Shkruan Prof. Zymer Mehani
Autorja Luçia Marku në vëllimin poetik “Ngjyrat e jetës” përmes vargjeve ka trajtuar probleme dhe çështje jetësore, duke i pasqyruar në realitet, në mënyrë të përmbledhur, koncize, me fjalë të zgjedhura dhe fjali, që shprehin mendime të thella, elemente këto që përmbledhjes ia shtojnë vlerën.
Mendime të këtilla, të imponohen pas çdo leximi të poezive të Luçia Markut. Pas leximit të këtyre poezive, ku shprehet mjaft mirë realiteti jetësor në atdhe dhe veçanërisht në emigracion, në Greqi, gjejmë edhe të shprehurit e himanitetit dhe të besimit të thellë në njeriun.
Luçia Marku me dendësinë e mendimeve, të fjalëve dhe fjalive ka shprehur esencën e problemeve. Me krijimin dhe mjeshtërinë e përpunimit të vargut ia ka dalë që lexuesin ta përvetësojë dhe ta bëjë për vete që në kontaktin e parë. Prandaj është e natyrshme edhe ambicia e autores Marku që të krijojë edhe më shumë dhe po ashtu të jetë edhe më e frytshme përnga sasia dhe cilësia, sepse mundet dhe ka aftësi të japë aso realizimesh, ku ndjenjat dhe mendimet shkrihen aq mirë në mes tyre dhe kështu fitojmë një poezi me plot kuptimin e fjalës të llojit më të kulluar të lirikës, poezinë refleksive herë-herë të përzier edhe me elemente të poezisë sociale e tj.
Mund të themi lirisht se autorja Luçia Marku e kupton me seriozitetin më të madh rolin dhe detyrën prej artisteje, që frymëzimin dhe lëndën i gjen edhe kur i kërkon, kur i hulumton dhe heton me kujdes problemet dhe çështjet që duhet të trajtohen në krijimet letrare.
Njeriut si qenie me vetëdije i takon që të kultivojë dhe ruajë virtytet dhe cilësitë më të larta, ndjenjat më të pastërta, më humane, pra edhe dashurinë dhe respektin ndaj tjetrit, ngase ndonjëri dhe do ta kërkojë atë që vështirë ka për ta gjetur në jetë.
Autorja Luçia Marku frymëzimet e veta poetike nuk i kërkon dhe gjen vetëm në të tanishmen, por edhe në të kaluarën e njerëzve si pjesë përbërëse të shoqërisë, duke i gërshetuar kështu elementet dhe momentet karakteristike të së kaluarës me atë të së sotmes për të dhënë një pasqyrë edhe më të plotë çështjesh.
Motivet e trajtuara në vëllimin poetik “Ngjyrat e jetës” janë të shumta. Të përmendim motivin e atdhedashurisë, mallin për vendlindjen, dashurinë në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë, respektin ndaj të tjerëve. Motiv i shpeshtë në këtë vëllim është edhe vetmia, jeta në emigracion etj.
Në vëllimin poetik të autores Luçia Marku gërshëtohen dhe janë prezente pothuajse të gjitha elementet karakteristike të poezisë: meditimet për jetën, lirizmi i thellë dhe rrëfimet prej të cilave nxjerrim idenë, mësimin dhe porosinë e autores.
Në të vërtetë Luçia Marku është krijuese që frymëzimet e poezive të veta i kërkon dhe i gjen në vetë realitetin e kohës. Mendimet e veta për një problem, për një të vërtetë sa do të hidhur që të jetë, ajo i thotë me guxim dhe artistikisht. Duke i lexuar poezitë e saj, nuk e kemi të vështirë të zbulojmë edhe të mësojmë të vërtetën që e ka përcjellë qenien shqiptare viteve të fundit, sidomos një pjesë të emigracionit, kryesisht jetën në emigracion. Realitetin ajo e ka pasqyruar ashtu siç ishte, pa e zmadhuar a zvogëluar fare, pa u mashtruar nga forma e jashtme të cilën ia japin disa.
Luçia Marku shkruan me një gjuhë të pastër, plot e përplot me shprehje e fjalë figurative, me trope, metafora e figura të shumta stilistike. Vargjet e saj kryesisht janë të rimuara plot melodicitet. Të gjitha këto na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një talente, që është premtuese në fushën e krijimtarisë poetike-letrare.