. Debati i vërtetë është kërkimi i së vërtetës.

Në rastin konkret, kemi një pseudodebat. Pseudodebati është një lloj trilli publicistik. Pseudodebati nuk ka të bëjë me shkencën. Pseudodebati nuk ka të bëjë me figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Për këtë jam i bindur. Ky pseudodebat është vetëm shterp dhe nuk përbën gjë tjetër veçse një fake neës.

Duhet të dimë se në Epokën Post-faktuale nuk ka rëndësi fakti në vetvete, por gjoja qëndrimet dhe perceptimet, të ashtuquajtura si opinione. Ky është një tipar kryesor i postmodernizmit të sotëm dhe kulturës ambiguide të neoliberalizmit. Flitet për performanca, ku nuk ka rëndësi fare e vërteta. Mbizotëron scoop-i mediatik.

Pse pseudodebati për Skënderbeun nuk është debat?

– Së pari, e gjithë kjo zhurmnajë për Gjergj Kastriot Skënderbeun është 6 shekullore. Tejet e vjeter. Arkaike . Lexoni kronistët osmanë, bashkëkohës të Skënderbeut se çfarë shkruajnë për të, se si e klasifikojnë si “tradhtar të perandorisë Osmane”.

Kjo tezë ringjallet sot qëllimisht dhe në mënyrë diabolike se Skënderbeu është “një terrorist” ndërkombëtar sepse luftoi dhe vrau myslimanët. Kjo idiotësi e pashembullt është një falsifikim i trashë. Skënderbeu mbrojt atdheun e tij nga pushtuesit. Nuk ishte Skënderbeu që shkoi drejt trojeve zanafillore të pushtuesve, por ishin pushtuesit osmanë ata që sulmuan brutalisht me vdekje ,dogjën, pushtuan, shkatërruan Arbërinë e shekullit XV. Në vijim të një teologjie absurde të neo-otomanizmit, shpiket një marrëzi tjetër: Skënderbeu i luftoi myslimanët pushtues, sipas konceptit të luftës së të krishterëve kundër myslimanëve, pra bëhet fjalë për një luftë fetare. Nuk është fare e vërtetë.

Kastrioti ynë ka luftuar edhe kundër të krishterëve për ta mbrojtur Arbërinë e tij. Ai ka luftuar edhe kundër venedikasve dhe ka pasur kontradikta me ushtritë e krishtera. Ai luftoi edhe në Itali kundër të krishterëve anzhuinë.

Por ai nuk bëri luftëra fetare, në kuptimin spekulativ të manipulimit të sotëm. Ai shquhet si Heroi më i madh shqiptar i luftës kundër pushtuesve turq, madje po të përdorim këtu një përcaktim të Milan Shuflait ai qe heroi më i tmerrshëm që luftoi kundër pushtuesve osmanë në Ballkan.

Pra, miti se gjoja Skënderbeu luftoi Islamin se ishte thjesht i krishterë nuk ekziston. Në këtë pikë duhej të ishte debati shkencor. Sepse janë me qindra dokumente që e saktësojnë figurën e Skënderbeut. Gjithashtu debati për origjinën për babait të Skënderbeut, apo për nënën e tij, është një pseudodebat jo shkencor. Nëse “besojmë” Oliver Schmidtin, babai i Skënderbeut është sllav. Të tjerë thonë se nëna e Skënderbeut është sllave. Imagjinoni tani: Nga një baba sllav dhe një nënë sllave lind një shqiptar!? Ky absurditet është i denjë për rrafshin e marrëzive erazmike. Vetë Skënderbeu në një nga letrat e tij, autentike, shkruan se “nëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne jemi epirotë.” Në të gjitha rastet Skënderbeu nënshkruan në latinisht DOMINUS ALBANIAE, pra Zot i Shqipërisë.

