Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon kundër shkrimit që implikon UÇK-në

0
1186

ORGANIZATA E VETERANËVE TË LUFTËS
TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Nr. _____/’17
Prishtinë, 14.07.2017

R E A G I M

Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ndaj shkrimit të publikuar në Gazetën Metro si dhe në disa portale të datës 14.07.2016 me titull “Shkatërrohet rrjeti kriminal i veteranëve të UÇK-së, dërgonin drogë e armë në Serbi”.

Shkrimi i publikuar i kësaj “gazete”, i përpiluar nga ndonjë gazetaruc dhe i diktuar nga kancelaritë mediatike serbe nuk ka të bëjë me realitetin sepse në OVL të UÇK-së asnjëherë nuk ka pas e as nuk ka rrjete kriminale. Organizata e Veteranëve të Luftës është organizatë legale që funksionon në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe i mbrojmë të drejtat e pjesëtarëve të Ushtrisë së lavdishme çlirimtare, por jo edhe të atyre individëve që me ose pa qellim shkelin ligjet e shtetit.

Derisa për rastin në fjalë, është një shpifje e poshtër, gënjeshtër e kulluar sepse një rrjetë i tillë, siç po pretendojnë disa “gazetar” në shkrimet e tyre të diktuar nga kancelaritë e mediave të Serbisë nuk ekziston e as nuk ka ekzistuar në OVL të UÇK-së, por për këtë “gazetë”, ata gazetaruca dhe ato por(dh)tale pa fije profesionizmi e me erë bajge, tashmë e ka kuptuar i gjithë populli se prej nga po diktohen e po financohen.

Ne si OVL e UÇK-së, nuk duam e as nuk mendojmë të ndërhyjmë në organet e drejtësisë, edhe pse e dijmë se drejtësia nuk funksionon siç duhet, sepse po të ishte ashtu, shumë prej “gazetave”, “portaleve” dhe “gazetarëve” shpifës do të kërkonin përgjegjësi ligjore dhe më pas do t’i ndalonin shpifjet dhe gënjeshtrat që po i mbushin faqet e faqet e zeza të gazetave dhe rrjeteve sociale.

Ne jemi për ligj dhe rend, jemi për drejtësi të mirëfilltë dhe të vendosur e të sigurt për veprimet tona të drejt. Kemi qenë dhe jemi që të gjithë ata që shkelin ligjin duke kryer vepra penale të ndëshkohen, pavarësisht se a janë veteran apo qytetar të tjerë. Kemi qenë dhe jemi kundër të gjithë atyre që shpifin për luftën e shenjt të UÇK-së dhe pjesëtarët e saj të vërtet.

Dhe në fund, përmes këtij reagimi kërkojmë nga këto “gazeta’, “portale” e “gazetarë” që ta ndërpresin fushatën aq të poshtër e të egër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ndalojnë shpifjet e gënjeshtrat e diktuara nga armiku shekullor, në të kundërtën ne do t’u konsiderojmë jo vetëm si bashkëpunëtor të tyre, por tamam armiq të popullit.

Kryesia e OVL – UÇK-së
Prishtinë, 14.07.2017

Hysni Gucati, Kryetar