ENDËRRAT E BUKURA TË DJALOSHIT ENGJELLOR HIQMET KUJTIM DEMIRAJ TË GRABITURA NGA DALLGËT MIZORE TË DETIT

0
2598

Hiqmet Kujtim Demiraj

Nga Qatip Mara

Po shkruaj me dhimbje këtë memoral të shkurtër për jetën e ndërprerë në lulen e rinisë ,në moshën 25 vjeçare të djaloshit engjellor Hiqmet Kujtim Demiraj. U largua nga jeta në mënyrë tragjike tepër të dhimbshme duke luftuar me dallgët e egëra të detit të vdekjes, që të realizonte enderrat e bukura për një jetë më të mirë në botën perëndimore. I lindur më 11 janar 1965 ishte djali tretë që shtoi gëzimin në familjen e Kujtim Asllan Demiraj. Me fytyrën e bukur, me sytë e qeshur e embëlsinë e zërit të tij lumturonte prindërit e lodhur nga punët e prditëshme fizike. Vëllezërit Meleq e Nuri e ledhatonin vëllan e vogël Hiqmet me shumë dashuri, të cilët ishin në moshën fëminore 6 dhe tre vjeç. Jeta në familjen e prindërve Kujtim e Lumturi Demiraj pak vite më vonë u pasurua me gëzime të tjera, me lindjen e vëllezërve Tomorr, Demir, dhe motrave Flora e Pavlina, të cilët të edukuar nga prindërit e tyre të dashur kishin dashuri të pakufishme për njeri tjetrin.

Djaloshi engjëllor Hiqmet Demiraj lumturohej me vëllezërit e motrat e tij që e donin shumë, por edhe edhe ai u jepte shumë dashuri. Në moshën pesëvjeçare bukuroshi Hiqmet shikonte me gëzim e ledhatonte me shumë dashuri vëllan e vogël Tomorrin e bukur, i cili me belbëzimet fëminore në vitin e parë të jetës së tij, lumturonte prindërit dhe tre vëllezërit Meleq, Nuri e Hiqmet. Jeta ecte e gëzuar me katër vëllezër dhe pas dy viteve u shtua me një gëzim të dyfishtë. Erdhën në jetë dy binjakë, motër e vëlla. Lindi djali bukur Demir dhe motra e bukur Flora.

Prindërit Kujtim e Lumturi edhe pse lodheshin nga puna fizike shplodheshin në shtëpi nga krijesat e bukura pesë djem e një vajzë që zbukuronte dhe embësonte dashurinë vëllazërore në familjen e Kujtim Asllan Demriaj.Gëzimet u shtuan me lindjen e vajzës Pavlina.Pesë vëllezër ishin të lumturuar me dy motra. E lumturuar shumë ishte Flora, e cila në moshën katër vjeçare krenohej që kishte motër dhe shoqe motrën e bukur Pavlina. Të shtatë fëmijët ishin bekuar me një dashuri hynore për njëri tjetrin dhe për prindërit e tyre të shtrenjtë, të cilët ishin të përkushtuar për ti rritur, arsimuar, edukuar sa më mirë fëmijët e tyre të shtrenjtë.

Djaloshi bukur Hiqmet kishte nisur me gëzim shkollën.Me natyrën e tij të qetë, me urtësi e maturi kishte sjellje shëmbullore në shkollë duke e zbatuar rregulloren e shkollës me ndërgjegje të vetëdijshme. Ishte i dashur me gjithe shoqërinë në shkollë e jashtë shkolle duke treguar edukatën shëmbullore të prindërve të tij.

Ndoshta ajo kohë kishte mungesën e standartit të jetës komode,por nuk kishte mungesën shpirtërore të dashurisë vëllazërore midis motrës e vëllait dhe midis femijve ndaj prindërve. Edhe djaloshi bukur Hiqmet Demiraj ishte një katalizator dashurie e harmonie në familjen e prindërve Kujtim e Lumturi Demiraj.

Djaloshi engjëllor Hiqmet kishte jo vetëm bukurinë fizike,por edhe atë që është më kryesore bukurinë shpirtërore. Bukuria e jashtme është bukuria fizike. Me këtë bukuri ushqehet syri i njeriut. Bukuria e brendshme është bukuria shpirtërore. Ndërsa bukuria e jashtme shpreh formën, bukuria e brendshme shpreh përmbajtjen, është bota e brendshme e njeriut, mendja, zemra, karakteri i tij.
Po ku shfaqej bukuria e brendshme e e djaloshit Hiqmet Demiraj?

