Më 5 shtator 2017, permes Kardinalit Ernest Troshani shugurohet Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë

1
2771

Shkruan Lekë MRIJAJ

Gazeta Zyrtare e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”, konfirmuan se Papa Françeku ka emëruar Kardinalin Shqiptar Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, shugurim i cili do të jetë më 5 shtator 2017, dhe ky është akti final me të cilin objekti apo Katedralja e Shën Terezës në Prishtinë në mënyrë të kompletuar vihet në shërbim të Zotit dhe popullit. Pikërisht sot me 15 Korrik 2017 në mesditë edhe në ipeshkvinë e Kosovës në Prishtinë u mbajt një konferencë për media njiherit permes mons. dr. Lush Gjergji, dr. don Shan Zefi, kancelar ipeshkvnor, don Viktor Sopi, drejtor i “Caritasit” të Kosovës e don Lenc Sopi, dekan i dekanatit të Pejës u prezentua programi i Shugurimit të Shenjtërores Shqiptare “Shën Nënë Tereza”, Prishtinë.

Gjatë shpalosjes së programit të shugurimit të Katedrales, është bërë edhe stema, e cila është simboli i ngjarjes, e cila për brezat në vijim do të jetë si dëshmi për atë çka ka ndodhur. Njëkohësisht ishte mons. Dr. Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës i cili tha se: “Sot kam nderin të jap një lajm të gëzuar, pasi Papa Françesku ka caktuar përfaqësuesin e tij, që do ta përfaqësojë atë, me rastin e shugurimit të objektit dhe ai është Kardinali Shqiptar Ernest S. Troshani. Me këtë siq potencoj mons. dr. Lush Gjergji, tashmë po realizohet një dëshirë dhe ëndërr që do të thosha e kamotshme dhe një nevojë e kamotshme e Kishës vendore në Kosovë, sidomos e Shkëlqesisë së Tij, tashmë të të ndjerit Imz. Mark Sopi, ipeshkvit të Kosovës i cili është angazhuar me mish e me shpirt për ndërtimin e Katedrales si dhe të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, por edhe shumë miqve e bashkëpunëtorëve të tjerë“, tha mons. dr. Lush Gjergji.

Ndersa don Shan Zefi, kancelar ipeshkvnor, ka shpjeguar domethënien e stemës së krijuar nga i riu Lin Halili. Në çrast sipas kancelarit në fjalë katedralja e paraqitur brenda dy krahëve të shqiponjës simbolizon kishën dhe popullin që kanë lindur Nënën Terezën, e cila qëndron në ballë të katedrales duke bekuar vendin, popullin dhe kishën e vet. Krahët e shqiponjës siç po shihen janë me ngjyrë të bardhë pasi që tani populli ynë jeton në paqe e liri, por mbi të gjitha ato i bënë të sh’ndritshme rrezatimi i dritës së dashurisë me të cilën Nënë Tereza ka sh’ndritur zemrat e njerëzve në mbarë botën”, tha dr. don Shan Zefi.

Don Viktor Sopi, drejtor i “Caritasit” të Kosovës foli për biografin e Kardinalit Shqiptar Ernest S. Troshani, i cili siq tha ai u lind më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshatra të humbura mes malesh, ku nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëherë e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.

Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Ndërsa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për bashkëvuajtësit. Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyruar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat 12 në minierë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.

Ditën, pastrues i gjirizeve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Papa Françesku e ka krijua kardinal më 19 nëntor 2016. Troshani është kardinali i dytë i shqiptarëve, pas Kardinal Mikel Koqiqi.

Ndërsa në mbyllje të konferences ipeshkvnore në Prishtinë, don Lenc Sopi e konsideroj këtë ngjarje shumë të rëndësishme për gjithë popullin shqiptar, andaj tha se kremtimi për shugurimin e katedrales “Nënë Tereza” do të fillojë më 26 gusht, në ditën kur është edhe ditëlindja e Nënë Terezës dhe në ditën e gurthemelit të ndërtimit të katedrales me takim nga ora 18:00, në Katedrale në Lutje e Meditime mbi Nënën Terezë. Kjo jo vetëm se do të ndodhë në Prishtinë, por sigurisht që të gjithë ftohen që të marrin pjesë në Prishtinë, ndërsa për të gjithë të tjerët do ta kenë mundësinë që të njëjtën gjë për të bërë në bashkësitë e veta katolike, të shpërndarë në të gjithë Kosovën nëpër famullin tonë“, tha në permbyllje dekani i dekanatit të Pejës, don Lenc Sopi.

Vlenë të theksohet se inaugurimi i Katedrales” Nënë Tereza” në Prishtinë është bërë më 26 gusht të vitit 2010, ndërsa ndërtimi i saj kishte filluar në vitin 2011.

Komentet janë mbyllur.