LUTE FESTËN MORE SHOSH, NË DAÇ ME HATËR NE DAÇ ME ZOR !!!!

0
1867
Dukagjini

Prel Milani

Që të mos perdorni pa ditur kuptimin, lexoni shkrimin ne vijim!

Kështu asht titulli satirik i nji kange që lidhet me nji ngjarje gjysmë komike, gjysmë dramatike në mardhënjet mes Shalës e Shoshit, ku protagonist kryesor ishte bajraktari i Shalës Dehli Deda (qe thirrej) Dehli i Shalës, nji prijës grusht-hekurt që thuhet se rrëmbeu parinë e Shoshit. Një autokrat tipik malesh birë i guximit demagog i rafinuar nipi “i pamëshirshëm e mëkatar” i Shoshit.

Shala festonte me miq Shën Gjonin, kurse Shoshi festonte Shqurkun. Shoshi i shkonte Shalës për festë me 300 shtëpi e përhapej në 700 shtëpi, kurse Shala i shkonte Shoshit me 700 shtëpi dhe shpërndahej në 300 shtëpi. Shqurku i Shoshit ( Shen Bonaventura) festohet me 13 korrik, në nji stinë tepër kritike sidomos për sigurimin e bukës e rakisë, plus edhe vapa e madhe dhe punët e stinës qe liheshin në mes për ditë të tana ishin të dizfavorshme për Shoshin. Shën Gjoni i Shalës me 26 dhjetor përkonte me nji kohë të lirshme, fund viti kur vjeshta ia kishte dorëzue gjithë hambarët e vet dimnit. Duke pas parasysh kushtet e vështira ekonomike në nji periudhë krize( jetësh të liga) Shoshin e randoi së tepërmi festa me shpenzime, prandaj vendosi të mos e festonte me miqësi të madhe por vetëm me nipa e me bija.

Në Shosh thuhet se edhe Shala ma përpara kishte vu nji usull (sun) të tillë që për Shën Gjon me pritë vetëm miqtë e kresë dhe bijat për të kufizue shpenzimet randuese. Shoshi respektoi vendimin dhe nuk i shkoi për festë Shalës. Kur Shoshi i vuni usullin (sunin) i çoi fjalë Shalës: As ti mos hajde për Shqurk, as nuk të vij për Shën Gjon. Edhe sot kur kujtohet me humor kjo ngjarje ka nji lojë fjalësh në lidhje me këtë ngjarje. Në Shalë thuhet se Dehli tha Shoshit: -Ti mua më erdhe për Shën Gjon e të prita, prandaj ma ke “borxh” të na presësh për Shqurk dhe do të vij deshte nuk deshte ti.

Filli i këtij sundi mbeti mister se kush e vuni i pari, por jo vizita e pa ftesë e Shalës në Shosh. Dehli me ekstravagancë dhe dëshirën për të ba rrangje, që në ato kohna ishin të modës, vendosi me nji suitë belektarësh që t’i thyente sunin (vendimin) Shoshit. U vu në krye të kesaj çete dallaverexhishë e qylxhishë dhe mori rrugën për tek daja i tij Luc Gila qe kishte shpinë në lagjën Gjoshaj afër kishës së Shoshit. Bajraktari namuzqar mendoi se daja nuk do të konfliktohej me nipin e dashtun dhe do ta pranonte në festë duke i thanë Shoshit se nipin nuk kisha si ta nxjerrja jashtë.

Por daja me stoicizëm nuk pranoi të shkelte sundin e fisit.

Kur Dehli i thirri për kundra dajës: – O Lucë Gilaaaa!
– Jam Dehli i Shalës e pritëm se jam ka vij me 50 veta!
Luca u përgjigj thekshëm sa e nigjoi gjithë fisi e ushtuan malet e Shoshit.

– Nuk kam festë për ty sonteeee! Vëni majën ka i ke vu thembrën dhe gjuajti me pushkë përpjetë. Te shtënat qenë nji paralajmërim serioz se nuk shkohet në festë me zor dhe në qoftë se nuk ktheheshin prapa do i priste shutimi me thumb. Nipi i befasum nga të shtënat idhnake të dajës, u detyrue të kthehej mrapa e të dilte në lagjen Celaj nji gjysë ore ma larg. Për hakmarrje ndaj gjestit mosbindës, që i bani daja nipit bajraktar, komikët anonim të kohës, me nota të thella sarkazme nxorën nji kangë që i mbeti Shoshit ngjitur padrejtësisht prapa si rrodhe për shumë vite madje edhe sot recitohet tek-tuk pa ia ditë kuptimin.

“Lute festen more Shosh
N’daç me hatër n’daç me zor
More Lucë ti Lucë Harrjati
I okë raki merre te frati
Gjysen ti, gysën Binaku…” !

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar