Poezi nga Anila Toto

0
2606

Anila Toto

Unë linda e vogël në botën e madhe
E madhe unë linda në botën e vogël.
Herë pas here lodrat mu bënë male
Herë pas here malet mu bënë lodër.
Ndonjëherë dua të iki, të rri sa më larg
Në një botë ku të ndihem vajzë e vogël.
Por heshtem e vetme nis e ngjitem prapë
Jam vajza maleve, e… kjo s’është më lodër!
……………………………………..

Muret e shtëpisë sime,
Dhe akujt.
Muret e shtepisë tënde,
Dhe zjarret.
Ne të dy,
Qymyr dhe strall.
Ne të dy,
Dhe faktet.
……………………………………..

Oh… nënë!

Mi jep ti puth ato duar të urta
Ato rrudha që krijoi heshtja
Më çmend kur flet me atë zë të butë
Sikur të dhimbset jeta.
Më ler të mundem të të kërkoj falje
Për të gjitha dhimbjet që të kam shkaktuar
Oh …nënë… legjenda ime e madhe
Që shpirtin më ke pushtuar !
……………………………………..

Oh dritë e bukur dritë!
Që di të më ndriçosh në shpirt.
Oh det, i imi det!
Të mundja të mbytem vërtetë…
Oh tokë, e ashpra tokë,
Që rrënjët mi mban me forcë!
Oh qiell, i madhërishmi qiell,
Që ëngjëjt m’i kthen në diej !
……………………………………..

Një ditë

Do të vijë një ditë ku krejt padashur,
Duke ecur përmes njerëzisë,
Diku mes skenash si në një teatër,
Do shihemi drejtë e në sy!

Një ndjenjë e butë e çmendurisë,
Thellë në ndërgjegje do të zgjohet.
Por nëse zgjedhim rrugën e lirisë,
As kthimi pas s’lejohet!

Do të vijë një ditë ku krejt padashur,
Do takohemi sy më sy,
Në mes të njerëzve në këtë teatër,
Do të humbim përsëri…!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar