ME NXËNËSIT NË BUKURITË ALPINE AUSTRIAKE

0
1346

Ndue Lazri

Olimpiada e dytë e shkollave shqiptare në qytetin Melk

Rrezet e para të mëgjesit na gjejnë në afërsi të kufirit austriak. Udhëtojmë me disa makina. Ndalemi në një autogril dhe bëjme një foto para se të fillojmë shtegëtimin luginave mes maleve të thepisura të Alpeve. Janë grupi i sportistëve të shkollave që ka përgatitur shoqata “Iliria” në Treviso për të marrë pjesë në olimpiadën e dytë që zhvillohet në qytetin e bukur Melk të Austrisë, trajnerë, prindër e aktivistë, si dhe grupi i njohur i valltarëve të kësaj shoqate. Kryetarja e shoqatës, avokatja Ermira Zhuri drejton grupin në këtë udhëtim që zgjat mbi 6 orë. Por rruga nuk ndihet. Bukuritë natyrore që shpalosen në të dy anët e autostradës, gjelbërimi i pafund, fshatrat e qytetet e vogla alpine, liqenet e kaltër akullnajorë e bëjnë udhëtimin shumë të këndshëm.

Arrijmë në qytetin Melk, një qytet i vogël buzë Danubit, me më pak se 6 mijë banorë, por mjaft i rëndësishëm në historinë dhe kulturën austriake. Abazia e qytetit, një ndërtesë e mrekullueshme e stilit barok, më e madhja e këtij stili jo vetëm në Austri, por edhe në mbarë Europën, imponohet me bukurinë e saj që nga kodra ku është ndërtuar, qoftë mbi qytetin, qoftë mbi vetë lumin e Danubit që rrjedh aty pranë. Pamjet e saj janë të jashtëzakonshme nga të gjitha anët, por sidomos e parë nga Danubi. Kjo abazi, e themeluar qe në vitin 1089 si bibliotekë e qytetit Melk nga manastiri benediktin, është ndërtuar në formën që ka sot nga vitet 1702-1736. Thesaret që ajo ka brenda, tërheqin çdo ditë mbi 5000 vizitorë nga e gjithë bota. Pra, çdo ditë popullsia e qytetit dyfishohet në sajë të turistëve që e vizitojnë atë e kjo ka një ndikim të madh në ekonominë e vetë qytetit.

Biblioteka është e famshme për numurin e shumtë të dorëshkrimeve të veprave origjinale. Në fakt ajo ka në fondin e saj mbi 1800 dorëshkrime dhe mbi 100 mijë libra. Një nga dorëshkrimet më të vjetra e më me vlerë është ai i vitit 1300 të një fragmenti nga eposi i famshëm gjerman “Kënga e Nibelungëve”. Fakti që kjo abazi në formën e një kështjelle përmban kaq dorëshkrime me vlerë e ka frymëzuar shkrimtarin e madh Umberto Eco që heroin qendror dhe ngjarjet e librit të tij “Il nome della rosa” (“Emri i trëndafilit”) t’i vendosë pikërisht në ambientet e kësaj abazie e të këtij qyteti.

Me mikun tim Muamer Murtezani, valltar i grupit të Trevisos dhe pjesëtarë të tjerë të grupit ngjitemi të vizitojmë abazinë dhe rrugët karakteristike përreth saj, që të kujtojnë disi rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës. Ndòrsa me poeten Mardena Kelmendi, tek shetisnim brigjeve te Danubit, flisnim edhe per poezine dhe frymezimet qe u ka dhene ky lume kompozitoreve te medhenj austriake.

Pikërisht në këtë qytet të bukur e mjaft piktoresk, në stadiumin me emrin Shubert, zhvillohen edhe garat e olimpiadës. Sivjet është edicioni i dytë. Kjo olimpiadë organizohet sipas idesë dhe me iniciativën e konsullit të Kosovës në Austri, Imer Lladrovci. Ide që u mirëprit dhe u përkrah menjëherë nga komuna dhe autoritetet lokale të qytetit Melk. Duke parë suksesin e edicionit të parë vetë komuna kërkoi që kjo të bëhet traditë e përvitshme dhe ajo ofron mikpritjen për gjithë sportistët nxënës të shkollave, për shorëquesit e trajnerët e tyre, për të ftuarit e tjerë e përfaqësuesit e shtypit dhe vë në dispozicion stadiumin, pishinat e ambientet e tjera sportive për zhvillimin e garave të olimpiadës.

