Shkruan: Florim Zeqa, 29.08.2017
Intelektualët e pozitës i gjen kudo dhe kahdo, në aktivitete populliste, në mediat elektronike dhe ato të shkruara me deklarata patriotike, në promovime librash, prerje shiritash, në simpoziume, në panaire të produkteve ushqimore e madje edhe atyre të kafshëve duke përzgjedhur sojin më të mirë të tyre.
Kështu, krahasuar nivelin e intelektualëve të rangut pushtetar, intelektualët kosovar (shqiptar) renditen në pozitën më të ulët nga të gjithë intelektualët e shteteve të rajonit.
Intelektuali i nënshtruar para tutelës së pushtetit nuk është intelektual
Intelektualët e pozitës shqiptare, të shkëputur nga interesat e popullit punojnë vetëm për interesat e pushtetarëve, e më së paku ose hiq për interesat e qytetarëve, ngase të gjitha energjitë e tyre i shpenzojnë për revanshizëm ndaj intelektualëve të opozitës të cilët mbajnë në thumb të kritikës egon e pakufishme të pushtetarëve për pasurim dhe privilegje që ua garanton pushteti i koruptuar në gjysëm shtetin e lirë dhe gjysëm të pavarur, në njërën anë nga pushtuesit në veri të vendit, ndërsa në tjetrën nga përfaqësitë diplomatike që mbajnë nën kontroll të plotë të gjitha figurat politike në Kosovë.
Përderisa të gjithë intelektualët e shteteve të Balllkanit dinë të bashkohen dhe pajtohen në kohë krizash nacionale, duke lënë mënjanë mospajtimet dhe zënkat personale, …tek ne akoma zhvillohet një revanshizëm primitiv i përcjellur me një urrejtje patologjike, me tendencë shkatërrimtare për shtetin e Kosovës, i cili po kalon orët më të liga që nga përfundimi i luftës e këndej.
Po ndodh pikërisht kështu, për faktin se fusha e intelektualëve është e mbuluar me pseudointelektual të graduar me diploma dhe tituj shkencor nga shkollat e “natës”, të instaluara në universitetet publike dhe private, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë intelektual të profilit ideologjik dhe partiak, por jo të nivelit kombëtar.
Pasojat nga shkollat e natës
Kulminacioni i së keqës që po i sjellin vendit “kuadrot” nga shkollat e natës, qendron në faktin se shumë prej syrësh, përveqse janë katapultuar në majat e pushtetit, të tjerët janë emëruar përfaqësues të shtetit të Kosovës në vendet evropërendimore.
A ka mjerim më të madh, kur pseudointelektualët vijnë në mërgatë për t’u mbajtur “ders” patriotik plejadës së artë të intelektualëve të viteve të ’90-ta, të larguar nga Kosova si pasojë e dhunës dhe terrorit sistematik të makinerisë vrastare të Millosheviqit,…të cilët në përendim u tretën dhe tjetërsuan në fuqi punëtore nëpër kantiere ndërtimi dhe fabrika gjithandej vendeve evropërendimore, pa iu njohur asnjëherë diplomat dhe niveli i lartë intelektual, në disa raste edhe titujt shkencor të tyre.
Akoma më i dhimbshëm bëhet ky fakt, kur këta intelektual dhe veprimtar të devotshëm të çështjes kombëtare vazhdojnë të anashkalohen dhe injorohen nga institucionet e shtetit të Kosovës!
Kështu pseudointelektualët e veshur me petkun e diplomatit shtetëror, pa pasur as njohuritë minimale në fushën e diplomacisë, pa e njohur fare gjuhën e shtetit në të cilin janë akredituar, përveqse krijon imazhin më të keq të përfaqësimit të shtetit, e ulë imazhin e Republikë së Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur.
Aspekti tjetër negativ qendron në faktin se, diplomatët të cilëve nuk u ka shkelur asnjëherë këmba në mërgim, e kanë të vështirë t’i kuptojnë hallet dhe problemet e mërgimtarëve.
