ARSHI PIPA: ME RASTIN E 20-VJETORIT TË VDEKJES

0
800
Arshi Pipa

Nga Frank Shkreli

Të ënjtën me 27 Korrik në Muzeun e Kujtesës së krimeve Komuniste në Shkodër u përkujtua 20-vjetori i ndarjes nga kjo jetë në Washington, shkrimtari, politologu dhe kritiku i cili u përndoq dhe u burgos nga regjimi komunist, për qëndrimet dhe bindjet e tija anti-komuniste, njofton nga Shkodra, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo. Sipas korrespondetit Sulo, pjesëmarrësit në këtë përkujtim u shprehën se Profesor Arshi Pipa dha kontribut të shquar në fushën e albanologjisë, demaskimit të komunizmit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, ndërsa vepra e tij nuk njihet plotësisht nga publiku shqiptar shprehet Pëllumb Sulo në kronikën e tij nga Shkodra.

Profesor Arshi Pipa lindi në Shkodër me 28 Korrik, 1920 dhe ndërroi jetë në Washington në vitin 1997. Ai kaloi pjesën me të madhe të jetës së tij jashtë Atdheut, në mërgim të detyruar. Arshi Pipa ishte shume i njohur në qarqet akademike e kulturore në Perëndim e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por gjatë periudhës së komunizmit ishte “persona nongrata” si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Megjithëse nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të kualifikuar për të shkruar për Arshi Pipen dhe veprat e tijë, dua vetëm të shënoj këte përvjetor si një detyrim, pasi e kisha njohur atë dhe motrën e tij Fehimën me të cilën kam punuar në Zërin e Amerikës për disa vjetë. Ndjejë një detyrim moral — për vuajtjet e kësaj familjeje nën regjimin e Enver Hoxhës, për burgun që pësoi Arshiu vetë në ferrin komunist shqiptar dhe per vrasjen nga regjimi komunist i të vëllait të tyre, avokatit të njohur shkodran, Myzaferin — që me dy tri fjalë të përkujtoj këte njeri të madh të kombit, në këte pervjetor të kalimit në amshim. Fatkeqsisht, familja Pipa e pësoi shumë keq nga komunizmi. Ishte kohë e keqe për të gjithë shqiptarët, kur burgosej shkrimtari dhe kur vritej avokati, vetëm e vetëm sepse mendonin ndryshe.

Arshi Pipa përveç kontributeve të mëdha që i ka lenë kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë dhe publicistikës — në bazë të takimeve e bisedave të disa hershme me të në Washington — Arshi Pipën e mbajë mend më shumë si atdhetar dhe antikomunist, pasi afër zemrës kishte dashurinë për Shqipërinë dhe çlirimin e saj nga komunizmi. Ky ishte shpesh subjekt bisedash. Unë e vlerësoj shumë qendresën e tij anti-komuniste. Megjithëse kishte vuajtur ferrin në burgjet e Shqipërisë komuniste, duke e shikuar vdekjen në sy, ai kurrë nuk humbi shpresën për liri për veten dhe për kombin shqiptar dhe si rrjedhim, për këte ideal ai punoi pa ndërprerje deri në minuten e fundit të jetës së tij. Ai shpesh thonte se “Komunizmi nuk ka të ardhme. Ai do të përsëritet në involucjone gjithnjë ma të dobëta derisa të shterret vetvetiu”, kishte profetizuar ai.

Takimi im i parë me Arshi Pipën nuk ishte në person, por ishte Libri i Burgut, i shkruar prej tij ndërsa ishte në burg, si një dokument kundër regjimit komunist. Një libër ky për të cilin vet autori ka thënë se “… u nis me qëllim që libri të delte nga burgjet prej të cilave unë ndoshta nuk do të delsha… Kështuqë, qysh heret shestova me mbledhë përvojen time, dhe jo vetëm timen, të kohës së robënisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut dhe të kampit — e një anës së jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithe kompleksin.” Kështuqë, pa e takuar në person, unë kisha njëfarë ideje se kush ishte Arshi Pipa, dhe se cilat ishin qëndrimet dhe bindjet e tija. Unë kam pas fatin të takoj këte dijetar të madh tonin disa herë dhe e kam admiruar sa ishte gjallë si edhe pas vdekjes. Ishte parimor, mbronte me aftësi qëndrimet e tija ndërkohë që kishte një përgatitje të dijës së gjithanshme. Dituria e tij ishte rrjedhim e frutë e studimeve të parreshtura dhe vuajtjeve personale e familjare. Ai, në bisedë të angazhonte intelektualisht dhe në argumentat e tij kishte një gjallëri përbindese të idealeve.

