VËSHTRIM PËR POEZINË E POETES XHEMILE HOXHA – ALIU

0
969

Shkruan prof. Zymer Mehani

I.
Duke lexuar poezitë e poetes Xhemile Hoxha-Aliu, tek ne u nxit kërshëria e kërkimit, sepse kjo poete vargjet e veta i nisi në vorbullën e aventurave të gjata dhe krajatave të jetës, kundruall dallgëve, duke pasqyruar në artin e saj edhe shqetësimet që kjo dhe brezi i saj i përjetuan gjatë viteve ’90 të shekullit XX, kur si shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, edhe kësaj iu desh që t’i marrë rrugët e mërgimit.

Në botën e poezisë së poetes Xhemile Hoxha-Aliu gjejmë shtresa të shumta, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija. Pena e saj nuk ndalet vetëm me përshkrim, por stili i saj është edhe më i gjerë dhe më i thellë, e kështu vazhdimisht e ndryshon këndin e vështrimit të fenomeneve dhe dukurive, por intensiteti i interesimit mbetet prore i njëjtë, i pandryshueshëm për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.

Në poezinë e Xhemile Aliut ëndrra e nxit fshehtësinë e vetë jeta zhytet në ëndërr.
Malli për atdheun dhe njerëzit e përshkon çdo varg dhe poezi, ku përsëritet dhe del origjinal e njerëzor, por vazhdimisht i zjarrtë, që e zgjon dhe e motivon për vargjet e saj vazhdimisht.

Thuhet se ëndërrimtarët janë vetë krijuesit, artistët, e edhe Xhemile Aliu si poete duke ëndërruar depërton në magjinë e fjalës artistike dhe të artit përgjithësisht. Ajo është gjurmuese, vizionare dhe krijuese e poezisë. Një poete e tillë me vargjet e saj shkel shtigje të reja dhe hapë botëra të reja.

E tërë kjo ka qenë prezente qysh moti në poezinë tonë shqipe, por kjo që na dhuron Xhemile Aliu është krejt e veçantë.
Ne si lexues të rregullt të poezisë së petes Xhemile Aliu, e çmojmë lart hapërimin e saj të lehtë në artin poetik kundruall dallgëve të mërgimit, pa e lënduar, por përkundrazi duke e pasuruar vargun poetik shqiptar përgjithësisht. Në poezitë e kësaj poeteje takuam shpirtin e saj të trazuar, që nuk rehatohet, por që vazhdimisht gjurmon e kërkon. Poetja Aliu ia del që përmes vargut ta transformojë të kaluarën në të sotmen e të sotmen në të ardhmen. Kjo me vetmohim ka hapë rrugë të reja nëpër të cilat shtegton vargu i saj i shkruar.

Krijimtaria e poetes Xhemile Aliu është origjinale dhe premtuese për të pushtuar hapësira të gjera në mozaikun e pasur të letërsisë sonë që po kultivohet në diasporën tonë, por edhe këtu në atdhe.

Gjuha e poezisë së poetes Xhemile Aliu është e përdorur drejt, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma. Vargjet e kësaj poeteshe janë të skalitura me stil të nivelit të lartë dhe figuracioni poetik haset kudo në vargjet e saj. Kemi laryshi rimash dhe metra të ndryshëm të vargut poetik, fakt ky, i cili artit poetik të autores ia shton vlerën edhe më shumë.
Fare në fund, poetes Xhemile Hoxha-Aliut ne i urojmë suksese në krijimtarinë letrare e lexuesve tanë, kudo që janë, qoftë në mërgim a në atdhe, u urojmë lexim të këndshëm!

II.
Të flasësh për poezinë e poetes Xhemile Aliu-Hoxha, do të thotë, në radhë të parë, të flasësh për lidhjet e kësaj poezie me mallin për atdheun, që shkakton dhembje shpirti, por edhe të bën krenar. Kryesisht edhe vëllimi “Dhembje shpirti” i poetes Aliu shquhet me motivin e atdhedashurisë dhe të motiveve të tjera, si malli për vendlindjen, jeta në kurbet, heroizmi i bijve të atdheut në luftën për liri etj.etj., ku ravijëzohen me kujdes dhe përkushtim tablo përgjithësuese plot përthyerje emocionale mbi aktualitetin, në të cilin po jetojmë.

