E zhvilluar një vit më parë, e pa botuar, biseda me ministrin e Ministrisë së Diasporës z. Valon Murati, tash kur në Shqipëri u vendos një ministër diaspore pa ministri, më erdhi në kujtesë…
E zbardha.
Ajo që kisha dëgjuar ishte e fiksuar me zë të plotë në kujtesën elektronike… Ai mendonte se Shqipëria nuk ka nevojë për Ministri Diaspore, se: “Nuk ka nevojë për një dublim të ministrive por ka nevojë që Ministria e Diasporës së Kosovës ta marrë rolin e ministrisë për gjithë shqiptarët dhe pastaj kjo të ndihmohet.”
Më poshtë hyrja dhe biseda, pak e gjatë, por e qartë…
* * *
Na tërhoqi fjala e ministrit të Diasporës së Kosovës në seminarin e Shkodrës për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
I qetë, i saktë në ato që përcillte, me një shqipe që politikanët shqiptarë në Shqipëri i linte në “fund të odës”.
Kisha biseduar në Prishtinë me paraardhësin e tij, Ibrahim Makolli. E kisha pyetur pse ministrisë së tyre ia kishin vënë emrin “Ministria e Diasporës” kur kishim fjalë të rrënjës së shqipes së bukur. Më qe përgjigjur…
“Ne deshëm ta quajmë “Ministria e Mërgatës” por ai emër nuk ishte i kuptueshëm për ndërkombëtarët”…
Në bisedën me të nuk e dëgjova të lakojë emrin “diasporë”, por “mërgatë”…
Doja të bisedoja me z. Valon sepse më dukej si ministri im, ministri i mërgimtarëve shqiptarë, shpërndarë si gruri me dorë në arën e madhe të botës.
I kërkova një bisedë me mikrofon përpara.
Më tha se e kishte me nxitim se duhet të nisej shpejt në Kosovë, megjithatë më kërkoi disa minuta sa të merrte valixhen në hotel…
Biseda u bë së bashku me Dashmir Zaçen, mësuesi i parë i shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi, të cilit i hyri në shpirt.
U ulëm në një nga ndenjëset e hotelit. Ai në njërin krah e Dashi në tjetrin.
Unë në mes…
Pse ky emër “Ministria e Diasporës” ?
Unë e kam ma të lehtë se kështu e kam gjet. Mua nuk më ka pyet askush se si duhet të quhet. Thjesht kështu është përcaktuar me ligj. Nuk kam shpjegim tjetër.
Mund të flisni pak për veten tuaj?
Jam i lindur në Prishtinë në vitin 1975. Kam krye shkollën fillore, të mesme e të lartë në Prishtinë, fakultetin ekonomik. Kam magjistru në një program për të drejtat e njeriut për demokraci në Sarajevë dhe në Bolonjë. Tash jam në studim të doktoratës në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Përndryshe kam qenë pjesë e lëvizjes ilegale çlirimtare në Kosovë prej vitit 1993 si tetëmbëdhjetë vjeçar. Kam qenë i ndjekur në nëntëdhjetë e shtatën. Kam jetuar një vit në Tiranë. Gjithë nëntëdhjetë e shtatën e kam kaluar në Tiranë.
Pastaj kam qenë pjesëmarrës aktiv i Luftës Çlirimtare të Kosovës prej fillimi. Unë jam që prej shkurtit të nëntëdhjetë e tetës dhe kam qenë deri në fund në pozita të ndryshme, përgjegjësi të ndryshme. Kam vazhduar me qenë aktiv në politikë pas Luftës Çlirimtare. Jam tërheq në një periudhë për t’iu përkushtuar studimeve, jetës kryesisht në shoqërinë civile. Prej 2007-2008 i jam kthyer prapë jetës politike. Tash ka një vit e gjysmë që jam ministër i Ministrisë së Diasporës si përfaqësues i një subjekti politik. Unë tash jam edhe kryetarë i “Lëvizja për bashkim”, një vazhduese e Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës që ka qenë një lëvizje ilegale gjatë pushtimit serb.
Jam i martuar, kam dy vajza.
Ti keni me jetë.
Faleminderit !
U fol në seminar për tre dokumente të cilat tash e tutje thuhet se do të vihet më në vijë, po them “më në vijë” se vija është e gjatë, çështja e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Unë kam një dyshim për këtë. Kosova, edhe Ministria e Diasporës, edhe Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë kanë një ligj kuvendar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Në ligj përcaktohen edhe detyrimet financiare në mbështetje të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Ndërsa Ministria e Arsimit e Shqipërisë nuk ka ligj.
