Veliu: Mbulimi i monumentit të Gjergj Kastriotit paraqet politikën anti-kombëtare

0
1832

BotaSot.info: 1 SHTATOR 2017

Mbulimi i Monumentit të Gjergj Kastriotit në anën ballore dhe në të djathtë me dy ekranë të mëdhenj në sheshin e Tiranës për shkak se aty zhvillohej ceremonia e faljes së namazit të Kurban Bajramit, ka shkaktuar një indinjatë të thellë të shqiptarët, pamarrë parasysh përkatsinë e besimit fetar të tyre. Të gjendur nën presionin e opinionit shqiptar, që aktin e mbulimit të monumentit të kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit e cilësuan si turp kombëtar, disa nga mediat e Tiranës, të afërta me kryeministrin Rama dhe PS, u munduan që me pamje të marrura nga ana e majtë ku zhvillohej ceremonia fetare, këtë skandal ta paraqesin vetëm si një spekulim të rrjeteve sociale.

Por, dielli nuk mbulohet me shoshë, thotë një fjalë popullore. Dhe personi që e ndoqi gjithë këtë ngjarje nga afër në shesh, dhe e ilustroi me fotografi dhe xhirime ishte kreu i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, z. Tahir Veliu, i cili po ashtu i postoi në llogarinë e tij në rrjetin social facebook. Se çfarë pa dhe çfarë ndodhi në mesnatën e të së enjtes dhe të së premtes në sheshin “Skenderbeu” në Tiranë, rrëfen ekskluzivisht për “Bota Sot”


Tahir Veliu

BS: z.Veliu, a mund të na thuani se cila është e vërteta e kësaj ngjarje?

Veliu: E vërteta është se pamja ballore e monumentit te kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit ishte mbuluar tërësisht nga dy ekran gjigandë, që ishin vendosur përballë Gjergj Kastriotit. Ky skandal bëhet akoma më i madh, duke pas parasysh se ndodhi pikërisht dy dite pas shpalljes se vitit mbarëkombëtar të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti nga qeveria e re e Shqipërisë.

BS: Ju ishit një kohë të gjatë në shesh, ku nga aty postuat edhe foto dhe xhirime në llogarine e facebook-ut tuaj. Sa kohe qëndruat në shesh ?

Veliu: Dje, pas takimit në Tiranë, me kryetarin e Listës për Shqipëri Natyrale, z. Koço Danaj u nisa drejtë Prishtinës, por sapo arrita në Prizren, disa shokë më lajmëruar se Monumenti i Gjergj Kastriotit në Tiranë ishte mbuluar nga ekran gjigand përshkak se në shesh do të zhvillohej ceremonia e flajes së namazit të Kurban Bajramit. Natyrisht, që mënjeherë u ktheva prapë drejtë Tiranës për ta verifikuar këtë akt të turpshëm anti-kombëtar.

Së bashku, me Kordinatorin e Degës së LSHB-së, z. Frrok Bardhin, shkuam në Sheshin “Skënderbeu” dhe aty biseduam me myftiun e Tiranës, Ylli Gurra, nga i cili kërkuam, që të zhvendosen ekranet në pjesën e djathtë aty afer hyrjes së parkingut, ku nuk bllokohej kryeheroi kombëtar Gjergj Kastrioti, por ndodhi ajo që nuk pritej, ngase z. Gurra edhe pse na premtoi që në ora 4:10 do të na priste për kafe, ai u zhduk nga aty dhe nuk u duk fare më. Ne qëndruam aty deri në ora 6:30 në mëngjes, pa gjumë vetëm, që të korrigjohej ky akt i shëmtuar, por fatkeqësisht u zhgënjyem nga organizuesit.

BS: A ka qenë i mbuluar monumenti i Gjergj Kastriotit edhe gjatë ceremonisë së faljes të namazit së Kurban Bajramit?

Veliu: Po, monumenti i Gjergj Kastriotit ka qene i mbuluar edhe gjatë ceremonisë së faljes së Bajramit nga ekranët që ishin vendosur përball tij.

BS: Ju keni biseduar edhe me myftiun e Tiranës, z.Ylli Gurra. Cila ishte përgjegjia e tij, apo opinioni i tij lidhur me mbulimin e monumentit të Gjergj Kastriotit?

Veliu: Kërkesa drejtuar myftiut të Tiranës, Ylli Gurra ka qenë shumë e qartë. Ne kërkuam që të zhvendosen ekranët dhe të mos krijohet përçarje dhe debati i panevojshëm, sepse duke mbuluar monumentin e Skënderbeut, fyen rëndë miliona shqiptarë, qofshin myslimanë, katolikë, ortodoksë, ateistë etj. Këtë kerkesë i’a bëra rreth ores 2 të mëngjesit, kështu që sikurse të egzistonte një vullnet i mirë nga ana e tij për ta korigjuar këtë skandal, kishin mjaft kohë për ta bërë një gjë të tillë.

BS: Çfarë paraqet për ju si Lëvizje për Shqipërinë e Bashkuar, mbulimi i monumentit të Gjergj Kastriotit ?

Veliu: Për Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar, mbulimi i monumentit të Gjergj Kastriotit paraqet politiken anti-kombëtare të kësaj klase politike, e cila tmerrsisht është e keq-orientuar kombëtarisht dhe në vazhdimësi shpërfill Kushtetutën e Republikes së Shqipërisë, e cila e njeh aspiraten e ligjshme të shqiptarëve për bashkim kombëtar. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar kundërshton ashpër sulmet e vazhdueshme ndaj flamurit kombëtar dhe figurave kombëtare, duke vlerësuar se kjo është luftë speciale, e mirë orkestruar nga shërbimet sekrete, si pjesë projektit greko-pansllavist për shkombëtarizimin dhe tkurrjen e mëtejshme të hapësirës shqiptare dhe shfarrosjen e shqiptarëve, veçse tashmë strategjia e tyre për deshqiptarizimin ka venë në përdorim mjete dhe metoda më të sofistikuara, që fshihen nën masken “demokratike”, por synimi i tyre mbetet i njejtë.

BS: Si e shihni tendencën e disa mediave në Tiranë për ta paraqitur këtë skandal si një spekulim, kurë faktet e thonë të kundërten?

Veliu: Tendenca e disa mediave vendore për ta paraqitur këtë skandal gjoja si një spekulim mediatik i rrjeteve sociale, tregon qartë se edhe politika zyrtare e shtetit është e përfshirë në këtë orkestrim të turpshëm dhe anti-kombëtar. Fotografitë dhe videot të cilat i kam bërë përball Gjergj Kastriotit, tregojne qartë të vërtetën e kësaj ngjarje.

BS: Për fund…

Veliu: Ju falenderoj për mundësinë dhe njëherit përmes një thënie të Mulla Idriz Gjilanit dua ta përmbyll këtë intervistë: “Kemi tri fe por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e Një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut.”

Prandaj, shqiptarë, ju që e doni kombin dhe jo armikun, ju që nderoni flamurin kombëtar dhe personalitetet kombëtare, ju që mbi të gjitha keni shqiptarinë, mos lejoni përçarje, mos lejoni të fyhet kryeheroi kombëtar dhe kurrë mos u tjetërsoni. /N.H