(Bisedë me autoren Diana Zhiti, për librin e parë të saj, “Ëndërr ishte…”)
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1. Në fillim të kësaj Bisede të përbashkët, mike Diana, për të cilën të falënderoj, duam të dimë: Cila është vendlindja jote? Po shkollimin fillestar, ku e kreve?
– Kam lindur në Plug të rrethit të Lushnjës, në vitin 1960. Më pas, jetuam në Dushk dhe, në vitin 1967, u transferuam, familjarisht, në Grabjan, të po këtij rrethi. Aty kreva arsimin tetëvjeçar.
2. Si e përjetove dhe përballove përbuzjen e nënçmimin, në regjimin e kaluar, kur jetonit në Lushnjë?
– Im Atë, gjate këtyre viteve, nga arsimi kaloi agronom, sepse ishte shkolluar edhe për këtë degë, por dhe ekonomist. Mami punonte edukatore kopshti. Në kohën, kur ne fëmijët mbaruam tetëvjeçaren, filluan goditjet e luftës së klasave. Prindërit i larguan nga detyrat e mëparshme dhe i dërguan direkt në punët bujqësore. Ndërsa ne, femijeve, nuk na u dha e drejta e studimit!? Jetonim nën presion fizik, psikologjik etj. Që në moshë të mitur e kuptoja dallimn, që na bëhej. Por ne fëmijët dinim, aq sa duhej të dinim. Të tjerat i mësuam gjatë jetës…
3. Kur keni emigruar jashtë Shqipërisë dhe si u përshtatët me jetën e re atje?
– Në vitin 1991, u larguam në emigracion, në Greqi, me të dy fëmijët. Atje iu përkushtuam punës, shkollimit të fëmijëve. Sigurisht, e patëm vështirësi me gjuhën, por dhe këtë e kaluam shpejt. U përshtatëm me vendin e njerëzit dhe iu kushtuam vazhdimësisë, me korrektësinë e normave morale e shoqëërore, që gjetëm atje.
4. A të ka pëlqyer të lexosh libra letrarë? Po, kur ke nisur të shkruash, poezi ose prozë? A të kujtohen krijimet e para?
– Krijimet e para i kam filluar që në moshë të vogël. Kur vazhdoja shkollën fillore e më pas atë tetëvjeçare, hartimet e mia lexoheshin në vitin tjetër, po pa e treguar emrin tim! Libri ka qenë për mua gjithnjë ushqim shpirtëror. Tërë kohën krijoja në mendjen time. Po, realisht, nisa të shkruaja mbas vitit 2016, kjo dhe për mungesë kohe.
5. Ku jetoni tani dhe cila është përbërja juaj familjare? Fëmijët, a i kanë ndjekur shkollat dhe në cilët profile?
– Jetojmë në Anglli, prej dy vjetësh. Kam dy fëmijë. Vajza jeton ende në Greqi dhe prej saj kam dy mbesa, si yje, të cilat ma kënaqin shpirtin dhe më frymëzojnë, që të shkruaj më bukur. Kurse djali vazhdoi shkollën e lartë, në Angli, me bursë. Ia doli mbanë me focat e tij dhe ushtron profesionin e aktorit e regjisorit dhe jep mësim, për këto degë të artit.
6. Tani, le të flasim, sigurisht shkurt, për librin tënd të parë poetik, që është dhe arsyeja kryesore e kësaj Bisede…Kur ke nisur t’i shkruash këto poezi dhe a ke publikuar prej tyre, në shtyp ose në rrjetet sociale?
– Siç thashë më lart, fillova të shkruaja në vitin 2016. Në gazetën “Intervista” janë botuar disa poezi të mijat. Sot jetojmë në botën elektronike, ndaj herë pas herë i publikoj krjimet e mia në Fb. Përsëri vazhdoj të shkruaj. Si qytetare e këtij vendi, në poezitë e mia, kam shprehur mendimet e shqetësimet e mia për traditat, historinë, të kaluarën e afërt. Në ato flitet edhe për marrëdhëniet shoqërore, ka lirika të ndryshme etj.
Si temë kryesore të poezive të mia, veçoj mbijetimin e ëndrrave. Jetoj prej 26 vitesh në emigrim dhe gjithnjë jam me mendje, zemër e shpirt në Atdheun tim. Më dhimbset, sepse zhvillimi po vjen me ritme të ngadalta, me të meta themeltare, të cilat janë të dukshme. Por, megjithatë, le të shpresojmë për një të ardhme më të mirë, për brezat e ardhshëm.
7. A do të shkruash e të botosh edhe në vazhdimësi?
– Po, nuk do të pushoj së shkruari dhe, sigurisht, së botuari!…
8. Me cilin ke bashkëpunuar ose të ka ndihmuar, në përgatitjen dhe botimin e këtij libri të parë poetik, “Ëndër ishte…”?
– Redaktimin e librit tim e ka bërë Bledi Ylli, korrektimin Eltona Lakuriqi. Ndërsa është përgatitur e shtypur në SHB “Ada”, me Roland Lushin, të cilët i përshëndes dhe i falënderoj, për zellin e dëshmuar dhe punën profesionale, që kanë bërë!
9. Por dhe Hyrjen e librit tënd e ka shkruar Bledi Ylli…Cilën pjesë të saj ke dëshirë ta nënvizosh këtu?
– Me që më pyesni, po veçoj këto mendime të tij, për të cilat i jam mirënjohese:
“Poetja Diana Zhiti vjen në botën e poezisë, përpara lexuesit, me një grumbull ëndrrash shpirtërore. Unë e quaj poete, sepse për ditë të tëra kisha fatin të punoja mbi shkrimet e saj. Vargu i Dianës ka një shenjë të gdhendur thellë, nga dora e saj. Kjo e bën atë unike në mënyrën e të shkruarit. Pra, poezia e Dianës ka fituar «unin» personal, që duhet të ketë çdo autor, që i shërben artit të fjalës. Ky vëllim, që nga titulli, vërteton një enigmë. Një botë pafund ëndrrash shpirtërore të autores, por dhe, njëkohësisht, shumëllojshmëri kuptimesh. Çdo kush mund të supozojë diçka…”.
10. A ke ndonjë mendim tjetër, që dëshiron ta shtosh në mbyllje të kësaj Bisede?Ndër të tjera, që dhe se ndodhesh, këto ditë, në qytetin e bukur të Durrësit?
– Sa herë kthehem në Shqipëri, sikur ripërtërihem, mbushem me ndjenja të bukura, që më frymëzojnë. Valët e Detit Adriatik, sikur më përkundin në ëndrrat e së shkuarës së vendit tim dhe më japin shpresa, për një jetë më të mirë…
Së fundi, ishte kënaqësi, që e zhvilluam bashkë këtë Bisedë të shkurtër… Gjej rastin t’i përshëndes të gjithë krijuesit e lexuasit tanë, sidomos femrat tona, poete e shkrimtare, artiste e veprimtare shoqërore!
Tiranë-Durrës, 9 shtator 2017