Unë nuk do të ndalem tek kjo pjesa e optimizmit apo pesimizmit se është çështje e vullnetit politik për të cilin duhet diskutuar shumë, por besoj që në planin ligjor të kornizës ligjore nuk ka problem Republika e Shqipërisë sepse ajo me Kushtetutë e ka obligim të merret me të gjithë shqiptarët jashtë atdheut. Pra në se Kosova e ka obligim ligjor Republika e Shqipërisë e ka obligim kushtetues.
25 vjet…
E rëndësishme është se baza kushtetuese ekziston dhe nuk mund të arsyetohet askush se nuk kemi një bazë të caktuar kushtetuese apo ligjore për tu trajtuar. Pastaj ana buxhetore është çështje tjetër. Ngërçet buxhetore i kanë të dy qeveritë edhe në planin e trajtimit të diasporës dhe mësimit në diasporë.
Unë mund të flas për vete. Ka një lëvizje pozitive, por lëvizjet pozitive derisa të ndihen në terren nuk është gjithmonë shumë e lehtë sepse shteti është një mekanizëm burokratik që lëviz goxha ngadalë. Unë po kam një shpresë dhe mendoj që është një meritë e Ministrisë së Diasporës që ka arrite me animu, me fut në veprim më shumë edhe Republikën e Shqipërisë. Unë prej ku kam marrë postin kam qenë shumë aktiv në takime të vazhdueshme dhe kam bërë projekte të vazhdueshme në takime me ministra të ndryshëm.
Ne kemi tash një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me ministrin Klosi i cili është prej ministrave që ka një vizion realisht të duhur për diasporën, se si duhet punuar me diasporën. Ne jemi duke punuar për organizimin e kampeve të përbashkët për të rinjtë, për shkollat verore e të tjera. Ministrja Nikolla deri tash ka tregu që ka një përkushtim. Unë e di që të dy ministrat e arsimit, edhe i Kosovës edhe i Shqipërisë nuk e kanë lehtë sepse problemet e mësimit si në Kosovë si në Shqipëri janë shumë të mëdha, prandaj mua më duhet që të bëj shumë presion që nga pak ti fokusoj edhe në mësimin shqip në diasporë.
A nuk ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ketë një Ministri Diaspore?
Tash në se dëshironi tua them sinqerisht besoj që jo, sepse duhet të ndihmohet Ministria e Diasporës së Kosovës. Ne shqiptarët na kanë nda me kufi pa na pyet askush. Po të bëhet edhe një ministri e diasporës së Shqipërisë kam frikë se ndahet diaspora. Ne diasporën duhet ta zbatojmë shqiptare. Nuk guxojmë ta ndajmë prej nga vjen ajo. Këtë çast e ka kap vazhdimisht Ministria e Diasporës së Kosovës por ajo duhet të ndihmohet nga Ministria e Arsimit e Kosovës, nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, nga Ministria e Kulturës së Kosovës, nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, nga dy ministritë e punëve të jashtme. Nuk ka nevojë për një dublim të ministrive por ka nevojë që Ministria e Diasporës së Kosovës ta marrë rolin e ministrisë për gjithë shqiptarët dhe pastaj kjo të ndihmohet.
Unë personalisht kam ardhur disa herë në Kosovë, kam promovuar librat, kam qenë në 2 Gusht, ditën e zakonshme të hapjes të Muajit të Diasporës dhe kam përjetuar interesin e jashtëzakonshëm të Kosovës, veçanërisht të Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë për të thithur, për të marrë mësues dhe nxënës nga Greqia dhe për të njohur Kosovën gjë që se ka bërë Shqipëria deri sot. Cili është mendimi juaj ?
Kjo është ajo që ne po bëjmë përpjekje për të luajtur rolin e një Ministrie Diaspore për të gjithë shqiptarët, pa i nda ata. Ne e dimë që në Greqi 99.9 për qind janë shqiptarë nga Shqipëria por ne nuk e bëjmë atë ndarje dhe me të tregu të drejtën edhe ish ministri edhe unë me shumë pasion bëjmë përpjekje që të jemi afër. Ne i kemi resurset e kufizuara. Ministria e Diasporës ka resurse jashtëzakonisht të kufizuara financiare por ka vullnet të madh që të jetë afër mësuesve, afër nxënësve. Dhe ju e dini tashmë që ne organizojmë ekskursione, thërrasim nxënësit nga Greqia, organizojmë kuitze, mësuesit janë pjesë e aktiviteteve. Unë kam fole me ministren Nikolla që të organizojmë edhe një vizitë atje bashkërisht.
Ku?
Në Greqi. Po, të vijmë e ti vizitojmë shkollat shqipe. I kam propozuar. Unë nuk po dua që të shkoj sepse s’dua ta provokojmë edhe shtetin grek.
Greqia nuk e njeh Kosovën.
Nuk e njeh Kosovën por thjesht edhe mos ta provokojmë politikisht situatën në raportin mes Kosovës e Greqisë.
Unë njëkohësisht kam biseduar me dy ministrat e arsimit edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë që ta bëjmë një turne të takimit të mësuesve dhe të prindërve kudo ku është organizuar mësimi edhe në Zvicër, Gjermani, Itali, Austri por edhe në Greqi. Ky është një propozim imi. Nuk është premtim. Është një propozim që unë e kam bërë dhe që duhet të shikohet e realizohet në periudhën e ardhshme.
Mbase me ardhjen tuaj do të ketë edhe një marrëveshje për mësimin plotësues të gjuhës shqipe sepse nuk ka asnjë marrëveshje deri sot me përjashtim të marrëveshjes të vitit 1998, 4 nëntorit, që fliste për shkollat greke në Shqipëri kurse për shkollat shqipe nuk flitej fare.
Unë e besoj që në këtë rast është obligim i shtetit shqiptar të bëjë një marrëveshje me Greqinë së paku që statusi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi të marrë një karakter më institucional, pra mos jenë këto vështirësitë që janë në raport me institucionet e shtetit grek, por që mësimi shqip të zhvillohet pak më lirë, më i njohur nga institucionet.
Ish kryetarja e Bashkisë së Athinës zonja Dora Bakojani para shumë vitesh, pastaj u bë ministre e jashtme, tha: “Ne ju lirojmë klasat ju sillni librat dhe mësuesit” gjë që ne se kemi bërë. Cili është mesazhi për mësuesit, për prindërit, për gjyshërit…
Mesazhi është të vazhdojnë. Unë i falënderoj nga zemra për punën fisnike, punën e jashtëzakonshme që po bëjnë për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, për identitetin kombëtar në Greqi. E di që nuk është ambient ma i lehti por askund nuk është i lehtë përpjekja për ta mbajte gjallë sepse tendenca e njerëzve është që përmes integrimit të asimilohen, por edhe në se jo të bëjnë përpjekje që çdo herë ta shfaqin identitetin e tyre.
Kështu këta mësues kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, këta prind që i dërgojnë fëmijët kanë bërë gjithashtu një punë atdhetare dhe unë shfrytëzoj rastin që ata t’i falënderoj. U them edhe njëherë të mos dorëzohen sepse unë e kam megjithatë një besim që dy shtetet tona shqiptare, edhe Kosova edhe Shqipëria do të mobilizohen edhe më shumë dhe do të jemi më afër tyre. Atë çka mund të garantoj është që unë si ministër dhe ne si ministri do të jemi avokat i tyre dhe do të bëjmë presion tek dy qeveritë tona që ata të mos i harrojmë.
Mbase një ditë do të marr këtë mësuesin e parë të shkollës shqipe në Greqi, mësues i 7 marsit 2001 në Selanik së bashku me librin “Shkolla shqipe e Selanikut” ku përcillen 21 mësues dhe mbi njëmijë nxënës që mësuan të shkruajnë, lexojnë e këndojnë gjuhën shqipe, do të marr edhe një mësuese e cila ka bërë atë që se ka bërë mësues deri më sot që mbasi mblodhi 72 fëmijë në ishullin e Tinosit ku punonte dhe jetonte, i ndau në dy klasa dhe filloi tu mësojë gjuhën shqipe, i hipi tragetit dhe mblodhi në ishullin përkarshi, rreth dy orë larg, 30 nxënës dhe vazhdoi mësimin shqip. Për të kemi një film dokumentar…
Qenka bukur edhe ta shfaqim dikund bashkërisht. Mund ta shfaqim edhe në një ndër aktivitetet që ne organizojmë në Ditët e Diasporës.