Në një bisedë me vëllan Meleq Demiraj më tregonte me shumë dashuri për vëllan e shtrenjtë Hiqmet Demiraj,për virtytet,mendimet e shpirtin e bukur.

Bukuria e brendshme e djaloshit të bukur Hiqmet Demiraj shfaqej tek fjala dhe mendimi, në unitetin dhe dallimin e tyre. Mendimin e kishte superior ndaj fjalës. I bukur është ai që mendon, pastaj flet. Është e bukur ajo fjalë që nuk del para mendjes. Kur fjala ka në thelb mendimin, është e bukur.Të flasësh pa menduar, është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë. Djaloshi bukur Hiqmet nuk lejonte ndarjen e fjalës nga mendimi ,sepse kishte bukurinë e brendshme të shpirtit të tij të bukur. Fjala e Hiqmetit ishte e ëmbël që mund të zbuste edhe njeriun e nervozuar.. Fjalët e Hiqmetit ishin me tone të qeta,sepse përshkoheshin nga mendimi i bukur. Ai fliste bukur sepse mendonte bukur.Fjala e tij përputhej me mendimin. Ai nuk mendonte ndryshe dhe të fliste ndryshe, nuk ja hiqte bukurinë fjalës, fytyrës dhe shpirtit të tij të bukur.

Bukurinë e brendshme shpirtërore djaloshi Hiqmet Demiraj e shfaqte jo vetëm në fjalë e në mendime, por sidomos në zbatim të tyre, në punë konkrete. Zgjuarsinë e tij e tregonte jo vetëm në fjalët që shprehte, në mendimet që shfaqte, në zotimet që merrte, por në radhë të parë në veprimtarinë e tij praktike që kryente , në cilësinë e saj. Sa më mirë të punojë njeriu, aq më i bukur është, aq më e mirë është fjala dhe vepra e tij, aq më tepër përshtypje të mira lë tek ata që dëgjojnë. Me këto bukuri mendore e shpirtërore të djaloshit engjellor Hiqmet Demiraj,krenoheshin prindërit e tij të shtrenjtë,krenoheshin vëllezërit e tij dhe motrat e tij të shtrenjta. Ata ishin shtatë fëmijë të bashkuar në një zemër hyjnore të dashurisë për prindërit Kujtim e Lumturi Demiraj. Ashtu si ditët e javës kalendarike që emërtohen me emrat dalluese për tu lexuar,edhe shtatë fëmijët e familjes Kujtim Asllan Demiraj kishin emrat e tyre për të regjistruar identitetin e sejcilit,por ata kanë genin trashëgues si një bashkësi hyjnore të lidhjeve të shënjta të gjakut,të dashurisë vëllazërore, e cila as blihet dhe as shitet por trashëgohet.

Pasi mbaroi shkollën djaloshi Hiqmet Demiraj nisi të punojë në kooperativë duke dhënë kontributin e tij për mirëqënjen e familjes.Në punë kishte shpirtin e sakrificës, të inisiativës, të guximit, të këmbënguljes dhe vendosmërinë për të realizuar ato që të premtonte. E mobilizuan në shërbimin e detyrueshëm ushtarak për ta kryer në gadishullin e Karaburunit. Ishte hera e parë që do largohej nga prindërit,nga vëllezërit e motrat,do i mungonte shumë familjes,por edhe ai do ndjente shumë mungesën e prindërve,vëllezërve e motrave.Në shërbimin ushtarak u shqua dhe u vlërësua për virtytet që e karakterizonin,për ndershmërinë,sinqeritetin, thjeshtësinë, për mendimet racionale, për shpirtin e punës, për forcën, e guximin. Djaloshi Hiqmet Demiraj ishte ushtari bukur me virtyte të bukura. Ai në repartin ushtarak shfaqi bukurinë e brendshme shpirtërore me virtytet morale sepse bukuria pa virtyt është si lulja pa aromë. Virtytet ishin shëndeti i shpirtit të djaloshit të bukur Hiqmet Kujtim Demiraj që e zbukuronin në radhë të parë si NJERI.

Hiqmeti i urrente veset ,sepse veset shëmtojnë edhe fytyrën më të bukur. Thjeshtësia e tij ishte një virtyt më i bukur se vetë bukuria. Për këto virtyte e sjelljen e tij shëmbullore komanda ushtarake pasi e mbaroi shërbimin e detyrushëm ushtarak ,e punësoi në repartin ushtarak në Karaburunë. Punoi disa vite në Karaburun larg familjes me përkushtim e ndershmëri. Kur shkonte me leje në vendlindje e prisnin me shumë mall prindërit ,vëllezërit e motrat. Vëllai tij Meleq Demiraj më shkruante se :

“na merrte shumë malli për vëllan e dashur Hiqmet dhe edhe pse takoheshinm kur vinte me leje na merrte më shumë malli. E ndjenim shumë mungesën e tij,ishte më i vogël se mua,por kishte pjekuri në gjykime e arsyetime.”

Në vitin 1986 unë shkoja shpesh në Kropisht sepse kisha babain sëmurë dhe e përgjonim çdo natë. Një mbasdite te stacioni Kropishtit zbritëm nga autobuzi naftës që vinte nga Vlora për në zonën e naftës,disa bashkfshatarë. Midis tyre ishte edhe Hiqmet Kujtim Demiraj. Unë nuk e njihja,por nga tiparet e përgjithshme të fytyrës së tij të bukur hamëndësova se ishte djali Kujtim Demiraj. Duke ecur për ne lagjen kala u prezantuam. Ai më njihte nga bisedat e prindërve të tij. Bisedova duke i thënë se kisha qenë mësues në Kropisht kur vëllai tij Meleq Demiraj ishte në klasën e parë me vëllan tim Devoll. Ai më dëgjoi me shumë vemendje e respekte me sytë e qeshur që i ndriçonin mirësi.Bukuria e tij ishte në fytyrë dhe bukuria e fytyrës së tij ishte tek sytë e bukur e të qeshur.Nuk thuhet kot që “sytë janë stolia e njeriut”. Sytë e djaloshit të bukur Hiqmet Demiraj ishin piktura e zemrës së tij që rrezatonte dashuri për jetën. Me ndryshimet e sistemit politik,si gjithë të rinjtë shqiptar djaloshi Hiqmet Demiraj kërkonte të përmirësonte mirëqenjen e jetës duke emigruar drejt botës perëndimore. Kishte endërra të bukura për një jetë më të mirë, me standartet e qytetrimit perëndimor. Ai ishte në moshën më të bukur 25 vjeçare. Ishte me energji fizike të fuqishme. Mendjen e kishte të mprehtë. Zemrën e kishte plotë me dashuri.Ishte djalë trim,guximtar me vullnet të hekurt.

Në ditët e para të marsit të vitit 1991 ikën refugjatët e parë me anjet e portit të Vlorës. Djaloshi Hiqmet Demiraj ishte në punë në gadishullin e Karaburunit. Më datën 6 mars 1991 do të nisej një anije tjetër nga pashalimani. Së bashku me shokë djaloshi Hiqmet kishte vendosur të ikte me atë anije,e cila qëndronte në thellësi të detit. Ajo ditë e mallkuar marsi e ftohët, me erë e dallgë deti si lubi ndërpreu jetën e djalit engjëllor Hiqmet Demiraj. Drejt anijes së vdekjes ishte nisur me notë me shokët e tij duke mposhtur erën e dallgët me krahët e tij të fuqishëm ishte afruar afër anijes. Ishte një betejë me dallgët e egra të detit të vdekjes që ka marrë shumë jetë njerëzish. Anija e mallkuar në kohën kur djaloshi Hiqmet po synote të hipte për tu ngjitur në kuvertën e saj, kishte filluar anija të lëvizte.

Elikat e anijes së mallkuar kishin krijuar dallgë dhe rryma thithëse të ujit të detit. Djaloshi engjëllor kishte kërkuar ndihmë nga anija por askush nuk e kishte dëgjuar..Deti me dallgët e tij e sulmoi. Fati këtë herë e tradhëtoi. Në thellësi të detit humbi trupi tij i bukur.. Me dallgët e tërbuara nuk mundi të bisedoonte . Fytyra e tij e trishtuar mëshirë u kishte kërkuar. Zotit lartë në qiell ndihm i kishte kërkuar.. Trupi Hiqmetit nuk dihej ku kishte qëndruar. Zemra e Hiqmetit dhe fytyra e tij e bukur këtë humbje nuk e meritonte. Ajo ditë e mallkuar tragjedi shkaktoi, ndërpreu jetën e djalit ëngjellor me egërsinë e dallgëve të detit që i grabiti endërrat e bukura në lulen e rinisë.

Prindërit,vëllezërit ,motrat ,në ato çaste kur djaloshi engjellor ishte duke luftuar me vdekjen ,nuk u shkonte kurrë në menjde ,se njeriu tyre i shtrenjtë ishte gllabëruar nga dallgët e detit të vdekjes.Hidhërimi kësaj tragjedie tronditi e pikëlloi në kockë prindërit Kujtim e Lumturi,vëllezërit e motrat që engjellorin Hiqmet e donin më shumë se sa jetën e tyre.. E gjithë familja, ishte pikëlluar me helmin e tragjedisë të humbjes së jetës të njeriut të shtrenjtë. Vajtonin me lotë të ngrirë për gjëmën e zezë që i goditi befasisht. Të afërmit dhe kropishtnjotët u hidhëruan njëllojë sikur të ishte djali i tyre.

Kaluan ditë e kaluan netë prindërit Kujtim e Lumturi, vëllezërit e motrat me zemëra të ngrira nga dera e shtëpisë ku për herë të fundit ishin takuar me engjellorin Hiqmet Demiraj kur kishta ardhur me leje para tragjedisë së tmerrshme.. Hamendjet e tyre qakullonin dhe me iluzionet e shpresës vazhdonin të besonin se Hiqmeti mund të ishte gjallë dhe përsëri do ta takonin Me dhimbje shikonin detin. Shumë emocione drithëruese u sillte era e detit. Pyesnin të mallëngjyera valët e detit të tregonin vendëndodhjen e njeriut të tyre të shtrenjtë. Valët e detit luanin me njëra-tjetrën,e me heshtjen e tyre të hidhur asgjë nuk tregonin. Të gjithë të afërmit e tij ishin me sy nga bregdeti Vlorës, me ankthin tërë hidhërim, prisnin me gjak të ngrirë të kthehej i dashuri Hiqmet Kujtim Demiraj.. Pikëllimi dhimbjes së mungesës së Hiqmetit familjen dhe të gjithë të afërmit i gozhdoi. Nëna tij Lumturi me brenga sa shumë lotë nxori. Kur fatin tragjik të djalit mësoi nuk e besoi. Asnjëherë nuk e besonte se në thellësinë e detit trupi i djalit të saj të shtrenjtë qëndronte. Me shikimin trishtuar në dritare e priste çdo orë djalin e dashur ti vinte. Zemra e saj e munduar digjej nga malli , në sokak i dukej se do i vinte djali. Dallgët e detit i dilnin në gjumë, zgjohej e përlotur me hidhrim si lumë. Me ëndërra trishtuar në çdo qelizë dëshpëruar mbeti detit duke kërkuar. Me fytyrë të pikëlluar rrinte natën zgjuar. Me buzë drithëruar e zemër trishtuar fliste me detin e mallkuar.

Dëgjonte në enderr me ankth zërin e embel të engjëllorit të saj që e kishte rritur me mundime. Kur dikush afrohej afër avllisë e kalonte, i dukej sikur do vinte djali shtrenjtë Tek parmaku dritares qëndronte me hidhërim në muzgun mbrëmjes djalin e shtrenjtë përfytyronte.Edhe pse errësira shikimin ja pengonte, aty tek parmaku dritares ajo dremiste dhe me sytë e mendjes shëtiste buzëdetit. Pas 15 ditëve hidhëruese erdhi lajmi drithërues se trupi bukur i engjellorit Hiqmet kishte dalur në një anë tjetër të detit të vdekjes.

Për këtë tragjedi më ka dërguar mesazh me dhimbje Meleq Demiraj, i cili kishte lexuar me lotë në sy shkrimin tim për djaloshin e paharruar Renato Shaban Alikaj dhe shprehte hidhërimin e përhershëm që kanë për vëllan e shtrenjtë Hiqmet Kujtim Demiraj. E lexova mesazhin e hidhërimit me hidhërimin së për vëllan tim. Një mesazh i lagur me lotë djegëse nga sytë e vëllait të madhe Meleq për vëllan engjellor Hiqmet.Janë pak fjalë në mesazh ,por që kanë peshë hidhërimi sa deti egër që grabiti,enderrat e bukura dhe jetën e djaloshit Hiqmet Kujtim Demiraj.

Me shumë dhimbje Meleq Demiraj më shkruante:
Për vëllan tonë Qatip Mara
“…Na iku me hidherime vëllai i shtrenjtë Hiqmet, në lulen e rinisë. Si shumë të tjerë për të ikur nga Vlora drejt Italisë.Në Pashaliman një anije i priste.Anija ishte afërsisht një km larg nga bregu detit. Njerëzit e shkretë që donin një jetë më të mirë vraponin për te anija.Ishin shumë burra,gra e të rinjë,të cilët u futën me not për të hipur në atë anijen e mallkuar. Ishte muaj Mars,shumë ftohët dhe deti me dallgë të mëdha,të papara. Njerëzit bënin luftë me detin.

