SEKRETI I TRËNDAFILAVE dhe HIJE E URITUR

0
962

Vjollca Tiku Pasku

SEKRETI I TRËNDAFILAVE

Je endur me gjuhën dhe stilin e flladit pranveror,
ngjyrosur padashur me sytë e magjepsur të qiellit,
teksa panë një engjëll të bardhë me top të artë në dorë,…
ra në tokë u ça e lëshoi gjithë nuacat e perëdimit të diellit.
Ti i mblodhe petalet përqark për të fshehur një sekret,
ku zemra jote vetëm gjirit të hënës ia tregon në mbrëmje,
as diellit nuk ia thua që të pëkëdhel, qesh e largon retë,
as shiut të freskët që të shkëlqen kostumin me ëndje.
Ti vrumbullon dashurinë nga zjarri i diellit të nxehtë,
në përkundjen tënde dërgon puthje të bardha fluturuese,
me aromë ngjitesh lartë në vellon e qiellit lehtë, lehtë,
por sekretin e ruan, pa e zhbiruar në sytë dëshiruese

“””””””””””””””””””

HIJE E URITUR

I papunë. Ai kishte tërë familjen për të mbajtur, gruan e sëmurë dhe dy fëmijë t e vegjël. E shkurtuan për shkak të krizës. E hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e kështu me radhë, çdo ditë ai ishte njësoj, duarbosh e xhepabosh. Kërkimi u shndërrua si një ujëvarë dëshpërimi që e godiste mbi indet e zemrës. Rezervat ekonomike kishin shteruar dhe borxhet rriteshin me shpejtësi. Heshtja funerale e kësaj toke mban emrin papunësi. Rruga e përshkruar me këpucët e vjetra u bë e rëndë. Thuaj nuk e shkelte tokën, por e mbante mbi supe. Ajri i ftohtë që i futej nga flegrat e hundës në mushkëri, po ngrinte edhe shpresën. I gjithë trupi do të ishte i ngrirë atje në dy metra vend. Mos vallë kjo ngrirje po vinte nga bota e përtej varrit?! Kur njerëzit e tokës mbyllin dyert e jetesës hapen ngadalë dyert e dheut. Rraskapitja e trupit mbaronte në darkë, atëherë kur nata lyente me bojën e zezë muret e qiellit. Kandelat e syve shpërthenin xixat flakëruese: ”Papunësi të urrej”.

Përpjekjet e tij për të mbijetuar ishin të mëdha. Por asgjë nuk arriti. Prangosur nga varfëria, ai griste ajrin e rrugëve sa herë endej nëpër to, dhe ditët kalonin pa asnjë ndryshim. Me shpirtin të gjymtuar nga stërmundimi ai filloi të mallkonte jetën dhe botën e padrejtë, mallkonte fatin e shtyrë me bërryle varfërie. Filloi të mallkonte edhe ëndrrat që e fusnin në botëra fantastike që stononin me realitetin. Dukej sikur mjerimi i rridhte edhe nga sytë dhe varfëria e dhimbshme i pëshpëriste në të gjithë qenien e tij. Kush nga njerëzit kishte nge të kuptonte vuajtjen e tij. Çdokush endej në botën e tij dhe dilte prej saj, vetëm atëherë kur kishte ndonjë interes nga tjetri. Vetëm gruaja e shikonte në sy dhe mundohej t’ia shquante horizontin e vuajtjes, kur ai ishte mbuluar nga retë e vrerosura. Ah ,të mund të ndryshonte fatin e tij, dhe të keqen ta fshinte nga fatin i botës, me një fshesë gjigante, derisa e nesërmja, të bëhej ishte një qiell i ri, krejt i pastër. Atëherë, ajri veshur me fllad shprese do të ndryshonte gjithçka…

Agoi mëngjesi. Ndoshta ky do të ishte ndryshe nga mëngjeset e tjerë. U ngrit nuk futi asgjë në gojë dhe doli. Këmbët po e çonin në një ndërmarrje të madhe që bashkëpunonte me të huaj… Një pëllumb i lëshoi një glasë në fluturim që i ra në mëngën e xhupit të vjetër. Me gjithë neverinë që ndjeu mendoi: “Ndoshta është fat“. Thuhej se glasa e zogjve fluturues te sillte edhe fluturim e fatit… Rendi drejtë portës ku roja e drejtoi në një zyrë. Një djalë me kollare iu drejtua:

– Si mund t’ju ndihmoj zotëri?
– Kërkoj punë, çfarëdo pune!…
Shqisat e tij u përqendruan mbi djalin punëdhënës, vështrimi i tij zhbironte edhe nervin më të hollë të syve, lëvizjen e buzëve, fjalët që do formoheshin, për t’i kapur që në ajër.
-Lini mbi tavolinë tre milionë lekë të vjetra dhe hajdeni nesër në punë, si punëtor.
Sytë e të papunit u hapën si një re gllabëruese e nderur mbi qytetin me njerëz te njohur prej tij. Po mendohej se “ku mund të huazonte kaq para… Fundja do punonte një vit për të paguar huan , e më pas për familjen”.
– Do më presësh deri nesër, sot nuk kam mundë si të mbledh kaq para… – tha duke kafshuar buzën deri në gjakosje.
– Dakord, asnjë ditë më shumë.– ia ktheu djali i kollarisur.

I papuni u end gjithë ditën nëpër të gjithë farefisin e tij… Me lot e me lutje gjithë dënesa shpirti, i mblodhi ato para. Të nesërmen vajti përsëri tek djali i kollarisur dhe ia dha zarfin me paratë e kërkuara.
– Fillo punë menjëherë! – i tha ai…
Por në këtë kohë hyri në zyrë një burrë i bëshëm dhe e kapi prej gryke djalin me kollare.
– More jezit, more pis pisi, më kërkove tre milionë, dhe pa mbushur vitin më dëbon nga puna. Kujt ia shite vendin e punës time….- fytyra e tij dukej sikur kishte marrë zjarr… -Do të vras more edepsëz!…
– Vendi yt u shkurtua. Pikë . S’të kam faj… – u justifikua ai dhe me zor shtypi butonin e sigurimit, ku mes dy duarve të burrit të bëshëm, dukej si një dordolec që tremb harabelat.
Por dy roje e nxorën me forcë teksa po shkumëzonte.
I papuni si meit, tani u end mes qiellit dhe tokës, cilën rrugë të ndiqte?!…

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar