MAZLLUM SANEJA
E S E
E megjithatë e dimë
se edhe të shkulur
nga vizatimet në palcë të drurit
shihet
nga cila trevë vijmë
shihet
nga cila tokë morëm ushqimin.
( Patëm kohë vetëm për një puthje
Vjeç të tua 500 )
E nis këtë shkrim me pyetjen: Kush është Zef Skiro Di Maxho? Para së gjithash: Poet, dramaturg, jeta e të cilit dhe fati krijues kushtëzuan se erdhi në jetë dhe në botë më 1944 në Horë të Arbëreshëve ( Piana degli Albanesi) në afërsi të Palermos, në ishullin Sicilia.
Të shkruash për figurën poliedrike dhe shumëdimensionale të Zef Skiro Di Maxhos, mëparë duhet të hedhësh një vështrim tek e kaluara e Arbëreshëve (Shqiptarëve të Italisë) që jetojnë që nga shekulli XV dhe XVIII, pas vdekjes së heroit tonë kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe, pushtimit të Shqipërisë dhe Perandorisë Bizantine nga turqit osmanë. Dhe, asokohe filluan eksode të mëdha, po Arbëreshët (ndonëse u shkulën nga vatra e vet atnore) askurrë nuk e harruan vendin e të parëve dhe, gjithnjë ruajtën me besnikëri zakonet dhe doket e tyre të pasura si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në Mëmëdhe.
Dhe, në këtë kënd-vështrim duhet lexuar dhe parë figurën e madhe intelektuale te Zef Skioro Di Maxhos dhe veprën e tij poetike dhe dramatike.
Ndërkaq, nuk ka dyshim se Zef Skiro Di Maxho si poet, dramaturg, gjuhëtar dhe intelektual i gjithanshëm sui generis i botës arbëreshe, është një vazhdues i denjë dhe besnik i Zef Skiroit, Zef Serembes, Jeronim De Rades dhe shembëlltyrave të ndritura të botës arbëreshe.
Zef Skiro Di Maxho, është, para së gjithash poet i kujtesës, poet i kujtesës kombëtare. Poezia e tij na e mban të gjallë kujtesën, përtërin dhe shpalos toponiminë tonë të stërlashtë, përkujton dhe ngjallë figurat mitologjike, ringjall historinë tonë të hershme dhe gojëdhënat e moçme.
Në poezinë e tij poeti shumë herë shfrytëzon thesarin e gjenisë së popullit. Në veprat e tij lirike dhe epike, të krijuara në trajtë mitesh, gojëdhënash apo legjendash, poeti vë dialog me historinë, mitologjinë. Ai është i vetëdishëm se nuk bën të jetojë dhe të krijojë pa rrënjë, pa origjinë, pa të kaluarën. Poezia e Zef Skiro Di Maxhos në mënyrë sintetike dhe koncize shtron dhe kap problematikën e historisë së popullit arbëresh, problemet e identitetit te rrezikuar arbëresh karshi botës së sotme të shoqërise së konsumit.
Së këtejmi, poeti me zërin e tij të fuqishëm, në poezinë e tij emblematike “Ngjyrim arbëresh”, gjithnjë do të iu përkujtoj arbëreshëve te vet :
Edhe shiu
që pingulthi bën ujë
nga gypat e shtëpive
ka tingull vendas
gurgullim arbëresh.
Edhe flladi liqeni
e flladi dheu
në mëngjes e mbëmanet
mbëmanet e në mëngjes
ka dhelkë të vendit.
Edhe vizatimet e reve
mbi fletoren qiellore
të kufizuar nga malet
kanë shije arbëreshe.
Edhe buzëqeshja e diellit
ajri sheshi përroi
mali kodra honi
kanë vulë arbëreshe.
Ne
duke folur lëtisht
arbëreshë ndihemi
në festimet zyrtare.
Në udhëtimin e tij poetik poeti gjithnjë do të vihet në mbrojtje të gjuhës arbëreshe, se nganjëherë shpirti i tij zë të shqetësohet, po megjithatë ai ushqen një besim të thellë tek arbëreshët, qe deri sot kanë ruajtur dhe kultivuar gjuhën, doket dhe zakonet e të parëve, që nga Moti i Madh.
Është me të vërtetë një ngjarje befasuese, se si poeti Zef Skiro Di Maxho në poezinë e vet, në një mënyrë të veçantë, në vëllimet poetike “Sonata”, „Gjuha e bukës”, “Përtej maleve prapa kodrës”, Vjeç të tua 500”, “Metaforë”, „Anija me vela e me motor”, „Poezi gushtore e tjera”, „Kopshti im me dritare” e tjera që përbëjnë një tërësi të shkëlqyer poetike .
Si përfundim mund të themi se poezia e Zef Skiro Di Maxhos është një ngjarje e veçantë në letërsinë bashkëkohëse shqipe dhe arbëreshe, sepse është një ngjarje e hidhur e dinamizmit të gjithanshëm të psikikës njerëzore.
Zef Skiro Di Maxho – ky poet i kujtesës kombëtare dhe i shpirtit të paepur arbëresh, poet i dhembjes dhe i durimit, i qëndresës dhe i rezistencës – gjithnjë synon të kuptojë thellë qeniesinë e fenomeneve dhe të gjërave, depërton në substancën shpirtërore të arbëreshëve, të ngjarjeve dramatike të epokës sonë marramendëse dhe të konsumit, të globalizmit, ku poeti ynë nuk qëndron indiferent.
Zef Skiro Di Maxho – ky humanist evropian porsi Herberti apo Podrimja, në mënyrë të distancuar, duke hulumtuar dhe studiuar historinë dhe bashkëkohësinë, të cilat e mbajnë të gjallë përgjithësisht kujtesën njerëzore e edhe kujtesën kombëtare, gjithnjë na befason dhe na mban të gjallë me pushtetin e fuqishëm të fjalës së shkruar.
Dhe për fund, le të shpresojmë se arti i tij brilant, porosia e tij humanitare e njerëzore, që të vëmë dialog me njerëzorën, me lirinë, me dinjitetin e njeriut – do të shpëtojë qytetërimin e sotëm nga krizat dhe katastrofat shpirtërore, që kanë mbërthyer epokën e sotme plot temperaturë…
Varshavë, MAZLLUM SANEJA
Fundi i korrikut 2017