Mjeda pas 80 vitesh… heshtja nuk ka vend…!

0
866

Nga Përparim KABO

U mbushën plot 80 vite që Ndre Mjeda nuk jeton… Ishte 1 gushti 1937, kur u fik në Shkodër… Ndokush do të thotë: “Ah, ah ai poeti i ‘Vajit të Bilbilit’… Ai prifti poet” dhe mund të ikë nga ngjarja dhe kujtesa si pa të keq… Ka punë ndoshta, ose e ka të mbushur skedën e mendjes me të tjera të dhëna, shumë më “serioze”. Po e lë në ikjen e tij… Unë po ndalem të them ato që ndjej dhe që besoj se duhet të ketë si dinjitet, edhe respekt ky përvjetor. Fillimisht po ndez një qiri të madh për këtë mendje të ndritur dhe shumëplanësore.

Tek e sheh të heshtur në foto thua, po kush është ky? Të lutem fol, shprehu, thuaj diçka për të sotmen tonë, për Shqipërinë, për kulturën, për traditën, për historinë. Thuaj diçka që të shpërndash mjegullën, të davaritësh keqkuptimet dhe shtrembërimet që janë aq të kudotakuara sot. Thuaj diçka o njeri që të kuptohet se sa shumë padije dhe dije-kallpe qarkullon ndër ne. Ndalu Dom Mjeda atje te poezia jote lapidare “Vorri i Skënderbeut” (varri i Skënderbeut). Nga ai hon po mujte Ndre shqyptari na i nis mësimet sepse edhe pas kaq kohësh edhe në vorr ka që nuk e duan Skënderbeun. Ndre Mjeda, në vazhdën e Rilindjes ngriti lart figurën e heroit kombëtar, si simbol bashkimi dhe burim besimi në fitore. (“Vorri i Skanderbeut”, “Shqypes arbnore”, “Bashkonju”, janë disa nga poezitë e tij të hapura të këtij karakteri dhe të pathosit atdhetar).

Le të shohim më nga pranë se si e nxjerr identitetin shqiptar Mjeda në poezinë e tij. Fillimisht le të këqyrim gjuhën. Si atdhetar dhe filolog, ai nënvizon se kudo që të jesh dhe çfarë do gjuhe që të mësosh e sa do mirë që ta zotërosh atë, mendimi vjen nga brenda në gjuhën e mëmës, s’ka shteg tjetër. Muzikaliteti dhe aroma e saj tejkalojnë gjithçka. Kudo që të shkosh në për botë, malli dhe dhimbja, lotët dhe brengat janë në gjuhën amtare. Duke pranuar shumësin e gjuhëve, kontributet e tyre kulturore dhe nevojën që ka njerëzimi dhe individi për to, në një dashuri të paanë Mjeda te poezia e tij “Gjuha Shqype” nuk ndalet të shkruajë për gjuhën shqipe si… “si diell pa hije/për mua t’tanave iu del”. Edukimi patriotik realizohet përmes historisë së treguar dhe ai zë vend tek njeriu sajë gjuhës së popullit tënd. Vetëm falë saj historia rrëfehet ashtu e plotë, e qartë dhe emocionale. Strofa kulmore në këtë poezi është ajo që shpreh unitetin kombëtar përmes gjuhës dhe mënjanimi i çdo ndarjeje dhe dallimi, përjashtimi apo urrejtje.

“Gek’ e tosk’ malsi jallia
Jan’ nji komb m’u da s’duron
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith na bashkon…

Ky studim historik që tejkalon vargun dhe që pasohet me strofën tjetër, ku autori paralajmëron mallkimin për ata që me veprime të mbrapshta dhe me shkrime keqdashëse nxisin pështjellim, shtrembërime, keqkuptime dhe falsifikime e ngre lart figurën e Mjedës. Gjuha na bashkon, kjo është kambana që edhe pas 80 vitesh pa Mjedën, duhet ta dëgjojmë të gjithë. Debatet e hapura për dialektet, për standardin dhe standardin e ri, për nevojën për rishikime dhe për korrigjime, pa dashur t’u dalë kundër, përkundrazi duke shprehur mbështetjen time që këto tema duhen diskutuar, tërheqin vëmendjen, po ku porosia e Mjedës duhet të jetë udhërrëfyese. Gjuha na bashkon të gjithëve si shqiptarë. Dashuritë e pjesshme janë gjithnjë të gabuara. Por edhe gjuhëtarët mos të mbeten peng të ideve të ngurta. Sa e bukur është gegnishtja, sa muzikale, sa bukur shkruhet dhe sa melodioze shpërfaqet kur e ndërton fonetikën tingëllore të fjalës. E adhuroj, paçka që më origjinë dhe me AND jam jo nga veriu, jam jugor e më thellë akoma.

