Blerim Latifi: ​Boshnjakizimi

1
1919

GAZETAEXPRESS, 24 Korrik 2017

Blerim Latifi

Derisa në qytetin Raka të Sirisë, këto ditë, gratë publikisht po i djegin burkat e imponuara nga terroristët e ISIS-it, që e mbajtën për disa vite këtë qytet nën pushtetin e tyre, këtu tek ne, dëgjohen thirrje e kërcënime për vrasje të atyre që guxojnë të thonë ndonjë mendim kritik për burkan. Çfarë paradoksi! Mos vallë kemi ardhur deri në atë pikë, sa jemi bërë më arabë se arabët?

Në serinë e gjatë të atyre që gjithë këto vite u përballën me lloj lloj kërcenimesh me jetë, i fundit këto ditë ishte publicisti Berat Buzhala. Një status sarkastik i Beratit për tre gra të veshura me burka shpërtheu një histeri të pafundme të sharjeve dhe kërcenimeve ndaj tij, sidomos nga Maqedonia. Pasuesit kokëbosh të këngëtarëve tallava apo komandantëve që kanë bërë emër me betejat e shpikura pas luftës, u sulën kundër Buzhalës me një mllef linçimi, që do ta kishin zili edhe salafistët më fanatikë në rrugët e Rakas apo Mosulit.

Shtrohet çështja: prej nga ky pasion kaq i zjarrtë salafist të shqiptarët e Maqedonisë. Prej nga ky preokupim i tyre kaq i madh me detajet doktrinore të islamit? Çfarë po ndodhë me shqiptarët në Maqedoni? Si shpjegohet ky zell i tyre fetar, që u ka pushtuar mendjet, zemrat dhe jetën sociale?

Natyrisht spektri i këtyre pyetjeve është shumë i gjërë dhe përgjigjet në to kërkojnë një studim të thelluar shumë dimensional, sociologjik, historik dhe politik gjithsesi. Ky shkrim nuk mëton të sjellë këto përgjigje, por vetëm një konstatim, i cili del nga një vëzhgim i thjeshtë i realitetit social dhe kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë.

Kombi shqiptar, i cili me aq shumë vështirësi, pas një procesi të gjatë historik, i’a doli të ndërtohej në parametra të kombeve evropiane, sot, në pjesën e parë të shekullit XXI, është duke humbur një pjesë njerëzore të tij dhe pikërisht shqiptarët e Maqedonisë.

Si pasojë e shumë faktorëve historikë dhe faktorëve të sotëm, ata janë duke përjetuar procesin e shndërrimit nga grup etnik në komunitet religjioz. Ky është procesi i boshnjakizimit, të cilin, me vetëdije apo jo, janë duke e përjetuar bashkatdhetarët tanë në Maqedoni. Gjatë këtij procesi përkatësia e tyre etnike humbet terren para përkatësisë së tye religjioze, që do të thotë se religjioni bëhet dimensioni primar i identitetit të tyre. Nga shqiptarë muslimanë, ata po shndërrohen në muslimanë shqiptarë. Dallimi në mes këtyre dy termave është tejet i rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar.

Ky komb arriti të formohej në shekullin e XIX vetëm pse falë mençurisë së rilindasve u gjet formula e subordinimit të përkatësive të ndryshme fetare ndaj përkatësisë etno-nacionale. Falë kësaj formule shqiptarët arritën të ndërtonin unitetin e tyre politik përtej vijave ndarëse religjioze. Shembujt janë të shumë, por këtu po i përkujtoj dy prej tyre. Në fillim të shekullit XX, Shqipëria me popullatë shumicë muslimane kishte një kryeministër ortodoks, Fan Nolin. Në fund të shekullit XX Kosova poashtu me shumicë muslimane e kishte shndërruar në profet politik Ibrahim Rugovën, i cili haptas promovonte dashurinë e tij për Vatikanin.

Kjo është formula, e cila e definon vetë shqiptarësinë si identitet: të jesh shqiptar do të thotë të pranosh se përkatësia nacionale është para përkatësisë fetare. Në momentin kur dikush heq dorë prej kësaj përparësie identitare ai pushon se qenuri shqiptar. Mund të vazhdoj të jetë shqipfolës, por shqiptar nuk është. Në këtë rast argumentet biologjike nuk kanë vlerë, sepse kombi, parasegjithash dhe mbi të gjitha, është identitet kulturor.

Sot shumë shqetësohen pse tipa si Gzim Kelmendi përbuzin figurën e Skenderbeut dhe idealizojnë ato të sulltanëve osmanë. Është shumë e kuptueshme pse ata e bëjnë një gjë të tillë. Si pasojë e vetasimilimit, ata kanë pushuar se qenuri shqiptarë. Ata mund të jenë vetasimiluar në turq, arab, boshnjak, ose në diçka prej krejt këtyre, por shqiptar më nuk janë. Si rezultat Skenderbeu nuk mund të jetë heroi i tyre. Heroi i tyre është Ballaban Pasha, shqiptari katolik i Matit, që u bë turk dhe si komandant i Sulltanit derisa vdiq luftoi kundër atdheut të vet. Por, në fund të fundit vetasimilimi individual nuk është problem. Njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre idenitare.

