Me poeten Alma Braja

0
2594
Alma Braja

Për lexuesit e gazetes “Fjala e Lirë” po botojmë nji ciket te poetes ne fjale.
Me kenaqesi e pershendes. duke i uruar mbaresi ne rrugen e sajë krijuese.
/Gjin Musa,gazetar.

“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
Se pemët flasin.
Pemët dëgjojnë e dëgjohen.
Pemët flasin në pranverë me fëshfëritjen e gjetheve.
Fjalët dërgojnë të verdha në vjeshtë,
e i merr era e i shpërndan nëpër botë.
Fjalë dimri të akullta.
Fjalë pemësh që pëshpëriten
e duhet të afrohesh që t’i dëgjosh.
Se pemët e kanë zemrën në rrënjë.
Atje ku është dhe truri.
Mësojnë pemët të flasin nga njëra tjetra.
Sheh pema pemën, e flet.
E duhet të afrohesh,
të vësh veshin në trung,
të mbyllësh sytë,
e fjalët do të të vijnë nga brenda.
Nga rrënja – zemra jote.
Se flasin pemët.
Nga rrënja.
“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

Këtu,
në mes të rrugës,
shikoj rrugicat që nuk jam kthyer.
Shikoj fytyra të qeshura.
Buzë që belbëzojnë,
por nuk nxjerrin zë.
Këtu,
në mes të rrugës,
është ditë vere e nxehtë.
Fillim shtatori mund të them.
E rrugicave që nuk jam kthyer,
ka pranverë.
Nga ajo pranverë
që nuk preka ndonjëherë.
Përpara është vjeshtë.
Do të kthehem në rrugicat e vjeshtës
me siguri.
Do të shijoj deri në palcë
shiun dhe gjethet e kalbura përdhe.
Do të bëhem një me to.
Veç dimrit nuk dua t’ua di rrugicat.
“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

Dhe zemra tha!

Dhe zemra tha:”Hap sytë!”
Dhe mendja tha:”Nuk duhet!”
Dhe zemra ra në heshtje.
Dhe ndjenjat ranë në gjumë.
Në gjumë dhe mendimet.
Dhe sytë mbetën poshtë.
Dy sy të ulur poshtë.
“Dy sy të ulur poshtë?
Jo më!” bërtiti zemra.
Dhe mendja tha:”Dorëzohu!”
Dhe zemra tha:”Nuk dua!”
Dhe mendja ra në heshtje.
“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

Ndoshta dëshira ime dëgjohet.

Sepse mund të pëshpëritet ëmbël.
Ndoshta është çast i dëshirave
të nisin rrugën për në plotësim.
Ndoshta dëshira ime
ka arritur sekondën e fundit të dëgjimit.
Eshtë kapur fort pas derës në mbyllje,
pothuaj është zvarritur deri në plotësim.
Po sepse dëshira ime ndoshta pa frymë,
pothuaj,
pëshpëritet,
e në dëgjim ringjallet ëmbël,
ndoshta prandaj plotësohet.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar