Parlamenti terrorizues

0
606

Nga Musa Sabedini

A ka terror më të madh psikologjik e shpirtëror se sa kur sheh deputetë, liderë partish e institucionesh teksa krekosen, duke u munduar ta fajësojnë njëri-tjetrin. A ka më terror se sa të dëgjosh çdo ditë gënjeshtra në stilin: ”Ne i kemi votat” dhe ”Ata nuk i kanë votat”. Kjo sjellje neveritëse e kësaj garniture deputetësh, ku ka edhe të atillë që dyshohen se janë të përfshirë në krim të organizuar, korrupsion dhe terrorizëm, tregon për nivelin tonë si shoqëri dhe vetëdijen tonë të kufizuar si popull, për t`i votuar ata që më së paku i duhen Kosovës.

As që kam pritur, ose më shkurt, as që është pritur ndonjë cilësi nga kjo garniturë deputetësh. Vetëm nëse e shihni përbërjen e saj, do të vini në përfundim se aty ka deputetë të akuzuar për terrorizëm, krim të organizuar dhe korrupsion.

Çfarë mund të pres gjenerata e re prej kësaj shtrese politikanësh? Çfarë mund të presim ne të gjithë nga ky soj njerëzish me nivel aq të mjerë dhe aq dyshues në veprime e sjellje. Fjalori i tyre tregon nivelin tjetër të ulët të arsimimit. Aq më keq, kur kishim një fushatë të mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar, që të mos votohen ata që janë nën hetime apo të dyshuar për krim të organizuar. Doli e kundërta. Qytetarët, sërish votuan për këtë shtresë politikanësh (!).

T’i kthehemi çështjes kryesore, pse kemi një Parlament terrorizues dhe aq bllokues.

Bllokimi kaq i gjatë i formimit të parlamentit dhe qeverisë, ka një kosto të madhe si për qytetarët e Kosovës, ashtu edhe për institucionet kredibile. Kjo klasë politike po tregohet e paaftë dhe e papërgjegjshme për të qenë në funksion të shtet-ndërtimit dhe për të qenë pjesë e krijimit të vlerave evropiane shtetërore. Këta deputetë, pos që po bllokojnë veten, ata në të njëjtën kohë po bllokojnë edhe qytetarët. Kurrë më i dëshpëruar s`ka qenë qytetari i Kosovës, sesa sot dhe në këtë kohë.

Skena politike kosovare është çoroditur përfundimisht. Ajo tashmë është degraduar deri në pafundësi, sepse ky llum i politikanëve po tregon se interes të vetëm e ka shfrytëzimin e parasë publike dhe keqpërdorimin e pozitës së deputetit.

Aq shumë na e kanë topit trurin këta deputetë e kjo shtresë politikanësh, saqë është turp të merresh me ta. Kjo garniturë e komandantëve, kjo garniturë e njerëzve që fyejnë çdo ditë njëri-tjetrin, që tradhtojnë çdo ditë njëri-tjetrin dhe që për çdo ditë e mashtrojnë qytetarin, nuk i duhen Kosovës.

Kosova ka politikanë të kalibrave të ndryshëm dhe ka njerëz që janë në gjendje të punojnë për të mirën e shtetit, duke i anashkaluar interesat personale. Por, kjo gjeneratë, assesi nuk po mund të lirohet nga apetitet e sëmura.

As opozita e as pozita nuk kanë treguar asnjë fije moral e përgjegjësi para qytetarit. Llogariteni sa fondet dhe sa buxheti humb derisa vazhdon kjo bllokadë. Llogariteni sa projekte mbesin në gjysmë e sa telashe financiare sjell bllokada. As që paramendohet shifra e humbjes, por ajo që dihet është fakti se për këtë humbje askush nuk jep përgjegjësi. Nuk pritet që dikush prej tyre të tregohet parimor ose i sinqertë.

PAN-i ka vazhduar me muaj duke gënjyer publikun, duke gënjyer e stresuar qytetarët. Pse tërë kjo ndotje e trurit qytetar ? Pse tërë kjo dhunë psikologjike po ushtrohet mbi qytetarin? Ne kemi humbur mjaft shumë dhe sipas të gjitha gjasave, akoma do të humbim duke pritur.

Ne nuk e meritojmë këtë klasë politike dhe këta rrenacakë ordinerë. Po më vije turp edhe kur po shkruaj e që po merrem me një proces që po fundos çdo ditë Kosovën.

Pa përgjegjësi nuk janë as pjesa tjetër e cila nuk është treguar serioze në këtë proces, me përjashtim të Behgjet Pacollit dhe kohë pas kohe edhe Avdullah Hotit, të cilët kanë dhënë sinjale se Kosova është mbi të gjitha, e jo interesant klanore e partiake.