Këtë vit, përveç grupit të nxënësve shqiptarë të përgatitur nga shoqata “Iliria” dhe që përfaqëson shkollat shqipe në Itali, kanë ardhur ekipe sportive edhe nga shkolla shqipe në Austri, nga Kosova, Maqedonia, si dhe nga Shqipëria. Takoj mësuesen Mirela Pjetrani nga Shkodra. Ajo punon në shkollën e Dragoçit, por ka përgatitur një grup miks nxënësish nga shkolla austriake “Peter Mahringen” në Shkodër, si dhe nga shkollat publike e jo publike të atij qyteti, per t’u paraqitur në disiplina të ndryshme sportive në këtë olimpiadë. Do të binte veçanërisht në sy gjatë ditëve të olimpiadës atletja nga Nënshati, me origjinë mirditore, Dafina Biba.

Ndërsa me grupin e Trevisos merrej gjithnjë e palodhura Marie Lala.
Në kohën që grupet e sportistëve nxënës (ishin mbi njëqind) dhe të trajnerëve e të ftuarve vazhdonin të vinin, më bëri përshtypje konsulli i Kosovës në Austri, Imer Lladrovci. Ai merrej vetë me organizimin e çdo detaji të këtij evenimenti dhe e shikoja gjithnjë në lëvizje që në pritjen e njerëzve, në sistemimin e tyre nëpër hotele, me provat në stadium përpara fillimit, në pritjen e shoqërimin e autoriteteve etj. Dinte ta gjente gjuhën dhe fjalën për secilin. Thjeshtësia dhe dinamizmi e profesionaliteti i tij janë një shembull i mirë për çdo diplomat në përfaqësimin e vendit të vet.

Ceremonia e hapjes fillon me parakalimin dhe rreshtimin e grupeve pjesëmarrëse në fushën e blertë të stadiumit. Në krye prin banda muzikore e qytetit Melk me kostumet e instrumentet karakteristike austriake. Pastaj grupi i valltarëve shqiptarë të Trevisos, i përgatitur nga valltari i talentuar Imri Osmani, si dhe artistë të tjerë të veshur me kostume kombëtare shqiptare. E pas tyre të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Atletët në fushë dhe spektatorët që mbushnin shkallët e stadiumit i përshëndesin Kryetari i komunës së qytetit Melk, Tomas Vidrich, ministri i diasporës i Republikës së Kosovës, Valon Murati, drejtori i olimpiadës, Gerhard Shubert, përfaqësuesja e ambasadës shqiptare ne Vienë, Aida Saka, konsulli i nderit i Shqipërise në Hungari Avni Hafuzi etj.

Pastaj ndizet flaka simbolike e olimpiadës dhe fillon manifestimi artistik. Për disa momente fusha e gjelbër e stadiumit mbushet me ngjyrat e bukura të kostumeve kombëtare shqiptare, veshur nga valltarët të cilët do të sillnin një sërë vallesh të bukura nën tingujt e muzikës sonë popullore. Pas kësaj hapjeje artistike u lihet fjala sportistëve, që fillojnë me një ndeshje futbolli.

Në ambientet e stadiumit takoj ministrin e diasporës së Kosovës, Valon Murati dhe drejtorin e drejtorisë së kulturës të kësaj ministrie, Abdyl Lipoveci dhe bisedojmë për një bashkëpunim në aktivitetet e Federatës sonë të shoqatave shqiptare në Itali FNAI.
Organizatorët kanë menduar bukur që mbrëmja e hapjes së olimpiadës të kalohet me një darkë na natyrë, në ambientin piktoresk pranë pishinave ku në ditët në vazhdim do të zhvilloheshin garat e notit. Edhe gjatë kësaj mbrëmjeje, muzika dhe këngët shqiptare ishin protagoniste.

Olimpiada vazhdoi për 4 ditë me radhë, ku ekipet pjesëmarrëse u vunë në garë në disiplina të ndryshme sportive, si në futboll, volejboll, vrapime, not, hedhje disku, kërcim së gjati etj. Ajo ndikoi jo vetëm në afirmimin e talenteve të vërteta sportive, por edhe në njohjen e miqësimin midis pjesëmarrësve nga shkolla të ndryshme nga të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Në fund u bë edhe ceremonia e mbylljes, me shpërndarjen e kupave e medaljeve, si dhe të çertifikatave të mirënjohjes për pjesëmarrësit. Grupi përfaqësues i Trevisos meritoi kupën, si dhe 10 medalje e 20 çertifikata mirënjohjeje.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar