Prof. Sami Repishti – marrë nga IllyriaPress.com
Ridgefield, Gusht 2017 – Sot, shtypi shqiptar njoftoi vendimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, parti në pushtet, për formimin e Qeverisë së re (Rama 2). Qeveria e re ashtë nji kombinim elementësh të ri – në moshë dhe në eksperiencë- me arsim të naltë, dhe shumica pa nji të kalueme politike komprometuese. Kryeministri Edi Rama pranoi se “PS ka marrë sot mandatin më të fortë në historinë e saj…” dhe “…ky është edhe një nga mandatet tona më të vështira”. Nji pohim i këtill ashtë korrekt.
Gjendja e krijueme tregon nji përqendrim të fortë të tre pushteteve në duert e nji partie politike të vetme. Teorikisht, ajo ashtë nji kombinim forcash që lehtësojnë rrugën drejt nji rregjimi autoritar i cili damton zhvillimin demokratik të vendit. Kjo strukturë më shqetëson; prandej sot shkruej!
“Të nesërmet plot këngë” që u premtuen nga revolucioni socialist në Shqipëri, u venitën nën peshën brutale të “diktaturës së proletariatit” dhe marrëzisë kolektive të ”luftës së klasave”që dërmuen fibrën morale e politike të lëvizjes të rezistencës popullore kundër pushtuesit të huej në vendin tonë. Si rrjedhim, pavarësia e rifitueme u përjetue si zgjedhë politike 45 vjeçare, ….dhe politikisht si nënshtrim ndaj të huejit!
Me ramjen finale të komunizmit, periudha e tranzicionit në demokraci tregoi se e vjetra refuzon me vdekë, dhe e reja demokratike nuk gjen fuqi të mjaftueshme me lindë dhe me u forcue. Sot, nevoja e rishqyrtimit të rrugës së kalueme gjatë këtyne 27 viteve ashtë e domosdoshme për të gjithë, sidomos tashti me krijimin e nji situate të re koncentrimi të pushtetit që rrezikon vetë demokracinë. Shqiptarët duhet të tejkalojnë “lodhjen” që ka shkaktue periudha e tranzicionit në vendin e tyne; dhe për këte, duhet të jenë ma të bashkuem se asnjiherë ma parë. Propaganda negative dhe shterpe e “rrugaçëve” të grupeve të ndryshme nuk duhet lejue me mbajtë vendin peng në nji kaos politik e konfuzion psikologjik. Kemi nevojë për ide të reja!
Çdo popull ka nji shpirt; shpirti i shqiptarit ashtë tradita shekullore e vlerave tona morale të besës, nderit, mikpritjes, burrënisë, lidhja me tokën e vendlindjes….Kur kjo traditë u thye nga uria e zgjedha politike, vendin tonë e mbuloi pabesia, shvlerësimi i nderit e burrënisë, dënimi me vdekje i mikpritjes, arratisja, e talljet publike “për meturinat e së kaluarës së errët reaksionare…” Terreni politik mbeti i hapun për abuzime, spekulime, çthurje morale e politike pa asnji pengesë. Shpesh të inkurajuem nga vetë“pushteti i popullit”. Lindi “njeriu i ri”…! Natyrisht, faktet kanë rrjedhime, efektet e të cilëve i pësojmë edhe sot!
Edhe sot, më tingëllojnë në vesh fjalët e ish-vogëlushes Bajame Hoxha-Çeliku, emigrante në Bruxelles të Belgjikës: ”Ç’të keqe kemi bërë? Populli i thjeshtë pse na donte të vdekur?
Ç’u kishim bërë atyre?”pyeste vajza e internueme në Savër të Lushnjes.“Vllezërit Nebiu, njëkohësisht brigadierë dhe gjakpirës të vërtetë! Nuk ngopeshin me gjakun tonë! Vuajtëm por qëndruam. Qëndruam burrëresha! Sepse luftuam me vdekjen!”Model i krenarisë së madhe, kjo vajzë e persekutueme shqiptare! Ajo edhe sot ashtë ajka e shoqënisë së djeshme dhe të sotme …motër e juej, motër e imja, motër e të gjithëve! Ashtë simbol i superioritetit moral të viktimës kundrejt xhelatit që e torturoi 45 vjet me rradhë!
