N’DAÇ

0
983

N’DAÇ

Lola Musliaj Agaj

Lexoji kur t’ kesh kohë
këta rrjeshta që presin me u ledhatu prej teje,
n’ daç lexoji me i pas si udhërrëfyes
në ditët e tua mâ t’ trishta,
e me t’ bâ shoqni nën neonët e fikun t’ shpresës.
N’ daç lexoji kur t’ jesh vetëm,
në netët mâ t’ ftofta t’ dimnit e të tuat,
kanë me t’ kuptu e ke me i kuptu,
e afër oxhakut kanë me t’u duk shoku yt mâ i ngushtë
e lotin e nxehtë kur t’ bijn’ as s’ke me e diktu.

E kur mos t’ jesh mâ pjesë e udhëve t’ mërzisë
e rrugicat e errëta t’ saj s’ke me i shkel as pa dashtë si dikur,
e kur i pushtuem t’ jesh prej shkëlqimit e euforisë,
s’ke me pas mâ kohë për vargje t’ mijat, e di.
Por n’ daç e n’ mundsh,
lexoji tash që je n’ kohë,
në fillim me mendje,
e mbrapa lexoji edhe nji herë tjetër me zemër,
e mos m’i shkel me kâmbën e cinizmit,
se n’ ato rrjeshta âsht krejt bota eme….
@L.M.

…shkeputur nga vellimi im poetik “SHPIRT I DYZUEM”

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar


Cikël me poezi nga Lola Musliaj Agaj

Mashtrimi i rradhës

Edhe sot mendja
i sajoj zemrës nji mall t’ rremë,
e ajo rrehet mas këtij malli
që s’din as se nga i vjen,
mas nji malli që asht
pa emën, pa zà, pa ftyrë,20160204-lola.jpg
Lola Musliaj Agaj

nëpër skuta t’ shpirtit endet
e rahatshëm zen vend pa t’ pyet.

E çdo skutë të tij ta ndryshon
përditë nga pak pa u ndij,
t’i manipulon lotët, buzqeshjet,
deri te ma i fundmi ind,
e Ti i hap e i mbyll sytë
ma n’ fund me e njoft këtë mall,
por ky s’asht tjetër veçse mashtrimi i radhës
që mendja dinake i ban zemrës s’ ngratë…

ERËS

Veç Erës du me ia besu fjalët e ndrojtuna,
e t’ thana përgjys nën zà,
e di, ajo ka me ditë si me i trajtu,
mes përkdheljesh t’ ngrohta,
lamshin n’ fyt ka me ia liru.

Veç Erës du me ia besu fjalët e randa,
t’ nigjume e t’ panigjume,
e di, ajo ka me ditë si me i trajtu,
ka me i mbyt e stërmbyt n’ detin e fajit,
mes tufanesh e furtunash
ka me i përplas gurë m’ gurë .
E ndër fasho t ‘dhimjes kur plagët t’i lidhin,
e veten n’ pasqyr s’kanë me mujt me njoft,
e çdo minut kanë me bërtit prej zorit,
mos t’ kujtojnë se keq ka me i ardh ndokujt.

E ti Erës s’ke me lëviz, ke me u kthy n’ statuj,
s’kan’ me t’ prek ma ankimet boshe,
me heshtjen tande fisnike,
sa me njiqind fjalë ke me i dënu.
Athu po t’i trajtosh njisoj moj Erë
a ka me iu mësu veshi dikur,
me shenja përgjatë shpirtit e trupit
syni, athu, a ka me iu mësu ma n’fund??!!!!

E un’ ndërkoh po e marr veten me t’mirë
po e shijoj këtë spektakël t’ natyrës,
e me zanin tem aspak t’ stonuem,
po mundohem t’ia këndoj vetes nji ninullë…

N’KËRKIM

M’ shkoj tanë jeta n’ kërkim t’ vetvetes
e ndoshta s’po e gjej se po gaboj
aty ku s’duhet vazhdoj me e kërku,
tana andrrat ia besova kësaj jete
e kjo koprace s’ bani asgja për mu.

Ia fala buzqeshjet e lotët e mi
ia besova të mijat shqetsime,
por ajo ngriti veç mure e bani sikur s’ nigjon,
ndërsa unë dorën e paqes i shtrija
ajo çdo ditë n’ luftë pa m’ përfill m’ ftoj.

Ngatrrohem ndër rrjeta t’ natës si ai peshku pa ujë
n’ kërkim t’ vetvetes e t’ nji jete që çdo gja i fala
e pres të m’ trajtoj nji herë si mike,
e jo si armike t’ asaj jete
që aq shumë e deshta…

TI MA KE FAJIN

Ti ma ke fajin,
të m’ kishe tregu që “largësi” domethanë “vuetje”,
para se me m’ shpërnda nëpër botë,
të m’ kishe tregu që klandestin kanë me m’ qujt’ ,
e mrapa pa ndà veç “i huej”.