Kasta e diplomatëve nga shkollat e natës e lidhur me kastën tjetër pseudointelektuale në mërgim, u qëndrojnë pranë dhe bashkëpunojnë vetëm me shoqatat dhe organizatat që janë të lidhura me pushtetarët e korruptuar në Kosovë dhe Shqipëri, gjegjësisht me sekserët e tyre, të cilët u ndihmojnë në riciklimin e parave të pista, të përfituara në mënyrë të kundërligjshme nga buxheti i shtetit.
Intelektualët e vërtetë, opozitë e antivlerave
Kur është puna kështu, intelektualët e vërtetë me ( pa) dashje duhet të marrin rolin e opozitarizmit ndaj antivlerave, shërbëtorëve të pushteteteve të korruptuara në Shqipëri dhe Kosovë. Ndodh pikërisht kështu për arsye se injorohen nga përfaqësuesit diplomatik të shtetit dhe sekserët e tyre në Diasporë, nga ish servilët e pushteteve sllavo-komuniste në Kosovë dhe Shqipëri, nga ish bashkëpuntorët e zellshëm të UDB-së jugosllave dhe sigurimeve tjera antishqiptare.
Kështu veprimtaria e intelektualit në mërgim po bëhet gjithnjë e më e vështirë nga ngulfatja e pseudointelektualëve, që i kanë mësuar pëmendsh disa nga vargjet e rilindasve tonë, sa për të promovuar nëpër tubime “intelektualitetin” e kamufluar me nga një strofë të poezive të Naimit, Migjenit apo Asdrenit.
Megjithatë, intelektualët e vërtetë nuk guxojnë të heshtin përballë sfidave të kohës që po kalojmë, por duhet gjetur rrugë dhe mënyra të reja të organizimit të mërgatës jasht koncepteve dhe ideologjive partiake, për të krijuar një organizim të mirëfillt të mërgatës, që shkon në funksion të unifikimit dhe bashkimit të të gjithë bashkatdhetarëve pa dallim shteti, krahine apo rajoni për të mbijetuar rrezikun e asimilimit të gjeneratave të reja në njërën anë dhe në tjetrën, krijimin e një tutele për mbrojten e të drejtave të shqiptarëve në Diasporë.
Nevojën imediate të një oragnizimi të fuqishëm të mërgatës tonë, dua ta ilustroj me një shëmbull të hidhur që ndodhi para afro tre viteve (në muajin shtator 2014) në rajonin Marche të Italisë, ku u privuan nga jeta dy të rinjë shqiptar nga Kosova.
Vetëm disa orë nga vrasja e dy kosovarëve në Fermo, Regjioni Marche-Itali, në Milano të Italisë takohen dy ministrat e jashtëm shqiptar; Ditmir Bushati (Shqipëri) dhe Enver Hoxhaj (Kosovë), në inaugurimin e konsullatës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, me prezencën edhe të autoriteteve italiane, dhe për habi në këtë takim ceremonial u hesht ngjarja tragjike në Marche, ku u privuan nga jeta dy bashkatdhetar të ministrave shqiptar.
Sikur të ishte prezente vetëdija morale tek ministrat (qyqarë) shqiptarë, para inaugurimit të konsullatës do duhej mbajtur së paku një minut heshtje në nderim të viktimave shqiptare!
Heshtjes së pushtetarëve shqiptar iu bashkangjiten të gjitha shoqatat dhe organizatat tjera me përjashtim të shoqatës “Skandërbeg” në Fermo dhe Arbreshëve të Italisë, të cilët protestuan fuqishëm para autoriteteve italian me moton; “Duam drejtësi” dhe “Kërkojmë të paguhemi dhe jo të vritemi”!
Cilit do nacionalitet t’i ndodhte një tragjedi e tillë, do të ishin të mënjëhershme reagimet zyrtare, filluar nga përfaqësitë diplomatike e deri të ato shtetërore.
Madje çdo qeveri respektive do t’i dërgonte “notë” proteste qeverisë italiane për vrasjen e dy bashkatdhetarëve të vet. Për habi dy qeveritë shqiptare nuk e panë të udhë ta bëjnë një gjë tillë!