Me ndryshimin e gjendjes politike në vend, 1990-91, populli i këputun nga vuejtja e randë dyzetë e pesë vjeçare, e ndjeu veten të vetmuem, të harruem, e me shpresa që gënjyen. Ai nuk gjeti përsëri fuqinë e duhun me u ngritë, as me luftue, valën e frikëshme të degradimit moral të gjithanshëm, të vorfënisë dërmuese që përfshiu edhe marrëdhanjet ndër-personale. Shumë prej tyne, të huej në vendin e vet, morën rrugën e mërgimit, për nji copë bukë me nder, në nji vend ku jetohet pa frikën e shtypjes dhe të urisë. Dhe me të drejtë!
Shembulli ma i ri i këtij degradimi moral, ka qenë shitë-blerja e votave në zgjedhjet e fundit të 25 qershorit 2017, nji njollë e zezë për demokracinë e brishtë, e pothuejse “të dështueme” në Shqipëri. Manifestimi i plotë i efekteve të këtij“dështimi”shihet në qëndrimin pasiv, gjysëm të përgjumun, të shoqënisë shqiptare, që shijon- e nuk reagon!- programet televizive, ku politikanët e ditës sulmojnë njeni tjetrin me nji fjalor rrugaçërie që ka penetrue edhe sallën e Kuvendit Kombëtar. U përjashtue kështu revoltimi i arsyeshëm dhe pjesëmarrja aktive në transformimin demokratik të Shtetit e të shoqënisë shqiptare.
Akoma të tronditun nga persekutimet e së kaluemes jo të largët, ata që mbijetuen rregjimin komunist vegjetojnë akoma me frikë, e qëndrojnë akoma larg angazhimit serioz në jetën politike të vendit. Neutral…deri në vetë-asgjasim! Veprimtaria qytetare në Shqipëri, e pame prej së largu, paraqitet ende si “nji dëshirë” ma shumë se “nji mundësi”. Ashtë shue shpresa, bashkë me shkendinë e revoltës qytetare. Ashtu si vendet tjera të bllokut komunist të Lindjes, edhe në Shqipëri, shumica e qytetarëve janë të lodhun, të pa aftë me veprue, e kufizohen me protesta verbale në ambiente të mbylluna.
E gjithë kjo, në nji “Shtet”ku manipulohen zgjedhjet, eliminohen kundërshtarët politikë, në nji vend ku mediat e informimit, -sidomos programet televizive – shërbejnë padronin qeveritar (ose të pasunit, baronët e drogës me autoritet). Në Shqipëri, turma të vorfnueme jetojnë krah më krah me nji oligarki qeveritare tejet të pasun –ose të pasun jo-qeveritarë- të gjithë të shurdhët dhe të pashpirtë, skenar i përsosun për nji pabarazi të madhe ekonomike me tone sociale të thella… Në fakt, flitet për mundësinë e nji revolucioni paqësor, si mjeti i vetëm për rrugëdalje!
Ky moment, në dukje i qetë por i mbarsun, mund të kristalizohet në Shqipëri ashtu si me ngjarjet tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër, me ato të vitit të mbrapshtë 1997 në të gjithë Shqipërinë e Jugut, ose të 21 janarit 2011 në Tiranë, që mund të provokohen nga “opozita”, ose të shfrytëzohen nga “pozita” për qellimet e tyne politike. Në të dy rastet humbësi i vertetë ashtë populli shqiptar, viktimë e nënshtrueme…!
“Qeverisja e mirë” dhe “opozita cilësore” janë fata morgana shqiptare! Në vitin 1924, revista amerikane TIME, në nji koment për gjendjen kaotike të ballafaqimit Zogu-Noli në Shqipëri shkruente: “Në nji vend të mbrapambetun nuk ka gja ma të randësishme se dëshira e nji ish kryministri të rrëzuem, të kthehet e të rrëzojë pasuesin që e ka rrëzue…”. Sot, nji ish kryministër aprovon:”…Një opozitë pa kompromis, dhe rikthim në pushtet!”
Përsëri, në vitin 2011, po ajo revistë komentonte:”… Tani per tani, shqiptarët shpresojnë jo vetëm që liderët e tyne t’i japin fund lodrave të pushtetit, por dhe t’i dalin zot vendit të tyne, para se të derdhet përsëri gjaku…”. Tetëdhjetë vjetë distancë kohore…asnji hap përpara drejt “shtetit ligjor”!
Anëtarët e partive politike, shumica militantë të shpërblyem dhe tru-shplarë, veprojnë të patrazuem nga zani i ndërgjegjes së mbytun prej të miravet landore. Sepse, “partia”-kjo mbretneshë e pakunorëzueme,- ka çveshë shërbyesit e saj nga dinjiteti i aktit të lirë e të pavarun, pa dhanë asnji herë përgjigje për mijëra pyetjet që ngrihen e bien e nuk tërheqin vemendjen e mendjeve të programueme. “Pavarësia e individit ashtë reaksionare; rreshtimi në legjonet e komandueme ashtë përparimtare!” thotë nji slogan i diktaturës. Duket sikur barka e jonë shqiptare lundron pa nji busull morale. A. Koestler e cilësonte këte gjendje: “kemi pirë kupën e dëshprimit deri në fund!”
Duket sikur shqiptarët nuk janë të uritun për ndryshimin e dosmosdoshëm, dhe për dëshirën me prodhue “histori”- idealizimin e marshit triumfues drejt lirisë së plotë për të gjithë. Qytetarët në përgjithësi sikur kanë humbë interesin për nji angazhim aktiv, nji qendrim ky i rrezikshëm, e në Shqipëri nuk ka dalë ende nji udhëheqës që frymëzon! Dhe kjo si rrjedhim i qendrimit komunist shqiptar, dhe atij fashist, që zotënoheshin nga nji dëshirë e fortë: me kontrollue jo vetëm trupin, por edhe mendjen e qytetarit.
Me këte qëndrim, “mendimi ndryshe”(disidenca) u trajtue si krim dhe u dënue randë. Konflikti politik u krijue artificialisht jo me shpëtue atdheun, por me shkatërrue “anmikun e klasës” U mbushën vorrezat me mendje të ndrituna; errësina diktatoriale mbuloi vendin tonë!
Sot, paguejmë akoma çmimin e kësaj marrëzie, kryesisht sepse shumica e heshtun vegjeton me ndjenjën e poshtënimit të përjetuem; ata jetojnë ankthin që vjen nga pritja e vazhdueshme e nji katastrofe të paevitueshme, si burgimi ose internimi për vite të gjata pa faj, dhe rrjedhimet për familjet. Dhe me të drejtë!
“ …Masa ekstreme –krime … Dëbohen, internohen, persekutohen familjet, fëmijtë e tyne, prishen familje, prindët që ndahen nga fëmijtë. Ky ashtë aspekti më i egër, më çnjerëzor i rregjimit 50 vjeçar…Me mijëra e mijëra janë viktimët, viktima që nuk kanë pasur asnjë faj veç lidhjeve familjare me të dënuarit…Përndjekjet familjare kanë qenë mjeti më i efektshëm i politikës represive, garancia më e mirë e shtypjes së çdo opozite…Përgjegjsia nuk ka qenë individuale, por ka qenë kolektive, familjare…” konfirmon Arben Puto.
