Bisedë me Migjenin

0
1117

Dionis Xhafa

Prej mëse një shekulli ke ikur Migjen,
ti poeti i flaktë që jetën ua dedikove njerëzve të vobegtë,
që me zjarr ngrohen në vatrat e tyre,
që ndër lutje të kishave e të xhamive përpëliten me shpresë.
Pa zgjohu Migjen, ec ndër rrugë të kryeqytetit,
në atë që e quajnë metropol panshqiptar, shih duert e mpira, qytetin e errësuar,
flakën e munguar e vdis me ta si pllakë vorri, e ngulu në varreza të malit të rëndë,
që nuk tundet prej ndjenjave njerëzore, Migjen.
Pa shihi trupat e kockë, njeriun fantazmë të kohës moderne,
fast foodin që bën karshillëk ndaj të dobëtit që digjet nën diell përvëlonjës,
e vdis sërishmi, se ngushëllim është mbrëmja festive e zotërinjve,
lojërat e ndyra, qentë e ekranit, mortja e madhe e fshatit të madh që zjen aromë zie.
E ec prapë pasi sytë të kesh qërruar me gjemb. Përpara syve të sëmurë të del barku i fryrë,
shpina e zezë, shkopi i shtrembër, ftohja prej motit të nxehtë e pllakave të mërdhifta,
e djali i djeshëm është prapë aty, me buzëqeshjen e harruar, me fytyrën e tharrmuar,
e mu përballë i del dielli i fortë,shkatërrrimtar, që rren’ bukur, e si shtizë i ngulet thellë e në shpirt, Migjen.