Dashmir Zaçe, mësues i parë i shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi nisur më 7 mars 2001.
Për mua është kënaqësi dhe lumturi që ju takoj kaq lehtë sepse po të kisha kërkuar një takim me një ministër shqiptar nuk do të kisha arritur dot.
E dyta, më vjen mirë që në Kosovë ka ministra kaq të rinj dhe me sa dëgjova jeni edhe me vizion. Ne në diasporë siç thonë, por ne nuk jemi diasporë përderisa nuk i kemi atributet e diasporës, nuk kemi dokumente, nuk kemi të drejta, nuk kemi të drejtën e arsimimit, e të tjera, e të tjera. Ne në Greqi mësimin e fëmijëve në gjuhën e nënës e bëjmë vullnetarisht dhe e kemi nisur me fshehtësi derisa arriti një gjendje e tillë që ata u detyruan të na pranonin kështu siç ishim.
Tjetër.
Për mua ju i keni idetë më të sakta se ministrat e arsimit. Të më falni por unë do ta them atë që mendoj. Ministrat e Arsimit, këta që janë, i kemi dëgjuar edhe para pesëmbëdhjetë vjetësh kur ishte Pollo. Të njëjtat fjalë dhe mua më duket se ka shumë demagogji. Ne duam konkretisht sikur kaq të ndihmohemi (tregon me gisht thoin) po ama të ndihmohemi konkretisht. Nuk duam llafe. Ne duam veprime. Dhe në qoftë se ka edhe kushte që nuk mund të realizohen, nuk është e thënë ajo. Ka edhe vështirësi për qeverinë, për ministritë, për ministrin.
Ne këtë e shikojmë, nuk jemi miopë. Po mundësitë që janë, mundësitë që kanë ministritë, shteti, mund t’i vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë diasporës, po e quaj edhe veten. Unë kam tre vjet që jam larguar nga Selaniku. Megjithëse jam larguar unë atje jetoj shpirtërisht sepse bashkë me katër koleget ishim nga të parët, jo nga të parët, por ishim të parët në Greqi që përmes vështirësive të mëdha arritëm të hapim kursin e gjuhës shqipe që sot shtrihet në të gjithë Greqinë. Dhe kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme që u bëmë ne atyre.
Populli i do shqiptarët në Greqi, politika nuk i do, prandaj ne e sfiduam këtë politikë.
Prefekti i Selanikut urdhëroi të mbyllej një shkollë në rrethinat e Selanikut, në një fshat Nea Rea Visto. Dhe u mbyll. Në Selanik nuk e mbylli dot sepse drejtori i Institutit pedagogjik, që është fëmijë emigrantësh, ka qenë nuk është më, i tha as të pyes fare. Dhe atje jemi edhe sot e kësaj dite.
Kemi mbështetjen në Greqi nga intelektualët me shpirt, me mendje dhe që e kuptojnë drejt mësimin e gjuhës shqipe. Unë këtë planin e diasporës e konsideroj se ju jeni një risi në të gjithë kombin tonë. Dëshiroj që edhe Shqipërinë edhe Kosovën ta marrin pikërisht ata të rinj të shkolluar në Perëndim qofshin edhe në Kosovë dhe në Shqipëri sepse ata e kanë vizionin përtej atyre dhe traditës. Në qoftë se në Shqipëri dhe Kosovë do ta mbajë, nuk po përmend emra tani se nuk e di se kë trazoj.
Valoni: Përmendi të gjithë.
Po, me një fjalë të gjithë. Në qoftë se do ta mbajnë akoma këta që e kanë dhe ca si këta që janë, ne nuk kemi për të përparuar kurrë.
Kjo mua si qytetar, si atdhetar edhe si njeri që e dëshiroja dhe e kisha ëndërr të shikoja Kosovën e dua që Kosova të prosperojë sepse është një çik më përpara se Shqipëria për mendimin tim.
Jo.
Kështu e gjykoj unë. Dakord. Unë prezencës ndërkombëtare kam filluar të mos i besoj më. Ne flasim këtu, nuk flasim para televizionit por ata po shikojnë më shumë interesat veta se sa interesat tona…
A. Ashiku: Faleminderit z. Valon dhe rrugë të mbarë për në Kosovë!
Nderi është imi dhe pushime të mbara në gjirin e njerëzve tuaj të dashur.
Shkodër, 4 gusht 2016
Bisedoi Abdurahim Ashiku