* * *
Na do të hyjmë në “histori”, në se bajmë “histori”; dhe do të bajmë “histori” vetëm atëherë kur të kuptojmë si duhet “historinë” e vendit tonë, pa paragjykime. Sot, Shqipëria, në përpjekjet e saj me ndërtue nji të ardhme të lumtun duhet të fillojë përballimin e së kaluemes saj tragjike me ndershmëninë e duhun. Andrrat e dëshirat pa bazë sjellin rreziqe, dhe përfundojnë në folklor. “Historia” do të bahet kur të kuptojmë se nji rend publik i qendrueshëm kërkon “pushtet” dhe “moralitet” njikohësisht; kur të përqafojmë sensin e përgjegjsisë sonë personale ndaj shoqënisë si qytetarë të lirë, dhe ndaj bashkësisë sonë kombëtare e ndërkombëtare! “Historia” do të bahet kur të revoltohemi nga opinionet e të huejve si:”Shqipëria ashtë nji vend pa të ardhme” (FAZeitung, 27.VII.2015) fjalë që duhet të bien si çekan mbi kokët tona, përcaktime dëshpruese që duhet të refuzojmë me kambëngulje, pa hezitim, pa rezerva…, revoltim që unë nuk e shoh!
Akoma sot diskutojmë “meritat” e pushtimit pesëshekullor otoman. Akoma sot “krenohemi” me tmerret e murtajës së kuqe 45 vjeçare në vendin tonë, dhe akoma nuk kemi gjetë kohë me zbulue të gjitha viktimët e diktaturës dhe vorrezat e tyne, me krye ritet e përkujtimit dhe nderimit që ata meritojnë. “Diktatura e proletariatit”, në fakt diktatura e nji maniaku kriminel si E.Hoxha, ka qenë nji ndër fatkeqsitë ma të mëdha historike, ndoshta ma e madhja -për popullin tonë. Shkatërrimet që ajo i ka sjellë vendit e popullit tonë janë të pallogaritëshme, dhe vazhdojnë të na torturojnë mendërisht e fizikisht akoma sot: mijëra të vramë pa faj, pa gjyq; dhetëra mijëra të tjerë të burgosun, të vdekun nga uria në burgje e kampe mesjetare nen kamxhikun e diktaturës dhe çizmen e flliqtë të policit pa mend pa zemër. Dhetëra mijëra të shpronësuem e të pa kompensuem, fëmijë të mbetun pa arsim, gra të veja e jetimët e tyne pa strehë dhe në punët ma të randa jashtë fuqive të tyne, nuk janë material per“krenari”. Kjo ashtë historia e jonë!
Përgjigja ma e mirë u dha në verën e vitit 1990 me arratisjen e dhjetëra mijërave nga shtëpitë e tyne me rrezik të jetës, 90 përqind të rij, edukue nga “Nëna Parti”, pa perspektivë, dhe 1miljon e 50.000 shqiptarë sot në mërgim, simbas statistikave shtetnore. Ik, ik, nga kolera komuniste! “Të persekutuarit, vit mbas viti, nuk ishin më nji minoritet. Përbenin një popullsi të terë…”shkruen historiani i diktaturës A. Puto, në kujtimet e tia. Le të kujtojmë gjendjen e Shqipërisë në vitin 1990… e të arrijmë në përfundimin e ndershëm pa komplekse…Kjo ashtë historia e jonë!
Kështu edhe për nostalgjinë e pushtimit otoman. Mbas vdekjes së Skënderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman të Shqipërisë. Dritarja e botës perëndimore u mbyll për Shqipërinë pikërisht në nji kohë kur era frymëdhanëse e Renaissancës dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të Re me nji etje gargantueske për njohuni të reja, për hapësina dhe nji botë të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar– që mbetet gjithëherë nji çështje intime për çdo ndërgjegje personale- okupacioni otoman ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian dhe e ka dënue ate me qenë nji krahinë e humbun mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës që po rilindëte në Perëndim”. Okupimi otoman dhe diktatura komuniste në Shqipëri kanë qenë dy fatkeqsitë ma të mëdha historike të vendit tonë, çmonte mendja e ndritun e intelektualit Ismail Kadare. Kjo ashtë historia e jonë!
“Historia” do të bahet kur të rivendosim nderin tonë kombëtar – me jetue për idealin që shërbejmë: nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të zhvillueme dhe europiane! “ Historia” do të shkruhet kur të formohemi si “patriotë”, dhe të bahemi shembull për breznitë e ardhme, tue tregue atyne si duhet të jetë nji “shqiptar”, dhe çfarë do të thotë të jeshë “nji shqiptar”, kur të formojmë nji “identitet shqiptar” që na ban të gjithëve krenarë. Përndryshe, na bajmë vetëm “politikë”, nji faktor spekulativ që nuk shqetësohet për natyrën e vërtetë të gjendjes në vend dhe shërimin e saj, as edhe kur mbretnon atmosfera e terrorit dhe kultura e gënjeshtrës, ashtu si e kemi përjetue…! Për fat të keq, kemi hy në fazën që Tony Judt quen “Koha e Harresës”…”Na kemi lanë mbas dore të kaluemen tonë të afërt para se të kishim zbulue kuptimin e saj!” Nganjiherë, kam përshtypjen se kaosi politik në Shqipërinë time e tuejën, ashtu si në Afrikë, nuk ashtë nji “anomali”, ose nji tragjedi që vjen e pa pritun. Ky lloj kaosi paraqitet ma shumë si nji strategji për kontrollin dhe konsolidimin e “pushtetit”.
Historikisht, masat popullore humbasin interesimin e tyne për ruejtjen e forcimin e frymës qytetare të pjesëmarrjes çdo herë që vendi nuk ka nji udhëheqës të vertetë. Sot, kjo mund të thuhet edhe për Shqipërinë e trazueme. Forcat politike veprojnë me qendrime që as ata vetë nuk i dinë se ku, dhe kur, do të përfundojnë. Ka shumë shtresa shoqënore që kanë arsye me qenë të pakënaquna me disponimin e pushtetit të sotëm. Besimi i verbët në personalitete të paprovueme, në parim ashtë i gabuem, dhe “zgjidhjet” e shpejta e të pa mendueme mirë të problemeve duhen refuzue, sepse zakonisht janë vetëm “dëshira pseudo-intelektualësh” që nuk kanë pasë rast ose mundësi me u familjarizue me realitetin e praktikës së pushtetit. Në situata të këtilla ashtë nji imperativ kategorik për çdo intelektual të vërtetë, për çdo qytetar të ndershëm shqiptar, me folë të vërtetën haptas para sundimtarit, ashtu si e mendon dhe pa frikë. Kjo ashtë detyrë e shenjtë qytetare! Kemi nevojë për udhëheqës që nuk kërkojnë karrierë politike, por për udhëheqës që shërbejnë kauzën e shenjtë të popullit të tyne. Duhet folë e vërteta; duhet vrarë frika!
Lavdia e madhe e revolucionit paqësor të viteve 1989 në Europën Lindore ka qenë natyra e qytetnueme, paqësore dhe civile e këtij revolucioni. Ai doli me sukses në organizimin e rezistencës civile dhe në ndërtimin e shoqënisë civile…pothuejse tanësisht me mjete jo të dhunëshme. Ky ashtë edhe shembulli shqiptar i studentëve tonë heroikë të 8 dhetorit 1990, që shpresojmë të frymëzojë transformimin e shtetit dhe shoqënisë shqiptare në të ardhmen me zbulimin e tij të përgjegjsisë civile. Ky ashtë edhe shembulli i viktimave të komunizmit që përbuzën idenë e urrejtjes dhe hakmarrjes, dhe vunë shpresët e tyne në drejtësi…që i mashtroi randë! Qendrimi i tyne ashtë nji traditë e madhnueshme për breznitë e ardhme!
Ideologjia në përgjithësi, siguron nji lloj legjitimiteti, dhe mundëson për sundimtarët dhe sherbëtorët e tyne (aparatçikët) nji atmosferë ku ata mashtrojnë veten. Eksperienca e kalueme në Shqipëri na mëson se nuk duhet të harrojmë kurrë aftësinë tonë për vetë-mashtrim. Edhe në Shqipëri, komunizmi nuk lejoi artikulimin publikisht të aspiratave të përbashkëta. Spastrimet e njimbasnjishme dënuen të vërtetat e mohueme zyrtarisht. Vaclav Havel e cilësoi këte gjendje si “…mjedis moral i shkatërruem”. Prandej në vitin 1989, fjala kryesore ka qenë: “E vërteta do të fitojë!” dhe kjo e vërtetë nuk duhet të vritet as në vendin tonë. “Në fakt, rregjimet komuniste mbijetuen me tehun e shpatës, dhe vdiqën nga fjala e vërtetë”(T.G.Ash). Por në Shqipëri, me ramjen e “Monarkisë së kuqe” fatkeqsisht, “monarkët e kuq” mbijetuen, dhe ata akoma e luftojnë këte të vërtetë!.
Faktori paqësor mbetet për mue nji element etik i dorës së parë. Personalisht e kam përkrahë që në fillim, sepse ky faktor tregonte edhe rrugën që duhet të ndjekim në politikë. Fillim paqësor, zhvillim paqësor, atmosferë përfundimtare paqësore. “Ata që fillojnë me helm kundër Bastille-s përfundojnë me ndërtimin e nji të reje për veten e tyne “(Adam Mishnik) Ky qendrim bindi udhëheqsit komunistë me dialogue pa përdorë bajonetën.
Sot mundësia e “fitores me bajonetë” ashtë andrra e të smurëve! Mbetet vetëm dialogu demokratik, pa presion, pa kthye Qeverinë në nji detashment të thjeshtë të “pozitës sunduese”. Në konditat e sotme, vendi i jonë gjindet në nji situatë që shembullon monarkinë ma shumë se nji demokraci parlamentare. Sot kemi nji Kryministër që ka mundësinë me u ba nji diktator i vërtetë me përkrahjen e atyne që mbushin rradhët e institucioneve tona legjislative e ekzekutive. Ma shumë se gjysma e Kuvendit janë anëtarë të zgjedhun me gisht nga Kryministri dhe të “aprovuem” nga votuesët që as i njohin fare kandidatët. Me nji Kuvend të këtill, mund të kalohen ligjë që i përshtaten vetëm “Kryministrit”. Opozita ashtë e pafuqishme me e ndalue, dhe ka zgjedhë rrugën ma të gabueme: abandonimin e Kuvendit, i vetmi forum ku flitet lirisht dhe mesazhi transmetohet për ata që duen ta ndigjojnë. Uroj që kjo eksperiencë të mos përsëritet!
Presidenti, teorikisht arbitri final i Shtetit, ashtë emnue nga Kryministri, dhe ka arsye me besue se nuk do të kundërshtojë Kryministrin në veprimet e tia, megjithëse natyra e tij e fortë mund të na vejë para situatash të pa parashikueme. Gjykata Kushtetuese varet në nji masë të madhe nga anëtarët e emnuem nga Kryministri dhe të aprovuem nga Kuvendi i kontrolluem prej tij. Pavarësia e tre pushteteve në demokraci ashtë damtue randë!
Nji skenar i këtill pesimist mund të jetë edhe nji pamundësi në zemër të Europës demokratike. Por shembujt e Polonisë, Hungarisë, dhe Sllovakisë tregojnë se devijime të padëshirueshme mund të ngjasin edhe sot në ish vendet e Kampit Sovietik, devijime shumë të damshme për Shqipërinë dhe demokracinë e saj të brishtë, në nji kohë kur kemi “dy fronte të ndame nga barrikadat: ajo e “elitës” politike- pozitë/opozitë, dhe ajo e popullit të lodhun nga “politika e ditës” shkruente nji vrojtues i vemendshëm. Sot, tranzicioni i pafund “demokratik”në Shqipëri ka prodhue korrupsion, e cinizmin e partive politike, populizëm mashtrues, ndërsa presioni i kapitalizmit pa fre po kthen qytetarët në konsumatorë të thjeshtë. Pa qytetari, vendi i jonë kthehet në nji turmë robotësh të drejtueme nga nji qendër “kompjuterike” të manovrueme nga “specialistët” e njohun publikisht si “elita politike e vendit”. Ky “boshllek” i rrezikshëm duhet mbulue nga forca koshiente të situatës – nji elitë patriotike, demokratike dhe profesionale!