Mjeda aso kohe për çka nënvizon dhe që ka vlerë edhe sot, në çdo rrethanë e lidh ekzistencën e atdheut me gjuhën. Sot jemi shtet i pavarur, me institucione dhe me liri të fjalës, aq sa e kemi dhe se si e kemi. Shqetësim mbetet identiteti. Në globalizmin e asaj kohe Mjediane, vendin dhe popullin e rrezikonte zhdukja fizike, asimilimi zhbërës. Historia ka provuar se ka popuj dhe gjuhë që kanë humbur, janë shuar dhe fosilizuar, aq sa nëse për efekt studimi apo interesi gjithfarësh përpiqesh të merresh me to, mund të paragjykohesh se je duke shpenzuar kohën me dogjana pa vlerë. Në fakt, nuk është ashtu. Me gjuhët e humbura kanë humbur të dhëna konkrete, për epoka, histori, ngjarje, kontribute. Duke i ringjallur qoftë edhe për efekte studimore është e mundur të bëhen krahasime, të nxirren në dritë-lidhjet, dallimet, ndërthurjet, vjetërsitë, ndihmesat dhe pengesat, të kuptohen fillesat dhe bashkëpunimet, të identifikohet se ç’është filluese dhe çfarë e përftuar falë bujarisë prej tyre.

Shqipja është në këtë kuptim jo vetëm pasuri kombëtare, por botërore, nuk e di nëse një ditë dikush apo disa do kujtohen që të merren më seriozisht me të. Me origjinën, kontributet, filozofinë dhe lashtësinë e saj. Globalizmi i sotëm është po aq i rrezikshëm me deidentifikimin dhe ndërtimin e komunikimit me gjuhë globale dhe me mjete të simbolikës dixhitale, aq sa në një studim tërhiqte vëmendjën se nëse edhe buzëqeshjen do ta nisim me SMS si ikonë, do harrojmë të buzëqeshim duke i privuar njeriut dhe njerëzimit një nga kënaqësitë më të mëdha dhe më të nevojshme. Gjuha shqipe është pasuria më e madhe që kemi, por edhe amaneti më i madh. Lojërat me të dhe ngjyrja e saj më hojna dhe me copëza fjalësh të huaja, keqpërdorimet në shkrime dhe mjetet audiovizove janë krime të rënda. Lexon sot dhe dëgjon njerëz të pandërgjegjshëm që sillen me shqipen më keq se më një hdhurinë. Ndalni kokëbosha! Ndalni të pagdhendur apo modernë dalëboje! Pa dëgjoni së paku sot Mjedën çfarë shkruante!

E njat tok’ që je tue gzue
e ke zan ’tash sa mij’ vjet
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet

Sa kumte ka kjo strofë?! Toka është mijëvjeçare, je autoktonë shqiptar, nuk je i ardhur, je në trojet e tua shqiptar. Të jep shpirtpezullim fjala “zan…” “e je zan…”. Dhe më vjen në mendje shpjegimi i studiuesit të shquar, Petro Zheji, në veprat e tij për ezoterizmin e shqipes me atë pasuri të rrallë të homonimeve, sepse në një rast merr si shembull pikërisht fjalën ‘zë’ ‘za’, ose ‘zën’, ‘zan’… dhe në një hark dalë nga qendra e simbolit tregon se si kjo fjalë merr shtat-tetë kuptime në gjuhën shqipe, çka nuk ndodh me gjuhë të tjera. Kumti Mjedës se “nëndheu flet shqip”… është një kushtrim i butë, që rrëzon edhe sot përtacinë e shumë akademikëve që janë të dashuruar me tabutë, ndaj edhe tremben të hyjnë në portat e mëdha të dijes ku studimet primordiale për shqipen, për simbolizmin dhe algoritmin simbolik të saj, si edhe për aforizmin filozofik të shqipes janë materie provepruese, që i bëjnë nder atij apo atyre që i/u qaset/qasen dhe ka/kanë kurajën ta studiojnë. Gjithkush që ikën nga kjo përgjegjësi nuk frigon askënd, veç hijen e vet, që edhe ajo ka kohë që ka nisur t’i shkurtohet pa i marrë leje të zotit.

