VDEKJA S’MË MUND

0
854
Agim Desku - ABC poetike

Agim Desku

VDEKJA S’MË MUND

(Çdo vdekje është e rëndë,
por vdekja për së gjalli është më e rënda!
)

Në secilën fjalë e kërkova jetën e shenjtë
Bukurinë e saj e ëndrrova në një mijë mënyra
E kam mendue se ti jeton plagëve të luftëtarëve të lirisë

As këtu nuk e gjëj atdheun edhe në u bëfsha grimca atomi.
I mbani mend secili lindjet e juaja të parakohëshme

Atëherë kur korbat hanin atdheun tim të prangosur

Vdekjet na ishin më afër se sa ferri i Dantes
Kurrë nuk e dija a mbaj emër njeriu të kohës.
Si sot edhe dje e njëjta këngë këndohet pa simfonitë e Betovenit

Lumenjtë e mi gjarpërojnë kufive të ndarjeve deri në thellësitë titanikiane

Çfarë ka mbetë nga njerëzorja, ku dikur ngopësha frymë të shqipeve

Dhe për çudi zanat që më falnin gji janë zhdukur bashkë me lulet e lirisë.

Ku më je luftëtar i atdheut të humbur nga ndërgjegjeja që ti s´duhet vdekur kurrë
Nëse të duhen lulet ato kanë mbetur vetëm në zemrat e lotit të nënave

Çdo vdekje është e rëndë, por vdekja për së gjalli është më e rënda

Nuk dua të vdesesh ti luftëtar i lirisë as atdheu im i shenjtë dhe i shtrenjtë.

Vdekjet do t´i paguaj me jetën time kur të ju bashkoj në një sofër atdhe e luftëtarë bashkë.
31 Gusht 2017@DESKU

MË AFËR DIELLIT

Me asnjërën dhembje nuk të do jeta
Nëse ti krijove plagë që kurrë nuk kanë shërim
Me jetën merru si të duesh edhe po e fale
Mua më lendo po deshte në njëmijë mënyra dhembjesh.

Diellin kurrë mos u mundoni të ma lendoni
Më nuk ju duhet falja ime as e zotit
I mjerë është ai që gjuhën e vet e harron për të huajen

Nuk ka ngrohtësi si flaka e Shqipërisë kur edhe zemrën ta bën diell.
Çmendurisht e kam jetue jetën nën thundrat e mijëra bajlozëve
Por ,nuk u nënshtruam gjysh e stërgjysh deri sa yjet ishin me ne

Tokën e larë me gjakun e bijëve dhe bijave tona na e teri dielli i lirisë
Sa me afër diellit dua të jemi dhe kujtimi ynë për brezat që vijnë.

Me diellin jemi zot të tokës kur gjuhën e shkruajmë pa plagë atdheu
Tokës i falim hirin e kockave të pagjetura që tetëmbëdhjetë vite pas lufte

Asnjë betejë nuk foli me zemrat e nënave,as me faculetat e lotit të vashave
Kemi mbetur të jetojmë në ozon nëse yjet dhe hyjnitë na falin pak diell.
Toka nuk ka më vend për asnjë varr ku të qahen trimat e lirisë

Në pritje të një jete të re kemi mbetur dhe vitet e lirisë i humbem vet
Mos më fajsoni për burrninë time, nëse një ditë lotët më tradhëtojnë

Kur mbi arkivolët e ëndrruara se diku jetojnë edhe të vdekurit e prangosur.
Ku është liria që në asnjë shekull nuk vonohet pritja për lamtumirën e të vdekurve.
Nëse pres më mirë të vdes se kështu është shkruar na thonë nga Evropa

Jo,nuk dua asnjë liri ku plagët ende rrjedhin gjak shqipesh mijëra vjet e sot
Vetëm diellit i besoj kur një ditë të jem ëndrra dhe jeta e tij e lirë.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar