Nga Fahri Xharra – 15 Gusht 2017 – Konica.al
Nuk më kapi as malli e as lotët nuk më shkuan, kur për Atin e Turqisë lexova shumë. Aspak nuk u rrënqetha, sepse ai ishte me prejardhje shqiptare, e as që më bëri syri vërr sa i madh që ishte.
Çudi se si nga toka jonë dalin të mëdhenjtë, por janë të mëdhenj aty ku jetojnë. Kjo më ngacmon. Historia është mësuesja e jetës, jo vetëm për mua, por për ne të gjithë: edhe për shkrimtarin, poetin, kujdestarin e shtëpisë, atdhetarin dhe deri te burrështetasi ynë, apo burrështetasit tanë.
E lexova diku dhe më pëlqeu: “Pavarësia e Kosovës nuk është pronë e askujt. Nuk ka personazh më të rëndësishëm, ose më pak të rëndësishëm. Ishte një luftë gjithëpopullore. Ishte një vuajtje kombëtare.
Edhe unë jam pjesëtare e kësaj pavarësie. Si mendoni që pavarësia t’i atribuohet dikujt. Jo! Edhe nëna që e shihte duke ia vrarë djalin ndër sy, edhe gruaja e dhunuar, edhe fëmija që mbeti pa prindër, edhe shtëpia e djegur e lagjes sime, të gjithë janë personazhe të rëndësishme të pavarësisë“. (A.Xh.).
Shteti apo lideri botëror, pa të cilin nuk do t’ia dilnim? Kë të dallojmë? Evropa dhe bota e civilizuar qante për ne. Edhe anglezi, francezi, spanjolli, çeku, irlandezi, të gjithë vuanin me ne. Në historinë e njerëzimit, Kosova ishte Holokausti i dytë. Kjo mjaftonte që edhe fuqitë ushtarake, kontinentale, apo ato botërore, të shprehin mllefin ndaj Serbisë. Nëse insistoni se cili lider, atëherë ai ishte Tony Blair dhe Bill Clinton.
Por, a mund të mos përmendet Shiraku i Francës? Po a mund ta harrojmë Vaclav Havelin? Çdo përjashtim është tentim i mohimit të kontributit për ndihmën dhënë neve, Kosovës. Historia e Kosovës si shtet fillon me botën e civilizuar. Dikush pyeti: Po ngjarja kryesore që i paraprinë kësaj date? Thjesht nuk ka datë. Kjo ishte kërkesë gjithëshqiptare, që nga viti 1912, kur na e ndanë fatin, të mbetemi ndër Serbi.
Nuk guxojmë t’i harrojmë as ata që u shpërngulën me dhunë, as ata që pësuan deri në Luftën e Dytë Botërore. As ata që ranë gjatë asaj lufte, as viktimat e Rankoviçit, as demonstrantët e vitit 1968, as themeluesit e Universitetit të Prishtinës, as demostrantët dhe viktimat e 1981-shit (pranëverës së Kosovës), as qindra e mijëra vjet vuajtje në burgjet e Serbisë. Thjesht asgjë nuk fillon me një datë të caktuar. Të gjithë jemi paraprijës të kësaj date. (A.Xh.)
Por, pse çmohet aq shumë Kemali, Ati i turqve? Çmohet, sepse bëri shumë për Turqinë. Po ky shqiptar, bir shqiptari, në dhe të huaj si ia arriti? Kush ia mundësoi të dalë në ballë të një të kaluare të errët dhe ta shndërrojë atë në dritë? A kishte ai lakmi personale? A i duhej pasuria familiare? A ia dhanë atë, apo e mori? Si e bëri që nga një shtet “demode”, të krijojë një të përparuar? Si ia arriti që në bërthamën e një islamizmi tejet prapanik të krijojë një femër me vlera evropiane? Pyetje shumë, por…
Kush ishte Ataturku dhe pse është i rëndësishëm për popullin turk? Po e përsërit, pse është i rëndësishëm për popullin turk? Për ne aspak. E as mos të gënjehemi ndër veti, as një pikë rëndësie nuk e ka për ne. Përkundrazi! (Ai, në momentet më kritike për ne, ishte vetëm turk, edhe qëndronte lart në hierarkinë shtetërore, si të gjithë shqiptarët që i shërbyen turkut e jo shqiptarisë…). I rëndësishëm është se themeloi Republiken Turke dhe ishte kryetari i parë i saj. E formoi shtetin modern turk, nga hiri dhe pluhuri i Imperatorisë Otomane, një ”i sëmurë i Bosforit”. Po ne, pse jemi ende të sëmurët e Ballkanit?
Ataturku e krijoi shtetin sekular në mesin e një mori shtetesh islamike. Ai punoi në dy drejtime; së pari si reformator në ndërrimin fundamental të shoqërisë dhe e bëri që i tërë populli ta shohë dhe të bindet në ato ndërrime. (Ne, nuk po shohim ndërrime në asnjërin nga shtetet shqiptare, që të bindemi në atë çka kishim dëgjuar dhe kishim shpresuar).
E solli fundin e një dinastie Otomane, e cila e kishte sunduar Perandorinë përmbi 6 shekuj dhe e bëri Republikën e Turqisë më 1923. (Ne e sollëm fundin e komunizmit, në një anë, e në anën tjetër fundin e barbarisë shekullore serbe, dhe nuk bëmë asgjë të re).
Si president, për 15 vjetët e tij të udhëheqjes, në mënyrën më të butë i solli reformat politike, ekonomike, ligjësore dhe kulturore. (Ne nuk bëmë asgjë më tepër sesa e shkruam në letër, se liderat tanë e kanë ndërmend vetëm me vjedhë shtetin e justifikohen me “ndërkombëtarët”).
Bëri reforma civilizuese: Reformat politike. E shformoi Sulltanatin (01.11.1922 ), (ne krijuam sulltanate partiake), e hoqi kalifatin (03.03.1924), (ne rrezikohemi nga sulltanët e rinj). I anuloi gjykatat fetare (ne filluam ta propagojmë sheriatin). E futi ligjin sekular gjithëkombëtar (ne e sulmojmë sekularizmin tonë). E çliroi gruan turke duke i dhënë të drejta politike dhe sociale (1926), (ne po ia sjellim shaminë, ferexhën, largimin nga shkolla). E unifikoi edukimin.
I mbylli medresetë dhe i hapi shkollat bashkëkohore, sipas nevojave civilizuese të kombit. (Ne po hapim medrese dhe shkolla nëpër xhami).
E futi alfabetin turk me shkronja latine dhe e filloi pastrimin e gjuhës turke nga fjalët e huaja (01.11.1928 ). (Ne nuk e pranojmë gjuhën e bashkuar dhe krijojmë gjuhë lokale, e kërkojmë alfabetin osman).
Çanakkale – gabim historik i shqiptarve! Beteja e Çanakkalasë ishte një fitore e madhe për Kemal Ataturkun dhe Turqinë, por një humbje historike në njerëz (shqiptarë) të vrarë dhe në humbje të përkrahjes evropiane për ne, dhe një mbamendje e keqe, që do të na përcjellë historikisht.
Dr. Ibrahim Krosi, në “Qemal Ataturku dhe Shqiptarët”, shkruan se “Divizioni i 19 i Armatës së Turqisë në Betejën e Çanakales, komanduar nga Mustafa Qemali, sipas dëshmive të studiuesve dhe historianëve, përbëhej kryesisht nga shqiptarët”.
Në vitet 1914-1918, u zhvillua Lufta e Parë Botërore, ku Perandoria Osmane ishte në anën e Gjermanisë. Kjo ishte arsyeja që ushtritë aleate të Francës, Anglisë, por edhe Rusisë, t’ia mësyjnë shtetit osman, i cili – po të mos ishte rezistenca që e organizoi Mustafa Kemal Ataturku – sot do të ishte një shtet i vockël në Azi të Vogël.
Ndërkaq, ndër betejat më të lavdishme të kësaj rezistence ishte ajo që u zhvillua në zonën e Çanakalasë. Aty thuhet të kenë vdekur më shumë se 200 mijë ushtarë. Por sa shqiptarë, dhe përse? (flitet për 25 mijë shqiptarë të vrarë…) …Ose, thënë ndryshe, manipulimi dhe indoktrinimi i të rinjve, duke i motivuar të marrin pjesë në fronte të këtilla.
Derisa shqiptarët që iu përgjigjën kushtrimit për luftë të shenjtë në Çanakala edhe mund të arsyetohen, sepse ishte një botë me analfabetizëm thuaja të plotë, me informacione aq të pakta dhe aq vështirë të përcjella, është krejt e pajustifikueshme, që në këtë kohë të zhvillimit marramendës të shkencës, teknologjisë, por edhe të teologjisë, të rinjtë tanë ende të manipulohen kaq lehtë.
Shqiptarët edhe në Çanakala nuk do të shkonin nëse do ta dinin se lufta e shenjtë ose xhihadi (në kuptimin etimologjik – përpjekja për avancimin e të mirës) për ta ishte në trojet e tyre për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjet shqiptare nga ushtritë ballkanike.
“Duke ecur aleave të varrezave të ushtarëve të rënë, përndryshe jashtëzakonisht të rregulluara dhe të mirëmbajtura, shpesh në gurët e tyre lexonin edhe emrat e qyteteve: Manastir, Ishyp, Ipek, Prizren, Ohri, Vlorë, Elbasan, Kumanova, Presheva, Gjakova etj. Duhet theksuar edhe një fakt i rrallë: gati të gjithë shqiptarët e rënë në këtë betejë kanë qenë të moshës shumë të re. Nuk mund që të mos pyetemi në vete se si u gjetën një numër i madh shqiptarësh në këtë betejë, duke pasur parasysh faktin se ajo u zhvillua në vitet 1915, kurse Turqia tanimë pothuajse ishte tërhequr nga Ballkani, pas Luftes së Parë Ballkanike” (Dr. Rustem Buzhala, Shqiptarët në Turqi, Prishtinë, 2011)
Mustafa Kemal Ataturku duhet studiuar si figurë historike, dashuria dhe vullneti i tij për të bërë diçka të madhe nga një qelbësirë 500-vjeçare. Po shqiptarët në tokat e tyre?
Fahri Xharra,
Gjakovë