Avdush Canaj
Sot është 65-vjetori i lindjes të poetit dhe atdhetarit ALUSH CANAJ. (U lind më 24 gusht të vitit 1952 në fshatin Koretin të Kamenicës.) Sikur të ishte, në këtë ditë, familja, të afërmit e tij, shokët, miqtë, do t’ia uronin ditëlindjen me urimet më të mira, me shprehjet e zakonshme: Edhe shumë vite të lumtura! Fëmijët e tij që do kishte, do ta përqafonin fort: Urime, Baba! Të paçim gjithmonë! Por nuk e lanë të mbërrijë në këtë përvjetor, në këtë ditë lumturie. UDB-ja me cerberët e vet dhe informatorët besnikë, e vranë në lulëzimin e jetës së tij, ende pa i mbushur të njëzetat. (Akti makabër ndodhi më 15 shkurt të vitit 1972.) Kishte vetëm 19 vjet e 6 muaj e 9 ditë. E vranë sepse vargjet e tij po ia prishinin terezeninë çanaklëpirësve të Serbisë, shërbëtorëve të verbuar të Titos, që na pinte gjakun si ushujzat.
Ia morën jetën me gotën e helmit që të mos këndojë më për Nënën, nga e cila na kishin ndarë pa të drejtë, dhe ai, në atë kohë, kërkoi të takohet me Nënën e vet, të çmallej sepse e kishim Nënë dhe kishim dalë nga shpirti i saj. Ai i tha Beogradit, Qytet i Zi. Qytet Korb. I tillë ishte për shqiptarët (dhe është edhe sot) ky qytet. Tha një të vërtetë, me guxim e tha, por i lëndoi në shpirtë ata që e donin shumë Beogradin dhe ishin miqësuar me të. E vranë Alushin, e vranë poetin, por këngën e tij ,nuk mundën, ajo është, jeton edhe sot. Do të jetojë edhe nesër, edhe pasneser, sa të ketë shqiptarë në këtë rruzull tokësor.
Shikoni foton e tij, sytë e tij sikur thonë: Sonte, për ditëlindjen time, tek yjet, mbahet një orë letrare! Sonte, në 65-vjetorin tim, do të jetë diçka interesante mes yjesh. Një tufë poezishë do të lexojë me miqtë e mi. Moderator i mbremjes do të jetë Beqir Musliu. Ai që në vitin 1992, në përurimin e librit tim” Valsi i veror”, tha pa i levizur qerpiku: Alush Canajn e vranë siç e vranë Rexhep Elmazin, Bajram Qerimin e të tjerë. Të tjerët u dridhën, s’guxuan të thonë asnjë fjalë. Asnjë. Ulen kokën tek këmbët. Edhe disa nga ata që sot rrahin gjoks e janë bërë ”patriotë.”
Sonte, me teleskopat e shpirtit, do ta përcjellim këtë ngjarje të madhe mes yjesh.
A.CANAJ
Sot, në ditëlindjen e tij po ua sjellim disa nga vjershat brilnate të këtij poeti që na la trashëgim.
ALUSH CANAJ
NËNA SHQIPËRI
Atje larg në veri
Nëna ime Shqipëri
Si ylber me shtatë ngjyra
Lule e çelur, më e mira
E kam dritë, e kam xhan
Korbat e zezë prej saj më ndanë
Oh, sa keq! U bubu,
AJO pas malesh unë këtu
Zog do bëhem të fluturoj
Nënën time ta takoj
Ta puth në faqe si dikur
T`i them në prehër : U bëra burrë
Ujq e dhelpra më vijnë pas
Dashuri e Nënës do t`i vras.
(1970)
ËNDRRA NË KRAHËT E ERËS
Fusha mbylli sytë,
edhe qielli
me këngë të kaltra.
Vrik erdhi gjumi
më çoi te lumi
era në breg
më mori mbi flatra.
Fluturoja fushës,
fluturoja malit
sikur me raketë!
Pyllthit me lulëkuqe
vizatova një mollëkuqe
n`pallat të zambakut
në katin e tretë.
Peshqit në det
më mësuan not
te i Dashurisë Kep.
As vetë nuk e di
si rashë në thellësi.
Kur më puthi nëna,
unë: sa një plep!
(1969)
HARABELI
Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregojnë kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as s` shkoj në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në token e lavdisë,
n’zemër të Ilirisë.
(1970)
SYRI I DIELLIT
Kur dielli mbi kodër
çel syrin i pari,
n’mal e fushë shkëlqejnë
lulja e bari.
Livadhit I qesh buya
nga këngët e sheqerta,
me vesë i stolisen
balluket e blerta.
Urojnë mirëmengjesin
yogjtë krahëlehtë,
në kopshte fillojnë
koncertet pa biletë!
(1967)