Tema e fateve të atdheut, e lirisë, e dinjitetit dhe e krenarisë kombëtare, po ashtu tema e besimit në të ardhmen, e përparimit dhe e perspektivës dominojnë në vargjet e vëllimit në fjalë.
Në këto poezi i është kënduar me përkushtim të thellë qëndresës shqiptare në shekuj:

Sa herë na dogjën
Edhe të gjallë na poqën
Kurrë s’na përkulën
Kurrë s’na mundën
(Poezia “Qëndro ballëlartë”)

Po ashtu i është kënduar me emocione edhe natyrës së bukur të vendlindjes dhe besimit për të ardhmen, krenarisë kombëtare dhe dëshirës për të jetuar në paqe e në mirëqenie.
Në vargjet e poetes Xhemile Aliu-Hoxha , atdheu si koncept gjeografik shkrihet e bëhet një me fatet e popullit qëndrestar e punëtor. Atdheu për poeten Aliu është motiv i fuqishëm që përshkon këtë vëllim poetik. Është ky motiv i trajtuar gjatë historisë së poezisë, por në poezitë e këtij vëllimi është krejt original dhe realist, duke qëndruar larg qoftë edhe shenjave më të zbehta të nacionalizmit apo urrejtjes për të tjerët:

Të kam xhan më je vetë jeta
O atdheu im me zemër sa deti
Në çdo maje mali a shkrepi
Se aty ku flitet vetëm shqip
Më rrah zemra në kraharor
Atje mendja më rri mua
Në Shqipëri e në Kosovë
Në Ulqin, Tivar e Hot
Por edhe në Plavë e Guci
Në Iliridën e shenjtë
Në Manastirin e Alfabetit
Në Shkupin e Shqiptarit
Në bukuritë e Gostivarit.
Më rrah zemra ime
Edhe për Luginë e Preshevë
Atje gjer te Molla Kuqe
Ku shqiponjat kishin folenë
E shëndritinin porsi nuse.
Dhe kur mendoj për ty atdhe
Mendja më shkon në Çamëri
Në perlën e Faik Konicës
Në vendin e shqiponjave
Aty ku rri shpirti i shqipes.
(Nga poezia “Atdhe”)

Për shkrirjen e të gjitha motiveve dhe të disa motiveve më pak të rëndësishme (siç janë raportet e popullit me pushtetin, jeta shoqërore etj.) në një tërësi të vetme poetike, poetja u ka mbetur besnike pasqyrimeve të aktualitetit, duke i gërshetuar me mbresa e ndjenja dhe përsiatjet e veta.

Është me rëndësi të theksojmë se sikurse në vëllimin poetik “Ngjyrat e atdheut” të poetes Xhemile Aliu-Hoxha, edhe në përmbledhjen “Dhembje shpirti” vërehet mirë se dashuria për atdhe dhe malli për të prej mërgimtari janë burim frymëzimi dhe përjetimi, e që këto Poetja Aliu ia ka dalë që me sukses t’i mishërojë sa më mirë në poezitë e saj. Dhe vërejmë se, përgjithësisht, përthyerjet e realitetit në ndjenjat dhe mendimet e poetes, burojnë krejt natyrshëm prej pasqyrimit të aspekteve më të ndryshme të këtij realiteti.
Konstatojmë se rruga e zgjedhur e poetes Aliu është e përshtatshme me gjerësinë e temës dhe prirjes për të rrokur realitetin në mënyrë sa më shumëdimensionale.

Edhe vëllimi “Dhembje shpirti” dallohet për gjuhën e pastër, pa dialektizma, krahinorizma a barbarizma. Kryesisht poetja ka pasur kujdes që ta përdorë gjuhën standarde. Vargjet janë të pasura me figuracion të mjaftueshëm letrar, ku dominojnë krahasimet, metaforat dhe hiperbolat, por edhe figura të tjera të ndryshme letrare. Fjalori është i përzgjedhur, i thjeshtë dhe kuptimplotë. Poezitë i përshkon rimimi i vargjeve dhe metri i ndryshëm.