Nga zhvillimet e 27 viteve të fundit del e qartë se qeveritë e njimbasnjishme nuk kanë synue ngritjen e nji “Shteti” funksional, i sunduem nga ligji dhe jo nga individi. Këto qeveri janë përqendrue në krijimin e legjoneve përkrahësish të bindun, ose të “bindun” ideologjikisht, si dhe spekulatorë që përfitojnë nga forca brute e Shtetit që ata mbështesin. Rezultati ashtë dalja në skenë e nji “shoqënie të nënshtrueme”, jetët e të cilëve janë lehtësisht të kontrollueme dhe të drejtueme nga nalt. Ky mentalitet ka përfshi çdo sektor të jetës politike të sotme në Shqipëri. Para nji situate të këtillë, patriotët e vërtetë që duen vendin dhe popullin e tyne, demokratët e sprovuem pa dallim ngjyre, dhe profesionalët e mirënjohun, duhet të ngrejnë zanin, dhe të marrin inisiativën për ndryshime thelbësore!
* * *
E para: “pushteti legjislativ”: Shqipëria ka nji Kushtetutë e cila sanksionon pavarësinë e tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pushteti legjislativ ashtë Kuvendi i “sovranit” popullit të lirë; si rrjedhim Kuvendi ashte organi ma i naltë i Shtetit. Zgjedhjet e lira dhe funksionimi i tij lirisht janë esenciale për jetën demokratike të vendit.
Kjo nuk ashtë sot në Shqipëri! Deputetët e Kuvendit nuk zgjidhen nga populli, por nga krytarët e partive politike respektive, në bazë të nji “marrëveshje” të turpshme të dy partive krysore. Deputetët nuk votohen si personë e pranueshme nga elektorati që shpesh herë nuk i njeh fare, por si “element partiak”, anëtar i nji liste të formulueme nga “Partia” respektive, nji procedurë jo-demokratike që na e kemi përjetue në monarki dhe në komunizëm. Kandidati për deputet nuk spjegon programin, bindjet, dhe planet e tij me ndihmue zhvillimin e zonës që përfaqson. Çdo deputet në Kuvend voton me karton simbas udhëzimeve të marruna para se hynë në sallë, dhe pranon antagonizmin e detyrueshëm ndaj “kundërshtarit”, që nuk ashtë tjetër veçse nji vëlla ose nji motër që mendojnë ndryshe. Ky ashtë nji turp, nji krim, dhe duhet ndryshue menjiherë- hic et nunc!
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duhet të baj përpjekje me qenë “kulmi i arsyetimit politik dhe i elokuencës”(Lord Acton). Kjo arrihet vetëm me elementë politikisht të përgatitun dhe të arsimuem, “nji aristokraci të virtytit-inteligjencë dhe karakter” (Th.Jefferson), të zgjedhun lirisht e direkt nga vetë populli, pa privilegje. Pushteti legjislativ mbetet në duert e këtij Kuvendi të Republikës, përfaqsues direkt i popullit të lirë e sovran.
Nji skenar i këtill deputetësh të lirë pakëson shumë mundësinë e ramjes në autoritarizëm.
E dyta: pushteti ekzekutiv: Presidenti dhe Qeveria, i pari i zgjedhun direkt nga populli në votime të lira, dhe i dyti i emnuem nga Presidenti, dhe përgjegjës para Kuvendit të Republikës për aktet e tij, si dhe për programin e zhvillimit të vendit. Nji Qeveri e këtillë respekton me rigorozitet Kushtetutën dhe ligjët e vendit, ndërsa dikasteret drejtohen nga persona të kualifikuem, me përgatitje dhe eksperiencë.
Flitet shumë për ideologjinë “socialiste”. Në fakt, ky përcaktim ka humbë randësinë e vet në mentalitetin e përgjithshëm. Me mbarimin e L2B, masat e gjana që luftuen kundër nazismit e sakrifikuen, kërkuen nga qeveritë e tyne reforma që do të sigurojshin nji jetë ma të mirë mbas Luftës dhe nji siguri ma të madhe për të ardhmen e tyne. Ndërhymja e “Shtetit” u ba e domosdoshme edhe për vendet konservative si Britania e Madhe.
Sot “socialist” don të thotë reformator jo-radikal, por me theks në emancipimin e klasave të vorfëna dhe me synimin e ngritjes së tyne në nivelin e klasës së mesme. Socializmi ashtë reduktue në nji lëvizje që ideologjikisht nuk ka përsëri forcë vitale qoftë edhe për vetë masat punëtore. Reformat europiane e kanë zevendsue në shumë aspekte të veprimtarisë. Ish MPJ gjerman Joshka Fischer spjegon:” Sot, kur kemi nji kombinim të demokracisë, sundim i ligjit dhe shtet kujdestar, mund të themi se shumica e europianëve janë gati të mbrojnë këte kombinacion”.
Njikohësisht, socializmi akoma na kujton tmerrin sidomos të komunizmit primitiv të Shqipërisë së mbas L2B, edhe pse militantët nuk pranojnë as me ndryshue emnin, “komunistë të dështuem”. “Socializëm, emën mashkullor” shkruen B -H.Levy, “ nji lloj zhanri kultural, lindi në Paris me 1848 dhe vdiq në Paris me 1968”. Tashti flitet ma shumë si “qendra e djathtë e qendra e majtë” sepse asnjena nuk kërkon të largohet nga moderacioni i qendrës. I pamë nga ky spektër, organizimi ekonomik i vendit, nga të dy partitë e mëdha, nuk paraqet nji ndryshim të madh.
Natyrisht, ekonomia ashte ajo që siguron bukën e gojës. Gjendja e saj kushtëzon zhvillimet sociale, si dhe arsimin, kulturën e artet në vend. Pikësynimi i përgjithshëm ashtë me ngritë klasën që varet në ndihmën e Shtetit në nji klasë ku secili ashtë i pavarun nga Shteti. Kjo pavarësi rritë dhe forcon “klasën e mesme” shtylla kryesore e çdo shoqënie të lirë.
E treta: Elita natyrore, ashtë ajo që vendi i jonë ka shumë nevojë; nji grup i shëndoshë qytetarësh që nuk kërkojnë karrierë, por udhëhiqen nga dëshira me sherbye nji kauze të shenjtë, siç ashtë kauza kombëtare e popullore. Unë i quej “patriotë”- të gjithë ata që duen atdheun dhe sherbejnë me devocion, të gatshëm me sakrifikue për mbrojtjen dhe përparimin e vendit. Kjo kategori patriotësh gjindet vetëm aty ku ka qytetarë të lirë dhe në nji shtet të lirë e të sunduem nga ligji.
Duhet të pyesim qytetarët cili ashtë vizioni i tyne, dhe nga këto vizione të nxjerrim përfundimet tona që duhet të jenë esenca e mendimit tonë kolektiv, dhe origjina e ngritjes sonë qytetare. Cili ashtë vizioni i kombit shqiptar në Ballkan, në Europë, në Botën e Lirë, sot në shekulin 21?
Kjo ashtë pyetja krysore që përballojmë sot në hymje të shekullit të dytë të Pavarësisë sonë kombëtare. Përgjigjja e kësaj pyetje ashtë nji imperativ kategorik, korrektësia e së cilës do të përcaktojë fatin tonë të paktën për nji shekull…e ndoshta për jetë!
—
* Pedagog në pension.