KU GABON MUSTAFA NANO

0
1330

nga Edion Petriti, 2 Gusht 2017Peisazhe të Fjalës

Me interes e kam ndjekur debatin e zhvilluar në media, në lidhje me kombësinë e Vojsavës, së ëmës së Skënderbeut. Më sjell ndërmend ato debatet e zjarrta të murgjve benediktinë, françeskanë dhe domenikanë të Umberto Ekos, që ziheshin për varfërinë e Krishtit dhe dishepujve: teshat që ata mbanin, ishin të tyret, apo i kishin sa për “usus facti”? Atëherë, ky ishte një problem i madh. Të njëjtin hall kemi sot edhe ne me Vojsavën. E kemi tonën, apo thjesht sa për “usus facti”, sa për përdorim? Meqë shumë vetë janë përzier në këtë debat, thashë të përzihesha edhe unë, ndoshta për arsyen se i bën mirë dhe debatit publik, që për çështje që i përkasin sidomos identitetit, për çka na farkëton e na bën bashkë si komb, e që janë shumë të ndjeshme, të përzihen edhe njerëz që diçka marrin vesh nga këto çështje.

Kur ulemi të merremi me historinë, gjëja e parë që na shfaqet përpara, është problemi dokumentar. Besoj se “A mund ta dokumentosh?” ose “A mund ta vërtetosh?” është një pyetje që sa e sa profesorë historie e ngrenë nëpër auditorë për të ulur gjakrat e për t’u treguar vendin e nxënësit (pra atij që “nxë”) sa e sa studentëve të zellshëm, që nuk dinë asgjë e që bëjnë mëtime rokoko nga më fantastiket. Nuk dua të zgjatem pastaj mbi “relativitetin e burimeve” – kur dy ose më shumë burime për një arsye ose një tjetër nuk bien dakord, e që duhen pajtuar/skartuar me anë të kritikës dokumentare.

Le të merremi njëherë me Barletin. Barleti ka dy dëshmi për Vojsavën, një të drejtpërdrejtë dhe një të tërthortë: uxori Voisauae nomen erat, non indignam eo uiro tum pater nobilissimus Tribalorum princeps, tum forma moresque etc. Që në shqip do të thotë: Emri i bashkëshortes ishte Vojsava, jo e padenjë për atë burrë, qoftë nga pamja, qoftë nga sjelljet; i ati i saj ishte një princ shumë fisnik i triballëve (Barleti, libri I, f. 2). Se çfarë ishin këta triballë, Barleti e shpjegon vetë, më vonë, kur flet për Dibrën e Epërme, të banuar nga bullgarët, ose triballët (Bulgari, siue Tribali habitant, fol. 61 v.) Nga gjithë sa më sipër, marrim vesh që i ati i Vojsavës ishte princ fisnik i triballëve, ose bullgarëve të atyre anëve dhe jo domosdoshmërisht qe vetë sllav, pasi sundimi nuk presupozon medoemos kombësinë.

Mund të kesh një kombësi tjetër dhe të sundosh mbi triballët, p.sh. mund të jesh grek, vllah, arbër ose sllav, pa përmendur turqit që ishin shfaqur në ato kohë në teatrin e Ballkanit perëndimor. Për shembull, Teodor Spandounes shkruan se “Karlo Toko mbretëroi në Janinë për njëmbëdhjetë vjet, duke sunduar mbi arbrit sipas stilit italian, me një rreptësi me të cilën ata nuk ishin mësuar”. Kemi një princ të huaj që sundon mbi një popullsi arbërish; vetë fakti se Toko sundonte mbi ta, nuk e bën arbër me patjetër: «Regnò dunque il detto Carlo Tocco in Sanina, anni undici, et uolendo signoreggiare al modo Italiano, gli Albanesi, mostrando loro grande & disusata asprezza nel gouerno suo» etc. (Spandugino: I Comentari, Firenze, 1551, fq. 26-27).

Ëndrra e Vojsavës, vizatim për një botim gjermanisht
të Historisë së Barletit, 1533

Kemi më pas edhe dëshmitë e Muzakës: E la madre de detto Signor Scanderbeg, moglie del detto Signor Giovanni, hebbe nome Signora Voisava Tripalda e venne da bona parte. Dhe mëma e të sipërthënit zotit Skënderbé, gruaja e të sipërthënit zotit Gjon, e kishte emrin zonja Vojsava Tripalda dhe vinte nga soj i mirë. (Muzaka, botuar nga Hopf, në “Chroniques”, Berlin, 1873, f. 301). Duhet theksuar se kjo “Tripalda” nuk duhet ngatërruar me Tripaldën në Itali (Tripalda ose Atripalda, në Kampanjë, ku një Alfons qe markezi i Atripaldës etc. etc.).

Tani, duket qartë se kjo “Tribalda” ose “Tripalda” – një sendërgjim i Muzakës, i etur për t’i dhënë me patjetër Vojsavës një mbiemër, është më shumë një “shques” sesa një mbiemër. I këtij mendimi është edhe medievalisti William Miller; përndryshe, do kishim një familje mesjetare me mbiemrin Tribalda, për të cilën nuk dimë pothuajse asgjë, e që nuk shfaqet gjëkundi nëpër dokumenta. Po Muzaka shkruan: [I]l Signor Gio: Castrioto, padre del Signor Scanderbego, hebbe per moglie la Signora Visava Tribalda (sic!), con la quale fece quattro figli mascoli e cinque figlie femmine. Zoti Gjon Kastrioti, i ati i zotit Skandërbej, pati për grua zonjën Visava Tribalda (sic!), me të cilën bëri katër djem dhe pesë vajza (Muzaka, f. 295).

Aq më tepër që Pollogu i triballëve në atë kohë, po t’i vemë veshin po Barletit, shtrihej nga malet e Mokrës e deri në Shkup dhe ndoshta nuk përfaqëson luginën e sotme të Pollogut në Maqedoni. “Barbari tash qe ndalur në një farë vendi fushor të po atij Pollogu, për të pritur ardhjen e mëngjesit. Nga një anë ishte mali ynë Mokré, nga ana tjetër një kështjellë e turqve, e quajtur Shkup, ku mbaronte fusha… (Consederat barbarus in campestri loco quodam ipsius pologi lucem expectaturus, Mocreus ab una parte mons noster, ab altera oppidum turcarum, Scopiam dicunt, terminabant planiciem; Barleti, libri 7, fol. 90v).

Veç kësaj, kemi dëshminë gjenealogjike të Andrea Angelos, botuar po te Muzaka (Hopf, f. 308), por e një date të mëvonshme, 1550: Dominicus alias Moncinus [genuit] Voisava Ivani uxorem ose: Domeniku alias Monçino lindi Vojsavën, të shoqen e Ivanit (nga e cila lindi pastaj Skënderbeu etc. etc.). Tani ky “Dominik alias Moncinus” në gjenealogji kish edhe një të afërm, me emrin Gjin (Ginos, po aty). Ndaj dhe ka pak gjasë që kjo familje të jetë serbe, pasi ka në përbërje 1. Një fisnik me emrin Gjin (Ginos), i cili është emër arbëror etnik, dmth. që e mbanin vetëm arbrit; dhe 2. Një tjetër katolik me emrin Dominik. Ka më shumë gjasë që ky Dominik të ishte arbër i fesë katolike, i sërës së Gjonit, me të cilin kish lidhur krushqi.

Brenda kësaj gjenealogjie kemi edhe një frazë enigmatike, “cai minste”, të cilën Hopfi e shoqëron me një pikëpyetje të madhe nga pas, e që unë dyshoj, siç më sugjeron V. Kamsi (Studime Filologjike, 1976; II, 207-210), që mund të interpretohet si “ngaj m’inshte” – dmth. Dominik Monçino, “nga më ishte” Vojsava, e shoqja e Ivanit. Pra, sipas Andrea Angelos, që citon Muzaka, gjyshi i Skënderbeut nga ana e nënës e kishte emrin Domenik alias Monçino.

Tani, ky problemi i burimeve është si të thuash edhe vetë burimi i problemeve, po të bëjmë lojëra fjalësh kështu sipas mënyrës hegeliane. Vetë Andrea Angelo vinte nga një familje nga Drishti, të famshme në histori për falsifikimet e saj – mjafton të përmendim këtu urdhrin “konstantinian” të kalorësisë. Vetë Oliver Schmitt në librin e vet mbi heroin, shkruan se: “Engjëjt kishin prurë prej vendit të prejardhjes, Drishtit, një tufë me dorëshkrime dhe dokumente origjinale, si dhe falsifikime, një tërësi e vështirë për t’u ftilluar. … Natyrisht, jo të gjitha dokumentet janë të falsifikuara: disa dëshmojnë pozicionin e vërtetë që ka pasur kjo familje si patricë me ndikim të fortë në Drisht”. (Skënderbeu, Tiranë, 2008, fq. 483).

Sipas mendimit tim, kjo e dhënë te Muzaka është gjenuine e nuk duhet hedhur poshtë, për faktin se informacione të tilla që kishin të bënin me Skënderbeun dhe familjen e tij në atë kohë ishin dijeni e të gjithëve, aq më tepër që në Itali ishin strehuar shumë shqiptarë; dhe me Kastriotët nëpër këmbë në Spanjë a Itali, as Engjëjt nuk do kuturisnin dot të gënjenin. Në histori nuk ecet me rregull treshi: meqenëse Vojsava ishte e bija e princit të triballëve; dhe se triballët ishin serbët e Brankoviqëve, i bie që Vojsava ishte e bija e Gërgur Brankoviqit. Kjo është një tezë e pambështetur në dokumente. E thënë shkurt, është një spekullim.