Lis Bukuroca, 15 GUSHT 2017 — BotaSot.info
Në shkollat turke (ku shkolloi dhe edukoi edhe Hashim Thaçi djalin) prodhohen patriotë osmanë. Nuk ka më nevojë të ndryshohet historia, sepse në shkollat osmane, mësohen urrejtja ndaj stërgjyshërve dhe dashuria ndaj pushtuesit. Perandoria/Kalifati Osman, paska qenë i joni dhe i tyre dhe kështu, kishim ndaluar gjuhën vetvetes dhe shpallur tonën haram!
Meqenëse elita rustikale ka vënë kravata dhe dërgojnë fëmijët në shkolla të huaja, pas dy-tri dekadave, do të udhëheqin shtetin vasalët tjerë, patriotët osmanë! Themeli për ndërtimin e kombit kosovar, me etnonim serb ‘kosovar- mjellmar’ me mjellmën në flamur, është hapur dhe është pranuar pa kundërshtime, në heshtje aprovuese në Kosovë.
Mund të supozohet se një gegërishte e përzier me turqizma dhe arabizma, do të jetë gjuha e tyre, kurse kombi ri, do të shpjegohet si mbetje apo përzierje osmane – shqiptare. Davutoglu do të citohet si Marxi dikur.
Meqenëse Erdogani investon në xhami dhe shkolla, do të ketë sukses në krijimin e kombit të ri (nga mbetjet osmane, siç e quajnë ata) dhe një ditë, historianët kosovarë do ta ndryshojnë vet historinë, sepse do të turpërohen nga e vetja! Si afganët nga e kaluara e tyre, që shkatërruan përmendoret e Budës.
Intelektualët kosovarë shohin rrënimin e identitetit te shqiptarët jashtë Kosovës, por të vetin, duke e humbur çdo ditë e më shumë, në mënyrë instutucionale, nuk e kapin me shqisa.
E çliruam Kosovën fizikisht, për t’ia dorëzuar Erdoganit shpirtërisht dhe fizikisht. Dëmin që ka shkaktuar vasalizmi i Thaçit, Kosova do ta ndjejë dekadave të ardhshme! Ambasada turke në Kosovë është Qeveria e Kosovës, që vendosë si do të duket Kosova në të ardhmen.
Kështu duket epoka e mediokriteteve, injorantëve, hajdutëve, sharlatanëve, kriminelëve me kravata, të cilëve u janë nënshtrua shumë intelektualë! Atë që na ndaloi me shekuj Turqia, tash na dhuron me synime të reja.