Arshi Pipa personifikonte patriotin dhe intelektualin, ndër më të shquarit e kombit shqiptar, i cili asnjë ditë të jetës së tij nuk pushoi së luftuari për liri e demokraci: për lirinë e fjalës, për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, gjithmonë në papajtueshmëri të plotë dhe të vendosur ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste.

Sot, në këte 20-vjetor të vdekjes, kujtojmë Arshi Pipën, personalitetin e madh kulturor, poetin e shkrimtarin, atdhetarin, demokratin e anti-komunistin e flakët që vuajti tmersisht në burgjet e diktaturës komuniste të regjimit të Enver Hoxhës. Kujtojmë gjithashtu personin që mund të thuhet, se jo vetëm që nuk është zbuluar ende si duhet nga publiku shqiptar — ashtu siç vunë në dukje edhe pjesëmarrsit e përkujtimit të tij në Shkodër të ëntjën — por mund të thuhet se nganjëherë e nga disa, ai mbetet i keq kuptuar dhe është trajtuar në mënyrë indiferente, për të mos thënë armiqësore, sidomos nga institucionet kulturore dhe akademike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Le të shpresojmë që përkujtimi i këtij burri dhe intelektuali të madh të kombit, si ai në Shkodër, të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë së konsiderueshme të këtij kontribuesi të palodhur të kulturës, shkrimeve dhe studimeve shqiptare, duke zenë vendin që i takon në radhëlt e shkrimtarëve më të njohur shqiptarë. Arshi Pipa gjithë jeten dhe vuajtjet ia kushtoi atdheut dhe kombit. Ai ishte ndër më të ndritshmit patriotë e shkollarë, veprat e të cilit janë jetike për kombin e vuajtur shqiptar nga terri 50-vjeçar komunist.

Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga dogmat e vjetra dhe të vlerësohen shkencërisht kontributi dhe vlerat që kanë veprat e elitës së qendresës anti-komuniste shqiptare, përfshirë edhe veprat e Arshi Pipës. Një gjë e tillë, do të rivendoste dinjitetin dhe nderin e nepërkëmbur njerëzor të elitës së vuajtur dhe të viktimizuar shqiptare dhe do i bënte nder kombit.

Arshi Pipa tërë jetën u mor me fatin e atdheut të vet, prandaj, në këte 20- vjetor të vdekjes së tij, ta kujtojmë, dhe ta nderojmë këte dijetar që solli dritë mbi historinë dhe kulturën shqiptare, si përfaqsues u denjë në boten e jashtme, me dinjitet duke e paraqitur kombin shqiptar si të denjë të zejë vendin qe i takon në radhët e kombeve të qytetëruara. Duke i këthyer ligjëshmërinë dhe vendin që i takon Arshi Pipës dhe veprave të tij në historinë e kombit shqiptar, Shqipëria dhe shqiptarët nuk bejnë asgjë tjetër veçse vene në dukje fisnikërine e vetës ndaj bijëve dhe bijave të kombit që kanë nderuar por që deri tashti nuk janë ende të njohur ashtu siç duhet për publikun e sidomos për brezat e rinjë të shqiptarëve.

Arshi Pipa — veprat e të cilit nuk do të dinë kurr mort — është i denjë i kujtimit dhe i nderimeve tona ndërkohë që meriton mirënjohjen e të gjithë Shqiptarëve, jo vetëm sot me rastin e 20-vjetorit të vdekjes, por gjithmonë.