VIZITË NË VERMOSH DHE BURRI I MALËSISË, VESEL MITAJ…

0
1777

Shënime, nga një udhëtim mbresëlënës:

Nga: Ejup Krasniqi, Kiel, Gjermani

1.
U nisa nga Kosova me bshkëshorten time, Mrikën, nëpër Rrugën „Ibrahim Rugova“. Në pikën e kalimit, me një buzëqeshje domethënëse, kufitarët na shprehin mirëseardhje, nga Atdheu, për në Atdhe. Zbritëm ngadalë, „Rrugës së Kombit“, andej ku shpesh majat e kodrave puthin qiellin. Ndalemi në Rrëshen, për disa çaste, për të shkuar drejt Milotit. Vazhduam rrugën dhe kaluam Shkodrën, deri te rrethrrotullimi, për në Anë të Hotit dhe Vermosh.

Pranë rrugës, nën një hije, shohim një tufë dhishë, që mrizojnë nga vapa tropike. Rruga është rishtazi e ndërtuar. Anash saj, sheh aty- këtu, ndonjë shtepi. Jeta këndej nuk është dhe aq e lehtë. Shohim shtëpitë e shpërndara anash rrugës, shkëmbinj e thepa, të paprekur nga njeriu, që u bëjne roje, si të ishin ushtarë, të skalitur në gurë.

Bjeshkët fillojnë ngadalë e sigurt, me një ngulfatje përbindëshi.Aty-këtu, vërehet ndonjë kec ose dele. Me ngadalë e me nje siguri te madhe, kujdesen që mos po humbasin ndonjë fije dushku a bari. Ato, gjithashtu, mbledhin ato fije bari, të thara nga temperaturat e larta dhe thatësia e madhe e kësaj vere.

Më tej, kalojmë një rrugë gjarpërore, në trevën e Këlmendit. Nga ballkonet shihet e tërë krahina, një çast që të bën të ndjehesh, se je pjesë e qiellit dhe rrezeve të diellit. Përsëri, aty-këtu, shihet ndonjë shtëpi. Udhëtojmë një kohë të gjatë dhe nuk takojmë ndonjë banor të atyre anëve. Më ngjante se ishim diku, në një rrugë, të cilën e kishte „harruar koha“!

Por, kur shikon rrugën, rishtaz të asfaltur, përsëri të jep pak shpresë, se diku më tej, gjatë rrugës, ka edhe jetë. Në një kthesë kishin rënë disa shkëmbenj, të cilët largoheshin nga punëtorët e mirëmbajtjes. Ata na përshendetën, duke na uruar udhë të mbarë, pasi na liruan rrugën. Kështu, sikur u çliruam dhe u ndjemë më bukur. Një ndjenjë e brendshme na thoshte, se këndej qenka ende, jeta -jetë, e pa prekur nga ndytësit e kohës!

Duke i vështruar me kujdes këto pamje, Mrika më thotë se rrallë kishte parë një shkëlqim në fytyren time, sikur sot. Duke buzëqeshur, ia kthej se po shkojmë atje, ku miku im na pret me mendje, por nuk e dinte, se në çdo minutë po i afrohemi një caku, që i kam dhënë vetes.
Më tej, kalojmë në Tamarë. Aty, përsëri, bëjmë pak pushim dhe pijmë nga një kafe. Mrika ishte e magjepsur, ndërsa unë nuk flisja fare, po perjetoja bukurinë, që na shihnin sytë tanë.

2.
I afrohemi Vermoshit, pa u vërejtur fare. Një shënjë e vogël të bën me dije, se futesh në thellësinë e Veriut, të bjeshkeve në Vermoshin e mrekullisë natyrore. Në të majtë, shohim një shenjë, ku njoftohet për një bujtinë. Më tutje, në të majtë të rrugës, valon Flamuri ynë Kombëtar dhe ai Europian, Një shkallë të bën me dije, se aty kalohej mes nje druri binjak, në shenjë fitoreje.

Fusha ishte e mbushur plot me njerëz, që ishin shtrirë. Na bëri pershtypje dhe lexuam lart, „Restorant Natyra“. Po, po ai ishte caku im i vizitës Ndalova makinën, zbritëma ngadalë, duke shikuar të magjepsur, rreth e përqark. Bashkudhetarja e jetës sime, Mrika, sapo zbriti, foli: „Uaaaa, sa bukur!“, e magjepsur nga bukuria që e rrethonte Vermoshin.

Futemi ngadalë në lëndinën, ku ishin të renditura dhjetëra biçikleta. Dikush mund të pyesë: „Si ka mundësi, atje lart në Vermosh?“ Po, po ishin turistë çekë, që bënin pushimin e tyre, në trojet shqiptare, atje ku buka ka shije e uji pastertinë.

Futemi brenda e një djalosh na pret dhe na dërgon te Qershia. Pyes se a pret kjo shtëpi miq, në ato çaste. Nga një derë e kuzhines del Vasel Mitaj, burri i Malësisë e me hidhet në qafë, me lotë në sy. Ai shprehet, i habitur:“Nuk të kam pritur, o Jup Krasniqi, qe besa!?“ Lotët i rrjedhin nëpër faqe, një burri mbi të 70-tave. Më përqafon përsëri dhe më puthë dy faqet, me një: „Mirë se erdhe në shtëpinë tënde!“. T‘u them të drejten edhe mua me dolën lotët.

Ne nuk ishim parë asnjëherë bashkë, më parë. Por komunikonim tash 2 vite. Ia kisha dhënë fjalën, se do shkoja ta vizitoja, me çdo kusht. Vërtet, rruga ishte tejet e veshtirë, por tanimë isha para njeriut, që kisha shumë dëshirë ta shihja. Edhe pse i pashkolluar, ai kishte mësuar shkrim e lexim. Ishte njeriu, i cili ishte futur në historinë e malsisë së Vermoshit e më gjerë, me veprat e mirësisë, besës, nderit e burrërisë.

Nga e majta Drane Mitaj dhe Jup e Mrika Krasniqi

Ulemi dhe shikojmë rreth e perqark. Pas pak, vjen zonja e shtepisë, Dranja, që na përshendet e na uron mirëseardhjen. Shërbehemi me kafe dhe me rakinë më të mirë, që kishin në shtëpi. Ishte një ndjenjë, se me të vërtetë, këto çaste ishim në Atdheun tonë, aty ku ende shqiptari ruan traditën, nderin, respektin e burrërinë.

Çastet, me njeriun, si Vasel Mitaj e të shoqen, janë të rralla. Disi, me dukej se koha ikte tepër shpejt! Burri i Malësisë, tanimë, ishte përball nesh. Fjalet e tij të zgjedhura e të mençura, na mbetën ne shpirt. Na e rrembyen stresin e na futën në shpirt një ndjenjë, se përsësri ka njerëz, ndër ne, që i duan dhe i ruajnë, Komb e Atdhe, besë e burrëri. Në një çast, Vaseli më sjell librin „Rrugët e Jetës“, e shkruar nga ai vetë. Po, po, nga vetë ai edhe pse njeri pa shkollë, siç e thashë më lart.

Nga dëshira, kishte mësuar vetë shkrim e lexim dhe tani na kishte sjellë një libër të tij, me urtësinë e dashurinë për jeten dhe kohën, që jetojmë. Por dhe duke mos harruar traditën. Në këtë libër, lexuesi gjen atë, që ndoshta ka filluar disi te zbehet. Por këtu, të ngulitur e skalitur në mes rreshtash, shkruar me plot dashuri, në dialektin e malësorit dhe të qendisur me „plumbat e burrërisë“ e lulet e dashurisë , gjen besen e malësorit dhe respektin e konakut.

Bisedat tona vazhdonin dhe në tavolinë kishim specialitete vendore, të gjitha bio. Të tilla ishin, sidomos, llojet e ndryshme të djathit, mishi i qingjit, peshku i freskët e çfarë jo. Nuk e di si, por orekes nuk kishim, sepse shija jonë ishte zhvendosur në bisedat e Burrit të Mirë të Malsisë, Vasel Mitaj, me bashkshorten.

Pastaj, u ulëm lart, në Qershi, aty ku është edhe Bar-Restorant „Natyra“, një sensacion. Minatat dhe orët kishin ikur, si pa u kuptuar. Ishte afruar mbremja dhe ne do të largoheshim. Do të bënim përsëri një rrugë të gjatë. Se dëshironim që ta vizitonim çdo të Atdheut tonë, nga Veriu e në Jug dhe nga Lindja e në Perëndim.

Ndahemi nga Vermoshi, të magjepsur nga bukuritë natyrore. Shtërngojmë fort duart me një mik, me të cilin, vërtet, dua ende të jem aty. Se dëshirojmë të bisedojmë ende, të degjojmë përsëri fjalë burrash, fjalë të urta, këngë e poezi. Duke u futur në makinë, Mrika më fton që të lexoj, në një tabelë: „Ai, që nuk ka mundësi, konaku im u jep strehë e ushqim, pa shpenzime!“ Kështu shkruhet në derën e Restorantit „Natyra“, të malësorit mikpritës, Vasel Mitaj.

…Largohem ngadalë, rrugës për në Shkodër. Në mendje, përsëri, kishim mikun tim Vasel Mitaj, me të shoqen dhe mikpritjen e tyre. Ndoshta, për t‘u kthyer një ditë përsëri atje. Bukuria e atyre bjeshkëve, natyra e paprekur, uji që bubullon shkëmbenjëve, cicerrimat e zogjëve dhe, mbi të gjitha, mikpritja bujare e banorëve të Vermoshit, na bëjnë që ta duam Atdheun edhe me shumë.

– Mirupfshim, miku i mirë, malësor dhe bujar, Vasel Mitaj!

Gusht, 2017

Dërgoi për publikim, Murat Gecaj, studiues