E sa herë ta hedhësh hapin,
ka me t’ dhimt n’ shpirt ,
e për çdo hap të hedhun para,
ka me t’ardh nëpër mend
me i hedh mrapsht dhjetra t’ tjerë përditë.

Të m’ kishe tregu që kan’ me m’ thanë:
Ku shkon o i huej?! A s’të mbajti dheu jot?!
Që për pragun e shpis mall kam me pas ,
për gurët e oborrit e pemët e bahçes,
për baltën, aromën e frymën tande.

Të m’ kishe thanë se m’ don e kurrë s’të kisha lanë,
e tash vazhdojm me e vra njani-tjetrin prej larg,
Ti me heshtjen tande e unë me nganji varg.
Por prap s’mundem me t’ majt inat,
s’e di për ty, por unë të du njisoj, pa hile,
me dashnin’ e kristaltë të nji fmije…

NJI LUTJE

Ti, Han’ e plotë,
Mretnesh’ e natës,
Ti që sheh e nigjon gjithçka prej nalt,
e i msheh tana n’gjinin tand,
si fmija dikur n’zgavrën e noj drunit,
nji lutje kisha për ty këtë natë;
me dritën tande aq t’fortë
mos me na e vra ma gjumin.
Se sa kujtojm se na rrejti veç pak,
e mes qerpiksh na ngatrrohet noj andërr,
për fajin tand po na thehen e bahen copash
pa prit e nesermja me ardh.

E Ti ndihesh i pafuqishëm si dikur fmij
kur lojnat tu thejshin nëpër duer pa u ndij,
e n’ budallëkun tand,
njanën mas tjetrës çohesh me i mbledh,
e n’ at rrumujë mundohesh noj send me saju,
por kot lodhesh,mbi themele t’ rrejshme
me ba kala kërkush s’ka mujt.
Masi gjumin ma vrave sonte,
du me t’ nigju moj Mretneshë veç ty,
heshtjen e t’ pagjumëve e t’ tokës
sa bukur ke me ditë me ma përkthy.

SIKUR T’ISHA DJALË

Sikur t’ isha djalë,
këtë botë të ndyrë ta përmbysja,
nën armën e fjalës së lirë
vazhdimisht nën shënjestër t’i mbaja
sharlatanë dhe hipokritë,
e me plot dëshirë të shkelja
të gjitha tabutë e rregullat
e pashkruara të Tempullit – Fjalë,
pa u merakosur kur do më shtypë
pesha e paragjykimit nga faji
i të qënurit thjeshtë Femër,
nga ata që më të fëlliqtë
se vetë fëlliqësia janë.
Sikur t’ isha djalë,
të shijoja lirinë e fjalës,
e jo këtë liri të rreme
që dergjet në autocensurë,
e në pranga pa gjyq
prej të tjerëve vihet përditë.
Një libër udhëzimesh më duhet
të më mësojë si ta kaloj ylberin,
e veç një herë të vetme
të gjindesha në anën tjetër,
jasht’ mantelit -Femër
që kaq ngusht’ po më rri,
Edhe sikur të ishte
e fundmja gjë mbi këtë dhë,
veç të shihja Botën jo prej lart
por sy më sy,
lartësia e takave
ka filluar të më bezdisë…

BOX: Lola Musliaj Agaj u lind në Tiranë më 03/04 /1974. Rrjedh nga një familje intelektuallsh ku babai (me origjinë nga tropoja) ka qenë oficer dhe mami mësuese muzike (nga Fushë-Kruja). Tani janë në pension. Pas shkollimit fillestar ka mbaruar të mesmen pedagogjike “Shejnaze Juka” për anglisht, në Shkodër. Po në Shkodër ka kryer studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi” (dega anglistike, për gjuhë-letërsi me korrespondencë). Ka qenë mësuese e anglishtes për 2 vjet, e më vonë është larguar me familjen jashtë shtetit. Jeton dhe punon prej shumë vitesh në Itali, së bashku me familjen (burrin dhe një djalë). Ka botuar një libër me poezi: “Kimera Gote” në Shtëpinë Botuese “Mizgu” (Tiranë 2015). Gjithashtu ka botuar poezi herë pas here në gazetën “Muzgu” duke qenë e përfaqësuar me pozitë e saj në 4 antologjitë e kësaj Shtëpie Botuese.

Postoi Baki Ymeri