Pseudodebati për origjinën serbe të nënës së Skënderbeut, “rilindi” nga një publicist. Unë kam lexuar një literaturë shumë të gjerë për këtë pikë. Madje edhe librin e vitit 2007 të një profesori të Mesjetës në Universitetin e Shkupit, që i kushtohet tërësisht figurës së Vojsavës. Ballafaqimi me argumente ndaj këtij libri nuk është aq i vështirë. Shpresoj ta publikoj së shpejti kritikën time. Por të vazhdosh të shkruash se motra e Skënderbeut, Mara, është martuar me një serb, Cernovicin, është akoma një gabim më i rëndë. Sepse dihet me dokumente, siç e ka vërtetuar qartësisht Prof. Pëllumb Xhufi, ai ishte një princ shqiptar në Malin e Zi, prandaj quhej Cernovic, pra Malazez. Unë kam qenë para dhjetë vjetësh në Manastirin e Komit në Malin e Zi, ku janë edhe dy varret me pllaka të skulpturuara të Marës dhe të të shoqit.

Nga ana tjetër, këto të vërteta historike nuk e mohojnë faktin edhe të martesave të përziera etnike në Ballkan në kohën e Mesjetës. Madje unë kam shkruar shumë herë për Shën Angjelinën, motrën e gruas së Skënderbeut, pra vajzën shqiptare të Gjergj Arianit të famshëm, e cila është ironizuar dhe nderohet si një shenjtore serbe. Detajet e pafundme që mund të ketë të kohës, nuk mund të ndryshojnë aspak thelbin historik të figurën së Skënderbeut, sepse ai përfaqëson shkencërisht një rezultante historike, sikurse do të thoshte një nga figurat më të mëdha të Shkollës së ANALEVE, Marc Bloch.

Pse u ringjall ky debat për Skënderbeun?

– Po ta shpjegoj. “Edicioni i dytë” i pseudodebatit lindi me “mbulimin e statujës së Skënderbeut” në sheshin me emrin e tij në ditën e sivjetme të Kurban Bajramit. Ky është një shesh metropolitan për tërë kombin shqiptar. Për mendimin tim, “mbulimi i Skënderbeut” lidhet me një parim teologjik islam që nuk mund të falesh përpara asnjë figure me tipare njerëzore. Por kishte një zgjidhje tjetër, jashtë çdo konflikti të kotë: të jepej leja për të bërë faljen në ndonjë shesh tjetër.

Por, reagimi im i cili ishte në 2-3 fjali, ose dhe reagimi i të tjerëve, që mund të shmangej kjo gjë, ndezi gjithashtu një pseudodebat

Kulmi qe emisioni televiziv i Rudina Xhungës, ku unë mora pjesë bashkë me Pëllumb Xhufin dhe gazetarin Kikia, ku kishim përballë në panel, një imam të vetëshpallur dhe gjithashtu një akademik të vetëshpallur. Niveli qe i papërshtatshëm dhe degjeneroi edhe në situata banale. Por nuk jam i penduar që mora pjesë në këtë emision. Kam marrë SMS që i kam të ruajtura, me sharje, kurse në FB ka pasur komente fyese dhe kërcënuese sidomos në disa portale islamike. Por nuk më shqetëson aspak ky fakt. Ato bëhen nga hakera të paguar për të sulmuar dhe denigruar figurën time.

Dakord Moikom, por a nuk është ky një absurditet?

– Është përtej absurditetit. E habitshme është ta mendosh se ta mbrosh në mënyrë normale, pa asnjë “stil patetik” figurën e Skënderbeut pas gjashtë shekujsh dhe për këtë të të sulen me fjalë fyese, është gati e pakonceptueshme. Myslimanët shqiptarë, kudo që janë, të të gjithë kombit tonë, kanë një dashuri të padyshimtë dhe e nderojnë heroin tonë kombëtar. Është padyshim një mysliman si Ismail Qemali që zgjodhi flamurin kombëtar të shqiptarëve, flamurin e Skënderbeut, që e kemi edhe sot. Sipas mendjes halucinante të neootomanëve të sotëm për Aktin e Pavarësisë, edhe Ismail Qemali duhej shpallur si “tradhtar” dhe terrorist” i perandorisë osmane. Naim Frashëri shkroi poemën e madhe për Gjergj Kastrioti Skënderbeun, kur dihet se Naimi nuk qe i krishterë. Por futja e një përçarjeje midis shqiptar, për gjoja një konflikt fetar onirik është një nga instrumentet më diabolike të shqiptarofobisë, e cila vetëklasifikohet sidomos si skënderbeofobi. Dhe paralelisht me sulmin ndaj Skënderbeut, arrihet edhe në konkl;uzione të tjera se “shqiptarët nuk vijnë nga ilirët”. Se “shpikja e kombit shqiptar” është një shpikje e vonë e austro-hungarezëve, duke dalë kështu Shqipëria jashtë historisë përfundimisht, pra si një krijesë si një krijesë fantazmagorike e sajuar nga disa rilindas të shekullit XIX.

Sidoqoftë ju duhet të jeni vënë në mendime për këto sulme, apo jo?

– Jo. Unë jam thellësisht i bindur në këto që them. Me këtë rast kam lexuar një numër shkrimesh më të sofistikuara. Po për fat të keq, të kufizuara në konceptim dhe të klientelizuara në ide. Kështu, kriticizmi ndaj Skënderbeut, bëhet në emër të luftës kundër idolatrisë. Skënderbeu nuk është figurë idolatrike. Skënderbeu është një figurë emblematike historike. Për Skënderbeun janë mijëra libra të shkruar, janë një koleksion i madh dokumentesh, që saktësojnë rezultanten historike të figurës dhe aksionit të tij në shekullin XV. Pra nuk është një fantazmagori dhe as një subjekt thriller, as dhe një motiv operete të lehtë.

A duhet të ketë një debat shkencor për Skënderbeun?

– Në mënyrë absolute duhet të ketë, por ama, debat shkencor. Sulmet mediatike, konfuze dhe larg shkencës, padyshim që nuk kanë asnjë të ardhme. Tërë dishepujt e Skënderbeofabisë, qofshin shqiptarë ose jo shqiptarë, mua më kujtojnë një pasazh, tejet tipologjik, tek libri i jashtëzakonshëm “Liza në botën e çudirave” të shkrimtarit dhe matematikanit Ljuis Kerëll.

Ja ç’thuhet në këtë pasazh:

– Gjykatësi le të mendojë për vendimin – urdhëroi Mbreti, ndoshta për të njëzetën herë atë ditë.
– Jo, jo, – ndërhyri Mbretëresha. – Më parë vendimi, pastaj gjykimi.
– Marrëzi! – thirri Liza me të madhe. – Si u dhënka vendimi para gjykimit.
– Mbyll gojën ti! – U inatos Mbretëresha dhe u zverdh në fytyrë.
– Aspak! – ia priti Liza.
– T’i pritet koka! – urdhëroi Mbretëresha.

Por asnjeri nuk luajti nga vendi.

– Kush pyet për ju, ndërhyri Liza (e cila tani kishte arritur plotësisht gjatësinë e vet.) Ju nuk jeni gjë tjetër veçse një palë letrash bixhozi….

Le të hyjmë Moikom në realitetin politik shqiptar. A ka ndonjë lidhje debati për Skënderbeun me atë për Akademinë e Shkencave që po bëhet këto ditë?

– Ndërsa pseudodebati për Skendërbeun është krejt i humbur në pikëpamje të betejës mendore dhe të perspektivës serioze shkencore, debati për Akademinë e Shkencave është per fat të keq një debat i vërtetë, serioz. Skënderbeu i ka fituar betejat e tij mendore, Akademia e Shkencave duhet ta fitojë betejën e saj. Akademia e Shkencave është në fakt një koncept institucional, pra një kryeinstitucion i formatit kombëtar për shkencat dhe sidomos për albanologjinë. Më një egërsi të stimuluar, të shumë prapaskenave, të qëllimeve të mbrapshta dhe antishqiptare Akadamia e Shkencave këto 27 vjet u sulmua dhe u denigrua.

E ashtuquajtura reformë e vitit 2007 e formalizoi për vdekje dhe frikshëm Akademinë e Shkencave. Reforma berishiane futi në Akademi njerëz klientelistë politikë, pa vepra, pa autoritet shkencor, që quhen ironikisht, sipas shpotisë erazmike si gjoja “akademikë”. Po që nuk janë akademike. Shikoni si u “pllenuan nga hiçi “ personalitete të rreme, profesorë të rremë, akademikë të rremë, qëllimisht për të arritur tek ideja e mbrapshtë e anulimit dhe mohimi publik urbi et orbi i Akademisë së Shkencave.

Mua me kujtohet parabola e Xhonotan Suiftit për Akademinë e Laputës-për situatat e ngjashme, paralele, kontradiktore të komizmit dhe të depresionit institucional.

Pra te vetëshkatërimit.

A mund të reformohet kjo Akademi?

– Sigurisht! Do të jetë një gabim i tmerrshëm që të futemi në shekullin e XXI si vendi i vetëm në Europë , apo dhe në vendet e botës së tretë si pa Akademi te Shkencave. Kjo gjëmë është të shkulësh flokët e kokës. Të ashtuquajturit ekzibicionistë që kënaqen me zhdukjen e Akademisë duhet ta dinë që ky është dhe një skenar antikombëtar dhe antihistorik, rikthim në një “Dark Age” të injorancës retrograde dhe të tejkaluar prej kohësh. Shqipëria ka njerëz të ditur të niveleve të larta -psh po kujtoj tani matematikanin dhe kulturologun e madh Aleko Minga. Ka edhe të tjerë. Në Akademinë e reformuar duhen futur-gjë që është krejt e mundshme dhe e arsyeshme njerëzit më të zotë dhe të ditur të Shqipërisë, ose edhe të kombit shqiptar. Shqipëria u bë në shekullin e XX Qëndra e Kërkimit Shkencor të Albanologjisë dhe e Etnogjenezës iliro-arbërore etj. Dhe befas në 2017 me një sado-mazohizëm pervers vetë ne shqiptarët duam të shpallim se nuk kemi nevojë për Akademi të Shkencave-pra në djall Akademia, pra edhe vetë Shqipëria.

Një pyetje të fundit, Moikom. Sot mblidhet parlamenti i ri dhe miratohet qeveria e re. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë zhvillim?

– Nga pikëpamja kushtetuese zgjedhjet e përgjithshme politike prodhuan shumicën e ligjvënësve në Kuvend të Partisë më të madhe, të PS-së. Votimi e ka krijuar këtë situatë dhe këtu paragjykimi apo sulmet ndaj këtij rezultati nuk llogaritin në fakt popullin që votoi. Kjo pikë konceptuale duhet të jetë shumë e qartë. Me gjithë kriticizmin tim të vazhdueshëm, unë i uroj kushtetutshmërisht si qytetar që qeveria e re të arrijë të qeverisë duke kapërcyer edhe të metat e boshllëqet e mandatit të kaluar. Këtë do ta tregojë koha.

A do të ketë opozitë?

– Po. Unë mendoj që do të ketë opozitë. Madje mendoj se opozita më rëndësishme nuk bëhet nga partitë politike, nuk bëhet nga politikanët. Opozita më e rëndësishme bëhet nga populli, i cili jo më kot është mbiquajtur nga mendimtarët e analizave si “opozita e opozitave”. Por opozita më e madhe është nga poshtë! Në fakt, qeveria Rama 2, duke qenë e vetme në pushtet, pra, e ka tërë timonin vetë në duar, nuk mund të kërkojë dhe të gjejë ndonjë alibi nëse nuk qeveris si duhet. Politika është një kategori shumë dinamike, e lëvizshme dhe shpesh shumë ambiguide.

Krahas urimeve, do t’i thoja qeverisë t’i ketë të ngrehura shqisat për një përgjegjesi unike dhe tërësore për katër vitet e mandatit të fituar.

Intervistoi Xhevdet Shehu