Kosovarë, mos ejani për patriotizëm në plazhet tona!

1
659

AUTORI MERO BAZE, GAZETAEXPRESS, 20 Korrik 2017

Po bëhet një ritual i përvitshëm përdorimi i sezonit veror për sulme ndaj turizmit të Shqipërisë, në disa media të Kosovës. Disa thonë është çështje marketingu e kompanive, që duan të dërgojnë njerëz në Turqi, apo bregdetin e Malit të Zi. Të tjerë mendojnë se turizmi i Shqipërisë i meriton sharjet, dhe si ilustrim të thonë, që e ka sharë dhe Sonila. Mund të jenë të dyja nga pak.

Vetëm nëse lexon disa portale të Kosovës muajin e fundit, shikon se ka një tendencë të theksimit të një fryme anti-kosovare, që sipas tyre gjendet në Shqipëri dhe shkohet pastaj deri në thirrje për ta bojkotuar bregdetin e Shqipërisë.

Rasti i fundit me spekulimin e autobusëve të Kosovës në Durrës, është banal, por reflekton dëshirën për t’i ilustruar skenarët e sulmit, edhe me doza racizimi.

Të pushosh në Shqipëri, nuk është një mrekulli, dhe mbi të gjitha, nuk duhet të jetë kurrsesi një patriotizëm. Unë pushoj rregullisht në Shqipëri, por jo për patriotizëm. Pushoj se këtu kam gjetur tipin e turizmit që më shlodh, duke kombinuar detin me malin dhe me udhëtimet. Plazhet nuk janë tërësisht të pastra, por ama ka plazhe që janë dhe shumë të pastra dhe më standart ndërkombëtar.

Plazhet e Rivierës shqiptare, që nga “Pema e Thatë” në Ksamil, në Krorëz e Kakome, Gjipe dhe Karaburun e deri në Sazan, janë ndoshta më të mrekullueshmet e Mesdheut. Por dhe mu në mes të zonës jo aq elitare si Golemi, mund të gjesh “Playa del Esta”, një super plazh me rërë me standart të njëjtë, që mund ta gjesh në Florida.

Hotelet nuk janë shumë të mira, por dhe në vendet më pak jo elitare, gjen hotele që janë të mrekullueshme, që nga Shëngjini deri në Sarandë. Në vendin më të keq në Golem për shembull, mund të gjeni një hotel si “Flowers”, që ka 130 ditë të pronotuara në vit nga turistë të huaj dhe që janë të gjithë të kënaqur, një ishull parajse, që ka krijuar me aq mund investitori shqiptar.

Drita dhe ujë nuk ka gjithandej, siç ka në Francë apo Itali, por investimet në këtë pikë janë të pakrahasueshme me vite më parë, kur nuk kishte kaq shumë ankesa. Dhe atje ku shteti nuk ka arritur akoma, investitorët bëjnë super sakrifica. “Boungovile bay” në Sarandë, është një resort në mes të katrahurës së ndërtimeve dhe betonit të atij qyteti, por i duhet të blejë rreth 400 dollarë ujë në ditë për pushuesit, vetëm që të ruajë standartin e një resorti pa asnjë mungesë. Dhe ky është i vetmi gjest patriotik për turizmin shqiptar, gjesti i mbijetesës pa fitim nga investitorët, për t’ia dalë ëndrrës së tyre.

Kultura e turizmit tek mikpritësit shqiptarë, shpesh është e mangët, por po u nise të bësh sherr, e jo të pushosh, do ta gjesh dikë patjetër, që është gati të bëjë sherr me ty.

E vërtetë është edhe se turisti i varfër i Kosovës, nuk është shumë i pëlqyer, dhe kjo duhet thënë pa doreza. Kjo mungesë preference, nuk vjen se është nga Kosova, por se shumë pak vetë janë të gatshëm të lëshojnë një dhomë për tre-katër vetë, për vetëm dhjetë euro, dhe të përballen me një destabilizim të saj, pas ikjes. Është thjeshtë nervozizëm, që vjen nga mungesa e fitimit që ke nga një turist i varfër. Njësoj do nervozoheshin dhe nëse një kërkesë e tillë do vinte nga italianë, grekë, apo hungarezë.

Në Shqipëri pushojnë ata që duan të pushojnë dhe që dinë të pushojnë këtu. Është diçka që të ngjit, ose jo. Mos u shqetësoni as nga sulmet ndaj turizmit shqiptar dhe as mos u ngazëlleni nga turizmi patriotik. Ai nuk ekziston, përveçse në përrallat e qaramanëve dhe fjalimet e delirantëve.

Ne kemi një bum turizmi së paku vitet e fundit, se jemi ende të lirë. Jemi ende me dhoma dhjetë euro mesatarisht për çdo person, jemi me plazhe ende të lira, dhe me mundësi që turisti i varfër i Kosovës, Maqedonisë, Hungarisë, Ukrainës, Polonisë dhe Çekisë, të vijë deri këtu.

Varfëria është ende biznesi i turizmit tonë dhe jo luksi. Saranda po mbushet nga italianë të jugut, nga polakë, çekë etj. Bregdeti i Durrësit dhe Golemit po ashtu. Vlora po rizgjohet si destinacion edhe i pjesës adriatike të saj. Është ndoshta koha më e mirë e turizmit shqiptar në vite, që edhe për shkak të krizave politike në Egjipt, Tunizi, Turqi etj, janë kthyer nga ne.

Jemi ende të lirë dhe jemi ende treg për të varfërit, për ata që shkojnë në det, ndoshta dhe për herë të parë, për ata që duan të krijojnë një ritual të zbavitjes së familjes në jetën e tyre, që u ka munguar më parë.

Për fatin tonë të mirë, nuk kemi turizëm luksoz. Se po ta kishim, jo më turistë nga Kosova e Maqedonia, por as shumica nga ne, që e kemi detin tek këmbët, s’do ta kishim prekur dot. Gëzojuni varfërisë dhe shijojeni Shqipërinë, sa është ende e lirë dhe e varfër, siç është Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, Ukraina etj. Nuk ju kërkojmë të bëheni patriotë, pasi askush nuk po vjen për patriotizëm në plazh. Dhe nuk duhet të vijë. Për patriotizëm vishen rroba ushtarake dhe jo rroba plazhi. Kur Shqipëria të bëhet e pasur, nuk ju ndihmojmë dot.

Kjo thirrje nuk vlen për ata që janë të pasur, që vijnë nga Kosova në vilat e Lalzit, apo në vila një milionë euroshe në Sarandë. Ata njësoj e kanë të shkojnë dhe në bregdetin e Francës apo Italisë, se kanë aq para. Vlen për ata që marrin bukë me vete, kalamajtë në veturë dhe duan me pa detin. Ejani shijojeni se është ende i lirë.

Dhe në u ndodhtë diçka që nuk ju pëlqen, apo ju mërzit, kafshoni buzën. Nuk është arsye të shash Shqipërinë, pse të kanë shku pushimet keq. Nuk ka nevojë të jeni patriotë për të ardhur këtu. Tani për tani na mjafton që jeni ende të varfër, si ne. Po ishit dhe patriotë, do ishte mirë të mos shanit, por nuk po ua kërkojmë doemos.

1 KOMENT

  1. O Bari,

    Unë me parë pushoj ne bregdetin tim per shume €$€, se sa te shkoj gratis ne Turqi, Greqi, Kroaci, Bosnje, Spanje… ne keto shtete edhe te me japin $$$$$$, per çdo dite qendrimi nuk shkoj. Por pushoj ne bregdetin tim.

    Ti nuk din se çka eshte patriotizmi, sepse per te folë per patriotizem duhet te kete kritere se çka konsiderohet patriot. Kur ti i tregon kriteret tuaja se kush eshte patriot, atehere mund te shkruajsh kesi paçavurrra… ahmakoide.

Komentet janë mbyllur.