Problem është transformimi kolektiv identitar i shqiptarëve të Maqedonisë. Historikisht të pandikuar nga lëvizjet kombëtariste shqiptare të kohës së Rilindjes dhe më pas, të sunduar gjatë nga pushtete agresive serbe dhe maqedone, që u mohonin kulturën e organizuar kombëtare dhe u afirmonin identitetin fetar, sot në kushtet e ringjalljes globale të përkatësive dhe ideologjive fetare, shqiptarët e Maqedonisë janë tërësisht të pambrojtur nga fenomeni i boshnjakizimit. Shkollat e tyre të dobëta kombëtare dhe kultura letrare e mediale e zbehtë nuk mund t’i bëjnë ballë nacionalizmit ortodoks maqedon, që imponohet përmes presionit shtetëror, si dhe milionave të islamit politik turk dhe salafizmit arab. Vetë Shqipëria dhe Kosova janë duke pasur problem me këta dy të fundit, e lëre më shqiptarët e Maqedonisë, që kurrë nuk e kanë njohur forcën ideologjike të shtetit nacional.

Natyrisht në këtë kontekst fajin e ka elita politika shqiptare atje, që, e dhënë pas obsesionit të pushtetit, është shkapërderdhur në dhjetra parti, duke varrosur mundësinë për të ndërtuar një subjekt të vetëm politik që mbron dhe shtyn përpara agjendën kombëtare të shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë. Nga kjo duhet përjashtuar zëra individualë në politikë dhe publicistikë, por ata janë të pafuqishëm para trendit kolektiv. Këta zëra janë jehona e fundit e mendimit politik të Arbër Xhaferit, i cili, sot, po të ishte gjallë, do të turpërohej nga histeria salafiste e bashkadhetarëve të tij kundër Berat Buzhales. Ndërkaq ne sot duhet të ndihemi tepër keq që në vend të veprave të Arbër Xhaferit tek shqiptarët e Maqedonisë lexohen me zell skolastik tekstet e propagandës salafiste, e cila, në fund të ditës, injorantët i transformon në militantë të përkushtuar të xhihadit. Kjo përbën një degradim kulturor, në përmasat e një tragjedie për një komb, që ka aspirata evropiane.

Në kontekst historik fenomeni i boshnjakizimit nuk është i panjohur për ne. Si pasojë e situatave në të cilat përkatësia fetare ka fituar terren përballë përkatësisë etnike ne kemi humbur një popullatë të tërë përgjatë Malit të Zi dhe rajonit të Sanxhakut, e cila është asimiluar në popullatën boshnjake. Teoria e orientalistit Hasan Kaleshi, se islamizimi i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi sllav këtu jo vetëm që përgenjshtrohet krejtësisht, por në fakt kemi një rast të qartë ku islamizimi ka shkaktuar asimilimin e shqiptarëve. Kur kjo kishte ndodhur ishin rrethana të vështira historike për shqiptarët, por të na përsëritet sot e njëjta histori është e pafalshme për të gjithë ne që jemi gjallë dhe një kritikë për ata, që me 1912 nuk arritën ta shpallin pavarësinë kombëtare shqiptare në Shkup, qytetin më të madh shqiptar të asaj kohe.

1 KOMENT

  1. Prej shume te pavertetave, qe i thate ne ketë artikull, me e keqja dhe me e paverteta eshte si vijon… citim

    Në fund të shekullit XX Kosova poashtu me shumicë muslimane e kishte shndërruar në profet politik Ibrahim Rugovën, i cili haptas promovonte dashurinë e tij për Vatikanin.”

    Kosova eshte me shumice SHQIPTARE, 95%…, ndersa ka pase praktikues islam ne kete periode ne nje numer 10-15 mije Musliman. Ne kete periode kane qene 358 xhamia muslimane… edhe asnje SHQIPTARE, sepse SHQIPTARI nderton SHKOLLA, BIBLIOTEKA, UNIVERSITETE, Kinema, Pishina, e jo xhamia.

    Po te ishin popullata e Kosoves shumice, siç flitet nga BIK dhe ne kete artikull nga JU, Kosova do te aplikonte Sherjatin automatkisht, sepse atje ku sundon shmica Muslimane, atje s’ka sekularizem por ka SHERIAT… prandaj mjaft me keto genjeshtra per shumicen Musimane ne Kosove.

    Dr. Ibrahim Rugova ka qene SHQIPTAR i madh dhe personalitet i madh, dhe ka pase prirje per te krijuar miqesi politike. Ai i ka pase raportet e shkelqyeshme me nje Pape ANTIKOMUNIST nga Polonia, qe quhej PAPA VOJTILLA. Dr. Rugova ka qene SHQIPTAR e jo Musliman. Dr Rugova miqesine me te madhe e ka pase me BILL Clinton, Tony Blair, Havier Solana. Ai per 18 vite te aktivitetit politik kurrrrrrrrrë nuk e ka permend asnjehere:

    Turkun, Arapin, Arafatin, Gadafin, Palestinezin, Muslimanin, sepse ata nuk kane qene prioritet i tij… e prioritet i DR. RUGOVES ka qene kombi SHQIPTAR ne Kosove dhe LIRIA e tij… dhe ai nuk ka pase lidhje me asnje Religjion.

Komentet janë mbyllur.