Midis tyre ishte edhe vëllai jonë i shtrenjtë Hiqmeti. Kur ju afrua anijes, ajo lëvizi dhe me elikat e saj nuk e la Hiqmetin të hipte lartë e të nisej drejt Italisë, por e sakatoj dhe e thithën dallgët e detit dhe pas 15 ditëve e nxorrën bashkë me shokun e tij në anë të detit. Kur morëm lajmin ishim të ngrirë jo vetëm trupi jonë por edhe mendimet tona. Hidhërimi ishte i jashzakonshëm. Më paralizoi hidhërimi trupin.Mbeta i gozhduar nga kjo plagë hidhëruese e përjetshme në zemrën time.Në ato çaste të tragjedisë së vëllait tim të shtrenjtë edhe tani që po të shkruaj dua të qajë fortë, sepse ishte e paparë kjo që na ndodhi me humbjen tragjike të vëllait të shtrenjtë. Megjithatë e mblodha veten dhe shkova në spitalin e Vlorës për të vërtetuar që ishte vëllai im apo jo. Atje doja të falënderoj ata që e kishin gjetur trupin e vëllait tim të shtrenjtë,por nga hidhërimi humba ndjenjat,mu ndërpre vetëdija,u paralizova për momentin kur pashë trupin e vëllait të shtrirë.

Më kishin kishin kapur fortë nga duartë. Unë nuk dija se çfarë të bëja.Isha vetëm,mbaj mend që vetëm ulërija me britma. Tmerrin më të madhë e përjetova kur shpura vëllan e shtrenjtë te shtëpia prindërve të mi.Nuk kam fjalë çfarë të them.Skena ishte tragjike.Ulërimat e nënës tone, babait tone të motrave të vogëla nuk përshkruhen dot. Hiqmeti na la me goditje në zemër,sepse çdo njeri kur i vjen vdekja vete në spital e kurohet, i jep një gotë uji, e shikon me sy.Lotët që kemi derdhur janë të shumtë sa edhe shiu nuk ka hedhur aq uji. Kanë kaluar shumë vite nga data e mallkuar 6 marsi 1991 që vëllai humbi jetën në dallgët e detit dhe lotët tanë si vëllezër e motra vazhdojnë të rrjedhin. E ndjejmë shumë mungesën e vëllait.Prindërit e kanë në sy djalin e shtrenjte edhe kur flen gjumë. Për të përjetësuar emrin e vëllait Hiqmet i kemi vendosur emrin e tij djalit të vëllait tonë.

Kujtimi vëllait më shoqëron kudo që jam… Kaluan shumë vjetë që nuk e shohim vëlla Hiqmetin, nuk dëgjojmë zërin e tij të ëmbël.
Na mungon shumë Hiqmeti. Na mungon shumë fytyra e tij e bukur..Na mungon ,nuk zvëndësohet. Edhe në endërra kur e shohim , nuk mundemi ç’mallohemi.

Kujtoj me mall fëmininë dhe loti për Hiqmetin më djeg në sy. Kujtoj rininë dhe malli për Hiqmetin më djeg në gji. Kur eci buzë detit edhe këmbët më dridhen , ndjejë mungesën e hapave të tij.E kishim vëlla të shtrenjtë. Kujtimi vëllait do jetë i paharruar,sepse atje ku ka vajtur te banesa e fundit ka shumë shokë të moshës së tij, të rinj kropishtnjotë. Janë vrarë shumë çuna të rinj. U plagosën shumë nëna,shumë baballarë,shumë vëllezër e motra. Qoftë i paharruar kujtimi tyre! Sa të jemi do i kujtojmë”. Me respekte Meleq Demiraj.

Duke përfunduar këtë përkujtimore për djalin engjëllor Hiqmet Kujtim Demiraj që humbi jetën tragjikisht ndjej dhimbje sepse të gjithë kropishtnjotët u ka dhëmbur e qarë zemra për vëllan tonë të vendlindjes Hiqmetin e bukurive fizike e shpirtërore.
Me këtë shkrim ju dërgoj prindërve Kujtim e Lumturi Demiraj,vëllezërve e motrave, dhimbjen e mungesës të njeriut të shtrenjtë ta përballojnë me dashurinë vëllazërore.

U prehtë në paqe biri dhe vëllai shtrenjtë Hiqmet Kujtim Demriaj!
I uroj jetëgjatësi me fat e lumturi Hiqmetit të vogël që mban emrin e tij!
Ju uroj nga zemra jetëgjatsi me shumë gëzime në familje

Me respekte e mall
Qatip Mara
Nju Jork 6 gusht 2017