Trinia kushtruese e Mjedës është Gjuha-Atdheu-Liria. Tek poezia “Vaji Bylbylit” ka vargje shumë të ndjera, por dua të vë në pah disa ide që më bëjnë të ndalem më shumë se ana artistike apo ajo estetike e poezisë apo vargut të tij.

Kafaz ke qiellin…
Epshin pengim
E gjith’ ku t’rreshket
Shkon fluturim…

Paçka se poezia ka një ngarkesë të një simbolizmi natyralist dhe romantikën e kohës të shekullit XIX, nuk është e vështirë që nën varg të lexosh dhe filozofi. Pse për Bylbylin, atdheu ka si kafaz qiellin? Pse jashtë atdheut edhe nëse je bylbyl, je në kafaz? Ja këtë porosi e paska lënë edhe Mjeda kaq paqtë dhe kaq qashtër. Në atdhe kënaqësia mund të pengohet vetëm nga një lloj teprimi (epshin pengim)… përpos kësaj, pengesa që duket etike gjithçka është liri, je ti dhe atdheu yt. Tek poezia “Liria”, Mjeda është më i drejtpërdrejtë, kushtron dhe bën thirrje për liri pa bërë as edhe një rregullim hapësinor, sepse gjeografia e lëvizjes është e tillë, që përfshin trojet etnike. Liria e tij me një pathos natyralist nuk ka askurrëfarë panteizmi. Stili i tij është peisazhist dhe me dimensione epike. Të duket si një orakull i verbër, që këndon në lahutë ose thjesht në zë për të dhënë kushtrimin. Ai hyn maleve dhe grykave, rrjedh me ujërat dhe fle e zgjohet me malësorët dhe me epikën e detyrimet historike.

**

Mjeda nuk mund të kalohet në heshtje, sepse nuk mund të heshtë vepra dhe aktiviteti tij. Ndre Mjeda, poet i shquar dhe veprimtar e patriot. Lindi në Shkodër nga i ati, Jakë Zefi (Kryeziu) dhe ëma Luçije (Dominika) Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita, ndërsa e ëma nga Malcit e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift.

Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan, Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Në fillim ndenji tre muaj, në pranverën 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Kur shikon jetën e tij dhe sjell në mëndje anatemimin që sociorealizmi dhe ushtarët e tij u bënë jezuitëve dhe veprës së tyre gjatë periudhës së diktaturës komuniste, e kupton se nuk është fjala për njerëz dhe fate, por për historinë tonë kombëtare dhe sjelljen ndaj saj. Eh sa gjynahe ka mbi shpinën e ndërgjegjes së gjuhëve të helmuara, që shërbyen ndaj sistemit dhe jo ndaj atdheut dhe dinjitetit të tij dhe sot qahen e ankohen si të lodhur nga fati.

Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip nga fundi viteve ‘80-të të shekullit XIX, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887 në broshurën “Scahiri Elierz” (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha “Vorri i Skanderbegut”. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga pena e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij, Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë “L’Arpa di un italo-albanese” (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq qartazi ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.

Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha mësime muzike në kolegjin “Marko Xhirolamo Vida” (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje dhe në Soresina ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888, Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij “La vita et sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 botoi “T’perghjamit e Zojs Bekume” (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanjishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tri vëllime, “Historia e shenjtë” dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).

Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës “Gjuha shqype”, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit “Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë, Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689).

Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.

Personalisht si autor i këtyre rreshtave nuk e di dhe as që dua ta di nëse institucionet tona i kanë dhënë ndonjë dekoratë këtij mendimtari dhe shqiptari të shquar. Unë e di me siguri që Dom Ndre Mjeda nuk ka nevojë për ne, ne dhe ardhmja jonë kemi shumë nevojë… për të!

Dom Mjeda, një meshë pendimi do kisha dasht’ me e thir’ sody për Ju!

Amin!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar