Lumja ti, moj Korç’o lule

0
1635
Korça - Altstadt

Inxh. Abdullah Begolli

Kush nuk donë ta harrojë dhe kush don ta mësojë,

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Në 7 Mars 1887, në qytetin e Korçës, u hap shkolla e parë shqipe, e cila u quajt mësonjëtore. Rilindasit, të cilët punuan dhe e vlerësuan shumë këtë ditë shkruan edhe shumë vargje për të. Këto vargje i përkasin poezisë Korça, të Naim Frashërit (lexo më poshtë). Sa bukur shprehet për gjuhën tonë!

Në përkujtim të kësaj dite, 7 Marsi në Shqipëri është festa e mësuesit. Nxënësit i urojnë mësuesve festën, iu dhurojnë lule dhe iu japin dhurata të vogla…

Poezia e plotë e Naim Frashërit, kushtuar ditës së hapjes së mësonjëtores (shkollës) së parë shqipe në Korçë…

Lumja ti, moj korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!

KORÇA

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!
Kjo është një dit’e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.
Ta lusimë këtë ditë,
Q’e bekoi zot’i vërtetë
Dh’e dërgoi me shumë dritë,
T’i mbes’emëri përjetë.
Sot e vumë gurr’e parë,
Sa’sht’e bekuar kjo ditë!
Zot’i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!
Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh’e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.
Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht’e shtije,
Mbretëron fjal’e vërtetë,
Dhe të mirat gjith’i bije.
Zot’i math qoft’i lëvduar,
Q’e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.
Lumja ti, moj korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!
Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s’i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!
Kjo ‘shtë mëm’ e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin’ e miqësinë.
S’jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët’emër nderr’e kemi.
Ky emr’ është shum’ i mirë,
Se më s’jemi të gënjyer,
Nukë jemi n’errësirë,
E njohëmë gjën’ e vjyer.
Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!
Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun’e keq’e shum’e ligë.
O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.
Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh’e gjenë më perëndinë.
Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.
Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s’mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.
Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt’ e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:
Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Naim Frashëri

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar