(Isak Ahmeti: Bibla në letërsinë shqiptare, Gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 1999)
Vehbi Miftari
Libri më i ri i poetit dhe studiuesit është një studim gjithëpëefshirës, i cili, siç e thotë edhe vetë autori në hyrje të tij, mëton që të dëshmojë se Bibla, Libri i librave, kjo vepër kapitale dhe thesar kulturor me vlerë të përhershme për mbarë njerëzimin, ka qenë e pranishme, në një mënyrë ose tjetër, te iliro-shqiptarët, përkatësisht në letërsinë dhe kulturën e tyre, gjatë njëzet shekujve, me çka dëshmohet procesi i hershëm i inkuadrimit të letërsisë sonë në rrjedhat dhe ritmin e letërsisë dhe të kulturës evropiane.
Nisur nga ky orientim i autorit dhe nga mënyra e zbërthimit të materies që merret për studim, dy janë orientimet bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet vështrimi kritik për këtë vepër studimore të Isak Ahmetit. Së pari, kjo vepër dëshmon në mënyrë argumentuese se Bibla, si vepër kapitale dhe për kulturën evropiane në përgjithësi, ka shënuar ashtu si në të gjitha gjuhët dhe letërsitë e popujve të tjerë evropianë, fillimin e formimit të gjuhës letrare dhe fillimin e letërsisë kombëtare dhe, së dyti, se letërsia shqiptare, si pjesë e kulturës së popullit shqiptar, është zhvilluar krahas letërsive të tjera evropiane, prandaj i përket po atij trungu letrar dhe pse jo, edhe atij kulturor.
Duke qenë se këto dy orientime studimore autori i zbërthen në rrafsh të diakronisë së përmbajtjes dhe të hulumtimit shkencor studimor, vepra “Bibla në ketërsinë shqiptare” vjen e bëhet edhe brumë i ardhur i një teme letrare shqiptare, me të cilën, me sa dimë, deri sot është marrë konkretisht vetëm studiuesi Sabri Hamiti. S’do mend se në studimet e historisë së letërsisë shqipe, ka pasur dhe ka qëndrime të ndryshme për sa i përket kategorizimit të temave që e dëshmojnë përmbajtjen e kësaj letërsie, kurse Sabri Hamitit i takon merita që i pari në studimet tona letrare e heton këtë fenomen dhe e bartë atë në tërësinë tematike që e përshkon letërsinë shqipe. Ndërsa autorit të këtij studimi i takon merita pse i pari merret me vështrimin e saj në diakroninë e rrjedhës letrare te ne.
Tradita letrare shqipe dhe Bibla
Studimin e tij, I. Ahmeti e fillon me një vështrim kronologjik mbi vazhdueshmërinë e pranisë së Biblës në kulturën dhe traditën, e paskëtaj edhe në letërsinë shqipe, e cila, sipas autorit, nis, ndonëse në gjuhën latine, atëherë gjuhë universale e civilizimit evropian, me dy emra kulmorë edhe në letërsinë evropiane: Jeronimi nga Stridoni i Dalmacisë dhe Niketë Dardani nga Remesiana e Dardanisë, që kishin deklaruar vetë origjinën e tyre ilire. Shën Jeronimi pati thënë: Miserere mihi Domine, quia Dalmata sum (Më mëshiro, o Zot, sepse jam dalmatin), për të vazhduar me Buzukun, Budin, Bogdanin… deri te Kadare, i cili, në versionin më të ri të Kështjellës, atë e parqet jo më si një fortesë të zakonshme, por si një kështjhellë të krishterë, me kishëzën, këmbonaren dhe kryqin si shenjë ngadhënjimi.
