SHQIPTARË, MOS KINI FRIKË NGA IDENTITETI JUAJ

0
776

Nga Frank Shkreli

“Jeta është e shkurtër e studimi është i lodhshëm, njeriu është përtac nga mendja, publiku është i durueshëm dhe perdja është e siguruar kundrejt vërshëllimave, kështu që përse dikush të shqetësohet për faktet, kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym?” Kjo thënje e të urtit Faik Konica m’u kujtua ndërsa po lexoja në shtypin shqiptar të ditëve të fundit, pohime sulmuese dhe reagime në lidhje me identitetin e nenës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

Ia lëmë fajin muajve të verës, pasi politikanët janë në pushime dhe si rrjedhim ka shumë pak lajme për të shkruar e për të diskutuar nga analistë e komentatorë, pasi duhen mbushur faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve me debate. Por, a duhet që në këtë mungesë aktivitetesh politike të kësaj vere – me përjashtim të zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike — t’i kushtohet një diskutim i tillë një personaliteti të kombit siç është figura e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbe dhe etnicitetit të nënës dhe babait të tij? Është ky një debat i mbrendshëm dhe i pa nevojshëm midis shqiptarëve por për më tepër është shumë i dëmshëm, pasi sjellë ujë në mullirin e atyre që historikisht dhe sidomos viteve të fundit, kanë venë në pikëpyetje jo vetëm rolin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, si Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, por edhe identitetin dhe madje edhe historinë e shqiptarëve në përgjithsi, të cilën ata kanë kërkuar dhe kërkojnë që ta ndryshojnë, sipas interesave të tyre.

Këta protagonistë, shqiptarë dhe të huaj — të kësaj fushate për tjetërsimin e historisë së kombit shqiptar, ose të pakën për hedhjen e dyshimeve ndaj fakteve historike — nuk janë as historianë, as akademikë, por janë politikanë të huaj dhe veglat e tyre shqiptare për të cilët, Faik Konica ka shkruar se nuk shqetësohen aspak për faktet historike, “Kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym”. Përsa u përket të sulmeve të të huajve, kjo nuk është për tu habitur, kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë qëndrimi i tyre ndaj historisë së kombit shqiptar dhe Heroit Kombëtar Gjergj Katsrioti Skënderbe. Por që shqiptarët, të luajnë kartën e të huajve duke hedhur dyshime mbi historinë dhe herojtë e vet, kjo është pak e rëndë dhe e papërgjegjshme, sidomos nga ta që nuk kanë haber nga historia. Në të vërtetë, ky ka qenë dhe është objektivi përfundimtar i të huajve, që të mbjellin dyshime në vetë radhët e shqiptarëve, mbi identitetin e tyre kombëtar dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre. Kujt i intereson që në këtë moment të historisë të sulmohet figura e kombit shqiptar, sidomos nga njerëz që nuk kanë të bëjnë me historinë, por të cilët mund të kenë një platformë për të përhapur dyshime qëllimkëqia.

Mohimi i historisë dhe i identitetit kombëtar të shqiptarëve nga të huajt dhe thirrjet për rishqyrtimin e historisë së tyre, historikisht, nuk është një subjekt i ri. Dihet se në kohë të caktuara është bërë dhe bëhet për qëllimet e tyre anti-shqiptare. Ne shqiptarët që kemi jetuar nën ish-Jugosllavinë e dimë mirë këtë lojë të armiqve të shqiptarëve, ndërkohë që regjimet e asaj kohe bënin ç’mos që të ndryshonin identitetin e shqiptarëve në trojet e veta, me ndryshim emrash e mbiemrash, por edhe toponimesh. Por, që kësaj fushate t’i bashkohen vet shqiptarët, kjo është diçka e re dhe e turpshme. Këto mohime të historisë dhe të rolit të heronjve të kombit shqiptar, përfshirë Gjergj Kastriotin Skendërbe dhe familjen e tij, i kemi dëgjuar vazhdimisht nga qarqe politike, akademike dhe fetare, kryesisht nga qendrat, historikisht, anti-shqiptare: Beogradi, Stambolla e Athina.

Këta kanë mohuar dhe madje kanë kërkuar zyrtarisht edhe ndryshimin e historisë së shqiptarëve sipas orekseve të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit. Këto pretendime, disa prej udhëheqësve më të lartë të këtyre vendeve i kanë shprehur madje edhe zyrtarisht, jo vetëm nga larg por edhe nga afër, gjatë vizitave zyrtare në Kosovë e në Shqipëri, ashtu siç ka bërë edhe Presidenti turk Erdogan në disa raste, ndërkohë që udhëheqsit shqiptarë, nga të dy anët e kufirit, heshtin ndaj këtyre pretendimeve dhe sulmeve kundër historisë së shqiptarëve autoktonë në trojet e veta me mijëra vjetë. Për arsye që nuk dihen dhe mbeten të pashpjegueshme, përfaqsuesit e kombit shqiptar sot — përballë këtyre sulmeve të vazhdueshme, të jashtme dhe të mbrendshme ndaj historisë kombëtare dhe veçanërisht fushatat e herë pas hershme kundër Gjergj Kastriotit Skenderbe – nuk u përgjigen këtyre shtrëmbërimeve historike dhe nuk mbrojnë historinë, figurat historike dhe identitetin e kombit shqiptar.

Mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar janë çështje të shënjta të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit. Përgjegjësia numër një e një shteti dhe e përfaqsuesve të tij është që të mbrohet historia dhe identiteti kombëtar ashtu siç do të mbrohej kufiri, në rast të një sulmi ushtarak armiqësor. Mbrojtja e interesave kombëtare historike dhe të identitetit kombëtar, kur ato sulmohen pa të drejtë dhe pa fakte nga kushdo qoftë, nuk është shprehje nacionalizmi, por është vet-mbrojtje e ekzistencës së një kombi. Kombi shqiptar nuk ka krizë identiteti dhe udhëheqsit shqiptarë nga të dy anët e kufirit, duhet të mbrojnë pak më me bindje dhe përgjegjësi politike dhe atdhedashuri, interesat kombëtare madje edhe para udhëheqsve të huaj – para të cilëve shpesh bëjnë temena.

Sikur në këtë moment, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithsi, nuk ka probleme të tjera për të cilat analistët dhe komentuesit e gazetarët duhet të ndihmojnë në propozimin dhe gjetjen e zgjidhjeve, në vend që të merren me historinë dhe identitetin e kombit. Me historinë le të merren historianët.

Por, me të gjitha këto halle të vet shkaktuara, shumica dërmuese e shqiptarëve e dinë se cili është identiteti i tyre, cila është historia dhe kush janë heronjtë e saj, si dhe cili është roli i Gjergj Kastriotit Skennderbe në historinë e shqiptarëve ndër shekuj. Shpresojmë se Shqipëria do të jetojë përgjithmonë me identitetin e saj unik në zemrat e bijve dhe bijave të saj më të mirë, të atyre shqiptarëve që sipas At Gjergj Fishtës nuk janë vetëm shqiptarë me fis e me trup, por të cilët janë shqiptarë me shpirt. “Shqiptarët me shpirt” të At Gjergj Fishtës, sot më shumë se kurrë, duhet të ruhen e të kenë kujdes interesat kombëtare nga sulmet e “zuzarëve” të Faik Konicës që “u lindën në Shqipëri”, por të cilët luajnë lojën e dikujt tjetër. Shqiptarët nuk janë një popull pa atdhe, pa histori dhe pa identitet, siç janë munduar t’i paraqesin gjatë historisë armiqtë e tyre. Prandaj, Shqiptarë mos kini frikë nga identiteti kombëtar,, por të jeni krenarë, ta ruani, ta kultivoni dhe heronjtë e kombit, përfshirë Gjergj Katsriotin – Skënderbe t’i mbroni nga sulmuesit e mbrendshëm dhe të jashtëm.

E fillova me fjalët e urta të Faik Konicës dhe po e mbaroj me Faik Konicën. O shqiptarë, nëqoftse nuk kini çka u bëni të hujave që sulmojnë historinë, identitetin dhe heronjtë e kombit, përfshirë Gjergj Kastriotin Skenderbe – atëherë Konica porositë shqiptarët që të pakën t’i luftojnë ata që janë të “lindur shqiptarë” por që punojnë kundër interesave të kombit, pasi “Eshtë turp prej kësi krimbash, Të mundohet një komb trimash!”

Nga Faik Konica – Flamuri

Skenderbeu kur jetonte
Shqipëria lulëzonte.

Ishe e fortë, ish e zonjë
Kish në flamur një shqiponjë
Një shiponjë me dy krerë
Ai lirisht hapej në erë.

Kur armiku na vërvitej
Flamuri i kombit ngrihej

Gjëmonin një mij trumbeta
Suleshin treqind mij veta.

Derdhjin gjakun si të marrë
Që të mbaheshin Shqipëtarë.

Derdhjin gjakun pa peshuar
Për flamunrin e bekuar.

Po trimat shkuan përjetë,
Shqipëria mbet e shkretë

Trimat shkuan edhe vanë
Kordhët po ndryshken mënjanë.

Kordhët ndryshkën e në baltë
Na ra flamuri i naltë!

Na ra flamuri i naltë
Mbeti e u kalb në baltë!

Sot kan dalë ca zuzarë
Që ulërtinë shqipëtarë,

Po këtë emër e lanë
U bashkuan me aganë

E punojnë nat’ e ditë
Që të mebtemi pa dritë,

O zuzar, o tradhëtorë
Ne na bëjtit shërbëtorë,

Na e vuatlitë lirinë
E na shkeltë Shqipërinë.

Rrëmbyet e po rrëmbeni
Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!

Po mjaft! Koha ësht afër,
Kur të ndizet luft’e ashpër,

Lufta tri her’e bekuar
Që na ka pët të shpëtuar,

Jo luftë kundrë Turqisë,
Jo kundrë mbretit Shqipërisë,

Po luftë për ca zuzarë
Që u lindnë shqipëtarë

E, armiq të Shqipërisë,
I fryjnë dritës së lirisë,

S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash!

Ngrehuni, o shqipëtarë,
T’i shtypim këta zuzarë!

Faik Konica