MERITA HALILI DHE RAIF HYSENI: AMBASADORË TË DENJË TË MUZIKËS DHE TË KULTURËS SHQIPTARE

0
635

Merita Halili dhe Raif Hyseni

Nga Frank Shkreli

Pikërisht pas ditën e së djelës me 6 gusht në Qendrën e famshme të Arteve Lincoln, të shfaqjeve dhe të koncerteve mu në qëndër të lagjës Manhattan të Nju Jorkut, zhvillohet koncerti, “E djela e Trashëgimisë – Nga Tirana në Tashkent”, dmth me një pjesëmarrje të grupeve muzikore dhe vallëzuese nga disa vende, duke filluar nga Shqipëria e deri në Tashknet të Uzbekistanit. Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen në këtë koncert ndërkombëtar grupesh evropiano lindore dhe ish-republikave sovjetike, nga ylli i muzikës popullore shqiptare e mirënjohura në Shqipëri, Kosovë e në diasporë, Merita Halili dhe bashkshorti i saj Raif Hyseni dhe Orkestra e tij, të cilët me performancën e tyre “live” do të sjellin këngët dhe muzikën tradicionale shqiptare në qëndër të Nju Jorkut. Organizuesit e këtij festivali ndërkombëtar muzikor në Nju Jork edhe po të kishin dashur, nuk mund të gjenin përfaqsues më të mirë dhe as ambasadorë më të denjë të muzikës dhe të kulturës shqiptare, për një përfaqësim të tillë të muzikës dhe kulturës shqiptare në këtë vend, siç është koncerti ndërkombëtar i organizuar në Qendrën Linkoln të Arteve këtë fund jave.

Ashtu siç dihet, çifti Merita Halili dhe Raif Hyseni kanë emigruar në Amerikë në mesin e 1990-ave nga Shqipëria ku Merita ka zhvilluar një karierë të gjatë dhe të pasur në fushën e muzikës popullore të këngëve dhe valleve të Shqipërisë së Mesme, ndërsa Raifi nga Mitrovica edhe ai i njohur në Kosovë dhe më gjërë si ekspert i dalluar i fizarmonikës dhe si kompozitor i shumë këngëve dhe melodive. Puna dhe vepra e këtij çifti vlerësohet aq shumë jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara– si në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan ashtu edhe në në radhët e amerikanëve dhe jo vetëm. Megjithse në mërgim për më shumë se 20-vjetë – ata nuk janë harruar në trojet shqiptare ashtu siç u vu në dukje nga pritja entuziaste që iu bë atyre gjatë vizitës në Shqipëri muajin që kaloi.

Në të vërtetë, Merita Halili dhe Raif Hyseni u rikëthyen në Tiranë, ku dhanë një koncert të hapur në Sheshin Skënderbej me një repertor të pasur të këngëve të Shqipërisë së Mesme dhe më gjërë. Natyrisht, se ky ishte një rikthim emocionues në Tiranë për Meritën dhe Hysenin,gjë që u pasqyrua gjërësisht nga media shqiptare, përfshirë edhe intervistat e shumta në televizion, por deshta që me këtë rast të performancës së tyre në Qendrën Linkoln në Nju Jork të theksoj aktivitetin, muzikor, kulturor dhe artistik të këtij çifti të njohur këtu në Shtetet e Bashkuara, aktivitet i cili ndoshta nuk njihet aq mirë nga disa, por që është tepër i rëndësishëm dhe që po bëhet shumë më i njohur tani – jo vetëm nga komuniteti shqiptar por edhe nga amerikanët. Kjo për hir të pjesmarrjes së tyre në shfaqje të shumëta, në festivale shumë etnike dhe ndërkombëtare në Amerikë, por edhe falë pjesmarrjes së tyre në raste festimesh dhe dasmash të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, në komunitetin shqiptaro-amerikan veprojnë shumë këngëtarë, përfshirë edhe ata që vinë për raste të posaçme nga Shqipëria, Kosova dhe viset tjera shqiptare, të ftuar ose të angazhuar për raste të tilla të veçanta, kryesisht familjare. Por Raif Hyseni dhe Merita Halili, së bashku, qëndrojnë mbi të gjithë të tjerët, sidomos kur kemi të bëjmë – për të përdorur në fjalë nga politika – me ndërkombëtarizimin ose me përhapjen dhe me njohjen më mirë të muzikës dhe kulturës shqiptare jashtë trojeve të kombit – e nepërmjet tyre, të huajt njohin më mirë vetë shqiptarët, kulturën, vetitë dhe identitetin e tyre kombëtar. Në këtë rast, njohje më të mire të shqitarëve nga amerikanët dhe të tjerë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vepron e jeton për më shumë se dy dekada, çifti Merita Halili e Raif Hyseni.

Qendra e Arteve Lincoln për shfaqje dhe koncerte në New York

Natyrisht, se si të gjithë artistët dhe muzikantët e tjerë shqiptarë, me profesionin e tyre dhe me punën e palodhur, duhet të sigurojnë jetesën si gjithkush, për veten dhe familjen, por çifti Raif Hyseni dhe Merita Halili duket se përveç këtij detyrimi që e kemi të gjithë, kanë vendosur që talentet e tyre t’i përdorin për diçka edhe më të madhe se sa thhjeshtë sigurimin e nevojave bazë materiale të jetës. Duket se I kanë caktuar vetes një thirrje më të madhe. Ç’prej ardhjes së tyre në Shtetet e Bashkuara ata e kanë bërë të qartë, nepërmjet punës së tyre, se janë të interesuar për diçka më tepër, për diçka më sublime: se nuk është mjaft të këndonin dhe të merrnin pjesë në raste të organizuara nga komuniteti shqiptaro-amerikan, megjithse edhe këtë e bëjnë me shumë dashuri e kënaqësi dhe janë shumë të kërkuar, në fakt. Por, si asnjë artist ose grup tjetër shqiptar, çifti Hyseni-Halili i ka caktuar vetes misionin e shenjtë që talentin e tyre ta përdorin edhe për promovimin me entuziazëm të muzikës dhe kulturës shqiptare para amerikanëve dhe të huajve në këtë vend – të cilët dinë pak ose aspak për kulturën dhe muzikën shqiptare, duke shërbyer njëkohsisht edhe si promovues të vërtetë të një imazhi më të mire për shqiptarët kudo!

Këtë promovim Merita dhe Hyseni e kanë bërë në vazhdimësi, pa lodhje dhe me entuziazëm, ndërsa vazhdojnë të marrin pjesë në festivale si ky i të djelës më 6 gusht në Qendrën Linkoln në Manhattan “Nga Tirana në Tashkent”, ndërkohë që kanë njoftuar edhe pjesmarrjen e tyre në një koncert tjetër që do të mbahet në tetor në, “Symphony Space në Broadway” të Manhatan-it. Këto dy koncerte janë vetëm ndër më të fundit në të cilët janë ftuar të marrin pjesë. Çifti Merita Halili dhe Raif Hyseni janë paraqitur para publikut amerikanë shumë më heret, pothuaj me të ardhur rishtas në Amerikë më 1995.

Më kujtohet gjatë punës time në Washington, kur papritmas por me kënaqsinë më të madhe zbuluam — me bashkshorten time ndërsa po vizitonim festivalin veror të Washingtonit të organizuar nga Instituti Smithsonian që organizohet çdo verë — pjesëmarrjen e Hysenit dhe Meritës në “Smithsonian Folklife Festival”, mu në qëndër të kryeqytetit amerikan, festival i cili frekventohet nga qindra mijëra vizitorë të huaj dhe vendas. Duke ecur, papritmas dëgjuam muzikë shqiptare dhe i drejtohem bashkshortes time, more a më bëjnë veshët a po është me të vërtetë muzikë e trojeve tona. Ishte hera e parë që në Festivalin Smithsonian merrte pjesë një grup muzikor nga trojet shqiptare: pikërisht Merita dhe Hyseni me ç’rast patëm nderin dhe kënaqësinë të takoheshim dhe të përshëndeteshim me ta, për herë të parë.

Nga një klasë e muzikës shqiptare në Montclair State University

Përveç Festivalit Smithsonian dhe raste të tjera, ata kanë interpretuar gjithashtu edhe në qëndrën prestigjoze Kennedy në Washington si edhe në sallat e Kongresit amerikan. Përveç muzikës nga të gjitha trojet shqiptare, ata promovojnë gjithashtu edhe veshjet dhe kostumet shqiptare, pasi në shumë prej shfaqjeve të tyre si Merita ashtu edhe Hyseni veshin rroba kombëtare. Dihet tashmë, se Merita nepër festivale të tilla, shpesh vishet me një kostum tiranas 100 vjeçar, i qëndisur me ar dhe argjend, ndërsa Hyseni paraqitet me kostume kombëtare gjithashtu.

Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo veprimtari për promovimin e kulturës dhe muzikës shqiptare para botës amerikane dhe ndërkombëtare, Hyseni dhe Merita, për disa vite tani, kanë themeluar në universitetin, “Montclair State University” Katedrën e Parë të Muzikës Shqipe për studentët e shtetit Nju Xherzi, të cilët kanë mundësi tani të mësojnë muzikën dhe zë thellojnë njohurinë e tyre mbi kulturën shqiptare në përgjithsi. Ndonëse studentët amerikanë nuk kanë dijeni as njohuri për kulturën apo muzikën shqiptare, Raif Hyseni është shprehur për media të ndryshme se këtë boshllëk të nxënsëve amerikanë në njohurinë e kulturës dhe të historisë së shqiptarëve, ai e plotëson duke u folur atyre për historinë e kombit shqiptar në përgjithësi. “Unë nuk u jap vetëm muzikën shqiptare, por u jap informacione edhe mbi kombësinë tonë shqiptare, si gjuha, historia, kultura, traditat, gjeografia, etj”, është shprehur ai në një prej intervistave të tija.

Merita Halili, është një prej emërave më të njohur të muzikës popullore shqiptare, sidomos muzikës së Shqipërisë së Mesme dhe Raif Hyseni është i mirënjohur gjithashtu në këtë fushë, falë punës së përkushtuar dhe sukseseve të arritura të tyre në Shqipëri dhe në Kosovë, respektivisht, por sidomos për realizimet e konsiderueshme këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata janë shpërblyer edhe me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për sukseset e tyre. Mirëpo, për shqiptarët, me veprimtarinë e tyre të palodhur, Merita dhe Hyseni zenë vendin e parë si ambasadorët më të mirë e më të denjë të muzikës dhe të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si të tillë – në kapacitetin e tyre — janë njëkohësisht edhe përfaqësues të vlerave shekullore të kombit shqiptar dhe identitetit të tij arbëror ndër shekuj, në një botë që nuk i njihte më parë, por që është në njohje e sipër të këtyre vlerave — falë pjesërisht edhe punës së palodhur të Merita Halilit dhe Raif Hysenit — qoftë në skenat e folkloreve amerikane dhe ndërkombëtare siç është koncerti këtë të djelë në Qendrën e Arteve Linkoln në Nju Jork, qoftë në univeristet ku edukohet brezi i ardhëshëm i amerikanëve, siç është angazhimi tyre akademik në universitetin , “Montclair State University”, të shtetit Nju Xherzi.

Çifti Merita Halili dhe Raif Hyseni meritojnë respektin dhe falënderimet tona sepse me punën e tyre në promovim të muzikës dhe kulturës shqiptare, ata jo vetëm na nderojnë para botës amerikane si përfaqsues të denjë të komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, por si askush tjetër po bëjnë atë që munden për përmirësimin e imazhit në botë, të Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.