Pra, Isak Ahmeti zhvillimin e letërsisë shqipe e lidhë ngushtë jo vetëm me traditën kishtare iliro-shqiptare, po edhe me historinë e përkthimeve të teksteve biblike. Duke u nisur nga ky konstatim, autori nxjerr edhe konstatimin tjetër, që i shpërfill konstatimet e mëhershme, edhe të studiuesve shqiptarë, sipas të cilëve nuk ekziston letërsi kishtare. Jo vetëm që ka letërsi të tillë, por ajo i ka edhe përfaqësuesit e saj: Shën Ambrozin, Shën Jeronimin, Shën Augustinin, Shën Tomain etj., pa të cilët nuk mund të paramendohet asnjë histori e letërsisë botërore, thotë autori. Në historinë e letërsisë botërore tashmë kanë hyrë termat nga kjo letërsi, si: drama kishtare, drama liturgjike, himni kishtar, shkrimtarët kishtarë, etj., terma këta që, gradualisht, kanë hyrë edhe në letërsinë tonë, prandaj, sot nuk mund të flitet për një ndikim të kësaj letërsie në letërsinë shqipe, por për një letërsi të tërë kishtare, fillimet e së cilës, sipas këtij autori, i gjejmë te Shën Jetonimi dhe te Shën Niketë Dardani.
Letërsia e kodit biblik
Pra Shën Jeronimi dhe Shën Niketë Dardani, krijuesit shqiptarë, kush më pak e kush më shumë, inkorporojnë temat biblike-filozofike në veprimtarinë e tyre letrare, duke e ruajtur kështu, krahas porosisë mesiane, edhe karakterin perëndimor të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Është mjaft interesant konstatimi i autorit se, letërsia jonë e vjetër, për disa shekuj me radhë, është mbështetur në kodin biblik, njëherë si përshkrim e tejshkrim i tij, e më vonë edhe si përngjasim me të, duke filluar prej “Mesharit” të Gjon Buzukut, i cili është vlerësuar si sintezë vlerash kombëtare, për të vazhduar pastaj me Budin, poezitë e të cilit janë Doktrinë filozofike-biblike e kombëtare në vargje, me Pjetër Bogdanin dhe autorë të tjerë të letërsisë së vjetër shqipe, të cilët, secili në mënyrën e vet, i kanë, ndihmuar karakterizimit të kësaj letërsie si letërsi e kodit biblik në kuadër të letërsisë shqipe.
Përmbajtjen bibliko-filozofike, sipas I. Ahmetit, e hasim edhe në letërsinë e krijuar prej arbëreshëve të Italisë, të cilët në veprat e tyre, këtë përmbajtje e kanë pasur për platformë të tyre krijuese. Katekizmi i Lekë Matrëngës “E mbsuame e krishterë”, pastaj poezitë e Nikollë Filjes, të Nikollë Brankatit, të Nikollë Ketës, e sidomos vepra kapitale e Jul Varibobës, Gjella e Shën Mërisë Virgjër, e shquajnë thellë karakterin biblik-filozofik të kësaj letërsie. Kapitullin për krijuesit arbëreshë të letërsisë së vjetër, autori e plotëson edhe me autorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por që krijojnë në këtë amëz letrare të letërsisë shqipe, si: Zef Serembe, Anton Santori, Zef Skiroi dhe Binard Bilota, krijimtaria e të cilëve nuk mund t’i shpëtojë ndikimit të Biblës. Kështu, për shembull, poezia e përshpirtshme: Zotit, e cila sot e kësaj dite mbetet e pashqyrtuar prej kritikës sonë, sipas autorit, është jo vetëm ndër krijimet më të mira që ka krijuar Zef Serembe, por, njëkohësisht, është edhe një ndër krijimet më të, mira të autorëve shqiptarë me motive biblike-filozofike …
Lavdërimi i Krishtit dhe Rilindja
Letërsia e Rilindjes, si pjesë e rëndësishme e letërsisë shqipe, kur më pak e kur më shumë, ka qenë e ndikuar prej Biblës. Kështu, që nga Naum Veqilharxhi me emrin e të cilit lidhen fillet e Rilindjes në Shqipëri, e deri te Noli, ne do të ndeshim praninë e Biblës, syzhetë biblike, figurat më markante të saj, siç janë: Hyji, Zoti, Perëndia, Jezu Krishti, Shën Mëria, Eva, Adami, Kaini, Abeli, etj. Praninë e Biblës në krijimtarinë e këtyre autorëve, I. Ahmeti e ndan në dy pjesë: në krijimtarinë e autorëve si: Pjetër Zarishi, Leonardo De Martino, Ndue Bytyqi e ndonjë tjetër dhe të autrëve të mëvonshëm si, Naim Frashëri, Çajupi, Asdreni, etj.
Veçmas i kushton rëndësi ndikimit të Biblës në krijimtarinë poetike të Naim Frashërit, të vetmit poet mysliman, siç do thoshte edhe Sabri Hamiti, që i shkruan vjershë lavdërimi Krishtit, që kodifikon bektashizmin me shenja të ekumenizmit dhe artikulon dëshirën e vërtetë të shqiptarëve në të njëjtën kohë. I. Ahmeti do t’i kushtojë rëndësi të veçantë jo vetëm homogjenizimit të pranisë së Zotit në veprën e tij dhe në Bibël, por edhe konceptit të përgjithshëm naimian për Zotin, si krijues të gjithësisë. Naimi e përfytyron Zotin si krijues të gjithësisë, thotë autori, sikundër përfytyrohet edhe në Bibël, prandaj, në frymën e teologjisë biblike do të përgjigjet: Zoti shfaqet i përsosur te njeriu.
Prej subjektit letrar në formë të shkrimit
Bibla ka ushtruar një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në letërsinë shqipe të krijuar midis dy luftrave botërore. I. Ahmeti ka hetuar mjaft mirë se, pikërisht në këtë periudhë, për herë të parë në letërsinë shqipe të shek XX, veprat letrare të krijuesve shqiptarë jo vetëm e marrin subjektin letrar nga Bibla, por edhe e vendosin atë që në titull të saj Kjo praktikë do të kultivohet në vazhdimësi pas kësaj periudhe dhe do të bëhet një formë e zakobshme e shkrimit në periudhën e mëvonshme, sidomos në letërsinë e sotme shqipe. Vepra: Izraelitë dhe Filidtinë, e Nolit, është pararëndëse në këtë drejtim. Por, jo vetëm kjo dramë do të mbajë vulën e shtjellimit biblik në krijimtarinë e Nolit;shumë poeezi të tij do të jenë përsiatje poetike të materies biblike. Këtë traditë shkrimi të krijuar prej Nolit do ta përqafojnë më pastaj edhe shumë krijues të mëvonshëm të letërsisë shqipe.
Atë Gjergj Fishta me veprat: Vallja e Parrizit dhe Juda Makabe; Vinçenc Prenushi me: “Gjeth e lule”, e sidomoa Gjeçovi me veprën Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit, pastaj krijimtaria poetike-filozifike e Lasgushit, e E. Haxhiademit, Ndre Zadesë dhe e ndonjë tjetri, vetëm sa do ta përforcojnë edhe më tepër atë, do t’i japin një ngjyrë më të fortë ,një shtjellim të ri, thellësisht letrar argumentit bibliko-letrar që marrin në shqyrtim. Një studim të veçantë autori i bën veprës së Gjeçovit, të cilën e ka studiuar në mënyrë të shkoqitur, prej aspekteve të ndryshme, për ta quajtur në fund “vepër të pakryer”: “ajo është një roman dhe ungjill shqiptar i pakryer”, përfundon ai. Është poashtu interesant mendimi i I. Ahmetit për poezinë e Lasgushit, për të cilën thotë: Lasgushi, në të vërtetë, ka trajtuar çështje të thelbit të jetës së njeriut dhe të lëndës, të shpirtit dhe të frymëzimit poetik.Dhe përfundon, ashtu si për Naimin: Zoti i Lasgushit është Zoti i kristianizmit. Me këtë mendim ai sikur polemizon me S.Hamitin, i cili Zotin e këtij autori e nxjerr në Vedat.
Refleksionet biblike dhe refleksionet letrare
I shtyrë nga orientimet e shtruara në fillim të këtij vështrimi, edhe refleksionet që shprehen në letërsinë e sotme shqipe i vështron në vazhdën e rëndësisë së dyfishtë:të krijimit të letërsisë shqipe nbi shtratin e fortë biblik dhe të vazhdimësisë, siç thotë ai, të ruajtjes së frymës evropiane të kësaj letërsie, ndonëse në kushte e rrethana joevropiane. Vështrimet që i bën ai kësaj letërsie, mbase edhe për shkak të përafrisë kohore janë shkencore dhe argumentuese, prandaj kemi bindjen se kapitulli mbi krijimtarinë e autorëve bashkëkohës shqiptarë, sado që autori tezat e veta i nxjerr nga krijimtaria e një numri të kufizuar krijuesish, është më komplete, më e pasur me argunente. Tashmë u përmend Kështjella e Kadaresë.
Për I. Ahmetin është po kaq i rëndësishëm edhe fakti se Kadareja dëshiron që t’i tregojë njerëzimit se tragjedia e humbjes së krishterimit nga islami, në Fushën e Kosovës, po paralajmëronte tragjedi të reja, duke ndryrë në vete namën, mallkimin, që vihet re edhe te toponimi Bjeshkët e Nemuna, i cili edhe sot i ndjek ballkanasit po me aq egërsi si edhe 600 e sa vite më parë.
Krahas Kadaresë, autori shquan edhe veprimtarinë krijuese të Dr. Don Lush Gjergjit, Zejnullah Rrahmanit, Beqir Musliut, Fahredin Gungës, Sarë Gjergjit e të ndonjë tjetri, për të ardhur në përfundimin, në të cilin pati ardhur edhe R.Elsie, se: poezia e krijuar në Kosovë ka fituar një ton të ri, gjithsesi më universal se poezia shqiptare e krijuar në Shqipëri, ku është krijuar një letërsi thellësisht sicialiste e proletare që mbeti gjithmonë në hapat e parë të fëmijërisë.
Përfundim
Vepra e Isak Ahmetit, “Bibla në letërsinë shqiptare”, i cili, siç e ka vërejtur edhe Dr. Lush Gjergji, është një ndihmesë e madhe dhe studim burimor i gërshetimit të elementeve dhe frymëzimeve biblike në letërsinë tonë. Mirëpo, ajo është e rëndësishme edhe për arsye tjetër: është një studim, ndër të rrallët në gjuhën shqipe, i tërësishëm për një aspekt motivor, i cili ka përshkuar krijimtarinë letrare shqiptare prej fillimeve të saj deri më sot.
Pra, “Bibla në letërsinë shqiptare” është një sintezë e shkrimeve të ndryshme për praninë e Biblës në letërsinë shqipe, në vështrimin diakronik. Bie në sy sidomos orientimi i drejtë i autorit për ta paraqitur këtë letërsi në fillesat e saj dhe të kulturës së përgjithshme evropiane dhe vazhdimësinë e kësaj të dytës në krijimtarinë e të gjitha periudhave letrare te ne. Kjo, sa i përket idesë.
Ndërsa,sa i përket mbarështrimit të argumentit letrar, I. Ahmeti, përpos që bën edhe krahasime të ideve të të tjerëve, pa harruar të polemizojë me ndonjërin syresh në raste të veçanta, si me Koço Bihikun,Sabri Hamitin e ndonjë tjetër, me çka përforcon bindjen se autorit të këtij libri nuk i ka munguar durimi për të lexuar jo vetëm autorët që e trajtojnë motivin biblik në veprat e tyre, por edhe studime të ndryshme që janë marrë me të.
(Fjala, shtator-tetor 2000, fq. 12-13).