NJË AUTOR I VEÇANTË NË LETRAT SHQIPE

0
1678

Isak A H M E T I

Poemë plagësh që rrjedh…

Një autor i mirënjohur në letërsinë bashkëkohëse shqipe është edhe Mehmetali Rexhepi. Ky autor, që është shumë i veçantë në letrat shqipe, me veprat dhe shkrimet e tij të botuara deri më tash, ka dëshmuar talentin dhe prirjen e tij krijuese, të veçantë, moderne dhe postmoderne. Në një shkrim timin për librin e tij: Enigma e magjikës, kam përmendur (shqyrtuar) edhe poezinë:

SI MË SHFAQESH (Mehmetali Rexhepi), ku është dhënë, shumë bukur e artistikisht, portreti i këtij krijuesi që ka mbetur “poemë plagësh që rrjedh”… Është ky një shkrimtar dhe veprimtar i çiltër për çështjen kombëtare, ka qenë dhe ka mbetur tërë jetën luftëtar i paepur me fjalë e penë: për të vërtetën, për të drejtën, për ngadhnjimin e argumenteve, për vlerat profesionale, për udhëheqjen e rendit shtetëror sipas ligjeve kundër hajnisë e arbitraritetit. Fjala dhe vepra e këtij veprimrari dhe shkrimtari është model i baraspeshës-ai kurrën e kurrës, edhe atëherë kur ishte i përndjekur dhe i burgosur, nuk iu shmang kërkesave që shtronin rrjedhat e kohës…

Pak biografi

Mehmetali Rexhepi u lind në Gjilan (1951), ku e kreu shkollimin fillor dhe gjimnazin. Ndërsa studimet, në Degën e Albanologjisë, ndonëse me ndërprerje për shkaqe politike, i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës Nga pushteti serbo-sllav, në vitet e 70-ta, 80-ta dhe 90-të shek. XX, u burgos, u pushua nga puna dhe nga institucionet e KSA të Kosovës. Në biografinë e këtij autori lexojmë, veç tjerash, edhe këtë: Mehmetali Rexhepi asnjëherë nuk iu shmang kërkesave që shtronin rrjedhat e kohës: pajtimit të gjaqeve, veprimtarive të “rrezikshme” legale dhe ilegale, politike, kulturore-artistike dhe humanitare.

Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se fushë-veprimtaria e tij ka shtrirje: në arsim e edukim, në poezi, prozë, studime, eseistikë e vështrime publicistike. Është vlerësuar me të drejtë se shkrimet letrare, poetike, kritike e eseistike të tij shquhen për origjinalitetin e shprehjes gjuhësore, shpesh eksperimentale, për ndjenjën e sinqertë e të fuqishme dhe mendimin e thellë. Siç e ka vënë re edhe Mr. Tahir Arifi, shkrimi i tij buron nga laboratori me kërkesa të saktesisë matematike të shkrimit qoftë ai estetik, shkencor a publicistik.

Me shkrime letrare, Mehmetali Rexhepi u muar si nxënës i klasës së shtatë, fillimisht me vjersha e më pas me qasje kritike-eseistike, mandej me prozë dhe vështrime eseistike -publicistike.

Veprat

1. Kohëngjeshje bamirësie, me bashkëautor Sherafedin Kadriu, Prishtinë, 2000
2. Frymë e fërguar mynxyrave, poezi, Prishtinë, 1997
3. Enigma e magjikës, ese, Prishtinë, 2011
4. Hirësia e motit, roman, Prishtinë, 2017
5. Selatin Novosella-Kronisti i malbrezave, Prishtinë, 2017.

Vlen të theksohet se autori në fjalë, Mehmetali Rexhepi, përveç veprave të publikuara, ka edhe një mori dorëshkrimesh: në poezi, prozë, kritikë-eseistikë dhe publicistikë-eseistike. Mirëpo ai nuk është ithtar i publikimeve të shpeshta. Njihet edhe si bashkëpunues me revista kulturore, letrare dhe artistike në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Studiuesit e mirëfilltë letrarë por edhe lexuesit për shkrimet imagjinative dhe diskurzive të Mehmetali Rexhepit kanë shprehur vlerësime afirmative, të veçanta për përmbajtjet interesante, për risitë hulumtuese, për gjuhën, qëmtimin figurativ e stilistik në shkrimet e tij. Vlerësime tejet afirmative për veprën e tij kanë shprehur shumë autorë dhe studiues si: Shefik Shkodra, Mr. Tahir Arifi, Mr. Sherafedin Kadriu, Dr. sc. Faik Shkodra, Prend Buzhala, Nehas Sopaj, Prof. dr. Hysen Matoshi, etj. Kështu, për shembull, duke u marrë me botën shkrimore të autorit, Mehmetali Rexhepit, shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur, Prend Buzhala, shkruan:…

Rexhepi është kritik i pasionit kërkues të bukurës dhe vlerave. Tekstet e tij, thekson Buzhala, janë shënime të leximit pasionant, të hapur për horizontet e ndryshme të kuptimit, kurse burimin e tyre e kanë tek leximi dhe tek mendimi krijues, aty ku ai shquan ndërlidhjen e këtyre teksteve tek fushat e ndryshme të librit letrar, publicistik, shkencor a eseistik. Dhe, për ta dhënë këtë shumësi shkrimore e kuptimore, Rexhepi jep shenja të forta të njohjes të traditave letrare e relegjioze, të mendimit politik dhe atij dituror, historik dhe albanologjik.

Hirësia e motit, roman (2017)

Kohë më parë, autori në fjalë, Mehmetali Rexhepi ka botuar veprën e tij të radhës (të cilën ma ka dhuruar me dedikim të veçantë, për çka e falënderoj nga zemra!) më titull shumë simbolik: Hirësia e motit, mozaikë të një romani, Prishtinë, 2017, fq. 235. Është kjo një vepër e rrallë në mjedisin tonë letrar-kulturor, e cila, siç e ka vënë re shkrimtari dhe studiuesi Prend Ndue Buzhala, përshkohet nga një frymë e një poetike postmoderne letrare.Procedimi i tillë ndërtekstual, fryma poetike moderne dhe postmoderne letrare, vlerëson Buzhala, e karakterizon këtë vepër, ku autori ka “zënë” çastin më dramatike më kulmor të ekzistimit (njerëzit që shndërrohen në numra), atë momentumin e historisë më të re: aktualitetin e kthesës së madhe, që nga eksodi deri tek kthimi i magjishëm.

Duke e thyer me qëllim rrjedhën fabulative të narracionit, ai e ka copëzuar, dezintegruar e dekonstruktuar, për ta ri-unifikuar e ndërthurur si frymë krijimi, si tekste autoriale, si zgjedhje sublime e së bukurës stilistike-narrative-meditative. Kërkmtarët kureshtarë (që e paguajnë me vetëflijim), janë në kërkim-sublim të qenësisë sonë (Prend Ndue Buzhala: Ridimensionimi i qenies shqiptare nëpër kohë).

Hirësia e moti, mozaikë të një romani,me tema dhe nëntema, por me temën bosht të robërisë dhe lirisë së Kosovës, shquhet me vlerat shumëdimensionale. Romani nis me përplasjet midis botës së pasur imagjinative e kureshtare të fëmijës përballë prindit, a Madhorit, sikundër komenton narratori-autori; pastaj jep një kronologji në disa breza e në disa kohë në vazhdim: nëpër kohët e kërkimit atdhetar të ilegales, rezistencës, luftës dhe pasluftës… me personazhin kryesor Motin që përmbyll këtë aventurë kërkim-lirimi nëpër kohë.

Romanin në fjalë autori e ka strukturuar në pesë pjesë, në pesë njësi tekstore:

1. Mes parandjenjës e gjëmës,
2. Përflakja e mësymjes,
3. Metafora e liqenit dhe pengu i bukurisë,
4. Ngadhnjimi i ëndjes dhe
5. Vatra e fortesës prej letre.

Vlen të theksohet se secila njësi e tillë ëdhtë thurur nga njësi të ndërlidhura tekstore si:
– Mal Brezi,Shtangie-shtare dhe Dhimbja e bardhë (tërësia e parë tekstore),
– Loja e mësymjes, Thika dhe Toka është yll (tërësia e dytë tekstore),
– Margaritari i lëngshëm, Ikona, Pengu, Buja dhe zgojet e bukurisë (tërësia e tretë tekstore)
– Lajthitja e një tundimi dhe Hija pa diell(tërësia e katërt tekstore dhe
– Djegia e dorëshkrimit, Shija e pelimit, Fortesë prej Letre, Pirgu i errësuar,(Sh)krimi, Vogëlsia e mahnitjes dhe Zhgualli i parimit (tërësia e fundit). Ky tekst letrar, i një fryme moderne dhe postmoderbe, lexohet, siç e ka vënë re Prend Ndue Buzhala, herë si poetikë e efekteve të energjisë së fuqishme shpirtërore-refleksive dhe herë si zë i shumëfishuar narrativ që na fton në ndërgjegjësimin e vetvetes apo si ligjërim i një zëri urtak i folësit lirik-refleksiv, si udhërrëfyes jete, si mesazh drejtues në jetë (P. Buzhala, vep. e cit).

Krejt në fund të këtij shkrimi le të theksojmë se HIRËSIA E MOTIT, mozaik romani, shquhet me vlerat multidimensionale, është roman i një kuptimi dhe domëthënie të thellë filizofike e kombëtare, me vlera të larta estetike dhe si i tillë lexohet me një frymë, lexohet me kënaqësi estetike edhe për shkak të gjuhës letrare-artistike të tij si “një ikje legjitime e autorit nga lugjërimi i standardizuar” (Prof. dr. Hysen Matoshi).

Në Arbon të Zvicrës, më 28 korrik 2017